Janë pikërisht këto vargjet e kengës 600 vjeçare Arbereshe, që më bëjnë të hedh lot gezimi, lotë malli sot dhe t’ju tregoj rrugëtimin e këtij koncerti magjik në Montreal, të Canadasë.
Jane këta emra Inva Mula, Genc Tukiçi dhe Olen Cesari, emra të fuqishëm, emra që të bejnë të ndiesh një “coup de foudre” dashuri me shikim të parë, ose më saktë një dashuri me ndigjim të parë, janë këta emra që e veshin me nder, krenari dhe hijeshi titullin ambasadorë të kulturës shqiptare në botë.
Dëgjova se ata, do të vinin në Toronto të ftuar nga Pasqyra Shqiptare që e drejton Ilir Lena. Dhe menjëherë nisa të mendoj, ose më saktë e hodha në letër këtë ide. E vërtetë, s`e mendova gjatë, disa sekonda e bluajta dhe aq mbaroi. E e dija fare mirë se ç’mund të krijonte bashkimi i tre artistëve të mëdhenj në një sallë, një trio e tillë me të vërtetë magjepse. Duart të shkrira në piano, shpirti, talenti dhe pasioni i pianistit/kompozitorit të madh Genc Tukiçi, karisma, virtuositeti, dhe gjithë talenti i violinistit të njohur Olen Cesar, të ngjizura këto të gjitha se bashku me zërin drithërues, zërin e magjishëm, mimikën dhe gjëndjen emocionale të fuqishme të sopranos tonë të mrekullueshme me famë botërore, e njohur anembanë globit për shume se një çerek shekulli, të nderuarës, Inva Mula.
E njihja mirë elementin e gjithësecilit e dija ç’energji, ç’emocione , dhe ç’force shprehte muzika e tyre. E kisha parë nga fare pranë punën e tyre veç e veç me dy koncertet e organizuara në vitin 2016 në Montreal, në muajin Prill me Inva Mula dhe Genc Tukiçi dhe në muajin Dhjetor Olen Cesari me trio Lavinia Marcusi dhe Michael Rodi, të organizuar nga Shoqata Kulturore Shqiptare të Montrealit, ndërkohë unë isha kryetare.
Nisa të bluaj menjëherë idenë e kërkimit të sallave ku organizoheshin kocerte dhe dërgova mesazhe tek të tre artistët. Ashtu me thjeshtësinë time dhe me buzëqeshje ju premtova se do të bëja të pamundurën, të organizoja një koncert ashtu siç e meritojnë ata yjet e kulturës shqiptare në botë. Ata shumë shpejt m’u përgjigjën, – “organizoje ti dhe vijmë ne me shumë kënaqësi”.
Këtë nisme e mora e vetme si Anila, dhe thashë me vete – do t’ia dal mbanë. Nisa të telefonoj shqiptarët e komunitetit në Montréalit, nisa të postoj lajmin në rrjetet sociale. Në çdo moment që e mendoja, kisha pafund emocione, thoja – e pabesueshme do të vijnë përsëri në Montreal!
Më datën 24 Shtator, një ditë përpara koncertit të Montréalit, isha e ftuar nga Ambasadori i Shqipërisë në Canada shkëlqesia e tij z.Ermal Muça në Ottawa në një koncert me tre artistët tanë. Repertori i këtij koncerti ishte repertor për Shqipërinë, i titulluar “Homeland”. Në këtë koncert ishin të ftuar pjesëmarrës të mbi 40 missioneve diplomatike të Canadasë.
Ishte një perlë e vërtetë ky koncert, një prekje delikate e muzikës shqiptare dhe një servirje e asaj muzike në një “plateau” tabaka të artë klasike.
Orkestrimi i pjesës “Tukiçi March” nga Genc Tukiçi i bëri të ftuarit në sallë të shkojnë nëpërmjet artistit në shtete të tjera dhe më në fund të ulen në tokën e tyre, të Canadasë. Notat e vargjeve “Jam, jam .. i mire ” nga e madhja diva Inva Mula e bënë publikun të këndojë shqip,edhe pse pa e njohur gjuhën tonë, shqipen e bukur. Larmia e notave të violinës së Olen Cesarit e mbushën sallën plot emocione, plot buzëqeshje.
Erdhi, mëngjesi i 25 shtatorit, emocionet që gjatë 3 muajve kishin qënë në fluturim në ajër tashmë po binin në tokë, por binin me një shpejtësi të katapultë.
Koncerti filloi në Montreal, pas skene gumëzhinin zëra të ëmbël, artistët po bëheshin gati për në skenë, grimi ishte gati, dritat gati, piano qendronte në vendin e saj, dhe heshtje ….
Fillon muzika, tinguj të njohur … dhe pasojnë vargjet” rreth e rreth përqark”, del e artistja e madhe Inva Mula, salla u emocionua nga kjo këngë gati 50 vjeçare – kënduar në festivalin e fëmijëve nga artisti David
Tukiçi, ishte kjo këngë që pati prekur gjithë brezat dhe ende vazhdon t’i prekë, dhe atë mbrëmje preku gjithë publikun në sallë!
