Shumë gazetarë pseudoanalistë, individë mediatikë, shkrimtarë, intelektualë nuk kanë shkruar ndonjëherë një analizë të tillë. Nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjes: Përse sistemi politik aktual në Shqipëri është në këtë shkallë dhe bashkë me të dhe sistemi ekonomiko- financiar si dhe ai gjyqësor?
Shqipëria u hap në fillim të vitit 1991. Historia e formimit të pluralizmit në Shqipëri, themelimit të partive politike shqiptare shkon krah për krah me historinë e fillesave të krimit ordiner shqiptar si dhe kalimit të tij falë lidhjeve me sferat politike në krimin e organizuar.
Krimi i organizuar ishte shumë i brishtë në fillim të viteve ’90, kështu që ai kishte nevojë për “humus”, si dhe një “gardh” ku do të mbështetej.
Aleancat e para midis tij dhe pushtetit të dalë pas viteve 1990 në fillim ishin fragmentare por pak nga pak këto aleanca filluan të konsolidoheshin.
Aleancat e para u shfaqën në zgjedhjet lokale në Komunën Libofshë të Fierit ku skuadronë dhe paramilitarë të pushtetit u përdorën për të grabitur vota si dhe masakruar rivalët politik.
Por përdorimi më spektakolar i grupeve paramilitare të lidhura me pushtetin u vu re në Zgjedhjet Elektorale të 26 Majit 1996. Elementë të shquar të krimit ordiner, recidivistë, trafikantë të cilët vinin nga bota e prostitucionit dhe drogës, u përdorën për të terrorizuar votuesit jashtë qëndrave të votimeve.
Zakonisht këta elementë vepronin në grupe të vogla. Në përbërje të grupeve paramilitare merrnin pjesë dhe individë me pushtet.
Grupet paramilitare u përdorën gjatë ditës por aktiviteti i tyre u rrit me fillimin e procesit të numërimit të votave. Ata ndërhynë në këtë proçes duke i dhënë pushtetit fitoren në tavolinë.
Pavarësisht maskaradës zgjedhore ku një rol vendimtar luajti aleanca “politikë-krim i organizuar”, këto zgjedhje nga disa analiste të njohur perëndimore u çertifikuan me arsyetimin “Zgjedhjet në një shoqëri të re demokratike katër vjeçare nuk mund të priten që të jenë në të njëjtin nivel të rregullsisë si në një demokraci të konsoliduar.”
Një fjalë e urtë sipas tyre thoshte se, “even Rome was not built in a day” (As Roma nuk u ndërtua për një ditë).
Nga ana tjetër ata fajësuan opozitën e cila u tërhoq nga zgjedhjet vetëm dy orë para numërimit të votave, jo për shkak të problemeve, por si një veprim për të mos pranuar humbjen. Por ata gabuan.
Pas rënies së “Skemave Piramidale” si dhe trazirave të Shkurt – Marsit 1997, forcat politike shqiptare të cilat arritën të nënshkruanin një marrveshje në fillim të Marsit 1997 ranë dakort për një Qeveri të Pajtimit Kombëtar, u ra dakort dhe për zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën në 28 Qeshor të atij viti.
Këto zgjedhje u karakterizuan nga përplasje të dhunshme midis paramilitarëve të grupimeve politike. Me sa duket opozita vendosi të luftojë me armën që rivali politik i saj kishte përdorur kundër saj në zgjedhjet e 26 Majit 1996 dhe po përdorte përsëri ne zgjedhjet e 28 Qeshorit 1997.
Kjo armë ishte aleanca dhe përdorimi i grupeve kriminale të armatosura në rolin e krahut të armatosur të partisë. Midis bandave pati dhe përplasje te armatosura të përgjakshme si ajo e Urës Vajgurore.
Pika e kthesës së bashkëpunimit të krimit të organizuar dhe ordiner me pushtetin politik u shënua në zgjedhjet e vitit 2001. Operimi në terren me grupe të ashtëquajtur të “fortë” në këto zgjedhje ishin në minimum në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Në zgjedhjet e viteve 2001, 2005, 2009 dhe 2013 u vu re fenomeni i kandidimit për deputet të të ashtuquajturëve biznesmenë.
