Mbreti i tenorëve Luciano Pavarotti, zëri vibrues i lartësisë më të madhe të notave dhe cilësitë e përkryera prej shoumeni e bënë atë tenorin më të dashur dhe më të famshëm pas Enrico Caruso-s dhe një nga të paktët këngëtarë të operave që fituan famë botërore, vdiq të enjten, më 6 shator 2007. Ai ishte 71 vjeç.
Manaxheri i tij, Terri Robson, tha për AP-në një deklaratë të dërguar me postë elektronike se Pavarotti vdiq në shtëpinë e tij në Modena, Itali, në orën 5 të mëngjesit me orën e vendit. Pavarotti ishte diagnostikuar me kancer pankreasi vitin e shkuar dhe pati një trajtim mjekësor të mëtejshëm në gusht. “Maestroja (Mjeshtri) bëri një betejë të gjatë dhe të rëndë kundër kancerit pankreatik, i cili ia mori jetën atij. Në pajtim me sjelljen që e ka karakterizuar gjithë jetën dhe punën e tij, ai mbeti pozitiv deri në çastin e fundit të jetës,” thuhej në deklaratë. Për adhuruesit seriozë, bukuria e natyrshme dhe kthjelltësia trallisëse e zërit të Pavarotti-t e bëri atë interpretuesin ideal të repertorit lirik italian, sidomos në vitet 1960 dhe 1970 kur ai u ngjit për herë të parë në sferën e superyjeve. Për miliona adhurues, të kënduarit e tij magnetizues në nivele si ato në “Nessun Dorma” nga opera e Puccini-t “Turandot” arriti të përfaqësojë artin e vërtetë të operës. Në fakt, “Nessun Dorma” ishte edhe të kënduarit e fundit në skenë nga Pavarotti, pikërisht një ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Botërore, në Torino të Italisë, në shkurt të vitit 2006. Koncerti i tij i fundit me publik të plotë ishte në Taipei, kryeqytetin e Taivanit, në dhjetor 2005. Vdekja e tij është humbja e dytë monumentale për botën e operës muajt e fundit. Sopranoja amerikane Beverly Sills, popullariteti i së cilës ishte krahas atij të Pavarotti-t, vdiq më 2 korrik në shtëpinë e saj në Nju Jork. Ajo ishte 78 vjeçe dhe vuante nga kanceri.
Pavarotti rrezatoi një magji tejet të veçantë që e ndihmoi atë të fitojë zemrat e njerëzve, çka Placido Domingo dhe Jose Carreras – partnerët e tij në koncertet “Three Tenors” (Tre Tenorët”, nuk e arritën kurrë. “Unë gjithmonë e admirova lavdinë që Zoti ia kishte dhënë zërit të tij – atë ngjyrim të zërit që e kishte vetëm ai, duke e bërë që prej fillimit tenorin më të madh absolut,” tha Domingo në një deklaratë nga Los Anxhelosi. “Unë gjithashtu kam adhuruar shpirtin e tij të humorit në disa koncerte tonat me Jose Carreras – sa nuk na shkonte asnjëherë mendja se po jepnim koncert për një publik që kishte paguar, sepse ne ishim pa masë fansa të njëri-tjetrit,” tha ai. Pavarotti, i cili këndonte po me aq lehtësi sa me sopranon Joan Sutherland po ashtu me këngëtaret Spice Girls, u përball me akuzat se ai po e sacrifikonte artin e tij në të mirë të komercializmit. “Fjala komercial është saktësisht çfarë ne duam,” tha ai tek u shfaq në koncertet tejet të publikuara “Three Tenors”. Ne kemi arritur një publik prej 1,5 miliard vetash me operën. Nëse ju doni të përdorni fjalën komercial, apo ndonjë fjalë me kuptim më të keq, ne nuk na prish punë. Përdorni çfarë fjale të doni.”
Mund të thuhet pa drojë se Shekulli XX filloi me Enrico Caruso-n dhe mbaroi me Luciano Pavarotti-n. Tenorët e tjerë – përfshirë Placido Domingo – mund të kenë pasur më shumë vlerësimin e kritikëve për cilësitë artistike dhe tipare të tjera, por askush nuk mund të barazohet me ndërthurjen e talentit natyral dhe magjinë personale me të cilat Pavarotti magjepste publikun. “Pavarotti është superstari më i madh i të gjithëve,” ka thënë kritiku muzikor i New York Times, Harold Schonberg. “Ai e ka shpalosur veten më mirë se të gjithë të tjerët. Ata mendojnë se mund ta arrijnë gjithsesi. Por falë zërit të tij ai është i paarritshëm.”
