U përkujtua me madhështi në Michigan Dom Prenk Ndrevashaj
Në Qendrën Kulturore të Kishës Zoja Pajtore në Southfield, Miçigan me nderime dhe respekt të lartë u përkujtua themeluesi i komunitetit katolik shqiptar dhe Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Primus Prenk Ndrevashaj, me rastin e 20 Vjetorit te kalimit në amshim.
Komisioni organizativ i kryesuar nga Dr. Gjeka Gjelaj, z. Valentin Lumaj dhe z. Pjerin Prekaj kishin shpallur me kohë organizimin e aktiviteteve të ndryshme për këtë përvjetor të cilat përmblidhnin një Meshë Shënjte, një Seminar Përkujtimor dhe një Darkë Solemne.
Aktivitetetet Dom Prenkën më 8 dhjetor, 2024 përkuan edhe me 8 dhjetorin 1990 të demostratave antikomuniste. Kujtoj se Dom Prenk Ndrevashaj ka qenë i përndjekur, i burgosur, i arratisur dhe i mbijetuar i terrorit komunist shqiptar.
Mesha Shenjte filloi në orën 12:30 pm dhe u drejtua nga famullitari i Kishës së Shën Palit dom Fred Kalaj dhe Dom Dino Çekrezi. Kishin ardhur enkas për këtë rast nga Shqipëria drejtori i Radio-Marisë në Shkodër, dom Prek Lazri dhe Provinciali i Rendit Françeskan, Shkodër Mali i Zi, Patër Pashko Gojçaj. Asistoi po ashtu edhe xhakoni Aleksandër Stanaj.
Si jashtë zakonisht, kisha ishte e mbushur plot me besimtarë që ndoqën Meshën Shenjte që ju kushtua shpirtit të Dom Prenk Ndrevashës.
Fill mbas meshës, në oren 2 pm, besmtarët dhe adhuruesit e Dom Prenk Ndrevashës u mblodhën në sallën e Qendrës Kulturore Nënë Tereza, ku ishte pregatitur një drekë për të gjithë të pranishmit. Salla ishte dekoruar me ngjyrat kombëtare shqiptare. Në qendër të skenës një banderolë e madhe që shpallte seminarin, ndërsa në një anë të sallës ishte zbukuruar me ornamente të ndryshme dhe një fotografi e madhe e dom Prenkës.
Seminari Përkujtimor filloi punimet në orën 2:45 pm sipas programit të parapregatitur për këtë rast. Seminari u drejtua nga çifti Valentin dhe Merushe Lumaj, aktivistë të Kishës Zoja Pajtore.
Në fjalën e hapjes z. Valentin Lumaj ndër të tjera tha se janë shumë pak ata njerëz që jo vetëm me jetën por edhe me vdekjen e tyre sjellin jetë e dritë dhe bahen frymëzim për gjeneratat e ardhshme. Një ndër ta ishte Dom Prenka. Ai na la si trashëgim kujtimet dhe veprën e tij që asht sot udhëzim për ne dhe kishat tona se si të jetojmë me Zotin dhe me njëri tjetrin, si të drejtojmë komunitetin, si të rezistojmë në ditë të vështira, si të gëzojmë në ditë të mira. Ai ftoi të pranishmit që në fjalën e tyre të sillnin kujtimet më te mira dhe pozitive nga njoha e tyre me dom Prenkën.
Znj. Merushe Lumaj paraqiti te ftuarit e rastit që ishin:
Provinciali i françeskan i Nunciatës Shkodër- Mal i Zi, Patër Pashko Gojçaj, drejtori i Radio-Marisë Shkodër, Dom Prek Lazri, famullitarët e Kishës Shën Palit, Dom Fred Kalaj dhe dom Xhovani Kokona, ish famullitari i Kishës Shën Palit, dom Anton Kcira, famullitari i Kishës Zoja Pajtore, Dom Dino Çekrezi, profesor Lisandri Kola, xhakoni Aleksandër Stanaj, avokat Joseph Dedvukaj, si dhe shumë persona të tjerë të nderuar të komunitetit dhe miq të Dom Prenk Ndrevashës
Famullitari i Kishës Zoja Pajtore Dom Dino Çekrezi foli për veprat e mira të dukshme dhe trashëgiminë që ka nga Dom Ndrevashaj dhe përgjegjësinë për të vazhduar misionin meshtarak në gjurmët e tij. Dom Dino gjithashtu tha një lutje dhe bekoi Seminarin.
