Edi Rama po tregohet i palodhur për të bindur qytetarët se Teatri Kombëtar duhet prishur, duke risjellë nëpër media deklarime dhe argumente pro shembjes së tij, të lëshuara njëherë e një kohë nga persona të njohur publikë, qofshin këta të gjallë, qofshin edhe të vdekur. Kjo sprovë e tij nuk mund të mos më çonte në disa kujtime të njëherë e një kohe kur Edi Rama fliste ndryshe.
Po përdor fjalën “fliste” dhe jo “argumentonte” apo “mendonte”, pasi sot, që e njoh më mirë, them se ato që mund të quhen mendime të Ramës, kanë qenë dhe janë thjesht ide të huazuara sipas interesave të rastit mbi parimin “përdor dhe hidh”. Mendova, megjithatë, t’i risjell në kujtesë, jo për të shtyrë Edi Ramën të rimendojë, pasi mekanizmi i mashtrimit dhe vetëmashtrimit është instaluar tashmë në mënyrë të pakthyeshme në psikikën e tij, por për t’iu drejtuar atyre që ai u drejtohet sot, nëpërmjet vetë Edi Ramës kur pozonte si intelektual që kërkonte të vërtetën dhe përçmonte politikanët, të cilët kërkonin votën dhe intelektualët shërbëtorë të regjimit të vjetër e të ri. Për këtë do të sjell disa nga kujtimet e mia të atyre viteve me Edi Ramën, që lidhen me urbanistikën dhe arkitekturën e Tiranës.
Një ndër kujtimet e para është kur biznesmeni shqiptar me origjinë nga Maqedonia, Vehbi Velia, kërkoi të ndërtonte një kullë në qendër të Tiranës, në sheshin prapa monumentit të diktatorit Hoxha, midis Bankës dhe Muzeut Kombëtar. Ai e kishte blerë asokohe atë truall dhe filloi lobimin për ta ndërtuar kullën e tij. Në një moment të caktuar, mua dhe Edi Ramës na u kërkua nga njerëzit e tij të firmosnim një tip peticioni, të cilin, na u tha, e kishin firmosur shumë intelektualë të shquar, me në krye Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin, me të cilët synonte t’i bindte autoritetet se ngritja e saj do të ishte një hap i madh përpara i Tiranës drejt modernizimit. Më kujtohet se e diskutuam firmosjen e këtij peticioni me Edi Ramën dhe argumenti ynë kryesor kundër, nga pikëpamja urbanistike – arkitektonike, ishte shprehja e habisë sesi mund të mendohet të ngrihet një kullë e tillë, që do të pengonte shikimin e malit të Dajtit e krejt kurorës së Tiranës. Sipas nesh, ndërtesat e larta do duhej të ngriheshin në periferi për të ruajtur edhe qendrën historike, edhe pamjen e kurorës. Kujtoj gjithashtu, se kemi folur me qesëndi për delirin e Vehbiut, i cili donte të përçudnonte qendrën, duke parashikuar madje edhe zhvendosjen nga pozicioni të Skënderbeut, si dhe për firmosësit e atij peticioni.
Një tjetër kujtim që dua të sjell është një bisedë që kam bërë me Edi Ramën, në kohën kur ky u bë ministër i Kulturës. Ishim në një sallë të katit të katërt të selisë së atëhershme (ishKomiteti Qendror), që shihte nga veriu. Nga dritaret e saj dukeshin dy kullat, e quajtura asokohe “të arabit”, kundër të cilave kishte folur e shkruar aq shumë Maks Velo, me argumentin se kishin masakruar perspektivën e bulevardit. Nuk më kujtohet nëse ishin mbaruar apo qenë në mbarim e sipër, por më kujtohet se Edi Rama më tha, duke bërë edhe gjestin me dorë, se ato duhet të priteshin, d.m.th. të mos kalonin lartësinë e ndërtesës së ish-Komitetit Qendror.
Jemi në kohën kur Rama emëroi si kryetar të Institutit të Monumenteve të Kulurës Artan Shkrelin, i cili kishte punuar e ishte specializuar në Itali për restaurim të monumenteve të kulturës. Në kohën kur ishim të tre miq e intelektualë pa pushtet, ky kishte botuar në revistën “Përpjekja” (anëtar i bordit të së cilës ishte edhe Edi Rama), një artikull të shkëlqyer, me bashkautor arkitektin Daniel Gjoni (edhe ky i thirrur më vonë nga Rama si bashkëpunëtor i tij i afërt në bashki), të titulluar “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX”. Aty sintetizoheshin krejt kritikat që ndanim asokohe ndaj politikave të deriatëhershme urbane – arkitektonike që po sillnin shkatërrimin e Tiranës historike, të hapësirave publike etj. Mes të tjerave, Shkreli së bashku me Gjonin, shpreheshin edhe kundër ekspansionit horizontal dhe vertikal të Tiranës. Citonin edhe historianin, kritikun e arkitekturës e planifikimit urban, filozofin që është marrë me efektet e teknologjisë në jetën njerëzore, Lewis Mumford. Citimi i zgjedhur kishte të bënte, pikërisht me ekspansionin vertikal: “… fillimisht, ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të gradaçielave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit, dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Shkreli dhe Gjoni shkruanin asokohe: “Kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar, sikurse po ndodh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare, dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen”. (“Përpjekja” 10, maj-gusht 1997).
