Maizière: do të kishin të drejtë për të qëndruar në Gjermani duke qenë se Greqia është vend i Bashkimit Evropian
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Thomas de Maizière, që ka vizituar sot Tiranën, i shqetësuar për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë, ka theksuar në një konferencë shtypi të përbashkët me homologun Tahiri se ata janë shtetas shqiptarë, me dokumente shqiptare dhe se nuk ka arsye që të kërkojnë azil kur vijnë nga një vend demokratik dhe i sigurtë.
“Janë 50 mijë të tillë në Gjermani, – tha De Maizière, – dhe vetëm në tetor, kur pretendohet se numri i tyre u ul, 4 mijë të tjerë paraqitën kërkesën për azil.”
De Maizière e dha këtë deklaratë përkundër asaj të homologut shqiptar, Saimir Tahiri, që këmbënguli sërish në idenë se azilkërkuesit nuk ikin nga Shqipëria, por nga Greqia, ku janë rezidentë. “Vetëm 0.6% e tyre vijnë nga Shqipëria, – i tha Tahiri, ministrit gjerman, – pasi të tjerët janë shqiptarë rezidentë në Greqi.”
Por, ministri gjerman, i vuri në dukje se nuk kanë mbajtur statistika për vendin nga ana vijnë, pasi mjafton të shihet se paraqiten me pasaporta shqiptare. Sipas tij, “nëse ata do të paraqisnin pasaporta apo dokumente identifikimi greke do të kishin të drejtë për të qëndruar në Gjermani duke qenë se është vend i Bashkimit Evropian.”
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë përsëriti se “azilkërkuesit shqiptarë nuk do të pranohen dhe ne do të reduktojmë edhe të gjithë ata faktorë që i nxisin ata të vijnë, siç janë ndihma ekonomike apo leja e qendrimit 3-mujor dhe do të bëjmë që brenda 3 javësh të merret vendimi për refuzimin e tyre.”
NGA FJALA E MINISTRIT TE BRENDSHEM SAIMIR TAHIRI:
“Ajo që na bashkon dhe ajo që kemi arritur deri më sot ndajmë bindjen që është një nxitje shumë e madhe për gjithçka kemi për të bërë në të ardhmen dhe detyrat që kemi në të ardhmen. Kjo është kryesisht e fokusuar në repartet e forcave speciale të Policisë shqiptare nga njëra anë dhe nga ana tjetër në departamentin e krimit të organizuar.
Çështja e dytë për të cilën biseduam ka të bëjë me problemin e refugjatëve dhe të emigracionit. Gjithashtu biseduam në këtë kuadër për çështjen e azilkërkuesve. Së pari informova që masat e marra nga autoritetet shqiptare dhe gjithashtu nga autoritetet gjermane kanë dhënë efekt duke ulur numrin e atyre që kërkojnë azil në Gjermani.
Nga njëra anë informova kolegun sipas te dhënave tona daljet nga kufiri Shqiptar nga pikat e kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë janë vetëm 0.6% më shumë krahasuar me ato të një viti më parë, gjë që do të thotë sipas të gjitha të dhënave që kemi pjesa me e madhe e azil kërkuesve shqiptar në Gjermani janë shqiptarë prej kohësh rezident në Greqi dhe nga ana tjetër e falënderova për masat që ka marrë qeveria e Gjermanisë për të zhdukur ato që kemi quajtur faktor nxitës dhe fitues për shtetasit që kërkojnë azil në këto vende dhe këtu bëhet fjalë për klasifikimin e Shqipërisë ne listën e vendeve me origjinë të sigurte dhe bëhet fjalë për ndreqjen e elementëve te tjerë si ndihma ekonomike dhe aftësia për punësim që do të dekurajonin kërkesat për azilkërkim nga shtetasit Shqiptarë.”
MINISTRI I BRENDSHEM I GJERMANISE, THOMAS DE MAIZEIRE:
“Dëshiroj që prej bisedës sonë mund të shquaj 3 pika kryesore: Pikë së pari bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Gjermania, prej datës 1 janar të vitit të ardhshëm do të vendosë në Tiranë një oficer ndërlidhës të vetin, në fushën apo sektorin e luftës kundër krimit të organizuar. Dhe mendoj që do të kemi një bashkëpunim mjaft të mirë.
Lufta kundër kriminalitetit, po ashtu edhe ajo kundër korrupsionit, është mjaft e rëndësishme, sepse krimi i organizuar dhe kriminaliteti janë si një formë tumori në shoqëritë tona.
Ia vlen që të intensifikojmë bashkëpunimin tonë në këtë drejtim, sepse të gjithë ato droga që sekuestrohen në Shqipëri, nuk bien në duart e gabuara në Gjermani.
Në javët në vijim do të vijë në Tiranë një ekspert i Zyrës Federale të Krimeve i cili së bashku me kolegët e tij këtushëm, do të këshillohet e konsultohet se si mund të formësohet në mënyrë sa më profesionale dhe efektive të mundshme lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne më kënaqësi jemi të gatshëm të japim mbështetjen tonë në këtë drejtim
Tema e dytë të cilën dëshiroj të përmend këtu është ajo e emigracionit në tërësi.