Në se krimi i organizuar deri ne atë kohë ishte përdorur në rolin e grupeve paramilitare jashtë formacioneve politike duke luajtur rolin e “Engjëllit Mbrojtës”,në këto zgjedhje ai u katapultua ne politik.
Partitë politike nuk kishin më nevojë për muskuj, armë dhe zhurmë. Ato kishin nevojë për mjete financiare. Zgjedhjet e vitit 2001 ishin kufiri ndarës i cili shënoj fundin e përplasjeve militare dhe fillimin e financimit të zgjedhjeve nëpërmjet forcës ekonomiko – financiare.
Gjithashtu në zgjedhjet e vitit 2001 dhe më vonë në vitet 2005, 2009 dhe 2013 u vu re një fenomen. Blerja e votës. Në fakt blerja e votës ishte më tepër se një fenomen, ajo ishte një mekanizëm mafioz.
Pati katër forma të blerjes së votës. Zakonisht kjo varej nga interesi i ndërsjelltë midis partitokratëve, pushtetit okult, të ashtuquajturëve biznesmenë dhe votuesve të “sugjestionuar”.
Një nga format më të spikatura ishte blerja e votës kundrejt shumave të ndryshme monetare. Forma e dytë ishte blerja e votës kundrejt sendeve te konsumit deri tek thesi i miellit. Forma e tretë ishte blerja e votës kundrejt premtimit të një vendi pune në administratën publike. Dhe forma e katërt ishte blerja e votës me premtimin për lehtësira në biznes si dhe favorizime gjatë konkurseve të tenderave publikë.
Të gjitha këto forma janë tipike për shoqëri të korruptuara dhe janë përdorur nga interlekutorë midis politikës dhe organizatave më fa mëkeqe mafioze në vitet ’50-’90 në Sicili si Salvatore Lima, Vito Ciancimino dhe të tjerë.
Se përse ka rëndesi mosshitja e votës për një shoqëri demokratike e cila udhëhiqet nga idea e konkurimit të vlerave dhe jo nga ligjet mafioze të “Omertas” dhe “Vendetës” unë do të citoj gazetarin italian të vrarë nga mafia Xhuzepe Fava: “….Miku im, gjithmonë që ju i jepni votën një politikani të korruptuar, injorant dhe budalla thjesht sepse duke u ulur në kolltukun e pushtetit ai mund t’ju sigurojë një rekomandim, promovim në një konkurs, duke marrë një të afërmin tuaj në një vend pune ose duke ju dhënë një licensë për ndërtimin e një ndërtese. Ju dhe miliona qytetar dhe votues duke vepruar kështu, keni mbushur parlamentin, bashkitë dhe këshillat bashkiake me njerezit më të këqinj, më të shëmtuar shpirtërisht, njerëzit më mashtruesa të vendit, njerëzit më të dëmshëm për shoqërinë dhe shtetin. Pastaj për cdo gjë që ndodh në këtë vend faji më i madh është vetëm i juaji….”.
Mafia politike përvec mekanizmit të blerjes së votës, ka përdorur dhe mekanizma të tjerë për të sunduar sa më lehtë mbi qytetarët. Një ndër këto forma operimi është dhe e ashtëquajtura “Strategjia e Tensionit”.
“Stragjegjia e Tensionit” është një nga mekanizmat i cili vepron në shoqëri të korruptuara ku sundon mafia politike. Objektivi i të ashtëquajturës “Strategji te Tensionit” është largimi i vëmëndjes së opinionit publik nga problemet e vërteta të cilat shqetësojnë vendin, kjo mënyrë bënë të mundur operimin sa më të qetë në terren të pushtetit okult për të realizuar synimet e tij politiko- ekonomiko- financiare.
Janë dy lloje “Strategji Tensioni”.
E para realizohet direkt në parlament nëpërmjet debateve të ashpra parlamentare midis lidershipit politik, me akuza, kundër akuza, sharje, ofendime, përplasje verbale deri tek përplasjet fizike.