Dom Fred Kalaj bëri një histori të gjatë të kujtimeve të tij që nga femijëria dhe shkollimi i Dom Prekës në Seminarin Jezuit, koha në burg, arratisja e deri me njohja e tij me Dom Prenkën. Dom Fredi foli për vështirësitë e jetës, të guximit, vendosmërisë dhe devotshmërisë së Dom Prenkës. Foli gjithashtu për anën bamirëse të tij duke ndihmuar për dokumentimin e rreth 10 mijë shqiptarëve.
Pater Pashko Gojçaj u ndal në fjalën e tij në kujtimet që nga njohja me dom Prenkën i cili dha gjithçka për t’u bërë meshtar, jeta nuk e kurseu, u përballua me shumë probleme dhe vështirësi, por me ndihmën e Zotit të gjitha i përballoi.
Dom Prek Lazri në fjalën e tij tha se Dom Prenka kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme në jëtën e tij dhe suksesin e Radio-Marisë ja dedikoi kontributit të Dom Prek Ndrevashës.
Moderatori Valentin Lumaj lexoi një letër përshëndetje të dërguar nga shkrimtari Visar Zhiti, që titullohej “Para ikonës së Dom Prenk Ndrevashës” dhe fillonte me rreshtat: “Do të doja të sillja fjalët e nderimit tim ashtu si përuljen time para ikonës plot dritë të Dom Prenk Ndrevashaj te ju, pranë kishës “Pajtorja e shqiptarëve”, që ai themeloi në Miçigan…”.
Xhakoni Aleksandër Stanaj solli në kujtesë mbështetjen dhe shtysën që dom Prenka i dha atij në rrugëtimin e tij për ti shërbyer Kishës. Po ashtu ai falenderoi të afërmin e dom Prenkës, Ndrek Gurin për ndihmën qe i kishte dhënë.
Profesori i Universitetit të Miçiganit, Lisandri Kola në ligjëratën e tij përshkroi artin letrar dhe poetik të Dom Prenk Ndrevashës. Ai theksoi se vepra letrare e dom Prenkës asht e një rëndësie kombëtare dhe shtroi propozimin për organizimin, inventarizimin dhe dixhitalizimin e të gjitha materialeve arkivore të Dom Prenkës të ruajtura në Kishën e Zojës Pajtore.
Avokati i njohur shqiptar Joseph Dedvukaj solli përjetimet e tij me dom Prenkën. Ai tha se ishte dom Prenka që e motivoi të mësonte gjuhën shqipe kur i kishte thënë se “Zoti flet shqip”. Ai tha se babai i tij Shtjefën Dedvukaj dhe krejt familja e tij e kishin perkrahur dom Prenkë ne misionin e tij në Miçigan.
Gazetari dhe studiuesi Zef Përgega në fjalën e tij foli mbi korrespondencën e gjerë të Dom Prenkës me miqtë e tij. Z. Pergega lexoi dy letra këmbime origjinale të dom Prenk Ndrevashës me Imam Vehbi Ismajlin dhe baba Rexhepin..
Ndoc Lumaj në fjalën e tuj përmalluese tregoi disa kujtime të tij nga njohja e parë me dom Prenkën. Ndoc Lumaj tha se për nga vështirësitë, përkushtimi dhe pervuejtnia, Dom Prenka meriton te shpallet shenjt.
Aktivistja Huana Kurti shprehi mirënjohje ndaj Dom Prenkës për pritjen dhe ndihmën fillestare që i kishte dhënë mbas ardhjes së saj në Amerikë dhe tha se bamirësia e Dom Prenkës asht trashëgimia dhe modeli për të gjithë ne se si ti ndihmojmë njerëzit në nevojë.
Në vazhdim folën bashkëkohësit dhe adhurues të Dom Prenk Ndrevashës, Sopranoja Ermelinda Paparisto, Rita Gjelaj, Mark Gojçaj, Dom Xhovani Kokona etj.
Spikati fjala e gjatë me kujtime të jashtëzakonshme të bashkëpunëtorit të dom Prenkë Ndrevashës, Gjergj Vulaj, i cili mes lotësh solli përjetime që përmalluan të pranishmit.
Moderatorja Merushe Lumaj lexoi një pjesë nga ligjërata që kishte dërguar për këtë rast publicisti dhe miku i dom Prenkës, Frank Shkreli. Ndër të tjera z. Shkreli shkruante: “Ne sot kujtojmë Dom Prekën por, njëkohsisht, falë Dom Prekës, si udhëheqës, jo vetëm fetar, i këtij komuniteti, sot kujtojmë dhe festojmë edhe një histori të lavdishme arritjesh e suksesesh të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit…”.
