-Shënime dhe kujtime të mbledhura nëpër vite
për këngëtaren dhe aktoren Justina Alia-
“Melodinë e parë ma mësoi Vendlindja… / Sa herë kthehem në
qytetin tim / të bukurat jare bilbilin ç’m’i kujton…, / një pjesë të gëzimit të saj jam dhe unë.”
1.
Na ishte një herë një vajzë e vogël. I pëlqenin lulevilet, shermashekët, karafilat… Quhej Justina Alia. Edhe pse vajzë me gërsheta si ëndrra, ishte si djalë çapkën. Nuk linte “dy gurë bashkë”. Këngën e kishte dashur që fëmijë. Fëmijëria ishte lidhur me të. Zërin e kishte të bukur. Trashëgim nga e ëma. Dhe fëmijëria mbetet e shenjtë për Justin. Jo më kot shprehet: “Koha më e artë e jetës sime është fëmijëria, e pasur me jetë, me dashuri në familje, aktivitete të pafundme. Mbaj mend 6 vjeçe kam mësuar notin duke kënduar këngët shkodrane. Kam qenë kurreshtare, intuitive. Mamaja më bërtiste, sepse merrja çarçafët e shtëpisë dhe luaja teatër “Borëbardhën”. Lojërat e mia më të preferuara ishin, “Kush pozon më bukur, teatri… e shumë çapkënllëqe pa fund. Ndërsa Shiroka ka qenë nostalgjia më e madhe për mua.”
Gjithashtu me moshën e saj fëmijërore lidhën këngët e bukura dhe të paharrueshme, si “Pula e gjeli”, “Kukullës”, etj., si dhe respekti për mësuesin e parë, zotni Toninin (Tonin Dainë).
Më vonë do të këndonte në një festival me numrin 11. U quajt “famëkeq” e “modern”. Si gjithmonë vjen një urdhër i prerë nga lart… duhet të dënohet Justina Alia. Shumë vite më vonë, gazetari Edison Ypi do të shkruante: “Do ju rrëfej për një njeri të jashtëzakonshëm, një njeri “lindur për të kënduar” që djajtë e kuq e shndrruan në njeri për të “jetuar për të vuajtur” … E kënduara e saj ishte një miks mahnitës i talentit, butësisë, ëmbëlsisë, seriozitetit, përgjegjësisë, po aq sa edhe i një nervozizmi të dukshëm, një shqetësimi të brendshëm, një revolte të shpallur. Ishte pra, diçka e pa provuar kurrë më parë, diçka jo e atyshme, e këtushme, diçka e përtejme, njëkohësisht tepër e largët dhe tepër e afërt, diçka prej Udstoku, dhe më tepër.” (Edison Ypi, shkrimi: Justina, gaz. MAPO, 13-14 dhjetor 2014). Në jetën e saj artistike, ashtu si dhe për të tjerë artistë, solli një goditje të rëndë duke i prerë në mes ëndrrat e saj. Ajo “këngë” ia mbylli gojën për shumë e shumë vite me radhë. Jo vetëm kaq, por edhe disa sekuenca të një filmi, si “Pylli i lirisë”, ia dogjën. E vranë për së gjalli. Rruga e saj, tani, do të ishte plot privacione, dilema, dhimbje, rrëzime, ngritje përsëri në këmbë, lot,… Por Justi qëndroi stoike si një Bernarda Albë… Justi, një emblemë e artit shqiptar! Dhe në një intervistë, para katër vitesh, Justina do të shprehej: “Unë nuk e kam qarë kohën që më bëri për të qarë. Unë e dashuroj këtë jetë dhe kam bërë paqe me veten. Jeta është kaq e bukur dhe kaq e thjeshtë, saqë njerëzit bëjnë gabim që e kompleksojnë dhe e vështirësojnë më së koti.” (Luela Myftari, shkrimi: (intervista) Justina Aliaj: Vetëm Zoti i dallon njollat që kam nën lëkurë”, gaz. Shekulli, 13.12.2014).
2.
Biseda e parë e vogëlushes Justinë me gjuhën muzikore ishin mësimet e zotni Tonin Daisë. Ja, edhe skena… përralla muzikore “Mësimi i pyllit”, teksti Lec Fishta, muzika Tonin Harapi, regjisor Andrea Skanjeti. Kjo përrallë muzikore u vu në skenë dy herë. Në të parën protagoniste ishte Roza Xhuxha (Anagnosti)., kurse në të dytën Justina Alia. U inçizua në Radio Tirana dhe u transmetua disa herë.
3.
