AT ANTON HARAPI O.F.M.
(1888 – 1946)
Përgatiti: Prof. Daniel Gàzulli: Pjesa e Parë
Ligjerata të At Anton Harapit
(Fragmente)
Shënim nga Prof. D. Gazulli:
Kam vërejtë ndër komentues paqartësi e mosnjohje të jetës dhe veprës së At Anton Harapit.
Tue qenë këto ligjërata të botueme gjatë Luftës Botënore, janë dëshmi mbi të cilat vetëm mund të thellohemi; ato nuk mund
të ndryshojnë ma simbas dëshirës apo pikëpamjeve të njenit apo tjetrit.
Secili le të nxjerrë përfundimet e veta.
Nënvizimet janë të mijat.
FANATIZMI – nji turp për personin dhe për shoqninë
Zotni të ndershëm,
Më falni për guximin: due ta përballoj çashtjen ma delikate në jetën shqiptare.
Kush e kishte zanë besë?… Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe, ndër ateistat e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmnisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte qi nuk lanë me luejtë, por janë edhe prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare.
Për sa dij unë deri më sod, kjo çashtje kurrë nuk qe përballue kjartë e mirë; sa herë qe kallë, menjiherë edhe qe mbulue porsi gaca nën hi.
T’i mbetet hatri kujt të duen, unë due ta thom mendimin tem haptas: Marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik e këta jo për besim, sa për inat e për parti. Ndër çasat ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njimend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji gond rryme e partie, sa me të trembë e me të demoralizue.
Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër ne?
Ateistat me të gjithë skeptikët, indiferentat, natyralistat, aventurierët e oportunistat, thonë se jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiparizma! Këta shpresoj t’i përballoj njiherë tjetër; këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë t’patënzonë. Fjalën këtë herë e kam me besimtarët e tre elementave.
Pa kontenstim ne jemi nji komb, nji shtet e nji popull me nji shpirt, me nji gjuhë e me nji histori, e po t’ishim edhe të nji besimi, patëm me qenë edhe ma te bashkuem, ma homogjenë, dhe nuk patëm me bjerrë mund’ e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky se na jemi pra myslimanë, ortodoksë e katolikë e si të tillë duem të rrojmë në nji harmoni
vëllaznore. Unë thom se për këtë punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vëllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, tezin tem e ve kësodore: Shqiptarët, po qenë vërtet të qytetnuem e nacionalista të sinqertë, besues edhe përnjimend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vëllaznisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerëzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me qenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.
PENGIMI I MADH: FANATIZMI
Pengimi i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vëllaznimit tonë asht fanatizmi, i cili asht nji turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi, nji turp për jetën shqiptare. Besimi qi mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton. Besimi në nji Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njerinë ndër ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht dhe egoizmi qi don të justifikohet me shkakun e besimit. Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për nji bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullndesës deri në kulm..,
por me këtë ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për nji parim t’arsyeshëm, ndërsa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye; njeriu me karakter tregon nji zotësi morale, ndërsa fanatiku dishmon nji dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin e egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht; karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në ves e n’egërsi. Fanatizmi asht antinjerzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor. Pra, për të rrojtë vllaznisht, nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim. Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturen vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, d.m.th. nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjimend në vete ashtu si mbahet e
duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vëllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi. Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha qi ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për nji çdo tjetër arsye të jashtme; sod duhet të dijmë shka besojmë dhe pse të besojmë; lypet ta justifikojmë, nëmose para vetes, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për nji gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndiesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtues në nji sistem jete. Kjo don me thanë kulturë fetare.
TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT
Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristianë e myslimanë të jenë të gjithë Shenjtën a Peigambera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vëllaznisht.
Pa kulturën njerëzore, nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.
Kam pa myslimanë edhe kristianë qi me vetëmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk shfaqin nji madhni shpirtnore, të cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyne të shumtën e herës bazohet thjesht në nji zakon, në nji traditë e në nji moskuptim të jetës fetare qi e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.
Nji kusht tjetër qi rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këtë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari em. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamëm fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore. Më ka ra rasa për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.
Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prapë e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e nji tjetri asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këtë përbindsh të individualizmit egoistik. Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dimë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush ne edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend.
Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshin edhe besimesh të ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kuj shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty.
As në këtë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.
SHKAQET E DASISË
Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime; E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndërrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin.
E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht. Kështu arsyetojnë ata qi besimet i kanë ferrë në sy.
Problemi i vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet qi janë:
- Intoleranca dogmatike, 2.Toleranca shoqnore qytetare, dhe 3. Toleranca shoqnore politike. Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë por i afrohet kuptimit, me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijët, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk bartim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme, na merr nderin.
Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë qi në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë qi ndërgjegjja ia urdhnon për të drejtë,
as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë nji parimi, qi e ka për ideal të parë.
Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë qi nuk bartet as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zit e thonit. Fjalë qi me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim në kurrnji mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë, e arsyeshme, e drejtë: e vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar. Ja edhe arsyeja e thanies seme: Nji besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt nji çfarëdo kredoje tjetër, do të përgjigjet me nji “jo” kategorike të preme.
Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnji besim pëmjimend, thotë se besimet janë njinji të vërteta, si t’ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njinji për ta plotsue nji nevojë të jetës. Po qe si njena dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëhere asht njinji si e vërteta si e kundërta, e po qe se Zoti i dha e i dau besimet e kundërta, atëhere Zoti asht hartuesi i gabimit, i rrenës dhe i përçamjes.
Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në nji shtet, në nji popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatike. Për njiherë ashtu po e zamë, edhe po e vejmë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këtë themel, bie fjala, Krishti qe a s’qe Zot, Muhamedi qe a s’qe Profeti i Zotit, në këtë rasë për mue do t’ishte njipërnji; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: si Krishti e Muhamedi të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë qenë hipokritë e mashtruesa, si të kenë qenë të ndershëm e të drejtë.
Kush nuk e sheh këtë dobësi mendore e morale? Njeriu të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje, dhe atë për shka asht i bindun se asht gabim, kurr nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm nji detyrë e fetarit, por nji detyrë e secilit njeri të ndershëm e t’arsyeshëm.
N’emën të së vërtetës, pra e për hir të sinqeritetit, luftë çdo gabimi, kudo qi ta gjejmë, edhe ndër kërkimet shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave. Për këtë intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike, jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndërsa këtë intolerancë e gjejmë edhe ndër njerëzit e ditunisë, t’artit e të politikës, për shka u përket parimeve të tyne.,. Këtë, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë. Këtë po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, si për besimtarë.
NJI FORMË E INTOLERANCËS: POLEMIKA
Nji formë e intolerancës asht polemika, e cila po qe serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtet ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerëzore e fetare qi kemi, thom se polemika nuk asht për ne. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çashtje, kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrenen, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive t’ulta, të polemizojmë me pasion.
Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këtë parim, na e dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht personi e tjetër asht vepra; personin e falim, veprën e gabueshme e dënojmë; atë e duem, këtë e mënijmë; atë e bartim, këtë nuk e durojmë. Ky asht parimi bazë qi na shoqnon: me kurrnji gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët, edhe të jenë të gabuem, afrim, dashuni, vllaznim. Natyra na mëson këtë parim: ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban nji harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon; si, bie fjala, ndër ne të marrunit me ndore, besa, mikpritja, qe se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin. Këtë shoqni qi na mëson natyra, na e imponon jeta; po njikëtë na urdhnon besimi, cilido të jetë.
Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se nji i njejti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në sajë të nji Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, Na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijt e nji Zoti qi na ka falë. Pra Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji.
Ja, pra, se kurrgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa ndryshim.
Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: muhamedani i biri i Zotit, krisatiani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta: porsi vllau për vllanë të ndiejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjen fetare të shoqi-shoqit: për kurrnji arsye nuk kemi te drejtë të përbuzim kend; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë.
Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh.
Toleranca qytetare- shoqnore e gjen plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore- politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njipërnji të tria besimet në Shqipni; shteti njimend asht afetar, d.m.th. as-njanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnji besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit; ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnji elementi; të gjitha ligjet, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetet ndër zyrtarë, me sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi. Shteti, pra, jep liri të plotë, edhe të tre elementave ua siguron të drejtat qytetare e politike; parimi i tij mbështetet në drejtësi e jo në dashuni; shteti nuk ka miqësi as anmiqësi me kurrnjenin element.
Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë:
- Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve.
E vërteta nuk luen (intoleranca teorike- dogmatike);
- Duhet të kemi dashuninë e siqertë midis personave (toleranca shoqnore-qytetare);
- Duhet të mbahet drejtësia me ndërgjegje ndër ligje, e ndër zyrtarë (toleranca shtetnore- politike).
Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë sëbashku jo si përdhuni, por me vetëdashje; këtë punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndiejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht nji virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore, do të jetë i prekun e i tërhjekun.
E tanë puna asht këtu: me dijtë e me qenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla. Kështu, pra, nuk janë besimet ato qi e shqetësojnë jetën vllaznore në Shqipni, por gabimet pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato qi e krijojnë çashtjen fetare në vendin tonë.
PENGIME Q’I DUHEN KAPËRCYE
E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesht me kaq, ja nuk ka marrë vesht kurrë. Tash të vijmë te praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë
grekomanë, katolikët janë italofila. Kështu qi nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali, as Bajram Curri pse muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse ortodoksë, as Gurakuqi as Dedë Gjo’ Luli pse katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare! Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengime.
Pengimi i parë, per shërimin e kësaj plage të kobshme qi e shqetëson jetën ndër shqiptarë, asht gabimi i madh i disa udhëhjeksave të cilët duen ta mbulojnë a edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, asht edhe do të shkojë në gangrenë, po nuk u shërue, me dorën e nji kirurgu t’aftë e të ndërgjegjshëm. Shka asht gabim e kalbsinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, le të qitet në shesh, le të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mo-hojmë? Nji pjesë e mirë, muhamedanë e kristianë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; nji antagonizëm shoqnor qindron në mes të tyne; ata nuk kanë mbërrijtë ende t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile qi do të kenë. Duhet ta pohojmë botënisht se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet ketë plagë shqiptare.
Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristianë, nuk janë parimet dogmatike; ato populli as nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit, sot nuk ban kush parti as nuk ngrehë ngatërresa.
Shaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicjone mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemrime kundrejt shoqi-shoqit; me këto lejmë, me këto rritemi, me këto formohemi, e për rrezik tonin me këto edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na i shrranjosë. Do të kalojë edhe ndonji brezni, qi muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhduki krejt idenë “kaurr”, ashtu për nji predispozicion të bam petk, si kristiani i sotëm edhe i nesërmi, qenë e pa qenë, për çdo punë qi nuk i bjen për shtat, ka me kujtue e me ankue: po më bahet e padrejtë, pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë qi të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto re të helmueme.
3. Faktori psikologjik
Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me ketë dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instinktive, qi kohën e kalueme ndihmoi shumë për të shpëtue shpirt, gjuhë, zakone e tradita tonat; në se qe fat i madh asohere, sot për jetën tonë shoqnore e kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh për ditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetes së vet: ata e dijnë fare mirë shka don me thanë jetë e përbashkët, e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat qi lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithkëtë, hir e pa hir, duen të bajnë atë të vetën; duen, vetëm ata të jenë të mendshëm, ata gjela qi këndojnë. E po gjetën injoranta, trashamana, hypokritë, servila, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbë, pa shpirt, edhe të ngrehen kapadaij, udhëhjeksa, pionierë, a shka po dij unë. E ja klanet, partitë, prej nga rrjedhin dasitë e, kontrastet shoqnore: hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba nji grimë pozicion me taktikë vërtet djallore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin, a por sa ta çekin sustën e besimit, se ja, gati nji turmë për t’i ndjekë; e ja, se me nji herë qiti krye çashtja e besimit në shqiptarë, me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime. Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristianit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi; këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete dhe me u dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, me sa mica e qeni, nuk beson as në Krishtin as në Muhamedin, por formon klane për Dinin ase për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjekë për me qenë ai krye.
Deri qi të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm, nuk ka qetësi në Shqipni…
Vazhdon: Ligjërata të At Anton Harapit Pjesa e II
(Fragmente)
Melbourne, 14 Dhjetor 2020.
Komentet