Në periudhën e tij më kulmore, ai është njohur si “Mbreti i Kordave të Larta” (“King of the High C’s”) për lehtësinë me të cilat ai i arrinte edhe notat më të larta të të kënduarit. Në fakt ishte pikërisht kjo aftësi që e bëri atë superstar ndërkombëtar, tek këndonte arien e Tonios “Ah! Mes amis” në operën e Donizetti-t “La Fille du Regiment” në Operën Metropolitane të Nju Jorkut më 1972. Në vitet 1990, bashkimi i Pavarotti-t në ekip me Domingo dhe Carreras u bë një fenomen i industrisë së muzikës, çka çoi në disa kopjime, mes të cilëve më i suksesshmi ishte Three Irish Tenors. Pavarotti luajti në një film të quajtur “Yes, Giorgio”. Edhe pse filmi nuk pati sukses, ai e përfshiu tenorin në karrierën e Hollivudit dhe tenori u shfaq në versionin e filmuar të «Rigoletto ». Ai shkroi një autobiografi, “I, Luciano Pavarotti” (Unë, Luçiano Pavaroti) dhe bëri më shumë se 90 regjistrime muzikore.
Nga Pekini në Buenos Aires, njerëzit menjëherë e njihnin buzëqeshjen e tij inkandeshente dhe nurin e tij të përndritshëm, teksa mbante në një shami të bardhë dore duke kënduar arie nga operat dhe këngë folklorike napoletane, pjesüe tüe muzikës pop apo melodi të Kirshtlindjeve për qindra mijë pjesëmarrës të koncerteve. Emri i tij u lakua shpesh në kollonat e gossipeve pas ndarjes së tij me Adua Veroni, gruan e tij të 35 viteve dhe nënën e tri vajzave të tyre, dhe pastaj u martua me sekretaren e tij 26-vjeçare më 1996. Nga fundi i vitit 2003, ai u martua me Nicoletta Mantovani-n në një ceremoni tejet të bujshme dhe me praninë e superyjeve nga e gjithë bota. Pavarotti tha se vajza e tyre Alice, rreth një vjeçe kur ata u martuan, ishte arsyeja kryesore pse ai dhe Mantovani më në fund u martuan pas shumë vitesh bashkëjetese. Në pjesën e vonë të karrierës së tij, disa kritikë ia përmendën atë që ata e quanin prirje në rritje drejt komercialitetit dhe rëndomësisë. Ai u bë objekt fushatash për ndërprerjen e koncerteve apo për moszgjedhje të numrave të programit në koncertet e Three Tenors dhe u dënua me miliona dollarë gjobë.
Djalë i një bukëpjekësi dhe këngëtari amator, Pavarotti lindi më 12 tetor 1935, në Modena. Ai ishte i varfër, ndonëse thoshte ishte i pasur me lumturi. “Familja jonë ishte e varfër, por unë nuk mund ta përfytyroj pasurinë ndryshe,” thoshte Pavarotti. Kur ishte i ri, Pavarotti tregonte më shumë interes për futbollin se për studimet, por ai gjithashtu dëgjonte me babain të regjistruar tenorët e mëdhenj si Beniamino Gigli, Tito Schipa, Jussi Bjoerling dhe Giuseppe Di Stefano, ky i fundit më i pëlqyeri prej tij. Mes miqve të ngushtë të fëmijërisë ishte Mirella Freni, e cila gjithashtu u bë soprano dhe këngëtare e famshme e operës. Të dy studiuan për këngë së bashku dhe vite më vonë dhanë koncerte së bashku, thotë kritiku italian i operave Elvio Giudici. Kur ishte adoleshent, Pavarotti shkoi me babain, edhe ai tenor, në korin e kishës dhe në korin operistik lokal. Ai ishte i ndikuar nga këngëtari dhe aktori amerikan i filmave Mario Lanza. “Shikoja filmat e Mario Lanza-s dhe kthehesha në shëpi e filloja ta imitoja para pasqyrës,” tregonte Pavarotti. Të kënduarit nuk ishte më shumë se një pasion kur Pavarotti mbaroi shkollën për mësues dhe filloi të japë mësim në një shkollë. Por kur ishte 20 vjeç, ai shkoi me korin e tij në një garë muzikore ndërkombëtare në Uells. Grupi i Modenës fitoi vendin e parë, dhe Pavarotti filloi t’i kushtohet këngës.
