Pa shpresë zemra ime, e lodhur nga çdo gjë
Me dëshirat e saj, fatin nuk do ta shqetësojë
Më lini vetëm luginën e fëmijërisë
Një strehë, për një ditë, që vdekjen të pres.
Kjo rrugë e ngushtë, në këtë luginë të errët
Anës saj, prej pemëve, degë të rënda varen
hijet që formojnë mbi ballin tim lakohen
në heshtje, me paqe trupin ma mbulojnë.
Ja, nën urën e gjelbër, dy përrenj kullojnë
që duke u spërdredhur, luginën kufizojnë,
takohen për një çast dhe ujërat pëshpëritin
më pas, sërish ndahen dhe pa zë largohen.
Si këto ujëra rrjedhin ditët e jetës sime
të panjohura në heshtje, ikin pa u kthyer,
uji i kthjellët, por shpirt i turbulluar
një ditë të bukur, kurrë s’ka pasqyruar.
Freskia e ujërave dhe hija që i mbulon,
më mbajnë të lidhur pranë gjithmonë,
tundur si fëmijë, me këngë monotone
në pëshpëritjet e ujërave, shpirti im fle.
Këtu i rrethuar nga një gardh i gjelbër
horizont i kufizuar për sytë më mjafton,
këtu më pëlqen t’i lë gjurmët e mia,
i vetëm në natyrë, qiellin të vështroj.
Ndjeva, dashurova shumë në këtë jetë
i gjallë po vij, qetësinë e Lethës kërkoj
zbukurohuni për mua ju o brigje të harresës,
se vetëm në harrim, unë kënaqësinë gjej.
Me zemër të çlodhur, shpirti në qetësi,
tani zhurma e jetës po zhduket ngadalë,
nga larg një zë i shuar, i ndrojtur,
i shtyrë nga era, veshin më ngacmon.
Nga këtu, përtej reve shoh pamjen e jetës
Së mbetur, që zhduket si hije e së kaluarës.
Dashuria mbijetoi si imazh i vetëm
pas zgjimit, nga një ëndërr e porsaharruar.
Në këtë strehë të fundit çlodhu, ti o shpirt,
ashtu si udhëtari me zemrën plot shpresë
që para se të kalojë portën e qytetit, ulet i qetë
merr frymë një çast, erën e mbrëmjes ndjen.
Si ai, nga këmbët tona pluhurin ta shkundim,
nga kjo rrugë ku njeri kurrë nuk do të kalojë,
si ai dhe ne të shijojmë në fundin e kësaj jete
këtë qetësi të parakohshme të pavdekësisë.
Ditët e tua të errëta dhe të shkurtra si ditë dimri
rrëzohen, ashtu si hija që bie nga majat e larta
miqësia të tradhtoi dhe mëshira të braktisi
tani i vetmuar ti po zbret në rrugën e varreve
Por natyra është këtu, ajo të do dhe të fton
zhytu në gjirin e saj që hapur është gjithmonë
natyra është po ajo, kur për ty çdo gjë ndryshon,
ja, edhe dielli vete, çdo ditë ngrihet e ndriçon
Me dritë dhe me hije ajo akoma të rrethon
largoje dashurinë nga pasuria që humbe
adhuro këtu ushtimën që donte Pitagora(*)
dëgjo me kujdes dhe ti koncertet hyjnore
Në qiell ndiq dritën dhe hijen ndiq në tokë
në hapësirën e ajrit, me shqiponjën fluturo
shoqërohu me rrezet e këtij ylli misterioz
nën hijet e luginës, mes pemëve qëndro
Zoti për ta formuar, përpara bëri zgjuarsinë
jetën më së fundi mbi këtë natyrë zbulo!
nën heshtjen e saj, një zë nga brenda të flet
Cili në zemrën e tij, këtë zë s’e ka dëgjuar?
Komentet