E dyta realizohet nëpërmjet zhvendosjes se “Strategjisë së Tensionit” në rrugët e qyteteve duke aktivizuar militantë partiakë në përplasje fizike por dhe duke operuar me grupe kriminale në akte te rënda dhune dhe terrori të cilat synojnë goditjen e rendit kushtetues si dhe prishjen e rendit publik.
Strategjia e Tensionit e ndjekur nga pushteti okult i shkon për shtatë thënies së shkrimtarit antikonformist Leonardo Sciascia se: Siguri për pushtetin okult është pasiguria për qytetarët.
Hapi i parë i pushtetit pas ’90-tës ishte vendosja nën kontroll të plotë të njërit nga tre pushtetet, atij gjyqësor. Aleanca e “padukshme” Drejtësi – Politikë pas zgjedhjeve të vitit 2001 erdhi dhe u bë e dukshme për opinionin shqiptar.
Kjo aleancë u vu re qartë kur elemente të fuqishëm dhe me pushtet brënda sistemit të drejtësisë për shkak të shërbimeve politike që i kishin bërë pushtetit okult u shpërblyen nga partitokratët duke u zgjedhur si kantidat për deputet në garat elektorale të viteve 2001, 2005, 2009 dhe 2013.
Krejt ndryshe ka ndodhur në vënde të konsoliduara demokratike si në SHBA ku shumë individë të rëndësishëm të politikës kanë bërë karrierë në fillim si prokurorë ose gjyqtarë.
Një nga këta është Tomas Lui ish- Guvernator dhe tre herë kandidat për President, por më i shquari ka qënë ish-Guvernatori i New York-ut Rudolf Xhuliani.
Në se prokurorët dhe gjyqtarët shqiptar kërcyen në politik si shperblim për “nderet” e bëra pushtetit okult. Rudolf Xhuliani, Tomas Lui dhe të tjerë ishin ideator të një lëvizje e cila synonte moralizimin e politikës, direkt me kontributin e tyre nga brënda saj. Kjo lëvizje kërkonte që imoralët në politikë të përfundonin në burg.
Karakteristikë tjetër e partive historike 10-15 vitet e fundit është se ato funksionojnë si sekte okulte. Partia Socialiste është një parti me histori 80 vjeçare, me lidhje shumë të fuqishme historike, shoqërore, social-ekonomike, financiare, farefisnore dhe nepotike.
Pas vitit 2005 këto lidhje u rishfaqën më të fuqishme kur figura të njohura për lidhjet e tyre në vij gjaku direkt me ish -lidershipin politik të Shqiperise para ’90-tës, mundën që të rimerrnin frenat e PS-së.
Karakteristikë e kësaj partie është se ajo funksionon si “Komision” (komisioni përbëhet nga disa familje) brënda të cilit luan rol “garda e vjetër” por dhe te ashtëquajturit “grupi i të rinjve”.
Ndryshe paraqitet panorama në kampet e tjera politike si PD dhe LSI. Keto parti janë forca më të “reja”. Qartësisht vërehet se këto grupacione politike funksionojnë në mënyrë hierarkike piramidale.
Karakteristika që i dallon këto dy forca politike nga PS është se, brënda Partisë Demokratik dhe asaj të LSI-së drejton, urdhëron dhe komandon vetëm një “familje”.
E përbashkëta e të tre partive është mënyra e operimit të tyre si sekte okulte. Kjo mënyrë i ka shndërruar ato të jenë hermetike dhe selektive ndaj prurjeve, karriera brënda partisë lejohet vetëm me lejën e familjeve drejtuese.
Përkufizimi ideal i cili portretizon shoqëritë e korruptuara në të cilat sundon mafiokracia dhe i shkon përshtat partitokratëve të Tiranës, është ai i dy profesorëve të së Drejtës Penale, Leopoldo Franketi dhe Sidnei Sonino: Mafia është një institucion social, një klasë shoqërore e përbërë nga të ashtëquajturit biznesmenë të lidhur me njëri – tjetrin për vetëinteres, një forcë sociale e pathyeshme me një strategji politike dhe me lidhje të ngushta midis funksionarëve shtetërorë, administratorëve publikë dhe njerëzve nga sfera politike. Mafia është vetë politika…..”
Komentet