Me nxitjen e së fejuarës Adua Veroni, ai filloi të marrë mësime me pagesë. Ai studioi me Arrigo Pola-n e më vonë me Ettore Campogalliani-n. Më 1961, Pavarotti fitoi një garë lokale të zërave të rinj me një debut në rolin e Rodolfos nga opera e Puccini-t, “La Boheme”. Ai vazhdoi një varg suksesesh në shtëpi të vogla operash nëpër Europë, para se të debutonte më 1963 në Covent Garden në Londër, ku zëvendësoi Di Stefano në rolin e Rodolfos. Duke i pasë bërë përshtypje dirigjentit Richard Bonynge, Pavarotti u bë partner me gruan e Bonynge, sopranon Joan Sutherland, në prodhimin e Maiemit të “Lucia di Lamermoor”. Ai nënshkroi një kontratë për një tur 14 javor në Australi. Kjo shënon fillimin e karrierës së tij. Ai e ndihmoi sopranon Sutherland si të rregullonte frymëmarrjen gjatë të kënduarit. Në vijim Pavarotti këndoi në La Scala të Milanos më 1965, San Francisko më 1967, dhe në Metropolitan Opera House të Nju Jorkut më 1968. Pastaj në Vjenë, Paris dhe Çikago. Gjatë karrierës u përball me mbipeshën aq të mediatizuar. Dashuria për ngrëniet e bënë atë të peshonte 190 kilogramë më 1978. “Ndoshta është koha të shqetësohem vërtetë,” tha ai në një përpjekje për të mbajtur dietë.
Pavarotti, arsimuar për tenor lirik, filloi të marrë role dramatike gjithnjë e më të vështira si Manrico në operën e Verdit “Trovatore” dhe rolin kryesor në “Otello”. Pavarotti shpesh u krahasua me Domingo-n, më të madhin bashkokohës të tij. Kritikët e vlerësonin Domingo-n si më të plotësuar, po ai kurrë nuk arriti lartësinë e Pavarotti-t. Edhe pse pati xhelozi profesionale mes tyre, Pavarotti thotë se i pëlqen të gjykohet vetëm për të kënduarit e periudha më kulmore të tij. Në mes të viteve1970, Pavarotti u bë një superyll I vërtetë mediatik. Ai luante në reklama të ndryshe dhe mbante koncerte fitimprurëse në stadiume gjigante në gjithë botën. Shpejt në koncerte e shoqëruan superyje të muzikës pop. Në një koncert në Central Park të Nju Jorkut me 1993 pati 500000 adhurues. Kënga “Volare” e kënduar nga Pavarotti fitoi platinum në tregun e industrisë muzikore me 1988.
Më 1990 u shfaq me Domingo dhe Carreras në koncert për mbarimin e finaleve të Kupës Botërore të Futbollit. Koncerti ishte sukses i jashtëzakonshëm. Videoja e koncertit shiti më shumë se 750000 kopje. Me një album regjistruar nga koncerti në Dodger Stadium të Los Anxheloist më 1994 ata tre arritën rekord të muzikës klasike. Në turin e vitit 1996 secili tenor fitoi nga $10 milionë. Pavarotti pëlqente të këndonte me yjet e muzikës pop në koncertet bamirëse “Pavarotti & Friends”, të cilin e mbante përvjet në Modena. Gjatë viteve të luftës së Bosnjës 1992-95 ai mblodhi ndihma humanitare me këngëtarin Bono, dhe pas luftës ai financoi Pavarotti Music Center në Mostar./Elida BUÇPAPAJ
MODENA, ITALIA DHE BOTA IA DHANË LAMTUMIRËN E FUNDIT TË MADHIT LUÇIANO PAVAROTI
Një arkivol prej dru panjo të bardhë rrethuar me trëndafilë të kuq, zambakë e lulediej, të parapëlqyera prej tij, në brendësi të katedrales së Modenës. Mjatas e djathtas familjarët, e shoqja Nicoletta e katër vajzat, ish gruaja Adua, miqtë më të ngushtë. Në orën tre fiks Ave Maria nga Otello, kënduar nga sopranoja, edhe ajo mike, Raina Kabaivanska, shënon lamtumirën e fundit Luciano Pavarotti-t. Ky është akti final i një nderimi të zgjatur tri ditë, ku të paktën njëqind mijë veta kanë marrë pjesë në sallën e homazheve dhe e gjithë bota e ka përshëndetur me emocione tenorin italian si njërin prej më të mëdhenjve në historinë e muzikës dhe të operistikës.
