VOAL

VOAL

LVV për lëvizjen e ushtrisë serbe në Karaçevë: Qeveria nuk po mbron qytetarët

August 9, 2020

Komentet

Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të fundvitit, pas atij në kanalin e Ibër-Lepencit.

Por ushtria e Kosovës është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi. Kështu pretendon ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili në një intervistë për “Ditarin e Kosovës” në A2 CNN, flet për fuqizim të konsiderueshëm të forcave të sigurisë.

Sipas tij, armët e sofistikuara të blera rishtazi nga SHBA-ja, Turqia por edhe Gjermania kanë rritur ndjeshëm kapacitetet.

“Kemi pasur trefishim të buxhetit për ushtrinë gjatë këtij mandati dhe kemi arritur të blejmë dronë Bajraktar dhe sisteme të tjera shumë të rëndësishme. Raketat Javelin janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen ndaj tankeve. Shpresojmë që t’i kemi që në vitin 2025”, deklaroi Maqedonci.

Sipas ministrit, “raketat Javelin nuk lejojnë depërtimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve brenda territorit”.

Teksa deklaroi se për momentin do t’i përmbahen zotimit të dhënë në vitin 2013 për të mos dërguar ushtrinë në veri, Maqedonci theksoi se çështja do të shqyrtohej në të ardhmen.

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Një veturë e Policisë së Kosovës shihet pranë zyrave të mbyllura të dy ndërmarrjeve publike serbe.

 

Dy ndërmarrje publike, të cilat kanë vepruar në sistemin e Serbisë në Mitrovicën e Veriut – Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore – u mbyllën më 26 dhjetor.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radio Evropën e Lirë se autoritetet lokale kërkuan ndihmë për të “çliruar disa zyra”.

Zyrat e këtyre dy ndërmarrjeve gjendeshin në një ndërtesë banesore në Mitrovicën e Veriut dhe për momentin nuk dihet në emër të kujt janë këto ambiente, ku kanë funksionuar këto ndërmarrje.

Elshani theksoi se është kontaktuar edhe prokurori i kompetent, pasi është konstatuar se në këto ambiente punojnë “struktura ilegale dhe paralele”.

Ai tha se është iniciuar rast për “falsifikimin e dokumenteve” dhe se ndërtesa ku kanë qenë këto zyra të ndërmarrjeve publike serbe do të jetë nën mbikëqyrjen e Policisë deri sa “rasti të zgjidhet”.

Ndërtesa ku gjendeshin zyrat e dy ndërmarrjeve serbe, që u mbyllën nga autoritetet e Kosovës.

Ndërtesa ku gjendeshin zyrat e dy ndërmarrjeve serbe, që u mbyllën nga autoritetet e Kosovës.

Pas mbylljes së zyrave të dy ndërmarrjeve serbe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi duke thënë se “po uzurpohen” institucionet e Serbisë në veri dhe se këto hapa janë “në kundërshtim me marrëveshjet”.

“Rreth 70 punonjës të këtyre institucioneve janë legitimuar dhe më pas janë urdhëruar të largohen zyrat, pasi atyre u është thënë se nuk kanë çfarë të kërkojnë atje”, tha kjo zyre përmes një reagimi për media.

Ajo i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar në Kosovë të ndërmarrë masa të menjëhershme dhe “të parandalojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nga shkaktimi i konflikteve”.

Ndërkaq, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, njoftoi se “hyrja” e autoriteteve të Kosovës në ndërmarrjet serbe nuk do të vënë në rrezik 70 punonjësit, dhe se ata do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre.

Institucionet e Kosovës që veprojnë në sistemin e Serbisë konsiderohen të paligjshme, dhe për këtë arsye, që në fillim të vitit ka nisur mbyllja e tyre.

Deri tani janë mbyllur disa organe të përkohshme komunale, Posta e Serbisë në veri të Kosovës, Banka Kursimore e Postës, Instituti për Sigurime Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviç, si dhe disa kompani komunale.

Po ashtu, Kosova ka ndaluar përdorimin e dinarit serb, gjë që ka vështirësuar pagesën e pagave për pjesëtarët e komunitetit serb që marrin rroga nga buxheti i Serbisë.

