Vështrim kritik mbi romanin “A ka kund zot’’ të Agim Gjakovës, Bota Shqiptare
Agim Gjakova është krijues i shumëllojshmërisë letrare: është poet, prozator, dramaturg, eseist, skenarist e publicist, me një fjalë ai lëvron të gjitha gjinitë letrare. Vepra e tij në të gjitha këto gjini kap mija faqe. Veprat më përfaqësuese të autorit janë: në fushën e poezisë “Kufiri imagjinar’’ dhe “Saga flurore’’, në fushën e prozës tregimtare “Shtëpia në udhëkryq’’, ndërkaq në fushën e prozës romanore “Herezia’’, “Loja e kafkave’’ dhe sidomos romani “A ka kund Zot’’. Kësaj radhe do t’i shpërfaqim disa nga segmentet e prozës së tij romanore, përkatësisht nga kryevepra romanore “A ka kund Zot’’.
Nga fusha e prozës romanore tërheq vëmendjen si vlerë ideoestetike e tematike dhe si realizim me diskurs të fuqishëm artistik sidomos romani “A ka kund zot’’, për të cilin kritiku Behar Gjoka në librin “Shkrimtari i të dy anëve të kufirit’’ thotë se është: “…një tip shkrimi ku prekim situata psikologjike dhe kombëtare, fundekrye shënon një eveniment letrar të përveçëm…’’
Romani në fjalë është një krijim artistik për luftën, mbijetesën, dhunën, vrasjet, sadizmin, pasqyrim i një egërsi për zhbërjen e gjithçkaje që është shqiptare. Që në titull kemi një formulim drejtuar qiellit, një klithje, një ankth, një zhgënjim nga dehumanizimi i njeriut. Ngjarja në roman zhvillohet në një ambient tipik rural, në fshatin malor që ka vetëm 17 shtëpi. Hapësira ku kuzhvillohen ngjarjet është imagjinare për faktin se ka emër përgjithësues, por është hapësirë tipike që i ngjan çdo fshati shqiptar të Kosovës. Në të vërtet ngjarja zhvillohet në dy hapësira: në fshat dhe në bjeshkën te tëbanat dhe së këndejmi në tekstin romanor krijohen dy linja rrëfimi, të cilat kanë një trung të përbashkët ndërkomunikues ideoestetik e tematik pa u krijuar plasaritje tematike brendatekstore. E gjithë tekstura romanore thuret përmes rrëfimit përspektiv; një vorbull ngjarjesh tragjike që ndodhin brenda 7 ditëve. Në këtë hapësirë dy rrafshesh: atë fizik dhe shpirtëror të heronjve, palëvizshmëria e kohës bën që rrjedha e kohës të humb kuptimin real. Anise gjithçka lëviz në këtë “teatër absurdi’’ ku takohen jeta e vdekja, dhuna e zhgënjim, poshtrimi e dhembja fizike e psikologjike, mbijtesa e vdekja, pra gjithçka rrjedh në një lëvizje kaotike, vetëm koha e mbarsur me frikë e traumë është ajo që s’lëviz.
Romani nis me tekstin përkushtues: “Ky roman u kushtohet të gjitha nënave të botës, të cilat ndjenjën e amësisë e kanë përmbi gjithçka’’. Pra që në fillim hetojmë se shkrimtari ka një qasje të re, një këndvështrim tjetër mbi luftën, ku objektivi kap sekuencat, detjet e amësisë dhe ruajtjes së fëmijëve, të cilët pas këtij absurdi e sadizmi do të rinisin jetën.
