– Gjatë jetës artistike profesioniste në Fier përfitova nga metoda e punës së Pëllumb Kullës
– Për rolin e Çobos më është dashur që të shkoj dy javë në Smokthinë të Vlorës
– Kryetari i PD-së në Fier i tha drejtorit të teatrit: “Të hiqen nga puna Luftar Pajo e Todi Llupi.”
Nga Albert Zholi
Luftar Paja, rakinë e ka pijen e preferuar. Si të gjithë fshatarët e shijon me gjithë fuqinë e shpirtit. Një figurë poliedrike kjo e Luftarit, që ndërsa e takon përditërisht, të duket një njeri i dashur, i thjeshtë, muhabetçi, por në skenë shpërthen përmasat e vërteta. Atje duket se nuk bën asnjë kompromis përveçse me zotësinë e tij, duke arritur të realizojë personazhin që merr përsipër në përmasat reale.
-Si do ti komentoje fillesat e tua si aktor?
Fillimisht e nisa punën mbi baza amatore, madje diletante. Por më ndihmoi kryerja e studios, pedagogët e saj. Gjithashtu gjatë jetës artistike profesioniste në Fier përfitova nga metoda e punës së Pëllumb Kullës, por edhe e ndonjë tjetri. Pikërisht këta faktorë më mësuan shumë në këtë drejtim. Sigurisht edhe përvoja ime jetësore dhe krijuese. Për zbërthimin e figurave më ka ndihmuar përvoja e njerëzve, njohja e saj. Për këtë unë nuk mbështetesha vetëm nga të thënat e gojëdhënat, as nga leximi, por kontaktoja direkt me njerëz, shëmbëlltyra të figurës skenike. Për Çobon më është dashur që të shkoj dy javë në Smokthinë të Vlorës. Aty njoha psikologjinë e labit, pashë si e çonin e përcillnin fjalën me peshë, si e ndërtonte autoritetin labi. Ata, para se të flasin e qartësojnë me veten e pastaj i japin drejtim mendimit, muhabetit. Ky lloj shqetësimi për ta realizuar këtë gjë lexohet në portretin e tyre. Këtë fenomen e pikasa në 2-3 njerëz të krahinës dhe ia vesha figurës. Bagazhi jetësor të bën të dallosh se si e pinë duhanin njerëzit. Fjala vjen, një intelektual, nga mënyra se si e bën cigaren, merret vesh që nuk di ta dredhë, ndërsa fshatari dhe kutisë i bie dy herë me pëllëmbë e pastaj e hap. Në të njëjtën kohë mban kutinë në dorë, merr fletën e hedh në të duhanin pa e hequr kutinë nga dora. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me llullën. Për të përvetësuar të folurën e një minoritari unë kam ndenjur në një familje në Dropull dhe kur interpretova “Masat e Rakos” ia vesha Rakos që interpretoja, theksin e minoritarit. E bëra timen atë lloj të foluri. Kur kam vajtur me filma për xhirim nuk e kam kaluar kohën kot. Në Dardhë jam ulur e miqësuar me fshatarët, flisja e bisedoja me ta, e përpiqesha t’i imitoja. Përfitoja zakonet, mikpritjen. Pra, mbushja bagazhin me psikologjinë, zakonet, sjelljen, lëvizjen e njerëzve.
Feja në atë kohë ishte e ndaluar, si i realizonit skeccet e kësaj natyre?
