Nga Paul Adams, BBC
Si i bëhet me duzina dokumente sekrete të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes – harta, grafikë, fotografi – që tani qarkullojnë në internet?
Të plotësuara me kronologji dhe duzina akronime të pazbërthyeshme ushtarake, dokumentet, disa prej të cilëve me shenjën “top secret”, pikturojnë një tablo të detajuar të luftës në Ukrainë.
Ato flasin për humbjet njerëzore të të dyja palëve, dobësitë ushtarake të secilës, dhe, cilat pritet të jenë fuqitë relative kur Ukraina të vendosë të nisë ofensivën e shumëpritur pranverore.
Sa të vërteta janë këto faqe të printuara, të shpalosura e të fotografuara, ndoshta në tavolinën e ngrënies së dikujt? Dhe çfarë na tregojnë ato, neve apo Kremlinit, që nuk e dinim ende?
T’i marrim gjërat me radhë: kjo është rrjedhja më e madhe e informacionit sekret amerikan për luftën në Ukrainë që nga invazioni në shkallë të gjerë i Rusisë 14 muaj më parë. Disa nga dokumentet janë vetëm gjashtë javë të vjetra, por implikimet janë të mëdha.
Zyrtarë të Pentagonit citohen të kenë thënë se dokumentet janë reale.
Informacioni në të paktën një prej tyre duket se është ndryshuar shumë në një version të mëvonshëm, por nga një dëng prej 100 dokumentesh kjo gjë duket si një detaj relativisht i vogël.
BBC ka parë mbi 20 nga dokumentet. Ato përfshijnë shpjegime të detajuara të stërvitjes dhe pajisjeve që po i jepen Ukrainës teksa ajo po formon një duzinë të re brigadash për një ofensivë që mund të nisë brenda pak javëve.
Dokumenti thotë se kur do të jenë gati brigadat dhe liston gjithë tanket, autoblindat dhe pjesët e artilerisë që po i jepen Ukrainës nga aleatët perëndimorë.
Por vë në dukje se “koha e dorëzimit të pajisjeve do të ndikojë te stërvitja dhe gatishmëria”.
Një hartë përfshin një “kronologji të terrenit me baltë të ngrirë”, duke vlerësuar kushtet në terren në Ukrainën lindore teksa pranvera vazhdon të vijë.
Pas një dimri që testoi deri në limit mbrojtjen ajrore të Ukrainës, ka edhe një analizë të kthjellët të kapacitetit në rënie të mbrojtjes ajrore të Kievit, në përpjekje për të balancuar resurset e kufizuara për të mbrojtur civilët, infrastrukturën kritike dhe trupat e frontit.
Dokumentet e nxjerra jo vetëm që thonë shumë për gjendjen e ushtrisë ukrainase, por flasin edhe për disa nga aleatët e tjerë të SHBA. Nga Izraeli te Koreja e Jugut, dokumentet zbulojnë debate të brendshme që këto vende kanë pasur rreth Ukrainës dhe çështje të tjera të ndjeshme.
Disa nga dokumentet kanë shenjën “top secret”, të tjera mund të ndahen vetëm me aleatët më të afërt të inteligjencës së SHBA.
Sa shumë nga këto janë gjëra të tjera.
Shumë nga detajet janë familjare. Merrni për shembull shifrat e të vrarëve. Pak befasuese është që SHBA vlerëson se 189,500 deri në 223,000 ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur.
Edhe shifra ekuivalente për Ukrainën – midis 124,500 e 131,000 – është në linjë me shifrat e përafërta të raportuara nga gazetarët në javët e fundit.
Në të dy rastet, Pentagoni thotë se ka “besueshmëri të ulët” te shifrat, për shkak të hendekut në informacion, sigurisë operacionale dhe përpjekjeve të qëllimshme, ndoshta nga të dyja palët, për të dhënë informacion të gabuar.
Flet shumë fakti që pikërisht për këtë çështje janë bërë përpjekje për ndryshimi dokumentesh për të bërë të duket sikur Ukraina po përjeton humbjet më të mëdha në njerëz.
Një version që u shfaq në një faqe pro-ruse në Telegram site e merrte numrin e ukrainasve “të vrarë në aksion” (“16k-17.5k”) dhe e vendoste në anën ruse, ndërkohë që në anën ukrainase i kthente mbrapsht numrat, duke i bërë “61k – 71.5k”.
E gjitha kjo na çon te pyetja kush i nxori dokumentet dhe pse?
“Ja, merrni ca dokumente sekrete”
Historia se si dokumentet gjetën rrugën nga platforma e mesazheve Discord, në 4Chan dhe Telegram, është treguar tashmë nga Aric Toler i grupit të hapur investigativ të inteligjencës, Bellingcat.
Toler thotë se nuk ka qenë ende e mundur të zbulohet burimi origjinal i rrjedhjes së dokumenteve, por e ndërton grafikun e shfaqjes së tyre në një platformë mesazhesh popullore midis videogamers që nga marsi.
Më 4 mars, pas një debati për luftën në Ukrainë në një server në Discord të frekuentuar nga lojtarë të lojës Minecraft, një përdorues shkroi “ja, merrni ca dokumente sekrete”, para se të postonte dhjetë prej tyre.
Është një formë rrjedhje dokumentesh e pazakontë, por jo unike.
Më 2019, para zgjedhjeve të përgjithshme në Britani, dokumente në lidhje me marrëdhëniet tregtare Britani-SHBA u shfaqën në Reddit, 4Chan e site të tjera.
Në atë kohë, Reddit tha se dokumentet e paredaktuar e kishin origjinën nga Rusia.
Në një tjetër rast, vitin e kaluar, lojtarë të lojës online War Thunder postuan në mënyrë të përsëritur dokumente të rëndësishme ushtarake, me sa duket në përpjekje për të treguar që kishin të drejtë në debatet mes tyre.
Rrjedhja e fundit e dokumenteve është më e ndjeshme dhe potencialisht më e dëmshme.
Ukraina e ka ruajtur me xhelozi “sekretin operacional” dhe nuk është aspak e lumtur që materiale të tilla sensitive dalin në këto momente kritike.
Ofensiva e pranverës mund të jetë momenti kyç për qeverinë e Zelenskit për të ndryshuar dinamikën në fushëbetejë dhe të caktojë kushtet për bisedimet e paqes më vonë.
Në Kiev, zyrtarët flasin për një fushatë të mundshme disinformimi nga Rusia.
Ekspertë të tjerë ushtarakë sugjerojnë të kundërtën, që kjo është e gjitha pjesë e lojës perëndimore për të çuar në konkluzione të gabuara komandantët rusë.
Ç’është më e rëndësishmja, nuk ka asgjë në dokumentet e zbuluara deri më tani që të tregojnë drejtimin e kundërofensivës së Ukrainës.
Kremlini tashmë duhet të ketë një ide mjaft të mirë për shtrirjen e përgatitjeve të Ukrainës (edhe pse dështimet e inteligjencës së Moskës kanë qenë shumë të dukshme gjatë gjithë luftës), por Kievi duhet të mbajë armikun e tij të hamendësojë se si do të zhvillohet fushata, në mënyrë që të maksimizojë shanset për sukses.
syri.net