Ne dëshirojmë sigurisht të mbështesim atë në mënyrë të tillë që Shqipëria të mos shndërrohet në një itinerar të shmangies së lëvizjes negative (refugjatëve).
Sigurisht që për probleme globale nuk mjafton të merret thjeshtë dhe vetëm një masë. Na nevojiten shumë masa që duhet të ndërmerren. Kështu të tilla janë për shembull mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, ose ngritja e të ashtuquajturave “hot-spot”-e në Greqi dhe Itali.
Gjermania ka vendosur që të shtojë kontributin e vet në këtë drejtim përmes një pjesëmarrjeje më intensive në kuadër të Frontex-it. Po kështu edhe përmes dyfishimit të punonjësve të vet nga 50 në 100 “hot-spot”-et e përmendura.
Dhe si tematikë të tretë diskutuam rreth azilkërkuesve shqiptarë apo atyre që udhëtojnë dhe vijnë si të tillë pra me pasaporta shqiptare në Gjermani. Për ne ky është një shqetësim i madh ndërkohë sepse nuk kaq absolutisht asnjë lloj arsyeje pse nga Shqipëria njerëzit të vijnë dhe të pretendojnë se janë të përndjekur politikisht. Kjo është e papranueshme.
Shqipëria është një vend i origjinës i sigurt, Shqipëria ka një sistem demokratik, ndaj nuk ka arsye pse të pretendohet që këtu ekziston përndjekje politike.
Sigurisht siç është mësuar, prurjet gjatë këtij viti kanë qenë mjaft të larta. Bëhet fjalë për rreth 50 mijë azilkërkues që vijnë nga Shqipëria apo që vijnë me dokumente shqiptare identifikimi dhe që kanë aplikuar për statusin e azilantit në Gjermani.
Numri i tyre muajt e fundit mund të thuhet që ka rënë, por gjithsesi, në qoftë se do ta përmendja, vazhdon të mbetet shqetësuese. Tetori për shembull, do të përmendja 4 mijë azilkërkues shqiptarë.
Shpesh shqiptarët vijnë në Gjermani duke qenë plotësisht të qartë për arsyet për të cilat ata kanë ardhur atje. Ata shprehen se e dinë të gjithë që nuk ia vlen të përmendet arsyeja e përndjekjes politike, por sepse ata janë aty për të kërkuar punë dhe për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës.
E sigurt është që të gjithë këtyre do t’u refuzohet aplikimi për azil. Është thënë në Shqipëri se ekzistojnë disa faktorë që i tërheqin shtetasit shqiptarë që të shkojnë drejt Gjermanisë.
Sikurse mund të jenë që në momentin e mbërritjes atje ata do të marrin mbështetje financiare, do t’u jepet punë, do t’u jepet shtëpi. Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë. Krejt në të kundërtën në jemi përpjekur kohët e fundit pra të reduktojmë të gjithë këta faktorë që nxisin shqiptarët në këtë lëvizjes të tyre, sikurse është të zëvendësojmë asistencën financiare me shërbime, të përshpejtojmë procedurat.
Në këtë kuadër, të gjithë azilkërkuesit që vijnë nga Shqipëria do të priten fillimisht në strukturat e para të pritjes, në mënyrë të tillë që brenda 3 javësh të merret vendimi i refuzimit për azilkërkimin e tyre.
Nga ana tjetër, ajo që do të përmbyllte këtë procedurë do të ishte rikthimi i këtyre shtetasve, qoftë ky vullnetar i tyre, qoftë ai me forcë pra, dëbimi prej vendit. Ne gjithsesi i jemi shumë mirënjohës qeverisë shqiptare, për faktin që ka qenë gjithmonë e gatshme për të pranuar të gjitha rastet e personave të rikthyer. Dhe në javët në vijim do të ketë një numër në shtim të këtyre raste, pra të rasteve të rikthimeve. Gjithashtu ne jemi të bindur që të gjitha rastet e rikthimeve këtu, trajtohen në mënyrën e duhur. Dëshirojmë që të gjithë ata persona shtetas shqiptarë, që dëshirojnë të vijnë në Gjermani, të shfrytëzojnë për këtë qëllim rrugët legale, mundësitë legale. Për këtë ekziston një bashkëpunim ndërmjet dy qeverive tona, ekziston bashkëpunimi me Ambasadën gjermane në Tiranë, por kurrsesi nuk mund të këtë mundësi të statusit të azilantit për shtetasit shqiptarë në Gjermani. Kjo rëndon, është një barrë më shumë për marrëdhëniet tona dhe nuk është mirë për sigurisht bashkëpunimin.
Faleminderit shumë për bisedën dhe bashkëpunimin e deritanishëm.
Ministri Tahiri: Për efekt kohe ne do të donim të prisnim vetëm nga një pyetje nëse është e mundur!