Konkretisht, kur inskenonim komedinë një-aktëshe “Falur të pafalur” të Pëllumb Kullës na nevojitej riti fetar mysliman me ngjyrime jo vetëm shqiptare, por edhe krahinore. Por vështirësia qëndronte në faktin se feja, në atë periudhë në Shqipëri, ishte e ndaluar. Kishim tentuar në dy-tri raste, por ata që ishin hoxhallarë nuk na ndihmonin. Kishin frikë ta bënin. Më në fund gjeta një hoxhë në fshatin tim, që ishte 84 vjeç. Ia shpjegova djalit të hoxhës dhe i kërkova që të na çonte tek i ati. Shkuam së bashku me regjisorin. Në fillim shtypëm magnetofonin fshehurazi dhe pastaj unë fillova ta ngacmoja: “Xha Mustafanë e dua sepse kur ishte hoxhë në fëmijëri na donte shumë dhe kisha qejf kur falte syfyrin”. Unë ngulja këmbë “Aman”. Dhe nisa ta imitoja me sytë e memorien e fëmijës. Hoxha na korrigjonte: “Jo s’është kështu” dhe na e plotësonte ritin. Me marifet, ne morëm informacionin e duhur. Siç e përmenda më lart gjatë turneve nuk kam qëndruar i vetmuar dhe nuk kam përtuar të shkoj në mes të njerëzve. Më kishin caktuar të interpretoja në një skeç, rolin e një rapsodi. Kështu, kur po shkonim turne në Tropojë, i them shoferit që ishte dhëndër në Bujan: “Do na çosh te një nga miqtë e tu?”Ai m’u përgjigj: “Posi, se ka edhe një dasmë”. Kur shkuam, më bëri përshtypje një fakt karakteristik, tipar shqiptar i zonës: çiftelitë e varura në mur. Plaku i konakut, për nder të mikut, edhe ky një zakon shqiptar i mikpritjes, i tha njërit: “Or Shaban, apo na i merr atë sharki me na knu një kangë të gryte (dashurie) për njat mik që na ka ardhë prej Firit.” Në këtë fjalë unë pashë si aktor edhe cilësi të tjera me ngjyrë kombëtare e krahinore: autoritetin e të parit që të tjerët s’ia bënin dysh fjalën si edhe seriozitetin e përgatitjen sesi merrej çiftelia e se si fokusohej gjithçka te rapsodi. Një herë tjetër, për nevoja të krijimtarisë, së bashku me Todi Llupin, na duheshin zakonet e zonës për të cilën bënte fjalë materiali. Më konkretisht zakoni i tavolinës së rakisë. Shkuam në një fshat të Myzeqesë ku na ftuan për darkë te një plak. Deri diku i kisha ndeshur këto zakone, por nuk isha i sigurt. Todi rrinte i ndrojtur. Prandaj detyra jonë ishte të vepronim si të zotët e shtëpisë. Mori dollinë i zoti i shtëpisë: “Të parën për miqtë” e ngriti ai. Sipas radhës e vendit i takonte Todit ta pasonte, por ai u bllokua dhe ngriu radha e rakisë. Sipas zakonit duhej të vazhdonte rreshti. Por Todi nuk i binte asaj daulleje, sepse nuk e dinte zakonin e radhën. Për të kaluar situatën e ngecur, m’u dha mua: “Të parën, shëndetin për truallin tënd xha Ramo. Lulëzoftë tërë jetën ky truall.” Plaku u çua në këmbë, vuri dy pëllëmbët mbi kokë dhe tha: “Rrofshi o miq se këtu në kokë u kam”. Urimi im përfshinte të gjithë pjesëtarët e familjes. Këtë zakon e futa në kujtesë. Ndryshe e hedh hapin një malësor e ndryshe një myzeqar. Në këtë influencon edhe psikologjia e zonës. Unë i kam gjurmuar këto prandaj dhe figurat e mia përmbajnë tharm kombëtar e dallojnë. Nuk më vjen mirë që është lënë pas dore puna vetjake e aktorit, hulumtimi, mbushja e bagazhit, sepse kështu vjen forcimi i kombëtares në interpretim. Më 1995-ën, në një takim në Budapest, nuk më erdhi hiç mirë që shumë artistë të trupës sonë vërdalloseshin për shoping dyqaneve. Ndërkohë që më entuziazmoi trupa e Bukureshtit, sepse ishin të organizuar, pasionantë të profesionit, stërviteshin si lojtarë futbolli. Kjo stërvitje fillonte një javë para shfaqjes. Ajo lloj pune nuk i linte artistët të vinin dhjamë, por të kishin një plastikë të përkryer.