Dr. Gjeka Gjelaj njoftoi të pranishmit se të gjitha ligjëratat, perjetimet, historitë, shkrimet dhe punimet e kësaj dite përkujtimore do të përmblidhen në një libër që do ti kushtohet Dom Prenkës.
Moderatori Lumaj thuri tribute per Famullitarin e pensionuar Dom Ndue Gjergji, pas ardhës i Dom Prenkës, si sherbëtor i denjë i Krishtit, vizionar dhe dhe patriot, i cili e rriti dhe e zhvilloi më tej Kishen e Zojes Pajtore.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë edhe për punën dhe kontributin e famullitarit të pensionuar Dom Anton Kcira, i cili ishte në sallë, si dhe falenderoi biznesmenin Pjetër Stanaj për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë ndaj
Kishës Zoja Pajtore qysh nga koha e Dom Prenkë, së dom Ndue Gjergjit dhe vazhdon të kontribuojë.
Në përfundim z. Lumaj falenderoi Këshillin e Kishës dhe harmoninënë mes anëtërëve te tij nën drejtimin e biznesmenit Pjerin Preka, nën kryetarin Marjan Gjetja, sekretaren Viktoria Dedivanaj dhe anëtarët, Vuksan Junçaj, Fran Shkreli, Gjeka Gjelaj, Ndrec Merditaj, Lekë Pecaj, Ylli Gilaj, Ferdinand Dedaj, Luigj Nilaj, Rrok Dedivani, Zef Përgega, Kolë Burgaj, Filip Skela, Gjokë Lucaj, Ednik Toma dhe Steve Lucaj.
Seminari përfundoi me sukses të plotë punimet dhe u mbyll në orën 5:30 pm.
Në orën 7 pm dyert e Qendrës Nënë Tereza u hapën përsëri për një darkë solemne me besimtarë dhe miqtë e dom Prenk Ndrevashës. Darka u moderua me profesionalizëm nga dr. Gjeka Gjelaj dhe bashkëshortja e tij Rita Gjelaj.
Dr. Gjelaj në fjalën e tij bëri një përshkrim në detaje të jetës së vështirë por të lavdishme të dom Prenk Ndrevashës qysh nga njohja e tyre në fakultet ne Romë, më pas me ardhjen e dom Prenkës në Amerikë dhe deri në pensionimin e tij. Dr. Gjelaj tregoi të pranishmëve dëshmi dhe përjetime të patreguara më parë, që nga kushtet e vështira të jetës së dom Prenkës dhe të vetë Kishës Zoja Pajtore dhe solli dëshmi mbi tentativat për zhdukjen fizike të dom Prenkës nga sigurimi komunist shqiptar.
Znj. Rita Gjelaj solli kujtimet e saj nga njohja me Dom Prenkën, mbështetjen dhe motivimin që ai i kishte dhënë asaj në vitet e para në Amerikë. Znj. Gjelaj bëri prezantimin individual të të ftuarve të nderit të vendosur në një banket të gjerë. Ajo solli në kujtësë një nga përkrahësit dhe krahu i djathtë i dom Prenkës, Vasel Dodaj, djali i të cilit ishte i ftuar në tryezën e nderit.
Dr. Gjelaj falenderoi në veçanti besimtarin e devotshëm dhe biznesmenin Lukë Dedvukaj për kontributin e madh që ka dhënë dhe vazhdon të japë për kishën e zojës Pajtore dhe të Shën Palit.
Në emër të disa familjeve malësore Junçaj, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Dom Prenkës dhe kanë ndihmuar në sikurimin e ndërtesës së kishës foli z. Tom Junçaj.
Në emër të familjes Dodaj, foli Gjergj Vasel Dodaj.
Në emër të bijve të Dukagjinit foli z. Cam Shkambi.
Në emër të familjes sinishtaj foli Nicholas Sinishtaj.
Përshendeti po ashtu edhe avokati Joseph Dedvukaj.
Në vazhdim u kënduan disa këngë patriotike përfshi një këngë kushtuar dom Prenk Ndrevashës dhe këngës “Na bashkoi Zoja Pajtore” me tekst të autorit Ramazan Ceka kënduar nga këngëtari Fran Lucaj.
Mbrëmja vazhdoi në biseda dhe kujtime dhe u mbydh me fotografi në grupe.
Të gjitha aktivitete në përkujtin të dom Prenk Ndrevashës u organizuan nën kujdesin e këshillave të Kishës Zoja Pajtore dhe Kishës së Shën Palit me mbështetjen financiare të miqve të Dom Prenk Ndrevashës.
Kronika nga Valentin Lumaj
10 Dhjetor 2024
Photo credits Mario Pergega
Komentet