Këto hapa, Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë për të shtrirë sovranitetin, por është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar që kërkon që këto çështje të zgjidhen në kuadër të dialogut të Brukselit, në mënyrë që të shmanget rritja e tensioneve në terren.

Në anën tjetër, Serbia refuzon të mbyllë institucionet e saj në territorin e Kosovës dhe shumicën e tyre i ka zhvendosur afër pikave kufitare nga ana e Serbisë. REL

Çedomir Aksiqi dënohet në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte

Fotografitë dhe emrat e personave të vrarë në kompleksin memorial për masakrën në Reçak. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 vjet burgim Çedomir Aksiqin për krime lufte të kryera në komunën e Shtimes.

Gjykimi ndaj tij është zhvilluar në mungesë dhe ai është dënuar për krime që, sipas aktakuzës, janë kryer në periudhën janar-maj 1999, raporton Betimi për Drejtësi.

Në nëntor të vitit 2023 nisi gjykimi ndaj Arsiqit.

Ky është rasti i parë i një gjykimi të tillë, pasi gjykimet në mungesë lejohen me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e parë, Prokuroria tha se kishte shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore që Arsiq të ishte i pranishëm në gjykatë, por nuk ishte arritur.

Sipas aktakuzës, që u ngrit majin e vitit të kaluar, Çedomir Aksiq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave”, vend midis fshatrave të Mulapolc, Reçak dhe Petrovë, në komunën e Shtimes.

Në aktakuzë thuhet se ata më pas kishin djegur shtëpitë e të dëmtuarave duke u shkaktuar kështu dëme morale dhe materiale.

Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Çedomir Aksiq është akuzuar se e kishte ekzekutuar një person, familjen e të cilit paraprakisht e ndaluar.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në Reçak.

Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi.

Ndryshe, sipas Kodit të Procedurës Penale gjykimet në mungesë parashihen të mbahen në rastet kur i akuzuari heq dorë vetë nga drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimet gjyqësore.

Një gjykim i tillë mund të mbahet kur Prokuroria dhe Gjykata t’i kenë shtjerrë të gjitha mjetet për sigurimin e prezencës së të akuzuarit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, neni 303, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi, nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

Aty thuhet, po ashtu, se për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për ta gjetur të akuzuarin.

Por, gjykime të këtij lloji më herët ishin kritikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Prishtinë. Nga ky Fond kanë argumentuar se fillimisht viktimat mund të jenë të kënaqura me drejtësinë, por më pas ata zhgënjehen pasi edhe kur ndonjë i akuzuar dënohet, më pas e kuptojnë se ai nuk do të arrestohet.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë. REL

KQZ pret afatet ligjore për certifikimin e Listës Serbe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po pret që të përfundojnë procedurat ligjore në mënyrë që të vendosë më pas për futjen në rend dite të çështjes së certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Më 25 dhjetor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) anuloi vendimin e KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe dhe e urdhëroi atë që ta certifikojë këtë parti.

“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër tij në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së vendimit. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, votuan kundër certifikimit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e partive të tjera abstenuan.

Lista Serbe, që e cilësoi këtë veprim të kundërligjshëm, e mirëpriti vendimin e PZAP-it dhe tha se vendimi i 23 dhjetorit ishte përpjekje “për eliminimin e Listës Serbe” nga procesi zgjedhor.

Në vendimin e tij, PZAP-i tha se Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike kishte rekomanduar që Lista Serbe të certifikohej pasi kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

Pra, sipas PZAP-it, Lista Serbe ka plotësuar kriteret pasi ka dorëzuar “deklaratën politike”, listën e kandidatëve dhe aplikimin për secilin kandidatë dhe për këtë parti Zyra për regjistrim dhe certifikim ka marrë informacionet nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e partive, ashtu siç kërkohet me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Paneli i gjyqtarëve, i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj kryesues, Kujtim Pasuli, Hidajete Gashi-Alaj dhe Bujar Muzaqi tha se sipas Ligjit për zgjedhje, “KQZ-ja e certifikon subjektin politik me të drejtë pjesëmarrjeje nëse i njëjti e dorëzon aplikimin e dorëzuar në formën e përshkruar dhe në datën e vendosur nga rregullat e KQZ-së”.