Aq radikal ishte Shkreli në bisedat tona për sa i përket ruajtjes së trashëgimisë dhe identitetit, sa ankohej me të madhe se pse hotel “Rogneri” (që, gjithsesi, u projektua me kujdesin që të mos kalonte lartësinë e ndërtesave të Kryeministrisë dhe ishKQ) u ndërtua me material të dobët (parafabrikate e suvatim), çka e bënte të mos rrinte mirë krahas ndërtesa përbri të ndërtuara me material shumë më të çmuar. E pra, mbi këto ide e lançoi Rama veten e tij si ministër Kulture e më pas si kryetar bashkie. Premtimit të tij urbanistik – arkitektonik ia vuri emrin “kthim në identitet”, që e filloi me restaurimin e ministrive, me kthimin e aksit të bulevardit dhe ndërtesave rreth e pranë tij (përfshirë edhe Teatrin) në monument kulture si dhe pastrimin e kioskave.
Mirëpo, s’kaloi shumë dhe Edi Rama ndërroi lëkurë. Një ditë të bukur na u paraqit me një projektide për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të një kulle, që do të mbante brenda edhe një teatër. E kishte harruar fare se kullat në qendër pengonin shikimin e kurorës së Tiranës dhe se Tirana historike duhej kthyer në identitet. Asokohe, në një debat të organizuar në sallën e Teatrit, i pati thuajse të gjithë kundër. Me sa kujtoj, bënte përjashtim drejtori apo ish-drejtori Xh. Ferri dhe dy ndërtues të interesuar për kullën që qëndruan në fund të sallës, por që kujtoj se u bënë shumë agresivë ndaj meje, kur u mbyll debati. Për ironi, nga sharjet e kërcënimet e dhunshme të këtyre miqve të rinj të Ramës, më larguan asokohe Artan Shkreli dhe Artan Lame, të cilët me hipën në makinën e tyre.
Vazhdimin e dinë të gjithë. Sot, malin e Dajtit dhe kurorën e Tiranës që donte të mbronte Rama intelektual, mund ta shohin vetëm pronarët e kullave që ka ngritur Rama politikan nga katet e tyre të larta. Ndërtesat historike, një listë të gjatë të të cilave e bëri Shkreli dhe Lame asokohe me synimin për t’u shpallur të mbrojtura, janë gllabëruar ose zhvleftësuar nga monstrat njerëzore dhe arkitektonike të Ramës.
Shkreli dhe Gjoni dolën profetikë me artikullin e tyre ku paralajmëronin se ekspansioni horizontal dhe vertikal do të zhvillohej edhe “më tragjikisht në të ardhmen”, por jo dhe aq për rolin e tyre në këtë tragjedi. Ndoshta, në atë kohë nuk e kanë menduar se do të bëheshin vetë protagonistë të parë të kësaj tragjedie, por më shumë gjasa ka që, ashtu si kapua i tyre, idetë e “Tirana – ferri urban i fundshekullit XX” t’i kishin edhe ata të huazuara sipas parimit “përdor dhe hidh”. Sot, së bashku me Ramën e asaj kohe, edhe Shkreli e Gjoni i asaj kohe kanë vdekur, por meqenëse Rama i sotëm po na sjell edhe argumente të të vdekurve, vlen që edhe argumentet e këtyre të vdekurve të publikohen sot si kundërpeshë ndaj të vdekurve që Rama po na i ringjall si mbështetës të shembjes së Teatrit.
Artan Shkreli/ Daniel Gjoni
SHKRELI E GJONI, 22 VJET MË PARË/
Në funksion të analizës së tij, analisti Fatos Lubonja ka nxjerrë nga arkivi pjesët kryesore të një shkrimi të 22 vjetëve më parë, shkruar nga dy arkitektë: Daniel Gjoni dhe Artan Shkreli. Është viti 1997, Tirana dhe e gjithë Shqipëria është kioskëzuar dhe ndërtesat kanë filluar t’i marrin frymën çdo hapësire publike. Cili është qëndrimi i arkitektëve asokohe?
ARTAN SHKRELI & DANIEL GJONI
Politika urbane në Shqipëri përgjithësisht nuk u udhëhoq nga parime urbanistike. Nuk arriti të përvijohej ndonjë politikë ripërcaktimi territorial si në Çekosllovaki, një teori e zgjerimit të qyteteve ekzistuese pa asgjësuar bërthamat historike si në Rumani, një politikë planesh në nivel rrethi si në Bullgari apo ajo e krijimit të zonave rezidenciale me shtëpi të tipit vila private si në Hungari.