Atë mbrëmje salla buçonte, repertori i larmishem me muzikë na mori në krahe dhe na bëri të “bridhnim në vende të ndryshme të botës.” Siç tha edhe artistja jonë Inva Mula.
Genc Tukiçi e nisi repertorin e tij me lojën në piano të një Potpurie Shqiptare, interpretimi i tij , i shkrirë me muzikën, i bërë njësh me pianon e tij, ku seicila notë muzikore ishte e përpirë nga tjetra.
Olen Cesari, e nisi udhëtimin me një kaba për violinë, tingulli i tij fluturonte nga një tel violine në tjetrin, ato xixat, shkëndijat e violinës e mbushën sallën plot emocione, ne ndjeheshim brenda një salle të mbushur me flutura shumëngjyrëshe, ku edhe muzika fluturonte në duart e tij.
Më tej vazhdoi ndoqëm një repertor italian “Parla piu piano” dhe pjesen “Non ti scordar di me” të interpretuara nga Inva Mula dhe Genc Tukiçi. Genci dhe Inva, një duo solide, profesionalisht, artistikisht, shpirtërisht e bazuar në një miqësi brezash familjare, prej më shumë se 50 vjeçare, një lidhje kimike e pandarë dhe me një reaksion kimik shpërthyes.
Më pas një pjesë e titulluar “Oblivion“ e luajtur nga Olen Cesari dhe Genc Tukiçi, një harmoni e ëmbël mes tyre, një lojë e ndërsjelltë aq e bukur dhe aq e lartë profesionalisht dhe artistikisht e shkrirë në një carisma mes violinës dhe pianos, dhe të dy e rrëmbyen sallën në disa shkallë njeheresh ngjitjeje.
Repertori u ndal tek La Bohème, një nga pjesët më të njohura operistike, të cilën artistja Inva Mula e ka kënduar vite më parë, ndërsa atë mbrëmje, ajo e hedhur me nota të tjera, ngjyra harmonike prej violine dhe pianoje të bashkangjitura me zërin e saj të madh tek La Bohème.
Asaj mbrëmjeje koncerti nuk mungoi, as recitimi i poezisë së Nënë Terezës dhe më pas kënduar ky Vals Hyjnor i kushtuar Nënë Terezës, kompozuar nga Genc Tukiçi, kënduar nga Inva Mula dhe shoqëruar nga loja në violinë e Olen Cesarit. Një vals vërtetë nobël, élégant, me një ton të paqtë hyjnor.
Emocionet në sallë shpërthenin hërë pas here, zërat e gëzuar dhe duartrokitjet e pafundme. Publiku u ngrit disa herë në këmbë dhe shoqëroi zërin e magjishëm të Invës me këngën Margjelo, shoqëruar nga tingulli violinës Olen Cesari dhe nga ritmi melodioz në piano nga maestro Genc Tukiçi. Magjia e të treve së bashku ishte një rrufe e ngjizëse pvr shpirtin me një goditje t’amël muzikore, siç do thoshte Genci. Kjo magji ishte një tjetër “Fifth Element” që na krijoi një intonacion të jashtëzakonshëm, të mbushur me akordime ngjyrash, që na dhanë një ndjesi të veçantë, tejet origjinale dhe shqiptare.
Dashuria per muzikën, artin e kulturen, passioni, talenti, energjia, përkushtimi, zëri magjiplotë, emocionues, drithërues i divës Inva Mula, loja mrekulluese me një botë të pasur shpirtërore në piano e maestro Genc Tukiçit, dhe tingujt “out of this world” jashtë kësaj botë të maestro Olen Cesarit e kthyen atë mbrëmje të 25 shtatorit në një mbrëmje të paharruar për ne shqiptarët e Montrealit.
Ju falenderoj me gjithë zemër, e juaja Anila.
Faleminderit! –
Nje ndihme te madhe financiarisht me kete koncert më dha sponsori im kryesor Mirela’s Restaurant, qe diten e pare qe kerkova ndihmë për koncertin, Mirela ishte me mua në mbeshtetje te këtij projektit. I jam shumë mirenjohese për mbeshtetjen sepse pa ndihmën e saj nuk do te mund te realizohej projekti.
Ndihme tjeter financiare më dhane edhe dy biznset shqiptare Pizza Gourmande me Prend Tanushi dhe Foccacio Restaurant me Sotiraq Sheganin, keta dy bashkatdhetare i kam pasur mbeshtetje edhe ne projekte te tjera, ju jam mirenjohese.
Ndihme me dhane edhe miqte e tjerë Emi me flowers, Kristiana makeup artist, Barbies Restaurant, La Campagnola Restaurant pâtisserie Chez Gael, Ilir Lena me Odeta Hoxhen mbeshtetjen për koncertin me detajet dhe infirmation.
Nje ndihme te madhe më dha Cloé Kati per pergatitjen e programit dhe info per web.
Ju jam shumë mirenjohese për mbeshtetje !
Gjithashtu jam shumë mirenjohese publikut per pjesemarrjen!
Ju jam mirënjohëse të gjithë shqiptarëve dhe miqve të Montrealit për mbështetjen e këtij projeti.
Photographer Melodi Bergeron
Komentet