Justi, që në fëmijëri u rrit mes mjediseve muzikore e artistike, që i kishte traditë Shkodra. Që në kontaktet e para me skenën, shpalosi një cilësi që e ruajti gjithëherë si një ëndërr të bukur, si një relike të çmueshme, – aftësinë për të rrëmbyer spektatorin me interpretimin e saj. Falë talentit, në tiparet e saj si këngëtare u mishëruan shprehitë artistike, vokale, emocionale dhe aktoreske, të cilat u njëjtësuan kurdoherë dhe ia arritën qëllimit. Mbi të gjitha, me shumë kurajo, e me të drejtën që i dha vetes të interpretojë në skenë, këtë angazhim e justifikoi deri në fund. Tingujt e këngëve nga repertori i kompozitorit Agim Krajka, si “Unë dhe shokët e mi”, “Unaza”, “Jam një vajzë”, e plot këngë të tjera: “Mall për Vendlindjen”, “Në ekranin e televizorit”, “Stacion i dashur”, “Në mbrëmjen e vallëzimit” etj., e plotësojnë dhe e dritësojnë portretin e Justit si këngëtare. Ato kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Dhe në kujtimet e saj, Justi për këngën “Mall për Vendlindjen” do të shprehet: “Pas 18 vitesh nga Festivali i 11-të, për të parën herë në ekran jam shfaqur me këngën “Mall për Vendlindjen”. Tish Daija është vula për këtë baladë të paharruar. Oh, sa histori ka kjo këngë, por unë po kam dëshirë me nderue disa nga ata muzikantë që më janë aq të dashur e u jam mirënjohëse. I ndjeri dhe i paharrueshmi Alqi Kareco, që e zbukuroi aq mrekullisht këngën me orkestracionin e tij dhe lëvizjet brilante të gishtave të tij në piano. Alqi më ka ngjethur shpirtin sa herë me mënyrën se si ai e konceptoi baladën. (Shpesh muzikantët e quajnë këngën “Mall për Vendlindjen” si balada klasike shqiptare). I talentuari Gugash Balena, violina e të cilit tingëllon si e një virtuozi të vërtetë, i pavdekshëm në introduksionet e këngës, dhe që, për hir të së vërtetës dua ta them sinqerisht se, ngado që e dëgjoj këngën time të kënduar (apo edhe mua vetë kur mundohen me më shoqërue alternativa të ndryshme orkestracioni për këtë baladë), nga askënd e nga askush nuk e dëgjova të tingëllojë si violina e Gugash Balenës së viti ’90, kur u inçizua. Faleminderit Gugash! Tish Daija është legjendë në muzikën shqiptare, dhe personalisht i jam pafundësisht mirënjohëse! E quaj për krenari që jam pjesë e karrierës muzikore të së madhit Daija.”
Një kujtim nga drama “Nora” e A. Skanjetit
Është viti 1975. Përsëri në skenën e Teatrit “Migjeni” do të ishte mysafire drama “Nora” e Andrea Skanjetit. Regjisore Violeta Sekuj.
Tek përgatiste rolin e Norës (i cili ishte kryesori në këtë dramë), Justi shkonte shpesh në shtëpinë e Andreas. Bisedonte shtruar me autorin. I kërkonte mendim për një skenë e për një tjetër… Shpesh i tregonte se si i kishte zgjidhur disa batuta të dramës, për ndonjë mizanskenë, për ndonjë emocion. Dhe Andrea në kujtimet e tij, në mes të tjerave shkruan: “… nisa të kuptoj se sa ajo e dashuronte rolin e me sa pasion e përgatiti atë, gjë që më vonë do t’i sillte suksesin e dëshiruar…”. më vonë, disa vite më vonë, me syrin e regjisorit dhe të kujtimeve Andrea shkruan: “Gjatë eksperiencës sime kam hasur ndër aktorë me prirje të zhvilluar që në fëmijëri dhe që kanë vazhduar skenën edhe në moshë. Këtu do të veçoja Justina Alinë.
Aktori është për t’u vlerësuar edhe nga gjatësia e pauzave kuptimplote. Aktori i mirë, ndër pauza gjen mjetin e fuqishëm për të treguar aftësitë e tij, sepse në pauzë ka fushë për t’u shpjeguar lirisht, duke e mbushur me aksion zbraztinë e lënë nga fjalët. Këto konstatime i shkojnë për shtat aktores së talentuar Justina Alia.”
5.
Një ftesë nga larg…
“Në 40-vjetorin e punës sime si regjisor në Teatrin “Migjeni”, – shkruan përsëri në kujtimet e tij Artisti i Popullit Andrea Skanjeti, – duke u frymëzuar nga romani “Prijësja e komitëve” i Sulejman Krasniqit, në vitin 1976 shkrova dramën “Drenusha e Drenicës, e cila u vu në skenë në vitin 1978.
