Por jam i bindur që askush nuk do të më mbajë mëri, nëse përshëndes në veçanti një bari shpirtrash dhe njerëzish, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri, duke na e bërë të gjallë, me praninë e tij, rezistencën përballë martirizimit të popullit irakian dhe të krishterëve atje në mënyrë të veçantë.
Prandaj për forcën e paepur morale dhe për kujtesën që na përcjell, që Lindja e Afërme e bashkëjetesës fetare dhe e krishterimit shpirtbardhë irakian nuk ka vdekur, Imzot Sako, Patriark i Babilonisë së Kaldejve, qofshi i mirëseardhur në Tiranë!
“Që një pemë të duket nëse është e mirë, ajo duhet parë nga frutet”, thotë dorëshkruesi ungjillor Mateu.
Prej 30 vitesh, pema shumë e brishtë që u mboll në Asizi nga krerët e përbotshëm të përshpirtjes dhe besimit, rreth të paharruarit Gjon Pali II, në frymën e një “lutjeje për Paqen”, ka hedhur tanimë rrënjët e veta të shpresës, në një botë ku një gri gjithmonë e më shqetësuese duket sikur po përpiqet, shpeshherë jo pa sukses, t’i zërë frymën dhe të mbysë çdo spektër ngjyrash.
Ashtu siç teologët flasin për një ekonomi të shëlbimit, në vorbullën e historisë njerëzore, nuk më duket aspak e tepërt që ta cilësoj këtë nisëm tanimë të gjatë sa një gjeneratë njerëzish, si një ekologji të shpirtit të arsyes dhe të jetës së kulturës.
E rrahur nga të gjitha erërat e kundërta të historisë të dy dekadave të fundit, pema e mbjellë në dheun pjellor mbi të cilin eci Shën Françesku, tamam për hir të brishtësisë së saj, shndërrohet për ne në një gur kilometrik për të vazhduar së bashku pavarësisht mundimeve dhe sfidave përballë barbarisë dhe forcës së saj të mosarsyes, në një rrugëtim të bashkëjetesës, ku është forca e shembullit dhe jo shembulli i forcës që përbëjnë edhe arsyen pse të gjithë ne sot, jemi këtu së bashku.
Nisma e Komunitetit Sant’Egidio ka një veçanti, e cila na e bën triodin e lutjes për Paqen këtu në Tiranë, një event që përligj gëzimin tonë për ta pasur këtë lutje këtu në Shqipëri, por që meriton të meditohet thellë edhe nga të gjithë ne.
Me mjeshtërinë dhe artin e të mbledhurit së bashku të një numri të madh ndjekësish besimesh të ndryshme, me dasi të trashëguara të gjithfarëllojshme, por që i bashkon vetëdija e të qenit shtegtarë në rrugën e të jetuarit në dinjitet, në rrugën e paqes dhe të arsyes, vullnetarët, drejtuesit, ideuesit, barinjtë e këtij komuniteti të madh, janë gjithmonë mishërimi i një vizioni, por edhe i një metode.
Në fakt, vizioni i një paqeje gjithmonë të mundshme, për çdo realist apo pragmatist kokëfortë që tek politika dhe ekonomia sheh fjalën e fundit të kapitullit të çdo historie, mund të duket qesharak, madje edhe cinik.
Duke asociuar mendimin tuaj, prej thuajse 30 vitesh, hulumtimin e mjeteve socio-politike për të përmirësuar kushtet e Paqes, ju nuk lini pas dore, madje e ktheni në suazën brenda të cilit ky mendim merr sens, domosdoshmërinë e një rendi botëror etik.
Aty ku “Lutja për Paqen” ndryshon nga çdo event tjetër i promovuar me vullnet të mirë nga organizata apo grimca të pushtetshme të shoqërisë civile, është fakti se nuk i mëshohet për asnjë moment nevojës së një rendi të ri botëror, mbi themele thjesht gjeopolitike, financiare apo politike, sado të shëndosha apo të qëndrueshme mund të duken ato.
Prej jush, propozimi që përcillet nëpërmjet dialogut të pareshtur, deri në rraskapitje nganjëherë, edhe këtu në Shqipëri diçka mbaj mend nga negociatat rraskapitëse nën yshtjen vullnetmirë të Sant’Egidios në kohëra të vështira për ne, pas rënies së regjimit komunist, është përpjekja për një rend etik gjithëpërfshirës e të bashkëpranuar.
