Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, thotë se avionët ushtarakë bjellorusë “Su-24” janë përshtatur për t’u mundësuar atyre të mbajnë armë bërthamore.
Lukashenka, i cili ka qenë aleat me Kremlinin në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tha më 26 gusht se kishte rënë dakord për këtë lëvizje me presidentin rus Vladimir Putin.
“[Perëndimi] duhet të kuptojë se as helikopterët dhe as avionët nuk do t’i shpëtojnë nëse zgjedhin përshkallëzimin e situatës. Ne, së bashku me Putinin, thamë një herë në Shën Petersburg se do t’i përshtatim edhe avionët bjellorusë Su [-24] për t’i bërë ato të aftë për të mbajtur armë bërthamore. A mendoni se ne thjesht po bënim bllof? Gjithçka është gati”, deklaroi Lukashenka përballë gazetarëve në Minsk.
Ai nuk paraqiti asnjë provë për të mbështetur pretendimet e tij. Bjellorusia nuk disponon armë bërthamore dhe supozohet se prej një dekade, nuk e ka në shërbim flotën e saj të avionëve Su-24, megjithëse është e mundur që avioni të mund të riparohet dhe të vihet sërish në shërbim.
Putin dhe Lukashenka u takuan në Shën Peterburg më 25 qershor, dhe lideri rus tha në takim se Moska do të furnizojë Bjellorusinë me sistemet e raketave Iskander-M, duke shtuar se dorëzimi do të bëhet brenda pak muajsh.
Iskander-M është një sistem i lëvizshëm i raketave të drejtuara me rreze veprimi deri në 500 kilometra. Deklarata e Lukashenkës vjen pasi pushtimi i Ukrainës i nisur nga Moska hyri në muajin e shtatë.
Bjellorusia nuk është pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në luftën në Ukrainë, por ka ofruar mbështetje logjistike për pushtimin që Moska filloi më 24 shkurt duke lejuar forcat ruse të hyjnë në Ukrainë përmes kufirit bjellorus.
Vendet perëndimore e kanë dënuar Bjellorusinë, ashtu si Rusinë, me një listë gjithnjë e në rritje sanksionesh të ashpra financiare në përgjigje të luftës së Kremlinit kundër Ukrainës dhe për përpjekjet e Bjellorusisë për të ndihmuar pushtimin rus.
Komentet