Qyteti Izium është vija e fundit e frontit ku ushtarë ukrainas dhe vullnetarë të huaj, po përpiqen të pengojnë përparimin e forcave ruse në lindje të Ukrianës. Pjesëtarët e batalionit “Karpatet Sich” thonë se i bashkon qëllimi dhe se janë të vendosur në angazhimin e tyre në këtë luftë që po vjen duke u ashpërsuar.
Gati një kilometër larg pozicioneve ruse, ushtarë ukrainas dhe vullnetarë të huaj, luftojnë për qytetin e pushtuar lindor, Izium.
Pothuajse çdo natë ata përballen me sulmet e vazhdueshme nga artileria ruse.
Në vijën e fundit të përpjekjeve për të penguar përparimin e ushtrisë ruse në Ukrainën lindore është batalioni “Karpatet Sich” dhe një njësi e shtetasve të huaj, që iu përgjigjen thirrjes së Kievit për ndihmë, në luftën kundër pushtuesit.
“Tani është më shumë luftë artilerie. Është një luftë më e ashpër, më e frikshme, ku mund të luftojnë vetëm njerëzit që kanë zemër të fortë”, thotë Dzvin, një komandant terreni, i cili për shkak të rolit të tij udhëheqës kërkoi që të identifikohet me nofkën e luftës.
Megjithëse është një betejë e vështirë, luftëtarët thonë se janë të bashkuar në angazhimin e tyre për mbrojtjen e Ukrainës.
“Secili luftëtar e di se në një moment do të ndodhet ballë për ballë me një tank”, tha zoti Dzvin.
Krahas tankeve, njësiti duhet të luftojë edhe me dronët rusë – të cilët luftëtarët i quajnë “re të zeza”. Dronët ndihmojnë ushtrinë ruse në identifikimin e objekteve për t’u goditur nga artileria.
“Lufta po bëhet shumë më e ashpër. Sa më gjatë të vazhdojë, padyshim do të jetë më e lodhshme. Ata bombarduan dje në orën një, dy dhe katër të mëngjesit. Por, duhet ta ruajmë optimizmin”, thotë vullnetari britanik Conor, ish-mjek i ushtrisë.
Qofshin ukranias apo të huaj që ndihmojnë, çdo luftëtar ka arsyet e veta pse iu bashkua luftës, të vetëdijshëm për mundësinë e vdekjes, plagosjes ose kapjes rob.
“Të gjithë i dimë mundësitë e pasojave nga të qenit këtu, por jemi pajtuar”, thotë zoti Dzvin.
Roli që ka batalioni i tij në Izium është jetik për ushtrinë ukrainase thotë ai.
“Është shumë e rëndësishme. Rezistenca jonë e bën të pamundur rrethimin e trupave tona”, thotë ai.
Duke shërbyer në vijën e parë të frontit, Denis Polishchuk thotë se shpreson të ketë një përgjigje të denjë, nëse pyetet nga fëmijët, nëse do të ketë në të ardhmen, se çfarë kishte bërë gjatë luftës për të ndihmuar.
“Ndjeja se e vetmja përgjigje dinjitoze do të ishte se, po, unë e bëra pjesën time. Po luftoja bashkë me të gjithë të tjerët”, tha zoti Polishchuk, i lindur në Ukrainë por që për shumë vite jetoi në Vankuver. Prandaj nofka e tij e luftës është “Kanada”.
Luftëtari Conor thotë se pamjet e grave, fëmijëve dhe luftëtarëve të plagosur, që nuk merrnin ndihmën e duhur mjekësore, e motivuan të nisej nga Britania drejt vijës së parë.
“Kemi ndihmuar në krijimim e spitaleve në terren”, thotë ai.
Batalioni “Karpatet Sich” është një nga disa grupe paramilitare nacionaliste që vullnetarisht filluan luftimet më 2014, kur Rusia pushtoi dhe më vonë aneksoi rajonin bregdetar të Ukrainës, Krimenë.
Por që nga mesi i majit, luftëtarët e batalionit kanë mundësi të nënshkruajnë kontratë me ushtrinë, gjë që u jep mundësi të përfitojnë pension dhe trajtim në spitalet ushtarake. Lëvizja e Kievit tregon se njësitë nacionaliste janë reformuar dhe integruar me sukses në Forcat e rregullta të Armatosura.
Rusia justifikon sulmin e saj duke thënë se po mundohet të “denazifikojë” Ukraninën, ndërsa disa nga ish-grupet paramilitare i quan ekstremistë të ekstremit të djathtë – një akuzë që ata e kundërshtojnë me forcë.
“Unë nuk jam nazist, jam nacionalist. E respektoj çdo komb. I dua të gjithë njerëzit pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës – përveç rusëve. Ata janë armiku ynë”, thotë Leo, 33 vjeçar, i rekrutuar së fundmi në batalionin e “Karpateve Sich”.
Para se t’i bashkohej luftës, Leo kishte punuar në një kompani filmike në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv.
Komentet