Yje të rokut, liderë politikë dhe adhurues për disa minuta rresht u ngritën në këmbë dhe duartrokitën pasi panë një filmim ku Pavarotti dhe babai i tij father Fernando këndonin së bashku hymnin Panis Angelicus.
Ceremonia u pasqyrua nga televizionet e të gjithë botës. Telekamerat përqëndroheshin shüesh në fytyrën e Nicoletta Mantovani-t, plot lotë. Ishte edhe një mesazh i vajzës së tij Alice, 4 vjeç, të cilën e ka pasur me Nicoletta-n, lexuar nga kryeipeshkvi Benito Cocchi – kryesuesit zyrtar të meshës – : “Babi, unë e di se më ke dashur shumë dhe e di se do të më mbrosh gjithmonë. Do të të mbaj përherë në zemrën time.” Një lutje në emër të tri vajzave të tjera të Pavarotti-t (të cilat i ka pasur me gruan e parë, Adua) është lexuar pak më parë nga një murgeshë: “Të falënderojmë Zot që na ke falur te një njeri me zë të fuqishëm për të prekur kordat e shpirtit.”
Në katedralen e Modenës ishin të pranishëm, mes tjerësh Kryeministri italian Romano Prodi, nënkryeministri Francesco Rutelli, ministrat Santagata e Parisi, ish Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan, numri një i FAO-s, Jacques Diouf, ministra e autoritete lokale. Po mbi të gjitha ishin të pranishëm miqtë e Big Luciano (të Madhit Luçiano), Placido Domingo, Jose Carreras, Bono, Jovanotti, Zucchero, Gianni Morandi, Carla Fracci, Caterina Caselli, sopranoja Mirella Freni, regjisori Franco Zeffirelli, The Friends me të cilët Pavarotti ia ka arritur, eksperiment i vetëm dhe ndoshta i papërsëritshëm, të përziejë muzikën pop, lirikën dhe operën.
Imzot Cocchi, para se të falënderonte të pranishmit, lexoi mesazhin kishëtar të Papës Benedikit XVI ku ka shkruar për “ndjenjën e dhimbjes për largimin e artitit të madh që me talentin e madh ka nderuar dhuratën hyjnore të muzikës”. Në momentin e përshpirtjes, Andrea Bocelli, i emocionuar, ka kënduar Ave Verum Corpus të Mozartit, duke marrë një duartroktije të gjatë.”
“Fjalët nuk shërbejnë – ka thënë Romano Prodi në fjalën e tij – ato që flasin janë emocionet dhe dhimbja, dhe gjithçka brenda nesh e rrotull nesh dëshmon se Luciano Pavarotti ka hyrë thellë në momentet e shumta të jetës sonë. Për mua është një nder i madh t’ia bëj nderimet gjenisë së tij dhe njerëzisë së tij në emër të krejt Italisë.”
“Ishte tenori më i madh i më të mëdhenjve, një njeri i madh, vdekja e tij është humbja më e madhe në nivel planetar,” thotë këngëtari Tony Renis. E Jovanotti, i emocionuar: “Edhe dielli sot duket se përshëndet madhështinë e Pavarotti-t.” Në dalje prej katedrales, pas lamtumirës me këngën Vincerò, ku spikat vargu “Al’alba vincero” (Në agim do të fitoj) grupi akrobatik i Shigjetës Tringjyrëshe (Frecce Tricolore) i ka bërë nderime Maestros duke krijuar me ngjyra jeshil, bardh dhe kuq në qiellin blu mbi katedrale flamurin italian. Pastaj trupi i tij është vendosur në varrezat e Montales, në lëndinën e Castelnuovo Rangone, pak kilometra larg qytetit Modena, ku Pavarotti prehet në varrin e familjes, me prindërit, me të birin Ricardo që lindi i vdekur.