Ky është një vizion, por dhe një metodë, që i bëjnë jehonë, dhe i japin të drejtë urgjencës që na parashtrohet të gjithëve dhe që do ta sillja këtu të përkufizuar më së miri nga patriarku Ekumenik Bartolomé i cili thotë se “Përgjigja ndaj problemeve të mëdha të njerëzimit nuk është vetëm ekonomike; si e tillë, ajo mbetet e zbrazët pa argumentin etik dhe shpirtëror”. Janë fjalë të mesazhit të tij në “Avenir de la Terre”, në Paris në vitin 2009, por që sot kumbojnë edhe më fuqishëm përballë gjithë atyre shfaqjeve të dhimbjes, por edhe të barbarisë që po na bëhen përditë e më shumë ngjarje të lidhura me të përditshmen tonë.
Në këtë pikëpamje, të shohësh të mbledhur gjithë këta njerëz krerë dhe përfaqësues besimesh nga më të ndryshmit, nuk është një përligjje e relativizmit.
Historia e këtij vendi dëshmon se mes tyre, opinionet, besimet, zgjedhjet personale, nuk janë të barabarta, as nuk janë të barasvlershme, por asesi nuk janë arsye për të parë pengesat në vend se të shohim shtigjet e komunikimit të mundshëm. Gabimet apo paudhësitë, asesi nuk mund të vlejnë sa e mira dhe sa e vërteta.
Historia e Shqipërisë e përmbledhur më së miri në mesazhin e sapodëgjuar të Papa Françeskut, ku persekutimi i besimeve dhe përjashtimi i Zotit nga e drejta për të qenë i pranishëm si aspiratë në këtë tokë, përgjakën vendin, morën shumë jetë njerëzish të pafajshëm, mëkati i vetëm i të cilëve ishte se besonin në Zot, shkatërruan një mori dëshmish të gjalla të tempujve të besimit, por gjithsesi nuk triumfuan dot mbi të mirën dhe të vërtetën që është në themel të çdo besimi dhe të çdo përpjekjeje besimmirë në emër të Zotit.
E ja ku jemi këtu sot në të njëjtin vend në këtë pallat, i cili u çel, për t’i bërë jehonë propagandës më të shfrenuar të një regjimi ateist dhe sot ka mbledhur këtu së bashku të gjithë ju, si shprehja më kuptimplotë se paqja jo vetëm është e mundshme, por është dhe e vetmja mundësi që e ardhmja na ofron.
Nëse paqja, pajtimi dhe dashuria nuk ushqejnë lutjen, individuale apo të përbashkët, buzët që murmurisin janë veç daulle që bien shurdhët në shpirt e në mendje. E prandaj besoj se ftesa e fjalës së shenjtë të Kuranit që thotë: “Përmbushni lutjen duke bërë të mirën dhe përuluni së bashku me ata që përulen”, është ftesa më e hapur dhe më kuptimplotë për atë çka secilit mund t’ju ofrojë lutja e përbashkët.
Pikërisht për këtë arsye, unë jam i ngazëllyer që ky event, si zgjatim drejt qiellit të asaj peme të mbjellë në Asizi që përmenda më parë, shtrihet në hijen dhe frymëmarrjen e vet, në këtë tokë, në tokën e shqiptarëve.
E jo si një thirrje për sinkretizëm, por një lutje për gjithëpërfshirje, tamam sepse nuk është katalizator përkatësie ekskluzive fetare, por një apel për t’u takuar me tjetrin nëpërmjet njohjes së ndërsjellë dhe dialogut, duke bërë që ky event, përtej njerëzve që takojmë këtu, të përçojë rrugën e takimit si mesazh te të gjithë ata që e duan paqen, por që nuk do ta gjejnë dot kurrë nëse nuk e kërkojnë së bashku me atë me të cilin janë në luftë.
Më lejoni që ta mbyll duke ju uruar çdo të mirë dhe duke ju uruar çdo sukses në këtë qëndrim tuajin së bashku në Tiranë, me besimin e madh se ashtu sikundër historia e këtij vendi të vogël na tregoi se Zotin, besimin në të, lutjet drejt tij, pavarësisht në çfarë rruge, pavarësisht në çfarë forme mund të gjenden forca që ta pengojnë për një farë kohe dhe për një kohë të gjatë, nuk ka forcë që e pengon dot përgjithmonë, për të bërë dritë në shpirtin e njerëzve që duan paqe.
Paqja është gjithmonë e mundshme nëse, sipas shembullit që jep Apostulli Pjetër në një nga letrat e tij, jemi gjithmonë të gatshëm, të përgatitur e të ndërgjegjshëm për të dhënë llogari për angazhimin dhe shpresën tonë në favor të dashurisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
—
*Fjala e kryeministrit Edi Rama në çeljen e Konferencës së 28-të Ndërkombëtare për Paqen, nismuar nga Komuniteti Sant’Egidio, që këtë vit organizohet në Shqipëri
Komentet