Ndonëse të ideologjizuara, këto politika patën në bazë të tyre edhe parime urbane të shkollave perëndimore.
[…] Në Shqipëri nuk ndodhi kështu, ato u ndoqën me një fanatizëm primitiv. Arketipi urban i qytetit shqiptar rezultonte pa karakteristika kulturore, gjeografike e historike (për shkak të eliminimit të kuartiereve të “vjetra”, që u zhdukën në emër të “së resë” dhe “luftës kundër mbeturinave të së kaluarës”) pa ngarkesa emocionale (për shkak të atrofizimit programatik të shpirtit krijues) e, mungesës së profesionalizmit në këtë fushë). Qytetet, në pjesën më të madhe të tyre, ishin të trishtuara, por, sidoqoftë, të rregullta, të pastra dhe pak a shumë në përputhje me normativat urbane të përcaktuara nga ligji.
Bashkia e vjetër e Tiranës, shembur në vitin 1980
Askush nuk imagjinoi atëherë se e keqja më e madhe për qytetet tona akoma nuk kishte ardhur.
Ndryshimet politike dhe për rrjedhojë eliminimi i faktorëve të sipërpërmendur, zgjoi shpresat për hartimin e një legjislacioni apo kodi urbanistik të detajuar, që duhej krijuar nga një bashkëpunim ekspertësh të huaj me eksperiencë në sektor dhe specialistësh tanë të fushave të arkitekturës, mjekësisë, sociologjisë, gjeografisë, agronomisë, policisë etj., mbi bazën e principeve të një qytetarie demokratike.
[…] Si rezultat kemi humbjen e kontrollit mbi territorin, e cila çon në degradim territorial. Te ne është ushqyer kryesisht nga dy faktorë bazë:
1. Mungesa e një Plani të Përgjithshëm Rregullues, të shoqëruar nga një legjislacion dhe një kod urban të përshtatshëm,
2. Permisivizëm ilegjitim e abuziv, si shprehje e impotencës së një organizimi të caktuar shoqëror për të frenuar korrupsionin në instancat e ndryshme të burokracisë shtetërore;
Këto mund të konsiderohen ndër simptomat më evidente të dekadencës së një shteti dhe shkallës së ulët të organizimit të një shoqërie. Kjo gjë vihet re fare qartë në mungesën apo mospreokupimin për një politikë të përcaktuar urbane në pothuajse të gjitha programet e grupimeve politike shqiptare, gjë që domosdoshmërisht do të shpjerë në krijimin e ekzekutivëve të paaftë për t’u përballuar edhe me problemet më klasike urbane si strehimi, trafiku, higjiena, infrastruktura, shërbimet etj.
Mosthellimi në këto problematika solli tragjedinë urbane, aktor i së cilës është çdo kryeqytetas e çdo shqiptar. TIRANA ËSHTË FERRI URBAN I FUNDSHEKULLIT XX, një shembull manuali “par excellence”, objekt interesant studimi nga ana e urbanologëve, politikanëve dhe legjislatorëve.
Sheshi në vitet ‘40
* * *
[…] Shkaqet janë të shumta e të njohura, por mungesa e respektimit të së drejtës në raport me komunitetin (qytet apo kuartier) ose me individin sjell pashmangësish përdorimin jokorrekt të territorit. Ky përdorim jokorrekt çon në humbjen e kontrollit mbi këtë territor, duke vënë në dyshim jo vetëm efikasitetin e politikave urbane, por edhe ekzistencën e vetë shtetit, parë në kuadrin ligjor. Anarkia është produkti më i natyrshëm dhe lehtësisht i vërejtshëm në shoqërinë e sotme shqiptare, ku rregulli konsiderohet si një përjashtim.
* * *
Te ne, bonum commune nuk është përcaktuar nga një politikë që ka në bazë të saj kulturën urbane, por nga një politikë që konsideron si parësore dhe të vetme vetëm vlerat materiale në kuptimin negativ të shprehjes. Kjo gjë bëri që njerëzve t’u lindin (e t’u nxiten) ide të gabuara mbi të drejtën, demokracinë, lirinë dhe tregun. Ideja se mund të blihet dhe të shitet çdo gjë gjeti shprehjen ideale në zgjerimin intensiv (si fazë e parë, e cila akoma nuk ka përfunduar) dhe atë ekstensiv (gjë që ka filluar të vihet në zbatim, sidomos nga investitorët e fuqishëm e që akoma nuk është bërë karakteristike) të qytetit.