Gazetari: A mendoni se nuk duhet ta përfitojnë këta shqiptarë një ndihmë ekonomike nga shteti juaj dhe ky vendim i juaj politik ishte marrë më parë konfliktit në Siri apo u mor pas konflikti në Siri. Faleminderit!
Ministri de Maiziere: Pozicioni gjerman duhet të kishte qenë plotësisht i njëjti edhe në rastin nëse Gjermania nuk do të ishte përballur me problemin e refugjatëve që vijnë nga Siria apo nga vende të tjera.
Sigurisht në Gjermani për shtetasit shqiptarë nuk ka asnjë arsye pse duhet të aplikojnë për marrjen statusin e azilantit, në opinion publik Gjerman është hapur ndërkohë një diskutim mjaft i madh lidhur me numrin e personave që Gjermania do të marrë, pra lidhur me kapacitet pranuese të Gjermanisë , ndaj për këtë arsye ne duhet të jemi mjaft të qartë në dallimin e atyre personave realisht kërkojnë apo kanë nevojë pikërisht për mbrojtje dhe atyre që vijnë thjesht dhe vetëm për arsye ekonomike.
Gazetari: z. Ministër, ju folët pak më herët për shifra alarmante të Shqiptarëve që kërkojnë azil në shtetin tuaj,50.000 mijë vetëm gjatë këtij viti. Ndërsa kolegu juaj tha se numri më i lartë që këkrojnë azil në Gjermani janë Shqiptarë që vijnë nga Greqia. A mund ti konfirmoni ju këto të dhëna? Nëse më lejoni z. Ministër kam edhe një tjetër pyetje. Në takim është biseduar për mundësitë që Shqipëria të presë një numër konkretë të azilantëve sirianë?
Ministri de Maiziere: Të njëjtën pyetje më bëri edhe kolegu im gjatë bisedës që patëm para pak minutash. Në fakt është një pyetje të cilës unë për fat të keq s’mund t’i jap përgjigje sepse njerëzit vijnë atje dhe paraqesin pasaportat e tyre shqiptare dhe ne nuk mund të ndërmarrim masa që të mund të verifikojmë të shkuarën e këtyre njerëzve.
Sigurisht nëse ata do të paraqisnin pasaporta apo dokumente identifikimi greke do të kishin të drejtë për të qëndruar në Gjermani duke qenë se është vend i Bashkimit Evropian por pa pasur mundësi të përfitonin nga mbështetja financiare. Më vjen keq, por ketë lloj pyetjesh apo statistikash nuk i kam pasi gjatë anketimit apo marrjes në intervistë të këtyre njerëzve shumë prej tyre ndoshta nuk thonë të vërtetën.
Ministri Tahiri: Unë do përgjigjem shkurt për pyetjen që më bëtë, por nëse më lejoni do të doja të prekja pak pyetjen që bëri kolegu juaj lidhur me interesimin nëse i takon ose jo qytetarëve shqiptarë qe shkojnë kërkuar azil në Republikën e Gjermanisë për të përfituar ndihmë financiare.
Është kjo arsyeja pse dy vendet po bashkëpunojnë mbi bazën bilaterale për të zhvilluar programe konkrete bashkëpunimi për punësimin e ligjshëm të qytetarëve shqiptarë.
Këto programe tashmë kanë filluar dhe janë zëvendësimi më i mirë i përpjekjes pa rezultat për të shkuar dhe për t’u nisur përfitimin kërkimin e azilit ekonomik që është praktikisht e pamundur.
Ndaj për qytetarët shqiptarë mesazhi është shumë i qartë të nisesh nga Shqipëria për në Gjermani me kërkesën për të fituar azil kjo nuk ndodh, por këtu në Shqipëri mund të kërkosh dhe të përfitosh mundësi për punësim të ligjshëm në Gjermani në rast se hyn brenda kritereve kjo është zgjidhja e duhur për problemin që ju parashtruat e para dhe e dyta nuk biseduam për shifra konkrete me kolegun lidhur me mundësinë potenciale që të stacionohen në Shqipëri apo të tranzitojnë përmes Shqipërisë refugjatë.
Pra nuk biseduam për shifra konkrete dhe ne nuk besojmë se zgjidhja e këtij problemi evropian është çështje shifrash.
Vendi ynë, Institucionet shtetërore, Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjithë instancat e tjera kanë hartuar të gjithë strategjinë e nevojshme për të mos qenë kurrë përballë një surprize dhe për të mos qenë kurrë të papërgatitur, por nga ana tjetër ashtu siç Kryeministri e ka theksuar në mbledhjen e liderëve të para pak ditësh, ashtu siç e theksuam përsëri me kolegun dhe ashtu siç kemi propozuar disa herë për probleme evropiane meritohet zgjidhje Evropiane.
Kjo do të thotë që pavarësisht se një vend anëtar i Bashkimit Evropian apo një vend tjetër siç është rajoni i Ballkanit jo anëtar i Bashkimit Evropian, për sa kohë përballen me këtë sfidë duhet bashkërisht t’ i dalim përpara dhe t’i japim zgjidhje këtyre sfidave.
Komentet