—
THËNIE TË ADMIRUESVE TË TENORIT LUÇIANO PAVAROTI
“Zëri i Luciano-s ishte kaq jashtëzakonisht i bukur dhe përftimi i tij kaq natyral dhe i drejtpërdrejtë, saqë të kënduarit e tij foli kthjellët me zemrat e dëgjuesve, edhe kur ata nuk dinin asgjë nga gjinia e operës. Unë kurrë nuk do të harroj bukurinë magjike të atij zëri, por gjithashtu do të kujtoj shpirtin e ngrohtë, të njerëzishëm dhe të shëndetshëm të atij burri. Ai është, me të drejtë, një legjendë tashmë – një artist regjistrimet e të cilit do të jenë pikë referimi për këngëtarët dhe për adhuruesit e operës për shumë kohë në të ardhmen,” tha drejtori i muzikës i Metropolitan Opera , James Levine, i cili bashkëpunoi me Pavarotti-n në 139 koncerte në fillim të 1973.
——
‘”Ai ishte më i madh se jeta. Zemra e tij ishte e madhe sa zëri i tij. Ai ishte gjithmonë shumë shënës, dhe gjithmonë kishte një atmosferë pozitive në qenien e tij. Dhe kjo iu ndihmonte jo vetëm njerëzve që këndonin me atë, por edhe orkestrave,” tha Zubin Mehta, drejtor muzike i Orkestrës Filarmonike të Izraelit, i cili e dirigjoi Pavarotti-n në Romë dhe Los Anxhelos në koncertet “‘Three Tenors”.
——
‘”Pavarotti dha një ndihmesë të madhe jo vetën në muzikë dhe arte, por edhe për njerëzit në nevojë anembanë botës. Puna e tij për fëmijët – sidomos për ata të prekur nga konfliktet e armatosura – shtrirë nga Afganistani në Liberi e përtej. Duke mbajtur koncerte në skena dhe duke ftuar miqtë talente për grumbullim fondesh, ai dha miliona dollarë për ndihmë humanitare,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon.
——
‘”Ai gjithnjë më ka ndihmuar mua, më përkrahur në periudhat më të vështira të jetës sime, edhe në sëmundje të rënda. Ai ishte shumë i afërt me mua, ai më telefononte shpesh dhe më jepte gjallëri e humor,” tha tenori spanjoll Jose Carreras, beteja e të cilit me leuceminë e shpërndau treshen e tenorëve dhe koncertet “‘Three Tenors” me Pavarotti-n dhe Placido Domingo-.
—-
“Ndihmesa e tij historike që shtrihet nga muzika popullore te opera pa dyshim që do të jetë në zemrat e breznive të ardhshme. Shprehja muzikore që ai e paraqiti me dinjitet bëri që ai të meritojë respektin dhe admirimin,” tha Ricky Martin, i cili këndoi “Mamma” me Pavarotti-n 1999 në Modena, Itali, në përkrahje të fëmijëve të Guatemalës dhe Kosovës. Ata kënduan edhe “Vento” së bashku më 2003.
——
“Kam pasur kënaqësinë jo vetëm të këndoj me të në veprimtari bamirëse, por edhe të këndoj në vend të tij në Grammy Awards më 1998, duke kënduar “Nessun Dorma”. Unë përjetova një moment magjik dhe absolut kur ai u ngjit në skenë dhe më falënderoi për të kënduarit tim. Bota ka humbur një nga zërat më të mëdhenj të të gjitha kohërave,” tha Aretha Franklin.
——
“Sot u pushtova nga një trishtim i pafund, por unë e di se Luciano nuk do të donte që unë të ligështohesha… por do të donte ta kujtojmë atë me gëzim, duke dëgjuar zërin e tij që e këndoi me të njëjtin pasion si muzikën klasike edhe atë popullore,” tha këngëtarja folk argjentinase Mercedes Sosa, që këndoi me Pavarotti-n në prill 1999 në Buenos Aires.
——
“Ai i jetoi këngët, vepra e tij ishte përzierje e madhe gëzimi dhe trishtimi; sureal dhe tokësor njëkohësisht. Madje edhe kur zërit të tij i kishte rënë fuqia, cilësitë e tij të të kënduarit e bënë atë një gjigant midis të gjithë njerzëve të mëdhenj,” tha këngëtari i U2, Bono./ELIDA BUÇPAPAJ
Komentet