Njohësit e zhvillimeve politike më herët gjatë javës i thanë Radios Evropa e Lirë se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja ishte pjesë e fushatës parazgjedhore. Ata paralajmëruan se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa do të marrë vendim në favor të Listës Serbe dhe do të obligojë KQZ-në që ta certifikojë këtë parti.

Lista Serbe ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

Ish-nënkryetari i kësaj partie, Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një rreshter të Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ e kanë argumentuar moscertifikimin e Listës Serbe me atë se kjo parti, sipas tyre, asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”.

Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi. REL

Pranohet ankimi i Listës Serbe, KQZ urdhërohet t’i certifikojë kandidatët e kësaj force politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe në lidhje me moscertifikimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025 në Kosovë.

 

Në vendimin e lëshuar nga PZAP-ja thuhet se është anuluar njoftimi i KQZ-së nën arsyetimin se Lista Serbe ka dorëzuar dokumentacionin në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat shoqëruese të KQZ-së.

Gjithashtu thuhet se me votimin që është bërë në KQZ nuk është nxjerrë asnjë vendim.

Me tej thuhet se njoftimi është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, prandaj KQZ-ja urdhërohet që ta zbatojë vendimin e PZAP-së.

“Anulohet njoftimi i Komisionit Qendror Zgjedhor, i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojësubjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës per Regiistim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025”, u tha në vendimin e publikuar nga PZAP-i. Panorama

Paralajmëron Kurti: Para dhe pas vitit të ri mund të ketë sulme terroriste në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka deklaruar se strehimi i Milan Radojçiçit në Serbi, mbështetja që i ofron Beogradi zyrtar me infrastrukturë për trajtime nuk mund të quhet ndryshe përveç koordinim i shtetit të Serbisë me Milan Radojçiqit dhe grupit të tij terrorist për ta zhvilluar më tej luftën hibride kundër Kosovës.

Sipas tij, tanimë Radojçiç nuk mund të organizojë aksione të tipit rus, por ka angazhuar persona të caktuar për aksione të caktuara në veri. Ai ka dhënë detaje për të gjitha sulmet që kanë ndodhur në veri.

“Kjo është kronologjia e 15 sulmeve nga 30 qershori deri më deri më 29 nëntor të cilat kanë qenë të përgatitura për ta dëmtuar Kosovën”, tha ai.

“Bazuar në informacionet inteligjente prapa urdhrit të sulmit në kanalin e Ibër Lepenc, qëndron Milan Radojçiç dhe grupi i tij terrorist që mbështetet nga Serbia. Sulmi është planifikuar Milan Radojçiç”, tha Kurti.bw

Çerdhe falas për tri kategori, Kurti: Edukimi i hershëm i fëmijëve është projekt strategjik

Qeveria e Kosovës prezantoi pilotimin e Programit të Kuponëve, në kuadër të Projektit “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës”.

Përmes këtij programi synohet rritja e përfshirjes në edukim për tri kategori të fëmijëve; ata nga familje me asistencë sociale, me nevoja të veçanta si dhe të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë program, i cili do ta mbulojë pagesën për çerdhe dhe transporte, e qe financohet nga partneriteti me Bankën Botërore.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci tha se përmes këtij programi po hidhet hapi i parë konkret në mënyrë që fëmijët e familjeve me asistencë sociale të kenë  qasje në edukim të hershëm.

Sipas Ministrisë së Arsimit Projekti do të nisë fillimisht  të zbatohet në Kryeqytetin Prishtinë, Lipjan, Prizren dhe Gjilan. sn

KQZ-ja nuk e certifikon Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kanë dalë kundër certifikimit të kësaj partie, duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Për certifikimin e kësaj partie ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ndërsa tjerët kanë abstenuar.

Lista Serbe pati thënë se do të marrë pjesë në zgjedhje pas një periudhe të bojkotimit të proceseve politike në Kosovë.

