Presidenti francez ka nisur dje konsultime me dyer mbyllura në Pallatin e Elysesë mbi politikën e ballafaqimit frontal me Rusinë ku ai po e angazhon Francën. Mbrëmë presidenti francez filloi raundin e konsultimeve duke pritur dy ish-paraardhësit e tij ne Elize, Fransua Holande dhe Nikola Sarkozi. Sot e enjte 7 mars, Makron i vazhdon konsultimet në një godinë historike në periferi të Parisit ku do të shkëmbejë me liderit e partive politike franceze të përfaqësuara ne parlamentin francez duke përfshirë dhe partinë e ekstremit të djathtë të Marinë Le Pen.
I pari që doli mbreme nga takimi kokë më kokë me Makronin ishte ish-presidenti francez Fransua Hollande. Hollande deklaroi para kamerave të shumta që e prisnin se i shprehu presidentit në fuqi të Francës mbështetjen e tij të plotë për vendosjen e një raporti force edhe në fushën ushtarake me Vladimir Putin. Hollande nisur dhe nga pervoja e tij personale me Putin kur ka qenë president i Francës, theksoi se shefi i Kremlinit njeh vetëm gjuhën e forcës, prandaj sipas tij, edhe pa qenë nevoja që disa gjëra të thuhen publikisht , duhet t’i bëhet e qartë Putinit se të gjitha opsionet jane mbi tavolinë duke përfshirë dhe forcën ushtarake. Hollande la kështu të kuptohet se e mbështet vullnetin e Makronit për të dërguar trupa në terren por s’do e kish thënë sipas tij kaq hapur. « Sa më pak të flasim, aq me më efikasitet veprojmë », tha Hollande, duke shtuar se « nuk i duhen zbuluar Putinit planet qe kemi ». Nga ana e tij ish-presidenti tjetër i Francës Sarkozi nuk beri mbreme asnje koment mbi ç’ka bisedoi kokë më kokë me Makron. Sarkozi ka shprehur në një të kaluar të afërt pikëpamje të gjykuara si më të favorshme ndaj Rusisë sesa ndaj Ukrainës.
Edhe vetë presidenti aktual francez deri para një viti ka qenë më tepër në krahun e opsionit për negocjata me Putinin duke shkuar deri aty sa te deklaronte asokohe se nuk duhet poshtëruar presidenti rus.
Dërgim trupash në Ukrainë: një pikë kulminante por dhe spontane…
Ashpërsimi i tonit të presidentit Makron ndaj Rusisë së Putinit është bërë në mënyrë graduale dhe arriti kulmin me 26 shkurt kur priti 25 liderë perëndimorë në Pallatin e Elizesë për të diskutuar për mbështetjen për Ukrainën. Ishte në atë takim ku Makron hodhi për herë të parë idenë që shkaktoi shumë polemikë mbi dërgim të trupave në terren ne Ukrainë. Ajo deklaratë u komentua në mbarë botën dhe bëri të reagojë dhe vetë Putini. Por ajo nuk ishte një deklaratë në një fjalim të parapërgatitur të Makronit. Qe një thënie spontane gjatë një përgjigje që jepte në një konferencë për shtyp pas takimit të liderve europianë në Elize mbi Ukrainën. Gjithçka filloi me një pyetje nga një gazetare e Bloomberg e cila e pyeti kështu Makronin :“ çfarë mendoni për komentet e kryeministrit sllovak, Fico, i cili para kësaj konference të Elizesë evokoi mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në terren në Ukrainë? A është diskutuar kjo mundësi sot midis lidërve europianë dhe çfarë mendoni ju? ». Gazetarja i referohej në pyetjen e saj një deklarate të Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë shpesh i konsideruar si mbështetës i Rusisë , i cili u ankua para konferencës së Elizesë se “disa vende anëtare të NATO-s dhe BE-së po shqyrtojnë dërgimin e ushtarëve të tyre në territorin e Ukrainës në bazë marreveshjesh ushtarake dypalëshe. Kjo, tha Fico, përbën rrezik të mëdh për sigurinë kolektive nëse do të ketë marrëveshje dypalëshe mes Ukrainës dhe vendeve të veçanta anëtare të NATO-s dhe BE-së që duan të dërgojnë trupat e tyre në Ukrainë.” Ishte kjo pyetje pra që iu bë Makronit, se çfarë mendon ai për këtë “alarm” të Ficos , për më tepër që Franca është një vend që sapo ka firmosur edhe ajo një marrëveshje sigurie dypalëshe me Ukrainën. Ja si u përgjigj pyetjes së gazetares Makron : “Gjithçka u diskutua në mënyrë të lirë dhe të drejtpërdrejtë këtë mbrëmje midis lidërve europianë ne Elize. Nuk ka konsensus për të dërguar zyrtarisht trupa në terren në Ukrainë. Por, duke patur parasysh dinamikat, asgjë nuk duhet të përjashtohet. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet në mënyrë që Rusia të mos mund ta fitojë këtë luftë. Ata që thonë sot “kurrë, kurrë!” (për dërgim trupash) ishin të njëjtët që thoshin dje “kurrë tanke, kurrë avjonë, kurrë raketa me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën. Ju kujtoj se dy vjet më parë, shumë nga ne rreth kësaj tavoline thonin se ishin të gatshëm të ofronin për Ukrainën vetëm çanta shpine dhe helmeta. Të njëjtët sot thonë: të nxitojmë të dërgojmë sa më shpejt dhe sa më shumë raketa dhe tanke për Ukrainën. »