“Kapitalizmi” i 3-4 viteve të fundit “u mësua ta konsiderojë” parcelën e vogël, bllokun hapësinor të banimit, parqet, rrugicat dhe bulevardet si njësi abstrakte që blihen dhe shiten pa marrë parasysh traditat historike, kushtet topografike, nivelin e urbanizimit apo nevojat shoqërore. Dhe jo vetëm kjo, por ideja se toka është e imja dhe me të bëj ç’të dua, mposhti çdo rezistencë institucionale dhe u rrënjos si diçka normale (gati-gati ligjore) edhe në mentalitetin e shtresës drejtuese shqiptare. Natyrisht që kjo nuk ndodh vetëm për paaftësi, por kryesisht për shkak të një kompromisi të heshtur njerëzish (publikë e privatë) të lidhur me fushën në fjalë, që për t’i hequr kalit të ngordhur patkonjtë, hoqën dorë nga planet e vjetra rregulluese (e duke zvarritur përpilimin e PPR të ri) nën alibinë e paaplikueshmërisë së planeve socialiste rregulluese dhe mosadaptueshmërinë e tyre për kushtet e reja.
Kështu, në pjesën më të madhe të ndërhyrjeve urbanistike apo ndërtimeve, nuk merren parasysh nevojat dhe aktivitetet njerëzore, por vëmendja përqendrohet vetëm në ato njësi apo pjesë, të cilat mund të blihen ose shiten. Njësia bazë tani nuk është më blloku ose lagjja e banimit, por sipërfaqja e veçantë e ndërtimit, vlera e së cilës mund të çmohet në bazë të metrave katrore dhe numrit të apartamenteve që shiten e që, për efekt të shfrytëzimit maksimal, shpeshherë kompozohen në projekt me sasira minimale ajri dhe drite.
Sheshi Skenderbej sot
Për shkak të këtij kompromisi të heshtur, nuk gjendet askush që të protestojë pasi të gjithë ndodhen në të njëjtin pozicion përfitimi: qoftë arkitektët e inxhinierët që bëjnë projektin, qoftë spekulatorët që shesin, qoftë noterët apo avokatët që përpilojnë aktet, qoftë ndërmarrjet e ndërtimit, qoftë imobiliarët që kontraktojnë e deri te funksionarët e shtetit që korruptohen për shkak se shesin fuqinë e tyre mbi lejet e shesheve apo ndërtimeve (kjo në rastin më të mirë kur këto bëhen me leje – në rast të kundërt e njëjta gjë vlen dhe për organet administrative te kontrollit dhe ato të policisë ndërtimore).
Vetëm kështu, territori urban mund të shndërrohej në një mall, vlera e të cilit përcaktohet jo vetëm nga tregu, por dhe nga shkalla e korrupsionit. Tani po asistohet në fenomenin e trajtimit të terreneve vetëm nga pikëpamja e fitimit, pa u marrë në konsideratë elemente të rëndësishme profesionalr si trafiku, orientimi, drejtimi i erërave, peizazhi urban, dendësia e popullsisë etj.
* * *
Qyteti i viteve ‘90, jo vetëm që nuk arriti të prodhojë të paktën ndonjë kuartier rezidencial të privilegjuar, por shkatërroi dhe të vetmin ekzistues në Shqipëri: ish-bllokun, që tani po transformohet në një kuartier popullor.
Justifikimet morale “de facto” të këtij shkatërrimi janë të shumta, por një ndër më të rëndësishmet konsiderohet bumi demografik që godet pa mëshirë Tiranën e viteve ‘90. Ardhja e pakontrolluar e mijëra dhe mijëra familjeve brenda një harku të shkurtër kohor nuk është shoqëruar kurrë me masa shtetërore për të zbutur dhe kontrolluar sa më tepër këtë impakt që po rezulton shkatërrues.
* * *
Kuartieret që sot po lindin jashtë kontrollit e po dendësohen jashtë një plani logjik urbanistik, do të jenë problemi i së nesërmes për një sërë patologjish urbane që njihen mirë nga eksperienca botërore, por dhe lehtësisht të imagjinueshme duke parë se ç’po ndodh në Tiranë. Do të ndodhë që nuk do të gjendet hapësirë që qyteti të ndërtojë godinat e tija publike, pasi nuk mund të bëhet kjo gjë pa blerë dhe ruajtur terrene shumë kohë më parë se të paraqitet nevoja; do të ndodhë që nuk do të gjenden më hapësira për parkim dhe qarkullim; do të ndodhë që higjiena do të mbesë e komprometuar edhe pas ndërhyrjesh serioze që dikur edhe mund të ndërmerren; do të ndodhë që kriminaliteti të mos kontrollohet në kuadrin e normalitetit. Zonat urbane që po lindin jashtë kontrollit dhe kuadrit ligjor do të jenë problemet e së nesërmes. Që tani është bërë i pakontrollueshëm degradimi i jetës sociale dhe rritja e krimit në kuartieret e tronditura nga urbanizimi i paplanifikuar.
Pamje nga Tirana
* * *
Përdorimi i ashensorit po rrit edhe vertikalisht qytetin (ekspansion vertikal). Lewis Mumford për këtë thotë se “… fillimisht, ky ekspansion ndodhi në qytetet më të mëdha, por gabimet radikale që u bënë në periudhën e ideimit të gradaçielave, tani janë përhapur në të gjithë universin, pak nga përgjumja e organeve të kontrollit dikur shumë të rrepta, pak nga kërkesat komerciale, pak nga dëshira për të ndjekur modën e pak nga dëshira e arkitektit për të përdorur teknologjitë e reja”.