Më 2022, pjesëtarë të kësaj partie patën dhënë dorëheqje në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës, si shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të autoriteteve të Kosovës për shtrirje të autoritetit në gjithë territorin e vendit.

“Përfaqësues të kësaj Liste, mbajnë kontakte të vazhdueshme, shihen edhe nëpër fotografi, edhe në televizion me pushtetin e [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiqit, por ku shihet edhe Radoiçiqi”, ka thënë Kurteshi, në arsyetimin e tij pse nuk duhet të certifikohet kjo parti.

Millan Radoiçiq ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, deri në ditën kur e ka pranuar se e ka kryer sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë këtë sulm si terrorist dhe e fajësojnë shtetin serb për organizim dhe kryerjen e tij, por Beogradi hedh poshtë këto akuza.

Kurteshi e ka përmendur që një tjetër arsye për moscertifikim të Listës Serbe është që ajo parti nuk e ka dënuar asnjëherë sulmin në Banjskë, dhe që nuk është distancuar asnjëherë nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”.

Kosova kërkon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, ndërsa ai besohet se është i lirë në Serbi.

KQZ: 27 subjekte politike të certifikuara për 9 shkurt

Përgjatë takimit të së hënës, KQZ-ja e ka certifikuar grupin e dytë të partive politike – 16 sosh me 626 kandidatë për deputetë.

Më 18 dhjetor është certifikuar grupi i parë – 11 subjekte politike me 606 kandidatë për deputetë.

Në total, në zgjedhjet e 9 shkurtit do të garojnë 27 parti politike.

Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Numri i kandidatëve për deputetë ka shkuar në 1.232.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përbëjnë procesin e parë të rregullt zgjedhor në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 2008.

Deri tani janë mbajtur një mori zgjedhjesh të parakohshme. REL

Rashiq: Lista Serbe po i kërcënon dhe largon nga puna serbët që na përkrahin

Me përjashtime nga puna, dëmtime të automjeteve e madje edhe me letra kërcënuese, po përballen serbët e Kosovës të cilët janë përkrahës të partisë së ministrit Nenad Rashiq.

Përkrahja ose bashkëpunimi me ministrin Nenad Rashiq, serbëve të Kosovës po iu kushton me kërcënime e përjashtime nga puna.

Njëra ndër viktimat e cila është përjashtuar nga puna është gruaja e zëvendësit të Rashiqit, Nenad Vukmiroviq, e cila punonte në sektorin publik në pjesën veriore.

Rast tjetër që Rashiqi e tregon është përjashtimi nga puna i disa personave nga një familje nga Novobërda, për shkakun se iu është ndërtuar shtëpia nga institucionet e Kosovës.

“Dhe një rast i fundit që ka ndodhur parmbrëmë ku një zyrtare e Ranillugut ishte diku por e ka lënë kerrin e parkuar, dhe kur është kthyer e ka gjetur veturën në kanal me një mesazh ku thuhet se jeni tu gabu, jeni në vendin e gabuar sepse herën tjetër edhe ti do të jesh në veturë”, ka deklaruar Rashiq në RTV Dukagjini.

Rashiq thotë se edhe djali i tij që studion në Serbi sa herë që udhëton të paktën 4 orë ndalet në kufirin me Kosovën.

Ministri i vetëm serb në Qeverinë e Kosovës, thotë se zgjedhjet për serbët e Kosovës ngjajnë me Korenë e Veriut.

“Po mund të supozoj se fiton regjimi i cili fatkeqësisht është për momentin në Beograd, i cili i përdor serbët e Kosovës, sikur një mjet të manipulimit dhe prezantimit në anën tjetër për retorikën e brendshme sikur se di, krizë, tragjike, skandaloze, e të tjera”, ka deklaruar Rashiq.

Në situatën kur për një pension 170 euro serbët e Kosovës bëhen të dëgjueshëm për Listën Serbe, në rast se nuk mbikëqyret rreptë edhe procesi i votimit, ministri Rashiq pret të përsëritet e kaluara. sn

Qeveria e Kosovës, bonus 100 euro për pensionistët dhe për fëmijët deri në moshën 16 vjeç

Qeveria e Kosovës ka vendosur të japë një bonus prej 100 eurosh për pensionistët dhe për gjithë fëmijët e  moshave deri 16 vjeç.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se po ndahen këto shtesa pas performancës së mirë ekonomike.

