Presidenti francez Emmanuel Macron është duke u takuar sot në Moskë me Presidentin Vladimir Putin, në përpjekje për të parandaluar rrezikun e një pushtimi të Ukrainës.
Ai i tha homologut të tij rus, Vladimir Putin se Evropës dhe Azisë i duhet një përgjigje “e dobishme” për t’i dhënë fund ngërçit në Ukrainë.
“Një përgjigje e dobishme do të thotë një përgjigje që na mundëson të shmangim luftën dhe të ngremë struktura besimi dhe stabiliteti”, i tha zoti Macron zotit Putin gjatë takimit në Kremlin për krizën në Ukrainë.
Megjithatë, Kremlini tha paraprakisht se nuk pret një zgjidhje të menjëhershme të ngërçit me Perëndimin.
“Situata është tepër komplekse për të pritur një arritje vendimtare gjatë një takimi të vetëm”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Gjatë ditëve të fundit, nuk ka patur asgjë të re për çështjen e garancive të sigurisë për Rusinë”, tha zoti Peskov. “Bashkëbiseduesit tanë perëndimorë preferojnë mos ta përmendin këtë temë”.
Moska ka dislokuar mbi 100 mijë forca përgjatë kufirit lindor të Ukrainës dhe në Bjellorusi. Perëndimi mendon se zoti Putin mund të urdhërojë në çdo moment një pushtim të kësaj republike ish-sovjetike.
Franca, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë refuzuar kërkesat e Moskës për të përjashtuar mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën perëndimore të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Përpara se të largohej nga Parisi, zoti Macron i the gazetës Le Journal du Dimanche, se “duhet të jemi shumë realistë. Nuk do të përftojmë gjeste unilaterale, por është thelbësore të parandalojmë një përkeqësim të situatës, përpara se të kemi krijuar mekanizma dhe gjeste reciproke mirëbesimi”.
Pas takimit me zotin Putin, Presidenti francez do të jetë të martën në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas.
Ndërkaq në Uashington, Presidenti amerikan Joe Biden po takohet në Shtëpinë e Bardhë me Kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ky është takimi i tyre i parë në person, që kur zoti Scholz mori detyrën në muajin dhjetor.
Bisedimet e tyre do të përqëndrohen gjithashtu tek ulja e tensioneve në Evropën Lindore dhe tek parandalimi i një pushtimi të Ukrainës nga Rusia.
Qëndrimet e zotit Macron dallojnë dukshëm nga mënyra se si administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, e karakterizon grumbullimin ushtarak të Moskës dhe rrezikun e një sulmi rus.
Një pushtim rus i Ukrainës “mund të ndodhë në çdo kohë”, tha të dielën Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
“Ne besojmë se rusët kanë ngritur mundësitë për të kryer një operacion të rëndësishëm ushtarak në Ukrainë dhe ne kemi punuar shumë për të përgatitur një përgjigje”, tha zoti Sullivan në emisionin “Meet the Press” të NBC. Sullivan dhe zyrtarë të tjerë amerikanë vlerësojnë se Komentet e zotit Sullivan vijnë pas dy zyrtarë amerikanë thanë se Rusia ka grumbulluar të paktën 70 për qind të forcave të saj ushtarake të nevojshme për një pushtim.
Pretendimi i presidentit Macron se negociatat e tij me Rusinë do të parandalojnë një konflikt ushtarak, shkaktoi përçmim të rivalëve të tij politikë në Francë. Disa komentatorë dhe analistë, paralajmëruan se ai po vinte në rrezik besueshmërinë e tij si negociator, duke tërhequr vërejtjen se përpjekjet e tij që nga viti 2017 për t’u marrë vesh me udhëheqësin rus, kanë dështuar.
Franca do të mbajë zgjedhjet presidenciale në muajin prill dhe kundërshtarët e presidentit Macron e akuzuan atë se po përpiqet të shfrytëzojë politikën e jashtme, në përpjekje për të rritur shpresat e tij për t’u rizgjedhur.
Gjuha e presidentit Macron “e bën nervoze pjesën tjetër të Evropës”, thotë analisti i politikës së jashtme, Ulrich Speck, një bashkëpunëtor në Fondin Gjerman Marshall.
Presidenti Macron ka kërkuar ruajtjen e lidhjeve me Rusinë, me gjithë aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014. Në librin e tij të fushatës së vitit 2017, “Revolucioni”, presidenti Macron shkroi se “do të ishte gabim të shkëputeshin lidhjet me këtë fuqi të Evropës Lindore (për shkak të Krimesë) në vend që të krijonim një marrëdhënie të qëndrueshme”.
Menjëherë pas marrjes së detyrës, ai e priti presidentin rus Putin në Versajë mes bisedave për uljen e tensioneve, por, takimi nuk shkoi sipas planit dhe nuk pati një bisedë kokë më kokë. Presidenti Macron kritikoi Rusinë për përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet perëndimore duke përhapur lajme të rreme, dezinformata dhe gënjeshtra. Ai foli për “linja shumë të qarta” të sjelljes.
