VOAL- Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha të enjten se kreu i grupit paraushtarak Wagner, Evgeni Prigozhin, ishte ende në Rusi, pavarësisht nga marrëveshja që përcaktonte largimin e tij për në Bjellorusi pas rebelimit të dështuar të 24 qershorit.
“Sa për Prigozhin, ai është në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin Bjellorusi,” tha Lukashenko në një konferencë shtypi. Sipas tij, luftëtarët e Wagner janë gjithashtu “në fushat e tyre” dhe jo në Bjellorusi, “për momentin”.
Megjithatë, vetë Lukashenko kishte konfirmuar praninë e Prigozhin në Bjellorusi më 27 qershor, duke deklaruar se “vendi do të përfitonte nga përvoja e milicëve të grupit”.
Deklarata e sotme vjen pas raportimeve në mediat ruse se Prigozhin u pa në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh i Rusisë. Prania e tij shihej si pjesë e marrëveshjeve që e lejuan atë të zhvillonte biznesin e tij atje. rsi-eb