Kështu, kombinimi i ekspansionit horizontal me atë vertikal po prodhon përfitimet maksimale në kurriz të një mjedisi të pafuqishëm për të rezistuar pa u degraduar sikurse po ndodh realisht në Tiranë dhe qytetet e tjera shqiptare dhe për më tepër do tentojë të ndodhë akoma më tragjikisht në të ardhmen. Trafiku kaotik është i pranishëm nën dritaret e secilës shtëpi, pasi numri i automobilave nuk varet më vetëm nga sipërfaqja që zënë godinat, por dhe nga lartësia e tyre. Në këtë mënyrë, mungesa e hapësirës së lëvizjes ka bërë atë që zona gjithnjë e më të mëdha të qytetit të shndërrohen në rrugëza, në sheshe të ndyra parkimi, rrugë kalimi makinash, garazhe apo varreza automjetesh.
Tirana sot
Të parat që u nënshtrohen modifikimeve masakruese janë ato zona historike (me dendësi të ulët ndërtimesh), që kanë mbetur gjysmë të rrënuara nga e kaluara. Pas një procesi asgjësimi me natyrë ideologjike që pësuan këto kuartiere gjatë viteve të diktaturës, tani po i nënshtrohen një tjetër procesi që asgjëson dhe memorien e tyre (amnezi urbane) e që ka natyrë komerciale. Kujtesa historike e lagjeve, parqeve të lojërave, atyre të gjelbëruar, pikave të takimit të njerëzve po humbasin me një shpejtësi tronditëse. Gati askush nuk i gjen më kopshtet e fëmijërisë, shkollat, parqet ku ka shëtitur në mbrëmjet e dashurive rinore, fushat e sportit ku ka luajtur, shtëpitë e vjetra të gjyshërve etj. Përmasat e kësaj katastrofe shpirtërore janë akoma të pallogaritshme. Bile, as godinat, rrugët, lagjet apo qytetet “e ruajtura” nga shteti nuk i kursehen kësaj shfarosjeje të grimcave të fundit të kujtesës dhe kulturës sonë materiale.
Duket se të gjithë janë çmendur dhe se askush nuk shqetësohet për faktin elementar se e ardhmja përcaktohet në një masë të madhe nga e kaluara.
Në zona të tëra po eliminohen parqet dhe sheshet rekreative – dhe ky është një skandal; po priten pemë të vjetra e dekorative – dhe ky është një tjetër skandal, po prishen godina që transmetojnë një kujtesë të çmuar të së kaluarës – dhe ky është një skandal; po komprometohet gati në mënyrë të parikuperueshme peizazhi urban – dhe ky është një nga skandalet e skandaleve. Dhe të gjitha këto nuk janë vepër e privatëve zotërinj, të gjitha këto janë vepër ekskluzive e shtetit shqiptar, e politikanëve shqiptarë, e profesionistëve shqiptarë të fushës.
Gafat janë të panumërta: kioskëzimi neveritës që arrin kulmin në parkun “Rinia”; mbyllja përfundimtare e kompleksit të lojërave për fëmijë në hyrje të Rrugës së Elbasanit (madje, kjo duhet konsideruar vepër penale dhe krim kundër fëmijëve); zhdukja e ndërtesave të Tiranës së viteve ‘20–‘30, mjaft interesante nga pikëpamja kulturore e artistike, shembull tipik i një stili eklektik (si në rastin e ish-jetimores në Rrugën e Kavajës); për të arritur në nivele të pakonceptueshme, si ngritja e një megagodine për Bankën e Kursimeve të Degës së Tiranës, gjë që solli “coup de grace” së pari për Hotel Internacionalin – dëshmitar i jetës politike të periudhës së Mbretit Zog dhe hotel që me imazhin dhe historinë e tij të “Belle Epoque” shqiptare meritonte një restaurim shkencor dhe një rikuperim “alla francaise” të sheshit përpara tij deri në trotuarin e rrugës së Kavajës, së dyti, nxjerrjen krejt jashtë loje të godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, shembulli më i shkëlqyer i neoklasicizmit në Shqipëri. Mund të renditen këtu me dhjetëra e dhjetëra shembuj të shëmtuar që nuk i lejon hapësira e këtij shkrimi, por nuk mund të lihet pa përmendur krimi që po bëhet në kurriz të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga një godinë shumëkatëshe që pret për t’u ndërtuar pak a shumë përballë Kryeministrisë, godinë që me lartësinë e saj do të “thyejë” vazhdimësinë e qetë të bulevardit dhe do dëmtoje rëndë perspektivën e tij duke krijuar një pikë frakture që vizualisht shkurton distancën. Ç’gabim i rëndë ky qoftë edhe për profesionistët më pak largpamës. Do të ishte njësoj si të ndërtoje një gradacielë në mes të Champs Elysee-se në Paris_.