Një ditë mbi tavolinën time të punës, në teatër, gjej një ftesë. Grupi diletant i ndërmarrjes së Mjeteve mësimore në Tiranë do të jepte premierë dramën “Drenusha e Drenicës” në skenën e Teatrit Popullor. Nuk isha aspak në dijeni. Më erdhi e papritur. U gëzova shumë (siç gëzohet njeriu kur shikon një lule, aq më shumë kur të shfaqet e beftë) që regjisore dhe personazh kryesor, pra Shota ishte Justina Alia, tashmë për mua një emër i njohur dhe i respektuar. Mendova me vete, ku paska përfunduar…
Pashë shfaqjen si spektator bashkë me spektatorët e shumtë që mbushnin sallën e Teatrit Popullor, të cilët e pëlqyen shumë dhe e duartrokitën shumë herë. Interpretimi i Justinës qe i lartë. Nuk më çuditi aspak, sepse ajo si aktore profesioniste në Teatrin “Migjeni” realizoi aq bukur dhe mirë rolin e Norës. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe edhe me rolin e Shotës…”
6.
Një dëshirë që mbeti dëshirë…
Artisti i Popullit Pjetër Gjoka kur doli në pension, shpesh vinte në Shkodër. Kujtonte vitet e fëmijërisë e të rinisë. Por… ai vinte të takonte edhe miqtë e tij të ngushtë. Njëri ndër ta ishte dhe regjisori Andrea Skanjeti.
Të dy, nën atë mbrëmje të vakët prilli, po rrinin në verandën e hotel “Rozafës” e po pinin kafe. Bisedonin e kujtonin… Më pas filluan të flisnin për planet e projektet që kishin ndërmend të bënin. Pjetri, me atë javashllëkun e tij, i tregon se kishte shkruar një skenë nga vdekja e Azem Galicës dhe donte ta transmetonte në Radio Tirana. Kurse Andrea i thotë se, sapo ka përfunduar dramën “Drenusha e Drenicës që i kushtohej Shotës.
Pjetri i shfaq dëshirën që këtë dramë ta vinte në skenën e teatrit “Migjeni”, pasi aktorja e talentuar Justina Alia, në atë periudhë po korrte sukses me “Norën”. Ai e kishte parë këtë shfaqje, dhe në revistën “Skena dhe ekrani” Nr.1, 1981, do të shkruante: “… binte në sy forca e talentit të aktores Justina Alia, e cila, me interpretimin bindës e të natyrshëm, të saktë e realist, plot forcë komunikuese mendimi dhe emocioni në rrethana shumë të koklavitura, arriti të ngrejë lart figurën zemërtrime”.
7.
Në mes kolegëve… kujtime për Justin
Aktori Bep Shiroka, Artist i Merituar: “… ndoshta ishte kënga që e solli në skenën e teatrit si aktore. Duke mbartur dramën e dhimbjes të largimit nga puna si regjisore në televizion; e pafajshme e plot dinjitet aktorja Justina Alia vjen në qytetin e lindjes me pasaportën e së drejtës për të luajtur vetëm në skenën e Vendlindjes. Pra, e solli rasti ta kisha partnere. Interpretuam te “Nora” e A. Skanjetit. Unë në rolin e babës, ajo të Norës. Ishte momenti kur bija ime do të shkëputej nga gjoksi im dhe do të nisej te pasha. Ishte aq e mbushur emocionalisht, kaq e vërtetë, sa tërë dritën e saj ma dha mua. Dhe unë e përcolla me dritën e saj…”
Aktori Nefail Piraniqi: “Justi ishte një shoqe e mirë. Mbi të gjitha ishte njerëzore. Një botë aktoreje që ishte për t’u pasur zili. Temperamenti i saj ishte i tillë sa prestonte për humor dhe bënte gjithëherë një humor të këndshëm shkodran”.
Aktori Lec Bushati, Artist i Merituar: “Ishte koha kur teatrit “Migjeni” i duhej një vajzë e re. Papritur e pakujtuar i erdhi aktorja Justina Alia. E pritëm me simpati. Me të vërtetë e justifikoi simpatinë tonë. Ndonëse kisha vite si aktor, kur interpretoja me të, të krijonte freski dhe të rinonte. Kujtoj rolin e Danës te drama “Djem të mbarë” të F. Krajës. Ishim babë e bijë. Ende sot e kujtoj me nostalgji atë skenë takimi prekës e të përmalluar, një rol i luajtur me vërtetësi e sinqeritet, pa teatralitet e lot ndër sy… Justi e justifikoi pritjen tonë, që ishte mungesa e vajzës së re në teatër e njëkohësisht vërtetoi talentin e saj”.
