Filmi kinez “Luftëtari Ujk” i publikuar për herë të parë më 2015, e përshkruan Kinën si një superfuqi agresive dhe në rritje. Zëri i Amerikës bisedoi me ekspertë kinematografie dhe njohës të diplomacisë kineze rreth filmit, ndikimit të tij në Hollivud dhe pritjes së mrekullueshme nga publiku kinez.
“Luftëtari Ujk” është një film me buxhet të lartë që flet për një ushtar kinez që është kontraktuar për të luftuar grupe terroriste të udhëhequra nga Amerika dhe për të mbrojtur interesat e Kinës.
“Filmi ‘Luftëtari Ujk’ dhe diplomacia e këtij projekti janë simptoma të një qëndrimi. Ato janë simptoma të ngritjes së Kinës, e një brezi që kërkon shtim të ndikimit në botë dhe nuk bën kompromise”, thotë profesori Nick Cull.
Pjesa e dytë e filmit u publikua më 2017, projekti që pushtoi Kinën duke fituar rreth 900 milionë dollarë, 99 për qind prej tyre të siguruara në tregun e brendshëm kinez. Michael Berry, profesor në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, thotë se projekti bazohet në prodhimet filmike shtetërore që promovojnë krenarinë nacionaliste.
“Ata shpesh publikohen në festa të mëdha kombëtare si Dita e Kombit, duke bërë jehonë me tema të ndryshme patriotike”, tha ai.
Një prej tyre është “Themelimi i një Republike”, i prodhuar më 2009 për të shënuar 60 vjetorin e Republikës Popullore të Kinës.
Filmi “Luftëtari Ujk” është krijuar duke u bazuar në modelin e filmave patriotikë amerikanë të viteve 80 si Rambo dhe Rocky, ku heroi i interpretuar nga Sylvester Stallone, lufton kundër armiqve të huaj në emër të demokracisë dhe drejtësisë amerikane.
Në pjesën e dytë të “Luftëtarit Ujk”, heroi kinez mbron civilët kinezë dhe afrikanët e pambrojtur të bllokuar diku në afrikë.
“Ka gjithashtu një qëndrim kolonialist ndaj popujve jo të bardhë, ku ne mund të shohim se si shpëtimtari i bardhë i filmave amerikanë zëvendësohet me shpëtimtarin kinez”, tha profesori Cull.
Në pjesën e dytë të filmit “Luftëtari Ujk” shfaqet edhe aktori i Hollivudit, Frank Grillo, i cili luan rolin e pushtuesit amerikan.
“Ai luajti rol negativ në filmat “Kapiten Amerika”, gjë që e bën atë një urëlidhëse mes dy botëve. Por nuk ishte vetëm Frank Grillo. Gjtihashtu, koreografi i veprimeve, Sam Hargrave kishte të njëjtin rol tek ‘Kapiten Amerika: Lufta Civile’ dhe shumë filma tjerë të kompanisë Marvel”, tha profesori Berry.
Të dyja industritë garojnë me njëra tjetrën jo vetëm me mesazhin që përcjellin, por edhe sa u përket të të ardhurave. Pjesa e dytë e “Luftëtarit Ujk tejkaloi filmin ‘Hakmarrësit: Fundi’ në arkat kineze.
“Bëri atë që bën në treg një pjesë e filmit ‘Hakmarrësit’. Ky është tregu i Kinës. Në veçanti me ndjenjën anti-amerikane, që është rritur që nga koha kur Donald Trump ishte president. Publiku kinezë është ftohur nga Hollivudi”, tha profesori Berry.
Profesori Berry thotë se mënyra se si Kina trajtoi pandeminë i mundësoi industrisë kineze të filmit të rimëkëmbet më shpejtë se Hollivudi. Ai thotë se ndikim pati edhe rritja e patriotizmit kinez.
“Mendoj se me mesazhin e filmit po shohim disa diplomatë dhe figura publike kineze edhe nga sfera politike që thonë se nuk durojmë më. Mjaft me poshtërim. Ne nuk durojmë më”,tha Profesori Berri i cili shton se se investimi i Kinës në film mund të ndikojë eksportet e Hollivudit në tregun kinez.
Komentet