Baballarët e mendimit intelektual të Diasporës u varrosën për së dyti.
Nga “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” e Stambollit” e “Degët e Shoqërisë së Stambollit” nëpër botë, nga Shoqëritë “Ditura” e “Drita” në Bukuresht, Shoqëria “Dëshira” në Sofje, “Vëllazëria e Shqiptarëve ” në Egjipt, nga Lëvizja kombëtare e arbëreshëve të Italisë, kemi mbërrit sot në shoqata diasporiane organikë Ministrie.
Dikur “Flamuri i Arbërit” i De Radës, revista “Dituria” e “Drita” (Lumina), nga gazeta “Shqipëtari” (Albanzul) e shtrypshkronja “Mbrothësia” (Përparimi), nga tekstet “Dheshkronja” e Sami Frashërit, “Radhuashkronja”, “Numërmësonja” e “Mirëvetia” e Jani Vretos, “Bagëti e bujqësi”, “Lulet e verës”, “Istoria e përgjithshme”, “Dëshir’ e vërtetë e shqiptarëve”, “Mësimet” e Naim Frashërit, “Dituritë” e Naim Frashërit e shumë të tjera, sot është krijuar media diasporiane e komanduar nga centralizmi ministror.
Pavarësia e mendimit të lirë e patriotikë të baballarëve të diasporës shqiptarë, është zvendësuar nga nepotizmi, qokat e rekomandimet e misionerëve elektoralë të pushtetit.
Klasa politike e institucionale në Shqipëri e ka të qartë fuqinë e Diasporës në faktorizimin e pushtetit.
Jo më kot, pasi i mbajti me shpresë virtuale takimesh, pasi iu vuri mikrofonat e hapi dyert e studiove televizive aktivistëve të shfaqur magjikshëm që në 30 vite beteje diasporiane paragjykimesh e të drejtash civile nuk i kishim dëgjuar kurrë, krijoj fotografinë diabolike të skenës së parë të filmit: “u përpoqëm shumë e pardon e lemë të votoni herën tjetër.”
E “mëndjendriturit” fallxhorët e hicit, komentuan me meskinitetit e fodullit të budallit që gënjen veten sikur ka zbuluar vezen e Kolombos; “e dinim se nuk do realizohej vota e diasporës kësaj here.”
Por kjo “hera” – që u rinovua në “hera tjetër”, është qëllimi që faktori Diaspora të shpërfytyrohet.
Një ushtri institucionale hallkash zinxhiri që lidh shoqëri civile, grupe shoqatash e aktivistë, dhoma tregtie e biznesi, organizma ekonomike kombëtare e ndërkombëtare, projekte e fonde kulture e sociale, këshilla e komitete deri në nivele diplomatike, ka përgatitur bazën që Diaspora të mos jetë më element faktorizues i pushtetit, por shërbyes i saj.
E gjëja e parë për të cilën patën nevojë qe Media Diasporiane, fuqia e katërt e pushtetit.
Gazeta e Diasporës pasi nisi punën duke vjedhur artikuj e punën e gazetareve shqiptarë anekënd botës e pa i cituar kurrë, krijoj dosjen projektuale për të bindur Zvicrën se keni nevojë për ju e arriti të marr financimin për të promovuar “të llastuarit” e pushtetit, miqtë e Ambasadave, njerëzit e rehatshëm që iu mbërthejnë interesat e politikës majtiste e ato personale. Mes tyre dhe sipërmarrës të sukseshëm me biznese anekënd botës e cuditërisht miq të mirë me politikanë, deputete e ministra shqiptarë.
Makina institucionale e Diasporës “pushtetare” e propaganduar o e kamufluar (e ky eshte hall i madh) drejtohet nga Ministria e Diasporës e timonieri Majko.
U tha se dha dorëheqjen nga politika, por buzëqeshur nuk mungon në cdo event politik e isntitucional që prej 25 prillit.
Buzagaz u shfaq në eventin e fundit kur vlerësoj veten për propagandën diasporiane që ka ngritur në këmbë.
E përdori fondet strukturore ministrore per të promovuar vetveten “si media më e mirë e vitit”.
Në fakt askush nuk jep cmime vjetore në mes të muajit korrik, por frika se shtatori nuk do e gjej më në krye të kështjellës diasporiane, shtyn ngutin për të organizuar këtë event financimesh nga
Fondi i Zhvillimit të Diasporës, që financon njëherësh dhe Dhoma Tregtie e Biznesi Diaspore e që vlerësojnë organe mediatike që i promovojnë duke çmuar vetveten.
Pra, një rrjet merimange, ku të gjithë i shërbejnë njëri- tjetri, familjarëve e miqve e askush diasporës së vërtetë të emigrantëve me plot halle nga Greqia e afërt deri në kufijtë e globit ku kanë emigruar për t’i shpëtuar helmit e thatësirës së kucedrës politiko-ekonomike shqiptare.
E pra, në një mbrëmje festive korriku 2021, një Ministër e Ministri e dështuar në cdo objektiv të saj e në atë më parësor sic qe VOTA e EMIGRANTEVE, autovlerëson median e saj Gazeta e
Diasporës, përmes strukturës së saj më të rëndësishme që është Fondi Shqiptar i Zhvillimit të Diasporës.
I ngjan një komedie groteske në Domus Aurea të Neronit ku janë pozicionuar figura vegjetale, figuricka humane e shtazë ekstravagantë në skena rrëfimi.
Gazeta Diaspora u vlerësua nga Ministria Diaspora, në një event të Dhoma Diaspora që financohet nga Fondi i Zhvillimit Diaspora, si media më e mirë e vitit.
Baballarët e mendimit intelektual të Diasporës Shqiptare janë varrosur për së dyti nga turpi.
Komentet