A i goditnit plagët e sistemit monist si nepotizmin, burokracinë, etj?
Kemi goditur shpesh në skeçet tona plagët e sistemit monist si nepotizmin, burokracinë, globalizmin, tarafllëkun, paaftësinë. Ndoshta në këtë aspekt jemi ndër të parët që kemi inspiruar demokracinë. Le të marrim si shembull, skeçin e Koço Devoles “Globali”. Ishte koha kur në treg kishte shumë mungesa ushqimore. Dilje për t’u blerë këpucë fëmijëve, s’gjeje gjë të kam rixha, duhet të dilje me sandale në mes të dimrit! Më kujtohet, që në atë kohë Arqileja shënon bukur golin me shprehjen “filxhan” quheshin ato kupat e vogla me bisht. Ose të marrim skeçin e Pëllumbit “Tek serat” – Me mjeshtëri artistike dhe me shumë humor del se si i hiqej e drejta e fjalës punëtorit që kishte derdhur djersën, pasi dinte të fliste më bukur Kryetari që kishte dredhur zinxhirin gjithë ditën. Por mund të kujtoj edhe komedinë një-aktshe “Farat e Shalqinit”. E Pëllumbit edhe kjo! Subjekti, shkurt: Një parcelë kish një lloj fare shalqiu që jepte prodhim të jashtëzakonshëm. Për të ruajtur farën e plotë, që vitin tjetër ta zgjeronin sipërfaqen e prodhimit edhe në shumë hektarë të tjerë, u vendos që shalqinjtë të ndaheshin nëpër anëtarët e atyshëm të kooperativës. Ata nuk do të paguanin për shalqinjtë që do merrnin, por si detyrim, thjesht, do t’i kthenin kooperativës farat. Por, belaja, qe se nuk kish aq shumë shalqinj sa t’i kënaqnin tërë familjet dhe u detyruan të futnin kriterin klasor, siç e futnin për frigot dhe televizorët. D.m.th.: shalqi do të merrnin vetëm familjet që garantonin besim, ato familje që gjatë luftës kishin mbajtur qëndrim të mirë, e tjera. Familjeve të mbetura, për t’u mbyllur gojën, do t’u jepnin pjepër. U krijuan në fshat pra, “familjet e pjeprit” e “familjet e shalqirit” Këtu qëndronte dhe thelbi i konfliktit të komedisë.
Po shënoj një pjesë të dialogut:
Brigadieri: – Jo, or shoku kryetar, jo! Le të ankohen! E po, familjes së Lame Resulit, unë nuk i jap shalqi! Ti, o kryetar, je i ri këtu e nuk e njeh. Këtij Lame Resulit, që thua ti, më ’46 i shkau këmba e shkeli një nen të kodit penal. Tetë vjet brenda!… Bëri tetë vjetët e doli nga burgu. Shtëpia i kish qëlluar bri stallave të kooperativës. U them shokëve: “Priteni tani Lamen, kur të na bëjë ndonjë proçkë! Priteni këtë armik kur të na verë ndonjë zjarr, a të na bëjë ndonjë helmim bagëtish… Priteni! Ja kur ta bëjë!”… Pritëm 10 vjet!
Kryetari: – E bëri?
Brigadieri: – Jo! E as jepte shenja hiç për asi punësh!
Kryetari: – Shiko, shiko! Armik i rafinuar! Skile! E ç’bënte?
Brigadieri: – Asgjë. Ulte kokën e punonte.
Kryetari: – Punonte qerratai, ëh?! E si punonte?
Brigadieri: (me keqardhje). – Shumë mirë! E hiqte brazdën, sikur t’i kishe vënë spangon!… E pritëm sabotimin e tij edhe dhjetë vjet të tjera…
Kryetari: (i sigurt tani).- E zutë!
