Dikush e mbolli në kokën e errët dhe në mish
të keq të mendimit, e mbolli si mbillet thekër
si mbillet thana në gure tha të rritet
etur, le të rritet idhur si e dala ajo piu
diç nga qumshti, diç nga gjaku, ajo mori diç
nga bima, diç nga bima jonë dhe vajti e çeli
lule e ligë, o zot, më e liga lule çeli, dikush
e mbolli mes zërit e pabesisë, mes rrugës
e mikut, e mbolli mes syrit e deti, mes
zogut e pushkës, s’e patë si e mbolli e fshehu
dorën e zezë nga bota e tha urre e rritu lule
e ligë mes njerëzish, s’e patë si e nguli për
jetë jetërash mes nesh, si e fshehu dorën
e zezë nga bota e tha urre e rritu nga
bishti, nga brirët, nga thonjtë, nga e kishim
pasur njëherë degën, urre rritu idhur
lule e ligë, dhe rro, dhe fshehu dorën
e zezë nga bota e tha dikush e mbolli
Komentet