Agim Gjakova gruas, në këtë rast nënës, i ngrit përmendore, meqë ajo (nanë Bora) me bëmat e saj të ngjan ngapak në Noan biblik, sepse ajo me çdo kusht do ta shpëtojë llojin përmes fshehjes së fëmijëve, të cilët, pasi të gjithë burrat janë vrarë, ata do ta ringjallin fshatin, mbi vdekjen do të hapin portat e jetës. Për Noa-n e rëndësishme ishte ruajtja e të gjitha qenieve, llojeve, që jeta të ringjallet sërish, po aq e rëndësishme për nënë Borën është ringjallja dhe ekzistenca e fshatit pas plojes. Për të fshati është bota. Autori e fillon romanin me nënë Borën që merr fëmijët për ta varrosur (burrin) Bacen: ( -Na vdiq baca, burri i mbramë në katund… f. 11)
Pak më lart thamë se A. Gjakova e shikon luftën nga një kënd i veçantë. Me këtë skenë ai tregon se burrat janë vrarë. Ai s’ flet për ta, por tabloja ku një grua me një tufë fëmijësh do të kryej ritualin e varrimit, flet më shumë sesa shkrimtari të fliste për masakrimin e burrave. Pra një këndvështrim dhe gjetje e bukur që lexuesin e shtyen në leximin e nëntekstit, në rrjedhën e tragjedisë që sapo ka ndodhur.
Në letërsinë shqipe tanimë kemi një mori veprash mbi luftën e fundshekullit të kaluar, thënë të vërtetën shumica kanë këndvështrim të njëjtë, observim dhe skena, situata e detaje që përsëriten, ndërkaq te Agim Gjakova kemi diçka tjetër; ai suksesshëm do t’i ikë këtij klishetizimi që herë-herë krijohet përshkak tematikës dhe këndvështrimit të ngjashëm e pavetëdijshëm. Autori gjithë këtë absurd ku vriten njerëzit, gratë e fëmijët, e shikon ndryshe dhe ndryshe ndërton edhe esencën temore ku ekzistenca, qëndresa e mbijetesa na jepen me gjetje të reja, ndonjëherë në mënyrë unikate. Kujtoj se këndvështrim tjetër është fakti se gjinia e bukur e bëjnë qëndresën e mbijetësën, por edhe planin për ripërtritjen e fshatit, ku nën udhëheqjen e nënë Borës fëmijët burrërohen atypëraty. Në temën e luftës që në letërsinë ballkanase, e veçmas tek shqiptarët është megatemë, autorët në vokubularin e tyre të thurjes së tekstit artistik, dendur kanë përdorur figurën poetike të hiperboles, (në letërsi, muzikë, film e arte tjera) ndërkaq te romani në fjalë kemi shmangie të suksesshme nga hiperbolizimi që veprën, përkatësisht mbarështrimin e lëndës e bëjnë më ndërkomunikues në shpalimin e situatave të pahiperbolizuara.
Nënë Bora gjatë gjithë kohës ka rolin e kryepersonazhit dhe rrëfimtarit njëkohësisht. Ajo rrëfen në vetën e parë njëjës duke i folur vetëvetes brendisë së qenies, fëmijëve dhe botës që e rrethon, ndërkaq shkrimtari tekstin e saj do të na e jap me kurziv, në mënyrë që lexuesi ta shquaj më lehtë nga linja tjetër e rrëfimit të narratorit të gjithdijshëm që rrëfen, ndërton imazhe e situata dhe ekspozon narracionin në vetën e tretë njëjës; narratori i cili ndodhet në një hapësirë tjetër, aty ku jeta përmbyset dhe planimetria e pushtuesit, (“njerëzve me pushkë’) shkon kah zhbërja e gjithçkaje që ka ekzistencë. Rrëfimi në vetën e parë i nënë Borës është më lirik; shpesh është një monolog i brendshëm, psikologjik, i dialogizuar me vetveten, nëpër të cilin zvarritet dhembja, por vetëtin edhe shpresmira se pikërisht fëmijët “burra’’ që ajo i ka shmangur nga shënjestra e vdekjes, do të ngjallin sërish fshatin e vdekur. Herë pas herë nënë Bora do të dialogojë me Bacën, burrin e vdekur. Në të vërtetë nga një personazh real, Baca që vie përmes prolepsës, nuk ka trup as pamje, është veç zëri i ndërgjegjes që flet, udhëzon e derdh fraza e urtësi pa përmendur skenën e vdekjes, në të vërtet ai jep udhëzime, jetë e shpresë në shpirtin e nënë Borës. Prania e tij që nga fillimi e deri në fund me fjalorin e urtësisë popullore e filozofike e shtyen lexuesin të harrojë se ai është i vdekur. Nanë Bora ndëkomunikon me të vdekurin në situatat e rënda ekzistenciale, të llojit që do t’i shërbejë si tharm.