Dy vjet më vonë, presidenti francez u përpoq sërish për një zbutje. kur priti presidentin Putin në rezidencën verore të presidentit francez. në Riviera.
Në një fjalim, ai paralajmëroi se Evropa është gjetur në mes të një Lufte të re të Ftohtë, duke thënë se “nuk është në interesin tonë të ndjehemi të dobët dhe fajtorë, të harrojmë të gjitha mosmarrëveshjet tona dhe të përqafojmë përsëri njëri-tjetrin, (por) kontinenti evropian, nuk do të jetë kurrë i qëndrueshëm, nuk do të jetë kurrë i sigurt, nëse nuk i qetësojmë dhe nuk i sqarojmë marrëdhëniet tona me Rusinë”.
Macron është mëdyshur në të kaluarën gjithashtu, për të vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë së Vladimir Putinit.
Disa kritikë të presidentit Macron, thonë se përpjekjet e tij për të rivendosur marrëdhëniet me Moskën, kanë të bëjnë me ambiciet e tij personale dhe synojnë të rrisin rolin e tij në çështjet ndërkombëtare më shumë se çdo gjë tjetër.
Ashtu si udhëheqësi ikonë i Francës pas Luftës së Dytë Botërore, gjenerali Charles de Gaulle, presidenti Macron e sheh Francën si një “fuqi balancuese” midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Përpjekjet e tij diplomatike alarmojnë disa nga aleatët evropianë të Francës, veçanërisht fqinjët e afërt të Rusisë.
Politikanët polakë e kanë akuzuar atë për injorim të faktit se Rusia nuk ka ndryshuar me të vërtetë synimet e saj ekspansioniste dhe janë të shqetësuar se përpjekjet e presidentit Macron si ndërmjetës midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, do të bëjnë që evropianët të jenë të ‘baraslarguar’ midis Moskës dhe Uashingtonit.
Muajin e kaluar, në një fjalim në Parlamentin Evropian, presidenti Macron bëri thirrje që Bashkimi Evropian të zhvilloje bisedimet e veta me Kremlinin dhe tha se blloku duhet të negociojë një pakt sigurie dhe stabiliteti me Rusinë. Disa udhëheqës Evropës Qendrore dhe vendeve baltike, thanë se komentet e tij ishin të gabuara dhe rrezikonin të inkurajonin Kremlinin të përpiqej të nxiste SHBA-në dhe BE-në, kundër njëri-tjetrit.
Si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Britania, kanë paralajmëruar se një pushtim i plotë rus i Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm, si pjesë e një përpjekjeje për të rivendosur një sferë të ndikimit rus në Evropën Lindore dhe Qendrore.
Rusia kërkon që Ukraina të mos bëhet kurrë anëtare e NATO-s dhe thotë se prania ushtarake e NATO-s duhet të hiqet nga shtetet ish-komuniste të Evropës Lindore, që i janë bashkuar aleancës perëndimore. Zyrtarët e NATO-s thonë se vendet duhet të jenë të lira të vendosin nëse do t’i bashkohen aleancës.
Në intervistën e tij me gazetën, Le Journal de Dimanche, presidenti Macron foli sërish për një marrëveshje të re evropiane të sigurisë, duke thënë se ndërsa “siguria dhe sovraniteti i Ukrainës ose i ndonjë shteti tjetër evropian, nuk mund të jetë subjekt kompromisi”, është “gjithashtu e ligjshme që Rusia të shtrojë çështjen e sigurisë së saj”.
“Ne duhet të mbrojmë vëllezërit tanë evropianë duke propozuar një ekuilibër të ri të aftë për të ruajtur sovranitetin dhe paqen e tyre. Kjo duhet bërë duke respektuar Rusinë dhe duke kuptuar traumat bashkëkohore të këtij populli dhe kombi të madh”, tha ai.
Justyna Gotkowska e Qendrës për Studime Lindore, një grup kërkimor me seli në Varshavë, shtron pyetjen se kush e ka mandatuar presidentin Macron të flas për një sistem të ri të sigurisë evropiane.
“Çfarë legjitimiteti ka Macroni për ta propozuar këtë? Evropianët nuk kanë rënë dakord në NATO dhe në OSBE për një “ekuilibër të ri”, përkundrazi”, shkroi ajo.
Zyrtarët francezë thonë se udhëtimi i presidentit Macron është bashkërenduar plotësisht me aleatët perëndimorë dhe i thanë agjencisë së lajmeve, Reuters, se Pallati Élysée ka mësuar nga gabimet e së kaluarës për t’u siguruar që të gjithë aleatët e BE-së dhe NATO-s të mbahen plotësisht të informuar për bisedimet e zoti Macron me presidentin Putin”.
Ulrich Speck, i fondit gjerman Marshall, tha se do të kishte qenë më mirë nëse presidenti Macron do të ishte shoqëruar nga udhëheqës të tjerë perëndimorë në udhëtimin e tij në Moskë. “Do ta bënte Evropën të duket shumë më e fortë dhe do të sigurohej që të ketë një mesazh të bashkuar”, shkroi ai.
*Artikulli përmban të dhëna nga agjensia e lajmeve Reuters.
Komentet