8.
Justi ishte një aktore pasionante. Aq sa kur fillonte punën, nuk njihte orar… Jetën si aktore në skenën e teatrit të Vendlindjes e pati të shkurtër. Përsëri shkoi në Tiranë. Përsëri errësira zgjati mantelin e saj… E pas këtij manteli erdhi një rreze shprese… Një rol në filmin “Rrethi i kujtesës”. E për këtë film Justi thotë: “Është një film i rëndë, por i realizuar bukur. Është punuar me pasion. Ndonëse ka pasur shumë vështirësi, është realizuar me përsosmëri nga regjisori Esat Musliu. Interpretimin e personazhit, ia mora dikujt borxh karakterin, dikujt që e njihja mirë dhe që kishte bërë keq. Më pas erdhi roli në filmin “Vdekja e burrit”. Pata një rol më me hapësirë. Ishte pozitiv. Ishte hera e parë pas dënimit që më dhanë një rol pozitiv në kinematografi. Eh, vitet!.. Vitet më kujtojnë… dhe po ndalem në vitin 1989. Kam lozur rolin më të bukur në jetën time. Ishte pjesa “Opera për tre grosh” e B. Brehtit. Isha në rolin e Polit. Ka qenë roli më fantastik për mua. Por… nuk dua të harroj… i bukur ka qenë dhe roli te “Bernarda Alba””.
Dhe… kthehemi në atë periudhë pritjeje të gjatë të Justit. E lodhshme, ajo pritje! Sfilitëse, raskapitëse.. pret ashtu “syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”, ashtu shpirt gjymtuar e shpirtshpresë Stinën e Lirisë që shumë e kishte ëndërruar…
Fillimisht nisi t’i dëgjohej zëri me recitime nga krijimtaria e poetëve shkodranë, një pjesë e tyre e harruar. Nisën të trokisnin ftesat: “Ju ftojmë në…” Adresa: Teatri Kombëtar, Elbasani, Korça… etj. Kështu… do të ishte ftesa e Teatrit Kombëtar për shfaqjen “Tartufi” të Molierit me regjisor Erion Kame, që e solli Justin në skenën magjiplote. Dhe Justi sjell nëpër mend: “Jo, nuk ishte Tartufi që më solli. Ishte Drejtori i Teatrit Kombëtar që më solli të interpretoj në teatër me pjesën “Tartufi”, ku unë pata rolin e mrekullueshëm zonjën Pernelë, rol i cili më bëri të prek kënaqësinë e profesionit tim të shtrenjtë përfshirë skenën time. E dashuroj Pernelen (personazhin) dhe kam dhënë gjithçka që ky rol të ishte dinjitoz me gjithë çmendurinë e personazhit, të cilit unë luaja. Kam punuar në çdo detaj, siç edhe kam mënyrën time të punuarit me tekstin, deri te kostumi, ngjyra blu të cilën ai përfundimisht mori, apo vogëlsira të shumta, të cilat nuk po i përmend për mos t’iu mërzitur.”
Pas disa muajsh nisi punën me regjisorin Stefan Çapaliku në dramën “20 vjet, 2 javë dhe 2 ditë”. Dhe më pas “Justina shoë” në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, tamam në atë auditor ku u godit edhe Festivali aq i përfolur me numër 11-të. Edhe kënga – pasioni i saj i dikurshëm u ringjall, siç ringjallet Feniksi. Kënga mori shpirt nga shpirti i saj, mori krahë e fluturoi si një dallëndyshe nëpër hapësirat e qiellta të shpirtit të Justit. Eh, sa shumë i kishte ëndërruar!..
9.
Justi herë pas here vjen në Shqipëri, vjen në Shkodër në Vendlindjen e saj. Çdo zë i largët, sado i largët që të jetë, mjafton të mbajë erë vendlindjeje, erë Shqipërie; i zgjon mall e kujtime. Edhe më shumë… dhimbje!
Justi, ende, sot mban një pengë në shpirt. E mban përjetë. Është peng i një çasti dhimbjeje që nuk largohet, ajo nuk mori pjesë në varrimin e Nënës së shtrenjtë. Se Justi ishte larg, shumë larg… Për këtë loti është pak, malli është shumë e dhimbja është mal. E, si në një mirazh vijnë tingujt e një violinçeli, si edhe të një pianoje. Është një sonatë kujtimi, që interpretojnë fëmijët e Justit, për t’i kujtuar pavdekësinë gjyshes…
Koha dhe vitet shumë rrudha e thinja “i falën” ëndrra të pafajshme të Justit. E ajo në një bisedë telefonike do t’i thoshte këngëtares Zana Çela: “Unë s’ia kam zënë askujt karrigen. Aty ku jam ulur ka pasur vetëm një emër: JUSTINA ALIA.”