Fjalimi Makronit në Pragë një tjetër pikë kulminante
Këtë javë në vizitë zyrtare në Pragë , Makron e qartësoi edhe me shumë doktrinën e tij për t’u përplasur po qe nevoja me Rusinë. Sipas Makron, deri tani ishte Rusia që na tregonte vijën e kuqe duke na kërcënuar se po bëmë një hap që s’i pëlqen ajo do kundërpërgjigjet më rëndë. Pse ne Perëndimorët mos t’i tregojmë vijën tonë të kuqe Rusisë të cilën edhe ajo po e kaloi edhe ne mund të shkojmë më larg, domethënë deri te dërgimi i trupave në terren? Kjo është pak a shumë doktrina e re e Makronit që e shprehu në mënyrë të kristaltë këtë fillim jave në vizitë në Pragë: “Ka ardhur momenti për Evropën tonë kur duhet të tregojmë o tani o kurrë se nuk jemi frikacakë”, tha në krah të Presidentit çek Emanuel Makron më i vendosur se kurrë të sfidojë Rusinë. “Ne kemi tendencë të mos t’i mendojmë, të mos t’i shohim tragjeditë që na trokasin në derë ” paralajmëroi ai. “Por lufta është rikthyer në tokën tonë. Disa fuqi janë bërë të pandalshme dhe po na kërcënojnë dita ditës ndaj ne duhet të tregohemi në lartësinë që e lyp ky moment i Historisë dhe të tregojmë gjithë guximin që kërkon nga ne kjo situatë” shtoi Makron duke pyetur sallën në mënyre retorike : “A është kjo lufta jonë apo nuk është lufta jonë? A mund t’i kthejmë kurrizin, të konsiderojmë se gjërat mund të vazhdojnë kështu? Unë nuk mendoj kështu dhe bëj thirrje për një hov strategjik të Evropës”. Më tej Makron ngriti gishtin akuzues drejtpërdrejt ndaj Putinit : “Kush e filloi luftën në Ukrainë? Vladimir Putin. Kush kërcënon deri me armë bërthamore për gjënë më të vogël që mund të themi apo të mund të bëjmë? Putin! Shikoni, a ka limite strategjikë ai? Jo. Po ne përse përkulemi për të treguar se cilët janë kufijtë që s’do t’i tejkalojmë kurrë (trupat ne tokë) një personi si Putini i cili vetë ndaj nesh nuk njeh asnjë kufi! Nëse zbrapsemi në këtë pikë, atëherë mund t’ju them me bindje se shpirti i disfatës është brenda nesh ! »
Një doktrinë e re franceze që i mobilizon europianët apo i përçan?
Në të njëjtin moment me Makron edhe ministri i tij i ri i jashtëm Stefan Sezhurne po e shton presionin mbi europianët duke e vënë theksin te katastrofa që e pret BE-në nëse Putin triumfon në Ukrainë : “Nëse Ukraina bie, do të ketë pasoja ne formë reaksioni zinxhir; viktima e parë do të jetë vetë Bashkimi Evropian që do të shpërbëhet sepse në një skenar fitoreje ruse nuk e mendoj se do të kemi kapacitetin në Evropë të merremi vesh me njeri tjetrin. Vladimir Putin po kërkon të testojë solidaritetin tonë mes nesh. Ne duhet ta shmangim këtë skenar,” ka deklaruar këto ditë shefi i diplomacisë franceze në vazhdën e deklaratave të Makronit. Këto mosmarrëveshje midis europianeve kanë filluar tashmë. Gjermanët kanë shprehur kështu këto ditë shenja se ndjehen të ofenduar pas deklaratave të Makronit në Pragë ku tha që europianët s’duhet të te sillen si frikacakë përballë Rusisë. Një shprehje që u komentua në shumë media si e drejtuar personalisht ndaj kancelarit gjerman Gerard Sholz që refuzon t’i japë Ukrainës raketat Taurus. Po ashtu dhe deklarata e Makronit mbi mundësinë e dërgimit një ditë të trupave në Ukrainë, e ka ndarë BE-në në dy grupe shtetesh, në ato që i japin të drejtë gjuhës së ashpër së Makronit ndaj Rusisë dhe në këtë grup shtetet përfshihen të gjitha vendet nordike, pothuajse të gjitha vendet e Europës lindore dhe Greqia, ndërsa vendet e tjera me Gjermaninë dhe Italinë në krye jane pozicionuar kundra doktrinës së re të Makronit ndaj Rusisë.
Edhe Rusia vetë ka hyrë në këtë valle për të përçarë edhe më shumë jo vetëm europianët por dhe vetë politikën dhe opinionin publik francez me deklarata kërcënuese kundra Francës që po shumëfishohen në medjat ruse dhe në diskursin e politikanëve ruse. Edhe shpërthimi i një rakete ruse Iskander që ndodhi dje në Odesa duke vrarë pesë civilë vetëm 150 metra larg vendit vendit ku ndodheshin Zelenski dhe Kryeministri grek Micotaqis në vizitë në Ukrainë po komentohet tani në medjat franceze si një mesazh kërcënues jo vetëm ndaj Micotaqisit që mbështet presidentin francez por dhe si kërcënim fizik për vetë Makronin që ka deklaruar se do të kryejë vetë një vizitë në Ukrainë më 14 mars…
A po merr Franca vendin që po le bosh Amerika e bllokuar nga Trump në mbështetjen ndaj Ukrainës?
Një gjë është e sigurt, Franca e vetme pa europianët nga mbrapa do ta ketë po aq të vështirë sa demokratët e Biden-it pa Republikanët e Trumpit.
(BalkanWeb)