“Të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç, dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti juaj, por është investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim. Andaj, edhe ju të dashur prindër, t’i rrisni fëmijët me shëndet por edhe me dashurinë për shtetin e tyre, kur vlerat dhe dashuria për vendin brumosen që në fëmijëri, e ardhmja e Republikës sonë pa dyshim që do të jetë në duar të sigurta. Por, përveç investimit në fëmijët që janë edhe e tashmja e sidomos e ardhmja jonë, duhet të kujdesemi që t’i mbështesim edhe ata që kontribuan dhe ndërtuan shtetin e na sollën deri këtu. Prandaj, sikurse tashmë e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm dhe ekonomia rritet përtej projeksioneve, në fund të vitit po ndajmë mbështetje shtesë të njëhershme nga 100 euro, apo siç disa edhe kanë filluar ta quajnë pensionin e 13-të për të gjithë pensionmarrësit të cilët kualifikohen. Kjo shënon mbështetjen e 5-të brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet te pensionistët tanë”, tha Kurti.

Ministri Murati tha do të mundohen t’i ekzekutojnë javën e ardhshme mjetet.

“Sikurse vitin e kaluar s’ka nevojë për ndonjë aplikim. I kemi listat e përfituesve në data bazat tona, si për pensionistë ashtu edhe për marrësit e shtesave për fëmijë. Do të mundohemi gjatë kësaj jave që të bëjmë përgatitjet teknike që të ekzekutohen pagesat për këtë javë”, tha Murati.

Elon Musk: Starlink tashmë edhe në Kosovë

VOA

Platforma e internetit satelitor të kompanisë Starlink Services, pronë e kompanisë amerikane SpaceX të miliarderit Elon Musk, do të operojë edhe në Kosovë.

Vet zoti Musk shpërndau njoftimin e kompanisë Starlink e cila tha se ‘‘Interneti me shpejtësi të lartë dhe me vonesa të pakta i Starlink-ut tani është në dispozicion edhe në Kosovë!’’.

Postimit të zotit Musk i bëri jehonë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Mirësevini në Kosovë”, shkroi ajo.

SpaceX nisi satelitët e saj të parë testues Starlink në orbitën e Tokës në vitin 2018 dhe satelitët e parë operacionalë në vitin 2019. Që atëherë SpaceX ka dërguar në orbitë më shumë se 5000 satelitë Starlinks nga Florida dhe Kalifornia, duke përdorur raketat e veta Falcon.

Në muajin tetor, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë (ARKEP) tha se e ka autorizuar kompaninë amerikane Starlink, për ofrimin e qasjes në internet në çdo pjesë të Kosovës.

“Në gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje thelbësore të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave”, thuhej në njoftimin e ARKEP-it, i cili vlerësoi se hyrja e kësaj kompanie globale në tregun vendor, do të ofrojë përfitime ekonomike dhe zhvillim të përgjithshëm të Kosovës.

Pas agresionit rus në Ukrainë, Elon Musk i ofroi vendit të sulmuar qasje në këtë rrjet.

Sulmi në Magdeburg: Ambasada e Kosovës në Berlin lëshon njoftim për shtetasit kosovarë që mund të kenë nevojë për ndihmë

Pas sulmit të rëndë që ndodhi mbrëmë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe komunitetin kosovar në këtë rajon.

Ambasada ka lëshuar një njoftim urgjent për shtetasit kosovarë që mund të kenë nevojë për ndihmë apo informacione.

Të gjithë të prekurit apo ata që kërkojnë mbështetje mund të kontaktojnë numrin emergjent të Ambasadës: +49 179 3670536.

Përmes një deklarate, Ambasada shprehu solidaritetin e saj me popullin gjerman, duke theksuar se në këto momente të vështira qëndron përkrah miqve të saj në Gjermani.

Hetimet për ngjarjen tragjike janë duke vazhduar nga autoritetet përkatëse gjermane. sn


Send this to a friend