Malli i këngës “Vendlindjes sime të kompozitorit të mirënjohur shkodran Tish Daija, të cilën e këndoi plot shpirt, në një recital televiziv, rri ndezur si një qiri, si një peng, si dashur, si… Sa herë unë në Vendlindje kthehem, / fëmijërinë, rininë filloj të kërkoj…
Ato rrinë si një pikë loti mbi faqen Artistes së madhe, aktores së talentuar JUSTINA ALIA.
Intervista ime, realiuar 17 vjet më parë… me titull: Shkodërloce, ky emën sa bukur t’rrin…
Nuk e dija që Justina Alia kishte ardhur në Vendlindje të shmallej me të çmallej me të. Kur e mora vesh se Justi “jetonte” prej disa ditësh në Shkodër, lajmi më befasoj e nuk më befasoj, por shpejt u kthye në mall e u bë udhë për ta kërkuar…
Në “heshtjen” e arkivës së teatrit “Migjeni” të Shkodrës e kisha përsëritur shumë herë emrin e saj: Justina Alia, kur “takoja” personazhet që krijoi, veçanërisht në skenën e teatrit, ku la një botë të magjishme e të paharruar edhe me këngë, krahas aktrimit.
Ashtu si malli, befasia më ndoqi përsëri. Në një nga lokalet në qendër të qytetit tim të lindjes, ku zakonisht pi kafen e mëngjesit, takoi në mënyrë të beftë shumë të priturën e të papriturën, shumë të kërkuarën Justina Alia. Si në baladat e rinjohjes pritja e malli u kthyen në përqafim.
Ajo e kishte lexuar shkrimin tim për jetën e saj botuar në një gazetë, pak muaj më parë. Siç më tha më pas, menjëherë e kishte përkthyer në anglisht. Ndoshta për t’u thënë miqve të saj se, tani që jetonte në dhe të huaj, më parë kishte pasur një dhe që ajo kishte qenë dikushi… Se dikush edhe nga Vendlindja e kishte kujtuar…
Pas shumë bisedave, më në fund i kërkova një intervistë me shpresë, se do t’ia plotësoja më tej portretin e saj prej artisteje. Ajo vetëm buzëqeshi. Mua m’u duk se buzëqeshi si dikur…
Intervista u realizua, me datën 01.12.2000, ora 12.00, dy dytë para se të largohej nga Shkodra.
Vërtetë, intervista ime ishte e fundit, por kishte një kredo, se fillonte nga Vendlindja. Me Vendlindjen kështu ndodh. Është e para, është në formë zemre, dhe të shoqëron kudo…
Gjatë bisedës me Justin ndjeva se zëri i saj kishte një mall të përvëluar për prindërit, të afërmit, miqtë, për çdo rrugicë të Shkodrës. Fjalët që artikulonte kishin ngjyrë nga poezia e Camajt. Kishte një nostalgji e një brishtësi që e krahasova me erën e papritur të marsit që puth ëmbël e me dëshirë lulet e sapoçelura të kumbullës.
Syve të saj çdo gjë i bënte përshtypje. Ndoshta largësia e viteve… e bënte që çdo gjë donte ta fiksonte jo vetëm me sy, por edhe me kujtesën e shpirtit… Se me Vendlindjen kështu ndodh… Është e para, është në formë zemre, dhe të shoqëron kudo…
Xh. B.: Ktheheni pas nëntë vjetësh në Shqipëri. Shkodrës i keni munguar shumë. Ç’emocione ju pushtuan kur hodhët hapin e parë në Vendlindje? Kë kujtuat? Po më pas?…
Justi: Të parën gjë që kujtova, sigurisht, Nënën time. Një shpresë e vogël më endej në shpirt se mos… se nuk më kishin thënë të vërtetën, pra, do ta gjeja të gjallë. Por, ah!.. (i shpëtojnë ca pika loti). Më pas kujtova Shkodrënloce! Mendja ime fluturoi në vogëlinë time, nëpër ato rrugicat e ngushta tuj lujt me gurë, tuj luj kamlikacik, tuj lujt me shkop, tuj lujt me litar, e kështu… U përhumba krejt si në një imazh, krejt si në një film, krejt si në një… Tamam diçka… larg… larg si në një legjendë,larg si një përrallë… Kjo ishte…
Xh. B. Shumë kohë më parë në një intervistë, emrin e parë që keni përmendur është ai i zotni Toninit (Daisë). Ç’domethënie ka kjo për ju?