Ç’është më e keqja, me ç’shihet, ky është vetëm fillimi. Nëse vazhdohet me këtë politikë urbane, Tirana nuk do të ketë më parqe lojërash për fëmijët e saj për shkak të çmimeve të larta të terrenit të tokës e, si rrjedhim, rrugët gjithnjë e më tepër do të fitojnë një rëndësi që nuk duhet ta kenë. Ato tani do të shndërrohen padrejtësisht në “parqe”, në “vende shëtitjeje” dhe “fusha loje”, por fatkeqësisht do të jenë parqe të zvjerdhura, vende shëtitjeje plot baltë ose pluhur dhe fusha lojërash të rrezikshme.
Pakkush, ose askush, preokupohet për faktin elementar se një qytet nuk mund të kontrollojë zhvillimin e ekspansionit të tij nëse nuk kontrollon ndryshimet dhe zhvillimin e territorit të tij. Nga sa shihet, gjithkush ka të drejtë të mendojë se qyteti shqiptar me politikën dritëshkurtër e sharlatane të klasës drejtuese ka pushuar tashmë së konsideruari si një institucion publik, por përkundrazi, po funksionon si një ndërmarrje tregtare private, që preokupohet të garantojë vetëm përfitimet më të mëdha pa përjashtime apo skrupuj.
Spekulimi i shfrenuar dhe i pakontrolluar po varfëron deri në pika kritike nivelin higjenik të mjedisit. Higjiena urbane kërkon domosdoshmërisht madje me urgjence, hapësirat ligjore të saj, pajisje bashkiake dhe rezerva të tjera që janë neglizhuar.
Në asnjë vend të botës, furnizimi me ujë, heqja e plehrave dhe mbeturinave, si dhe pastrimi i gropave të zeza nuk i është lënë në dorë iniciativës private për arsyen e thjeshtë se aktivitete të tilla nuk mund të sigurojnë fitime që ta tërheqin privatin. Kjo gjë vlen akoma më shumë për kushtet aktuale ekstreme, në të cilat ndodhet higjiena urbane e kryeqytetit shqiptar.
* * *
Ajri rezulton akoma më i pashëndetshëm. Monoksidi i karbonit helmon përditë mushkëritë e njerëzve në çdo pikë të qytetit. Askush nuk e di se sa është sasia e tij në ajër sepse nuk ekzistojnë pajisje që ta matin atë, por dihet me siguri që në distancë kohore ai bashkë me mishelën e pluhurave dhe pezullive që qelbin ajrin e Tiranës, do të shkaktojnë shumë më tepër viktima sesa plumbat e gjithë kalashnikovëve të marrë së bashku. Specialistët e sektorit janë të bindur për këtë.
Niveli i smogut që ka arritur Tirana nuk i skandalizon njerëzit, sepse askush nuk u ka bërë të ditur atyre për rrezikshmërinë e tij, por kjo është njësoj si të jesh i sëmurë me kancer dhe të rrish i qetë sepse nuk e di një gjë të tillë. Pa njohje të problemit nuk mund të ketë terapi të tij. Dhe pa një impenjim human, politik dhe ekonomik nuk mund të njihen e të zgjidhen probleme të tilla të një rëndësie kapitale për një shoqëri civile.
Situata rëndohet më tej dhe bëhet skizofrenike nëse kemi parasysh dhe nivelin e zhurmave në akset kryesore të qytetit. Bëhet fjalë për një helmim të vërtetë akustik pasi është provuar se zhurmat provokojnë ndryshime të mëdha fiziologjike dhe disa sëmundje si ulcera gastrike dhe hipertensioni arterial të cilat mund të rëndohen në një mjedis të mitraluar nga zhurmat e burive dhe motorëve të makinave. As për këtë nuk ekzistojnë impiante apo indikatorë që të matin nivelin akustik të zhurmave në pika të ndryshme të qytetit. Pajisjet për këtë nuk janë të shtrenjta (sikurse ato për ta shëndoshur këtë situatë), por mungon preokupacioni i administratave dhe sensibilizimi i opinionit publik që e lejon këtë gjendje të shkojë përpara.
