“Një këshillë për z. Basha: votoje vetting-un të shpëtojnë zgjedhjet e lira! Hiqe këtë alibi që përdoret padrejtësisht si njollë mbi PD!”
Në një status në mediat sociale, sot Ylli Manjani, ish Ministër i Drejtësisë, ia ka dhënë këshillën e mësipërme kreut të opozitës Basha.
Manjani, më herët si zyrtar e tashi si ish zyrtar, është figura më afër qëndrimeve të opozitës, i vendosur në qëndrimet e tij të caktuara parimore.
Kritikët e opozitës, ata nga pozita dashamirëse dhe ata nga pozita jodashamirëse përputhen në një pikë: Opozita me bojkotimin e seancave kuvendore e ka ekspozuar edhe qëllimin e vërtetë të protestave të saj të prej 18 shkurtit: pengimin e Reformës në Drejtësi nëpërmjet mosvotimit të Vettingut.
Shumica qeverisë, në të gjitha qëndrimet e saj ndaj këtyre veprimeve të opozitës, e ka damkosur opozitën si të frikësuar nga pasojat e Reformës në Drejtësi, e cila nuk do t’i kursejë as figurat qendrore të zyrtarëve të saj të korruptuar gjatë qeverisjes së PD-së, përfshirë këtu vetë Lulzim Bashën.
Pengimi i Reformës në Drejtësi, edhe sipas bindjes sime, është kauzë e përbashkët e gjithë klasës politike të tranzicionit në Shqipëri. Vetë qeveria nuk mund ta kundërshtojë hapur Reformën në Drejtësi. Ajo mund ta sabotojë atë, mund ta vonojë, mund ta zvarritë sa më në pakufi, por nuk mund ta hedhë atë poshtë.
Nëse Basha e voton Vettingun, duke ia hapur përfundimisht rrugën zbatimit të Reformës në Drejtësi, bie përfundimisht, siç shkruan sot edhe Manjani, alibia se opozita nuk e ka aspak hallin tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 18 qershorit, por tek shpëtimi i figurave të saj nga kjo reformë.
Me këtë qëndrim, opozita do të dëshmonte se është e vendosur t’i japë fund mosndëshkueshmërisë së politikanëve të korruptuar apo të inkriminuar në krime të tjera të rënda. Pa marrë fund mosndëshkueshmëria, nuk merr kurrë fund as tranzicionit në Shqipëri, nuk vendoset kurrë shteti ligjor në Shqipëri, nuk ka klimë jo vetëm për vendosjen e demokracisë, por as për lindjen e embrioneve të demokracisë në Shqipëri.
Sistemi i tranzicionit në Shqipëri, dihet dhe pranohet nga të gjithë njohësit reale të zhvillimeve në këtë vend, është sistem i bashkëfajësimit, sistem i bashkëpunimit të politikës, ekonomisë, shoqërisë në krimin e përbashkët, ku ose shpëtojnë të gjithë, ose fundosen të gjithë.
Duke votuar Vettingun, Basha do të dëshmojë se nuk është skudo njerëzore e të korruptuarve dhe të inkriminuarve të tjerë të qeverisë aktuale as të qeverisë së mëparshme. Do të dëshmojë se tek çadra nuk e ka dërguar dhe nuk e mban frika nga e kaluara e tij në qeverisje. Do të dëshmojë se ai çfarë ai përfaqëson janë të hapur ndaj drejtësisë, se janë për shtetin ligjor, për politikën e dekriminalizuar, për demokracinë që i ka të barabartë si qytetarët e thjeshtë, të pambrojtur, si politikanët, sipërmarrësit, të pasurit e tjerë që e korruptojnë dhe e përfrikësojnë drejtësinë në Shqipëri.
Në mënyrë vendimtare, pëkrahja ndaj Lulzim Bashës dhe opozitës, përkrahja ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të shumëfishohej si në rrafshin e brendshëm shqiptar edhe në atë të jashtëm tek miqtë e vërtetë të vendit tonë dhe të kombit tonë.
Komentet