Justi: Po. Është sikur çohesh në mëngjes dhe fillon ditën mbarë. Unë kështu e kam filluar mbarë karierën time me mësuesin tim të parë, Tonin Daija. Mbaj mend se si më mësonte, kur të këndoja se si ta hapja gojën. Bile e mbaj mend se si me gishtin e madh të palosur duhet të formoja një formë si veza (pozicioni i gojës për të kënduar). D.m.th. këtu ka filluar puna e mirë, rruga e mirë për të ecur në fushën e këngës.
Xh. B. Ditën e parë që erdhët në Shkodër, a e kthyet fytyrën nga Teatri? Ç’kujtuat në ato momente?
Justi: Nuk i vjen keq kërkujt, që unë i kthehem gjithmonë nostalgjisë. Kujtova atë masë njerëzish që mbushte rrugën qysh prej monumentit të Heronjve të Vigut e ndoshta dhe më përpara hotel “Rozafës”, prej shfaqjeve të bukura, prej njerëzve që kërkonin me ankth bileta për të parë shfaqjen. Pastaj me të thanë të drejtën kur pashë të rrethuar me… me… hekura (qan), mbylla sytë dhe thashë me vete: “Bukuri që të vret”. E kujtova Migjenin, Migjenin e gjithëkohshëm…
Xh. B. Të kthehemi shumë vite më parë. Po e nisim me figurën e Norës te drama me të njëjtin titull e Andrea Skanjetit. Ç’vlera i dha aktorja J. Alia?
Justi: Është krejt e thjeshtë. Nëse do të flasim pak me termin e teatrit, unë jam për artin e të jetuarit, pra, jam me teorinë e Stanislavskit. Personazhin mundohem ta mishëroj, ta bëj sa më real, të fut diçka nga vetvetja ime. Nora, në fakt nuk ishte një rol shumë i vështirë, sepse përkonte me disa të dhëna, me disa fakte, me disa karakteristika që pak a shumë i kisha: duke filluar që nga mosha. Luaja moshën time. Drama ishte me subjekt nga Veriu. Unë po gjithashtu zotënoj gegënishten. Pra, kishte mjaft gjëra, pa dashtë të nënvleftësoj ato çka Zoti më ka dhanë dhunti për ta interpretuar atë rol, që aq shumë e dua, e që e kam aq shumë në shpirtin tim.
Xh. B. Po e vazhdojmë me personazhin e Danës te “Djem të mbarë” të dramaturgut Fadil Kraja. Besoj e kujtoni?
Justi: Ky personazh ka emocionet e veta, kujtimet e veta. Krahasoj me rolin që do të luaja, çuditërisht përkonte edhe me disa probleme që më rrethonin mua. E kam fjalën për gjendjen time sociale, për kushtet me të cilat ndodhesha, për ato dënimet e famshme etj., etj. Por me të thanë të drejtën e kam si një mbarësi Danën te “Djem të mbarë” të F. Krajës. E kisha mbarësi në karrierën time për aq kohë sa jetova në Shkodër, sepse kjo më dha mundësinë të luaja më vonë te “Shpartallimi”.
Xh. B. Ç’figura të tjera kujtoni nga skena e teatrit “Migjeni”?
Justi: Gjithçka të bukur që luhet në skenë. Aktorët e dinë mirëfilli se çfarë jam duke thënë… Gjithçka e bukur, në qoftë se unë e kam arritur, kurrsesi nuk e kam arritur pa aktorët, të cilët i kam pasur partnerët e mi në skenë. Shpesh herë një rol që e kam arritur mirë në shpirtin tim, mbasi mbaroja shfaqjen, shkoja e i thosha: “Lec (Bushatit) sa shumë më ndihmove që ta nxjerr këtë moment të bukur. Të faleminderit! E ai, po ashtu më thoshte mua. Kam kujtimet më të bukura për këtë aktor të shkëlqyer, që ishte një figurë potenciale e teatrit të Shkodrës. Njeri i jashtëzakonshëm ishte Lec Bushati! Ishte partneri im i denjë, shoku im i skenës që s’do ta harroj kurrë!”
Xh. B. E kujtoni rolin e Lirisë te “Yjet e netëve të gjata”, rolin e hallës së re te kinokomedia “Çifti i lumtur” dhe filmi “Thirrja”? Ç’menduat ju si aktore e si Justinë?