Brigadieri: – Jo, or jo! Ç’të zije! Ai vetëm punonte, si gjithnjë!
Kryetari: (i llahtarisur). – Nëne, nëne, me ç’armiq kemi të bëjmë! Po kur ju a bëri sabotimin?
Brigadieri:- Asnjëherë! Vdiq!
Kryetari: (i hutuar). – Vdiq?!
Brigadieri: – Vdiq, qeni, pa sabotuar as edhe një herë!
Kryetari: (i merret fryma nga befasia dhe tërbimi). – I poshtri!… Nëne, nëne, nëne! Këtij i them armik unë! Ku ta zësh këtë, more vëlla?! S’të vjedh, s’të djeg, s’të helmon! Punon mirë. Pa pa pa, sa të rrezikshëm që janë! (Befas). Po tani, bijtë e tij, bijat…?
Brigadieri: (raporton me zemër të plasur). – Për bukuri edhe ata! Punojnë kokëunjur e nuk ndihen hiç.
Kryetari: (brof i skandalizuar dhe përplas shalqirin që ka në dorë). – Ohuuu! Po pse nuk thua ti, që këta dashkan 500 vjet që ta shfaqin fytyrën e vërtetë!
Por personalisht nga të gjitha rolet, unë do të veçoja atë të arixhiut?
Hahaha….! Jam një aktor që kam marrë gjithçka që mund t’i jepet një artisti, por që ende nuk i kam thënë të gjitha. Para disa ditësh, televizioni shqiptar transmetoi një skeç të viteve ‘80 ku luaja unë. Të nesërmen një i ri që më takoi rastësisht më tha: “Ua xhaxha, ti qenke Luftar Paja që ka lozur Magazinierin? Po pse, aktor paske qenë ti?” Më vjen keq sepse jam në formën më të mirë. Me një përvojë artistike 45 -vjeçare jam i gatshëm të luajë çdo lloj roli në fushën e humorit dhe të satirës, por kam frikë se po harrohemi. Plasën nëpër teatro, duke përkthyer vepra amerikane, franceze, angleze, greke dhe italiane. Harrojnë se ky vend quhet Shqipëri, se këta njerëz janë shqiptarë. Po harrohen të vjetrit. Një ditë takova regjisorin Armando Bora.
– Ti po vë në skenë, një pjesë me një rol arixhiu. Unë nuk e di se si do e luaj ai tjetri, po pse s’ma dhe mua? – Ai shqeu sytë. – A e ke parë ti rolin e Arixhiut që kam realizuar unë këtu e 40 vjet më parë?
– E ku ta shihja! – M’u përgjigj Armando. – Në atë kohë unë nuk kisha lindur akoma.
S’m’u durua dhe i thashë: – E po mësoje or çun, se kur ti nuk kishe lindur akoma, unë “haja bukë” me arixhinjtë e Levanit. I njoh me dhëmbë e dhëmballë, ua di huqet, lëvizjet, psikologjinë, mentalitetin, aksentin. Duket se artistët e mirë po harrohen. Nuk është fjala vetëm për mua si individ, por një psikologji indiferentizmi po injektohet te të rinjtë për të hedhur poshtë e për të lënë pas dore traditën. Pra, për të harruar çdo gjë “të vjetër” dhe me vlerë. Asgjëkund nuk po kujtohen Naim Frashëri, Mihal Popi, Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Tano Banushi, Nikolin Xhoja. Në harresë nuk po lihen vetëm të vdekurit, por edhe të gjallët. Po mënjanohet brezi i dytë që ende ka fuqi, përvojë e luk artistik si Tinka Kurti, Margarita Xhepa etj. Njeriu plaket kur plaket pasioni. Kuin vdiq 84 vjeç duke interpretuar. Të gjithë kanë në majë të gjuhës fjalën Tranzicion. Tranzicion i thua këtij? Unë i them luftë, pasi ata që e morën në dorë pushtetin më ‘91 u hodhën në sulm. Vetë kryetari i PD-së në Fier i tha drejtorit të teatrit: “Të hiqen nga puna Luftar Pajo e Todi Llupi.” Drejtori e kundërshtoi. “Po qe kështu, urdhëro çelësat. Teatri nuk është parti!” U përgjigj ai. Në atë mbledhje shumë pjesëmarrës kërkuan që ky vendim të mos zbatohej, mirëpo kryetari i partisë dha urdhër të prerë. “Menjëherë!” Të nesërmen unë i paraqita drejtorit të teatrit dorëheqjen e parevokueshme. Sa të bëhesha pengesë për të tjerët, dhashë dorëheqjen, jo se isha mërzitur nga kolektivi im artistik, por nga mënyra si politika po mbyste artin.