Autori në një pjesë bukur të madhe të tekstit përdor parimin e ekonomizimit, (…Baca ka luftuar gjashtë herë. Asht plagosë dy herë e kjo qe lufta e shtatë. U plagos e vdiq. F .116); ai e zhvesh tekstin prej frazave të thata, deskripcionit të panevojshëm, skenave e detajeve jofunksionale dhe krijon dinamikën e diskursit të të folurit të fuqishëm si: Në murin prej lëndësh të tëbanës m’u ravijëzuan rrënjët e asaj peme që tregova vetë më parë dhe në atë pemë kokat e djemve më ngjanë me frutat e saj. f.117
KONTRASTI : BOTA E MBIJETESËS DHE BOTA E DEHUMANIZIMIT TË SKAJSHËM
Personazhet në roman dhe bëmat, veprimet gjatë gjithë kohës janë në marrëdhënia kontrastive. “Njerëzit me pushkë’’,-paramilitarët janë e errëta që do të gllabroj edhe pikën fundit të ekzistencës psikologjike e fizike të grave dhe vajzave që kanë ngelur pasi të gjithë burrat janë vrarë. Këtu kemi dy botë. Njëra e egër dhe e dehumanizuar skajshmërisht dhe tjetra e pafuqishme për të mbrojtur identitetin, pronën, jetën e nderin. Ata që përfaqësojnë botën e dehumanizuar gjenocidale, nuk e durojnë praninë e asnjë forme të jetës në fshat, madje as të qenve e kafshëve, megjithatë ata janë humbësit, sepse siç do të thoshte Volter-i për luftën: “Është më e lehtë të nënshtrosh tërë universin me anë të forcës se sa mendjet e një fshati të vetëm’’. Këtu kemi një përballje interesante: Ironia është se këtij njësti të pashpirt i prin një femër e cila është lesbike dhe e çrregulluar, që merr fuqi nga ushtrimi i dhunës. Shkrimtari e shenjon në mënyrë ironike prijësen duke e quajtur Frymëzusja. Ajo me gjithë smundjen e saj është frymëzuesja e njësitit ndëshkimor. Tek pjesa e tekstit narrativ ku ngjarjet zhvillohen në fshat, gjatë gjithë rrjedhës së kohës kemi figurën e kontrastit. Jeta-vdekja, nata –dita e mugët, zhgënjimi – shpresa, ëndrra- shpërbërja e ëndrrës, frika dhe së fundmi mposhtja e frikës. Në të shumtën e herave shkrimtari e inicon një objekt si ( kulla e plakave) a subjekt (njeriu me maskë) dhe e ngrit në figurë. Në mesin e “njerëzve me pushkë’’ paraqitet njeriu i maskuar. Aty fshihet tradhtia e mjerimi të cilin e mbulojnë mallkimet e grave më keq sesa varri. Shkrimtari fut elemente të tilla, të cilat në hapësirën e përgjithshme tekstore të veprës zënë fare pak vend, por e fuqizojnë tekstin e bëjnë me kreativ, pikërisht për faktin se nuk shkërmoqet thellësia e i tyre, por enigmatizohet.