Zhvillimi kaotik nuk merr parasysh as minimalisht transportet*, duke prodhuar pashmangësish parregullsi të mëdha urbane. Sot nuk ekziston praktikisht diferencë ndërmjet rrugëve kryesore dhe jokryesore dhe aq i pazgjidhur është sot trafiku saqë praktikisht Tirana është në gjendje kolapsi. Shpesh rezulton më i shpejtë spostimi në këmbë nga unaza në qendër sesa me makinë (sidomos në orët e mëngjesit), pasi të gjitha flukset e hyrjes së makinave në qytet përplasen në dy-tri akse që nuk janë në gjendje t’i përballojnë ato dhe për më tepër nuk janë projektuar për një gjë të tillë. […]
* * *
Kurrsesi nuk duhet menduar se privatët janë shkaktarët e një gjendjeje të tillë. Ata duhet të kërkohen në politikat e mbrapshta që e spostojnë shoqërinë shqiptare si lavjerrësin e Foucault-së nga një komunizëm paranojak në një individualizëm të shfrenuar. Pas 45 vjetësh të një ekonomie të centralizuar dhe planifikuar, liberizmi u pa si liri për të bërë gjithçka dhe ishte pikërisht ky liberizëm dhe ky permisivizëm që e bëri Tiranën një Las Vegas në mizerje; ku në vend të krenarisë për gjelbërimin e qytetit, për Universitetin dhe institucionet publike i dha turpin e shndërrimit të Pallatit të Kulturës në bingo. Asgjë nuk mund ta dëmtonte më tepër imazhin e iniciativës private, që duhet të lindte se sa mungesa dhe preokupacioni i politikanëve për t’u marrë ca më seriozisht me problemet urbane dhe e profesionistëve të fushës që të protestonin ca më tepër për një politikë urbane në shërbim të të gjithëve. Politika, më tepër se luftë ndërmjet kundërshtarësh, duhet parë edhe si një analizë për zgjidhjen e problemeve individuale dhe të grupeve.
Dëshpëruese është se fëmijët e kryeqytetit rriten me urrejtjen dhe repulsionin për këtë mjedis, për Tiranën për Shqipërinë dhe nihilizmin për çdo gjë që bie era Shqipëri. Urbanistika është parë nga iluministët gjithnjë me prioritet dhe është trajtuar si një diskutim i hapur mbi edukatën. Kioskëzimi apo jo i Place de la Concorde ka të njëjtën peshë me edukimin ose jo të fëmijëve se nuk është mirë të vjedhin. Dhe kjo është e natyrshme pasi në bazën e urbis qëndron dhe duhet të qëndrojë koncepti i bonus commune. Humbja e vlerave në një mënyrë apo një tjetër është e lidhur edhe me degradimin e mjedisit urban dhe për rrjedhojë uljen e nivelit të konceptimit politik për të ardhmen. Dhe kjo përkthehet në atë që qytetet dhe periferitë e tyre paraqesin një degradim kaq bombardues këto vite saqë banorët e Tiranës kanë humbur ndjeshmërinë ndaj kësaj mynxyre dhe jo vetëm ata, por edhe profesionistët dhe njerëzit e kulturës, të cilët ndoshta mund të ndikonin diçka në këtë drejtim – deri sot shpesh i kanë pranuar këto skandale me indiferencë.
Ky është një rreth vicioz i vështirë për t’u krijuar dhe akoma më i vështirë për t’u prishur. Në Shqipëri, ky rreth në një masë të madhe është krijuar. I takon klasës udhëheqëse që ta konsiderojë qytetin më së fundi si problem të theksuar politik. I takon politikanëve të programojnë një PPR, t’i rijapin qytetit gjelbërimin e humbur, diellin e humbur, qiellin e pastër, ajrin, ujërat, të marrin nën mbrojtje çka mund të mbrohet akoma, të sigurojnë urbanizime në toka të shëndetshme për kuartieret e reja të banimit, për të cilat njerëzit kanë aq nevojë, të zgjidhë sistemin e transporteve, të përmirësojë shërbimet në qytet: shkollat, ambulancat, urbanin, telefoninë, ujin, elektrikun, ngrohjen; të ruajë kurorën e gjelbëruar nga prerjet dhe ndërtimet; të pengojë me çdo kusht betonizimin e kodrave të Tiranës si një pasuri kombëtare dhe individuale; t’i verë fre abuzivizmit në ndërtim dhe të ndëshkojë ashpër, pa dallim e këdo që nuk e konsideron qytetin si institucion publik Nëse nuk do të shpresonim për një gjë të tillë, nuk do t’i shkruanim këto rreshta.
Vetëm revolta dhe rezistenca e opozitës bashkë me qytetarët mund ta rrëzojë këtë qeveri, që e ka lakun në fyt.
Shteti është zhytur në afera korruptive dhe ka rënë, kurse zgjidhja do të ishin dorëheqja, qeveria teknike dhe zhvillimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën kohë, lokaleve dhe të përgjithshme.
Kështu tha sot në studion e “News 24” ish-deputeti Lefter Maliqi. Ai e sheh suksesin e opozitës vetëm tek bashkimi dhe përballja, sepse në të kundërt Rama nuk ngopet me pushtete dhe do i kapë të gjitha.
“Sot do jetë vendimmarrje, revoltë popullore. Qeveria ka rënë, duhet vetëm qëndresë qytetare dhe opozitare e fortë. Së shpejti do të dalin edhe informacione e përgjime të reja të Ergys Agasit dhe të tjerëve dhe përgjimet që ai ka bërë”, tha ish-ligjvënësi, njëkohësisht kandidat për deputet i opozitës në disa zgjedhje në qarkun e Beratit.