Justi: Kujtoj gjithmonë “Djem të mbarë”, “Norën”, “Shpartallimi”, e do të kisha dëshirë t’i kujtoja edhe të tjerat, por fatkeqësisht unë nuk arrita, sepse në atë kohë u martova dhe shkova pas burrit. Mund të kujtoj, ndoshta, anën tjetër të medaljes, anën muzikore timen. Sigurisht është një aktivitet i gjithanshëm, i vazhdueshëm, i dendur me koncerte të ndryshme qoftë në estradë, në bankete, përkujtimore, në festa të ndryshme, etj. Unë isha e gjithanashme dhe … (qesh) isha me të vërtetë ngrohtësisht e rrethuar me muzikë, e ngrohtësisht e rrethuar me opinionin, me Shkodrën time, me njerëzit që gjithmonë me inkurajonin, më uronin…, edhe atëherë kur dikush këndonte ose fishkëllente ndonjë moment kënge që i kishte mbetur e dëgjuar në estradë një natë më parë, ose dikush tjetër kujtonte një tekst timin. Gjithashtu kujtoj edhe momente të tjera që kam interpretuar poezi, të cilat i dua aq shumë!
I kujtoj dhe “Yjet…”. Është ndër momentet e para të pjesëmarrjes sime në kinematografi. Fiilimisht ka qenë një ndihmë e madhe për t’u angazhuar, për t’u ingranuar ose më tepër për të studiuar mënyrën, procesin si kryhet në kinematografi, edhe si aktori mundet të realizojë një rol kinematografik, i cili është krejt ndryshe nga teatri.
Roli i hallës! Kam uruar, kam lutur Zotin të mbarojë sa më shpejt ajo skenëz, se po më mbyste së rrahuri aktori Pistol Soja. E më gjuante taman. S’kisha ç’të bëja, duhej bërë ashtu…
Oh, po si jo?!.. (lëshon një psherëtimë të thellë e drithëruese). Filmi “Thirrja” më kujton…, bile e kisha harruar titullin. Më ka ardhë mirë që e kam harruar, sepse është mirë të fshish disa gjëra. Ma kujtuat… Tani po kujtohem edhe unë. Ai ka sjellë një kthesë të jashtëzakonshme negative, për sa i përket karrierës sime. Më bëri një barrikadë të fuqishme që më tha: “Stop! Ne jemi zot e jo ti!”
Xh. B. Jeni dhe këngëtare. Si keni hyrë në këtë rrugë? A mund ta thërrisni fëmijërinë dhe kujtimet nëpër vite?
Justi: Po si jo. Shkodërlocja ime, është një qytet që lindi bashkë me muzikën. Çdo qenie, çdo njeri mbi këtë tokë të Shkodrës sime lind me muzikë, ai është bashkë me muzikën, shpreh e rrezaton muzikë. Kësisoj, unë nuk jam e veçantë, unë jam si tanë shkodranët. Zoti e ka dhanë që unë të hipi në skenë dhe me pas mundësinë me u shfaq më dukshëm. Mjafton të dalësh në rrugë e të fillosh një këngë shkodrane, jam e bindur që bëhet një kor duke e kënduar atë këngë të bukur, të pavdekshme, perlën tonë, muzikën magjepsëse popullore shkodrane. Kujtoj që kam kënduar, recituar kur kam qenë e vogël. Bile kam imituar edhe më shumë.
Kur kam qenë e vogël më thërritni edhe djalë. Ka qenë e mbushur, e pasur jeta e fëmijërisë sime. E kujtoj përherë me mall… E kështu kujtoj zotni Hilën (Shahinin). Bënim prova. Isha atëhere në korin e shkollës “Ndoc Mazi”. Dhe zotni Hila gjithmonë më thoshte: “Hajde, more dreq, se më duket se po ta ndigjoj zanin ma shumë!” (qesh) E kështu më mori, më nxori të këndoj një këngë tjetër. Pastaj soliste, pastaj kam shkuar në Shtëpinë e Pionierit, atje ku kisha ëndrrën time, atje ku u përkundën sa e sa talente. Është e pamundur të mos kalonin nëpër atë derë edhe “Pula e gjeli”, “Kukulla”… (nis të këndojë ëmbël): Për kukllën due me këndue / për kukllën e fmininë, / kur isha fmi, moj kukull / sa më gëzojshe mu…”, apo: Ko, ko, ko, ko ve, / kokoriste pula e re, / ki, ki, ki, ki / po këndonte gjel’i ri. Këngën ë kukullës e ka bërë kompozitori Pjerin Ashiku, ndërsa të dytën, “Pula e gjeli” e ka kompozuar Mark Kaftalli.
Xh. B. Ku qëndron fajësia dhe pafajësia e Justit?
