Majlinda Kelmendi, kampione e botës në xhudo, e cila po e përfaqëson Kosovën në Lojërat Olimpike, ka fituar sot garën e parë, duke mposhtur zviceranen Evelyne Tschopp, me rezultat 100 me 0.
Ajo ka arritur të kualifikohet për në çerekfinale të Lojërave Olimpike, të cilat po zhvillohen në Rio de Janeiro të Brazilit.
Majlinda Kelmendi në Olimpiadë
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se garat në të cilat do të marrë pjesë Majlinda Kelmendi fillojnë sot në orën 10 sipas kohës lokale.
“Garat ne kategorinë ku garon Majlinda Kelmendi fillojnë sot, në orën 10:00 me kohen lokale të Brazilit. Kelmendi është e lirë në luftën e parë, ndërsa lufta e dytë është paraparë në orën 11: 24, që me kohën e në Kosovë është 16:24”, ka bërë të ditur Hasani.
Ai ka shtuar se: “Majlinda Kelmendi është e përgatitur për këtë moment dhe unë personalisht mendoj se do të shkëlqejë”.
Majlinda Kelmendi është kampione botërore në vitin 2013, në xhudo për femra, në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Edicioni i 31-të i Lojërave Olimpike Verore ka nisur më 5 gusht në Rio Janeiro të Brazilit, ku Kosova paraqitet për herë të parë.
Kosova përfaqësohet në Lojërat Olimpike në RIO nga 8 sportistë të disiplinave të ndryshme.
Kosova u bë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar para më pak se 2 viteve dhe është anëtarja më e re që i shtohet familjes olimpike. (REL)
Komentet