Brigada e zjarrëfiksave të Parisit tha të martën se struktura e katedrales së famshme të Notrë Damit është shpëtuar, së bashku me punimet kryesore të artit, pasi 400 zjarrfikës luftuan për më shumë se nëntë orë me një zjarr që shkaktoi dëme masive.
Dy kullat ikonë të ndërtesës dhe struktura e gurit i rezistuan zjarrit , por çatia dhe maja e katedrales së shekullit të 12-të, u shembën nga flaka.
Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo falënderoi zjarrfikësit dhe oficerët e policisë që ndihmuan në shpëtimin e objekteve të shenjta dhe veprave të mëdha të artit nga katedralja.
Merci aux @PompiersParis, aux policiers et aux agents municipaux qui ont réalisé ce soir une formidable chaîne humaine pour sauver les œuvres de #NotreDame. La couronne d’épines, la tunique de Saint Louis et plusieurs autres œuvres majeures sont à présent en lieu sûr. pic.twitter.com/cbrGWCbL2N
— Anne Hidalgo (@Anne_Hidalgo) April 15, 2019
Ajo tha se Notrë Dami është një vend ku “rezonohet shpirti i Parisit”.
Brigada e zjarrëfikësave tha se dy policë dhe një zjarrfikës u plagosën gjatë përpjekjes për të shuar zjarrin.
“E keqja më e madhe u shmang, edhe pse beteja nuk është fituar ende plotësisht”, tha presidenti francez Emmanuel Macron para gazetarëve në katedralen pak para orës lokale të mesnatës. Ai tha se do të niste një fushatë kombëtare për grumbullimin e fondeve për të rindërtuar katedralen dhe u bëri thirrje “talenteve më të mëdhenj” të botës për të ndihmuar me këtë përpjekje.
Disa orë më vonë, miliarderi francez François-Henri Pinault premtoi 113 milionë dollarë ndihma në përpjekjen e rindërtimit, i ndjekur shpejt nga një tjetër miliarder francez Bernard Arnault, familja dhe kompania e të cilit tha se do të kontribuonin me 226 milionë dollarë.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, megjithëse mediat franceze njoftuan zyrtarët të kenë thënë se ai mund të ishte “i lidhur potencialisht” me punët rinovuese që po bëhen në ndërtesë.
Disa pjesë të ndërtesës ishin nën skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi u hoqën javën e kaluar për rinovimin.
Zyra e prokurorisë së Parisit tha se ka nisur një hetim mbi zjarrin dhe tha se po e trajtonte incidentin si një zjarr “të pavullnetshëm”.
Vatikani lëshoi një deklaratë ku shprehet tronditje dhe trishtim dhe e quajti Notrë Damin një “simbol të krishterimit në Francë dhe në botë”.
Zjarri ndodhi gjatë përkujtimeve të Javës së Shenjtë, dhe më pak se një javë para Pashkëve. Një meshë për Pashkët ishte planifikuar për në katedrale të dielën.
Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës t’u binin këmbanave të kishave në një thirrje për lutje.
Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë Notrë Damit dhe pastruan zonën rreth katedrales, ndërsa hiri ra mbi blloqet përreth.
Mijëra dashamirës u rreshtuan në urat mbi lumin Senë vonë në mbrëmje për të parë skenën ndërsa të tjerë u mblodhën pranë kishës Saint Julien Les Pauvres duke kënduar himne dhe duke bërë lutje.
Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë, që pret çdo vit miliona njerëz. Ajo është e famshme në portretizimin e romanit klasik të Viktor Hugosë, “Kurrizoja i Notrë-Damit”.
Komentet