Justi: Fajësia ime” ishte, sepse këndoja “ala Justinçe”, pafajsia ime mendoj që ndoshta nuk duhej të demonstroja gjithë aftësitë e mia për një kohë të caktuar, siç ishte ajo kohë absurde. E kur këndova në Festivalin e këngës Magjike, t’ju them të drejtën, nuk pata mundësinë të përjetoja atë çka lashë para dhjetë vjetëve, sepse emocionet më kishin mbërthyer deri në atë pikë sa më zgjonin plot kujtime… Por fatmirësisht isha me Arditin (Gjebrenë) në skenë, tek i cili t’ju them të drejtën u mbajta, sepse dridhesha e gjitha. S’më kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do të provoja të tilla emocione që s’tregohen dot… Sigurisht ndryshimi është i madh, sepse në vend të kongreseve, etj…, etj… Erdhi, pra, momenti fatlum t’i sfidoj me një këngë, të këndoj… siç këndon Justi.
Xh. B. Përse e quani moment fatlum?
Justi: Ajo këngë… nuk e di se si e solli Zoti që unë e këndova shumë vite para dhe kur kthehem pas nëntë vjetëve ajo është përsëri aktuale. Mendoj që kam bërë mirë që nuk e kam kënduar, sepse më mjaftonin dhimbjet dhe më mjaftonte trazimi im… Pastaj s’doja t’i krijoja keqardhje spektatorit, pra, atë që kisha unë, mos ta kishte ai për mua.
Xh. B. Jeta bën të vetën. Të kthehemi te Justi nënë.
Justi: Çfarë mund të them. Jam një nënë si të gjitha nënat. Mundohem t’i rrethoj fëmijët me përkujdesjet e mia, me edukatën që kam marrë prej nanës sime, prej prindërve të mi, me gjithçka i takon dhe e meriotn ky emër aq i çmuar: NANË!
Xh. B. Fëmijët i keni futur në udhën e artit. Përse?
Justi: Kur i kam futur fëmijër e mi në udhën e artit, nuk i kam futur me mendimin që kjo punë është e fiksuar dhe do të vazhdojë kështu. Në udhën e artit i kam futur në radhë të parë, se diçka kam parandjerë, diçka kam paraparë, diçka kam shpresuar tek ato. U kam dhënë drejtimin muzikor. Kjo për mua ishte e vetmja “armë”. Në qoftë se një fëmijë do ta shkollosh, muzika “zbut” shpirtrat. Kjo është një rrugë e bukur, një rrugë që nuk të çon në gabim. Kjo ishte edhe një arsye, pse unë i futa fëmijët e mi dhe i drejtova në këtë rrugë. Mbas 8 vjetëve u binda vërtetë, që fëmijët e mi nuk duhet ta lënë më këtë rrugë. Kishin talent e aftësi…
Xh. B. Fëmijët tuaj nuk e kanë humbur fëmijërinë?
Justi: Fëmijët e mi nuk kanë pasur fëmijëri. Ata gjithnjë kanë studiuar. Nga një herë më vjen keq në shpirt, por… Ata vazhdimisht më falenderojnë, për rrugën që u kam dhënë… Mendoj që fëmijët i kam shokë. Sidoqoftë kjo ka qenë rruga me to: të punoj e ato të jenë të lirë të shprehin mendimet e tyre, edhe mundësisht t’u japë rrugën e një pavarësie në marrëdhënien me moshën. Nuk ka më keq se sa ta fusësh në tyrjelë apo në morsetë një fëmijë. T’ia komandosh trurin, ta bësh robot. Ai nuk mund të jetë kurrë “UNË”. Asgjë interesante nuk do të kishte nëse unë do të thoja: “Justina e dytë”, për ndonjërin prej fëmijëve të mi, për djalin Rubin, apo për vajzën Flonja.
Xh. B. Me mall këndoni një këngë për Vendlindjen. E kujtoni?
Justi: Sigurisht. Nuk di si të them, ka përkuar gjithçka me atë këngë, jeta, aftësitë, Shkodërlocja, kompozitori shkodran e, në fund që i ndërrova tekstin për të cilin doja që në atë kohë ta këndoja e të këndoja për Bik Ndojën, por nuk më lejuan. E tashti që erdha e pata për detyrë me vu atë tekst që dëshirova: “Sa herë kthehem në qytetin tim / Shkodërloce ky emër sa bukur t’rrin…” Tashti jam e lumtur, sepse teksti është ai që dëshiroja, ai që dua tashti… SHKODËRLOCE, KY EMËN SA BUKUR T’RRIN!..
Shkodër, korrik 2018
Komentet