Si segment kyç, në tekst, kemi sekretin e koduar, (Nënë Bora më fëmijët, sekreti i vendndodhjes së tyre) dekodimi i të cilit është i pamundshëm. Pikërisht sekreti bëhet shkak që do të prodhojë pasojën në vazhdimësi deri në ikjen e njësitit ndëshkimor. Pas mosdeshifrimit të sekretit rrjedh pasoja: Poshtrimi, dhunimi, sadizmi -argëtimi përmes plojës, lodhja psikologjike e fizike, shkatërrimi i materiales dhe shpirtërors. Pala e parë “njerëzit me pushkë’’ duan ta dekodojnë sekretin që t’i vrasin fëmijët, që kjo hapësirë jetetëdhënëse të bëhet përgjithmonë hapësirë e pajetë. Kjo përballje rezulton me plojën tragjik: vdekjen makabre të grave, vajzave e ferrishteve, vrasjen e kafshëve, por edhe të fitores së jetës mbi vdekjën, sepse do të kthehen fëmijët që do të përtrijnë jetën.
Artet përgjithësisht kanë marrëdhënia shkëmbimi, ato marrin nga njëri-tjetri. Skena e numrimit të stapinjve të misrit në baltinë, nga gratë që do të zgjasë me ditë, është një lojë poshtruese, tragjikomike që të kujton tablo tmerri nga filmat për hebrejt në kohën e nazifashizmit, por edhe skena ku hudhën gratë në pus dhe të tjerat që nesër do të bëjnë vetëvrasje, detyrohen të pijnë po atë ujë, të kujton horrorin hiçkokian.
Ndonjëherë në letërsi temat si kjo e luftës, sjellin vështërsi te autorët rreth mbarështrimit ontologjik të lëndës në tekst, rreth sjelljes së risisë, rreth këndvështrimit, rreth vokabularit të mospërsëritjeve të situatave e ideve.
Pak më lart theksova faktin se Agim Gjakova te romani “A ka kund zot’’ u shmanget me sukses kurtheve të përsëritjes. Ai në krye të këtij njësiti ndëshkimor vë një grua të sëmurë mendërisht dhe seksualisht. Fakti që kjo e frymëzon njësitin, është një gjetje e cila e shpëton tekstin romanor nga kurthet e klishetizimit dhe sjell një frymë e një thyerje në lëvrimin e kësaj teme. Autori kështu krijon imazhe që zgjojnë reflekse interesimesh te lexuesi. Dy plakat e veja veshur në të zeza që jetojnë në kullë vetëm, kushedi çprej kohesh janë jashtë dy botërave për të cilat folëm më lart. Ato janë dhimbja, kujtesa e mugëtirës dhe mbijetesa. Ato nuk dalin nga kulla, nuk i helmon tymi e bloza. Ato thjesht nuk dalin nga përvujtëria e vetëharrimi që ngritet në figurë domethënëse brendakstore. Ndonjëherë të ngjanë se janë shndërruar në kullë sekretesh. Simbolika e tyre është rrënja e lshtësisë, veshur në të zeza, mbijetesa e gjithmonshme. Edhe kjo skenë me Plakat është një gjetje interesante ku shkrimtari krijon kontekstin shumështresoren në tekstin romanor e që tek lexuesi zgjon intuitën e të menduarit rreth zbërthimit nëntekstor të domethënieve.
Pas plojes, shkretërimit të gjithçkaje njësiti ndëshkimor ikën, e nënë Bora dëgjon zërin triumfal të Bacës që vie nga tejbota: “Plakë…! – zëri i Bacës u përvaj në atë gjëmë të pavajtueshme – nuk ka ma shkije në katund!’’ (f. 197) dhe pastaj tek po kthehej i fliste vetes: “Nuk munda të marr me mend se ç’masakër tjetër të përçudshme kishte parë dheu i katundit.(f.197) Këtu mbi rrënojat shpirtërore, mbi plojë hapet porta e jetës.
Në fund duhet të theksojmë fuqishëm se romani “A ka kund Zot’’ ndërtohet me një stabilitet tematik e ideoestetik pa lëvizje poshtë-lart, me art të thukët, me një stil modern e klsik shkrirë brenda tekstit, me një gjuhë të pasur letrare, por edhe me trajta e forma të gegërishtes kosovare dhe shënon një vlerë të theksuar, jo vetëm brenda opusit autorial, por përgjithësisht në fushën e prozës romanore.
(Marrë nga ExLibris)