Luftari, Gazi dhe shalqinjtë. Si do i shisje shalqinjtë në krahasim me Gazin?
Unë do i shisja shalqinjtë më mirë se Gazmendi, im bir. Ju kam shpjeguar më sipër që jam kritizer ndaj vetes time, imagjinoni pak me tim bir. Për rolin e myzeqarit jam treguar dorështrënguar dhe i kam vënë vetëm notën 8-të. Unë nuk qesh kur Nasi bën për të qeshur, por peshoj çdo fjalë të tij, çdo gjest, e madje ndjek çdo lëvizje të muskujve të fytyrës. Në puntatën e dytë, i thashë: “Ik, lëre, nuk ke bërë gjë. Mos u rrëmbe nga entuziazmi i sallës dhe të kalosh sensin e masës. Po e bëre këtë, dorëzohu dhe ik!” Përgjithësisht Gazi, e merr shumë seriozisht punën dhe më pyet shumë. Ai është në hapat e para, megjithëse unë kam vite që e kam joshur për pasionin të cilin ka ndërmarrë. E kam nxjerrë Gazin që në moshën gjashtë vjeç në skenë, në Fier. 4 vjeç ka interpretuar te filmi “Rikonstruksioni”. Më pas ka luajtur dhe me mua në një rrëfenjë “Fshatari dhe Kadiu”. Ai ishte djali im dhe ne na kishte humbur gomari të cilin e kërkonim në pyll. Që nga ai debutim, regjisori Pëllumb Kulla më porositi që të mos e lija djalin të harxhonte kohën kot, por ta nxisja të vazhdonte. Megjithatë, e mira e të mirave është që unë të flisja i fundit dhe jo i pari për djalin tim, sepse vete si ajo puna “A doni më për Belulin” Megjithatë nuk kam qejf të flas si baba i Gazit, por si artist. Mendoj se ai është në hapat e para, dhe me pak kujdes është artist që i buzëqesh perspektiva. Edhe si artist edhe si prind, i kam dhënë një porosi: “Ji kërkues në vetvete dhe mbi të gjitha ji modest, por jo modest i tepruar, se modestia të zbukuron dhe të bën me miq edhe me shokë. Hunda përpjetë, është mortja e të zot.” Deri tani, besoj se Gazi e ka marrë parasysh këtë kërkesë timen. I kam dhënë edhe një porosi si artist, që t’i shmanget bufonatës në lojë. Të jetë sa më realist dhe, kur është fjala për të trajtuar një vepër në grotesk edhe te grotesku duhet ruajtur sensi i masës. Jo humor për humor. Besoj se ai ka të dhëna të mira dhe premtuese. Humori është tepër i vështirë, jo të gjithë mund të bëjnë humor, sepse mund të jesh i zgjuar, mund të jesh njeri që studion, por në art ka disa kërkesa. Duhet të kesh një botë emocionale të besueshme, duhet të kesh një portret të besueshëm, një plastikë që të dominojë dhe këto plotësojnë nurin skenik. Ajo që u shfaq për publikun në Teatrin e Operës dhe Baletit nuk ishte thjesht një dokumentar, nuk ishte thjesht një vepër filmike..
Komentet