Një muaj pas fillimit të konfiktit në Gazë, luftimet mes Izraelit dhe Hamasit në terren po intensifikohen. Në një kohë kur po rritet numri i të vdekurve dhe të plagosurve, Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqës ndërkombëtarë po bëjnë thirrje për armëpushim të përkohshëm, për të bërë të mundur dërgimin e ndihmës humanitare në Gazë. Por nga ana tjetër autoritetet izraelite këmbëngulin se më parë duhet zgjidhur kriza humanitare për 240 personat që u morën peng në Izrael, nga grupi militant i Hamasit, gjatë sulmit të befasishëm të 7 tetorit.
Në Izrael, opinioni publik është përqendruar tek fati i 240 pengjeve, mes së cilëve 30 fëmijë.
Protestat në mbështetje të personave të marrë peng po shtohen. Në demostrata kërkohet që Izraeli të mos pranojë armëpushim apo të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë, pa lirimin e tyre.
Ish-ndërmjetësuesi për lirimin e pengjeve, Gershon Baskin thotë se beson se shumica e atyre që u morën peng janë ende gjallë dhe po mbahen në tunelet nëntokësore në Gazë.
“Me siguri pengjet po trajtohen siç trajtohen zakonisht në këto lloj situatash, me kujdesin minimal. Nuk besoj se po torturohen fizikisht, ka shumë mundësi që u jepet ushqim minimal, aq sa të mos vdesin, ujë, ndoshta dhe fare pak mjekim, por Hamasi e sheh vlerën e tyre tek synimet e tij, për lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite”, thotë Gershon Baski, ndërmjetësues për lirimin e pengjeve.
Izraelitët thonë se marrja e pengjeve, vrasja mizore e 1400 izraelitëve, shumica prej të cilëve civilë dhe rritja e numrit të ushtarëve që po humbasin jetën gjatë sulmit tokësor në Gazë, kanë bërë që tek ata të shtohet ndjenja e pasigurisë.
“Shoqëria izraelite nuk është lënduar kurrë kaq keq. Nuk ka të bëjë vetëm me numrin të vdekurve dhe të plagosurve, me ata që po mbahen peng, por me mënyrën se si mijëra izraelitë u masakruan, si si u vranë pa mëshirë. Të gjitha këto vënë në pikëpyetje parimet themelore të këtij vendi. Izraeli u ndërtua për të qenë një strehë e sigurtë për popullin hebre. Izraeli u zotua se hebrenjtë nuk do të vdisnin kurrë më të pashpresë”, thotë Yossi Klein Halevi nga instituti kërkimor hebraik “Shalom Hartman”.
Të pashpresë ndihen edhe civilët në Gazë. Numri i lartë i të vdekurve dhe shkatërrimi masiv, ka tronditur popullsinë palestineze. Shumë prej 2.2 milionë banorëve kanë lënë shtëpitë e tyre. Edhe pse ushtria izraelite u ka bërë thirrje civilëve të largohen nga pjesa veriore e qytetit, që sipas tyre është objektivi kryesor për ndërhyrjen tokësore kundër Hamasit, Izraeli ka kryer një sërë sulmesh ajrore në pjesën jugore të Gazës, që supozohej të ishte një zonë e sigurtë.
“Humba ndenjat kur na sulmuan. Vëllai im dhe dy kushërinj vdiqën. Një kushëri tjëtër është zhdukur. Edhe i zoti i shtëpisë ku ndodheshim, bashkë me të birin, vdiqën. Me shumë mundësi nga sulmi u vranë mbi 10 vetë, ndërsa gjithë të tjerët, u plagosën”, thotë Karem Mattat nga kampi i refugjatëve Nuseirat.
Edhe kampi i refugjatëve Maghazi, që ndodhet në jug të Gazës, u sulmua nga Izraeli. Sulmi ajror tmerroi fëmijët e gazetarit palestinez Rami Almeghari, i cili banon në Maghazi. Ai thotë se negociatat ndërkombëtare janë zgjidhja e vetme për të ardhmen e Gazës.
“Mendoj se trysnia politike mund të sjellë një rezultat, një rezultat të prekshëm, një arritje në procesin e bisedimeve që mund te çonte në një lloj zgjidhjeje për Gazën”, shprehet ai.
Zgjidhja, thonë drejtuesit politikë dhe ushtarakë të Izraelit, do të vijë vetëm pasi përmes luftimeve të shkatërrohet infrastruktura ushtarake e Hamasit. Por edhe aleatët e vendosur ndaj Izraelit, Shtetet e Bashkuara, kanë filluar të ushtrojnë trysni për një armëpushim të përkohshëm, kërkesë të cilën deri më tani Izraeli, e ka hedhur poshtë.