Maliqi e konsideron situatën alarmante, kurse qeveria ka si plane të saj vetëm të përçajë opozitën, siç bëri me Berishën dhe Metën. Sipas tij, kjo qeveri nuk ka as mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-ve.
“Jemi në një situatë alarmante, shpopullim masiv, tenderët janë përqendruar në një grup të qeverisë. Duke blerë McGonigalin dhe përçarë PD-në. Duke futur në burg zotin Meta dhe duke vënë nën arrest liderin e opozitës Berisha, këto janë mënyrat e kësaj qeverie. Opozita e dha një shenjë bashkimi që në zgjedhjet e pjesshme lokale të nëntorit. Por ka edhe parti të tjera që duan të faktorizohen, si Lapaj dhe Shehaj, dhe mirë bëjnë, sepse edhe ato kanë nevojat e tyre”, vijoi ai.
Maliqi shtoi se qëllimi i opozitës duhet të jetë vetëm rrëzimi i qeverisë nëpërmjet dorëheqjes dhe synimi i një qeverie teknike që çon drejt zgjedhjeve të reja.
“Por synimi është dorëheqja e qeverisë Rama dhe Ballukut, qeveri teknike për një vit dhe më pas zgjedhje lokale dhe të përgjithshme në një kohë. Qëllimi është rrëzimi i kësaj qeverie. SHBA-të nuk i kanë bërë asnjë urim qeverisë Rama për zgjedhjet e 11 majit, ka lidhje të pushtetit me krimin e organizuar, niveli i lartë i korrupsionit. Rezolutën popullore nuk e ndalojnë dot”, tha ish-deputeti.
Ai informoi edhe për zhvillimet e fundit nga dosja e bujshme e AKSH-it, ku vuri theksin tek përgjimet që ka bërë i akuzuari nga SPAK, Ergys Agasi, por edhe tek aferat e zv/kryeministres Belinda Balluku, që gjithashtu sipas tij, mban peng kryeministrin me mesazhet e saj.
“Rama nuk ngopet me pushtet dhe kërkon që t’i marrë të gjitha. Kur Ergys Agasi ka bërë gjithë këto përgjime, imagjinoni se çfarë përgjimesh ka bërë Balluku, mjafton të shohësh edhe mënyrën se si komunikon, duke i thënë “palloshi i gjatë”. Atij i është afruar laku, tani po hetohet edhe AKSH-i, i kanë ikur shefat e kabinetit dhe po i hetohen. Ai po kërkon të mbrojë veten e tij me çdo kusht”, përfundoi Maliqi.
Qytetarët duhet të ishin ngritur në protesta në të gjitha qytetet e vendit dhe jo vetëm në Tiranë, përballë këtyre skandaleve qeveritare me abuzime në tenderë, buxhetin e shtetit dhe madje dyshimeve për lidhjet me krimin e organizuar.
Kështu shprehet analisti dhe gazetari Agim Baçi në studion e “News 24”, disa orë para protestës kombëtare të Partisë Demokratike, që do mbahet në orën 18:00 para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e qeverisë pas skandaleve të zv/kryeministres Belinda Balluku.
“Duhet të kishim jo thjesht një protestë sot, por disa protesta mbarë shqiptarë, kur dalin ato përgjime ku implikohen zyrtarë të lartë, deri edhe te krimi i organizuar dhe grup i strukturuar kriminal. Shqiptarët duhet të kishin treguar refuzimin e tyre ndaj talljes, ndaj vjedhjes. Partitë politike mund të organizojnë dhe kanë tagër për protesta, në të gjithë vendin, por nëse do të shkojë deri te qeveria, e ka në dorë opozita. Mosbindja civile nuk shkoi siç duhej, pasi nuk prodhoi asgjë. Mund të kenë ndarje për shumë gjëra, PD dhe Lapaj, por për protesta, kauza është e njëjtë. Protestat janë për të rregulluar jetën e brendshme të partive”, tha ai.
Analisti nënvizoi se jo domosdoshmërisht protestat sjellin rrëzime qeverish, por krijojnë frymë qytetare, ku populli refuzon vjedhjet e zyrtarëve dhe u përgjigjet, por ai mendon se opozita ka problemet e saj, të cilat ndikojnë edhe në pjesëmarrjen jo të lartë.
“Në 21 janar nuk u rrëzua qeveria, edhe pse ndodhi ajo që ndodhi. Pse kjo pengesë dhe mospjesëmarrje në protestat e thirrua nga PD. PD nuk ishte e sinqertë me votuesit e vetë. Nuk bëri një analizë të fortë për zgjedhjet e 11 majit. Populli kur përmbys diçka, kërkon diçka tjetër. Por a nuk e ka kuptuar populli që Rama ka shkelur Kushtetutën? Populli ka përgjegjësinë e vetë, që mos të duartrokasë atë që e vjedh dhe mos të adhurojë atë që bën të fortin. Por përse nguron që të shoh opozitën si forcë fituese? Ja rrëzoi Ramën, thotë populli, por kë do të mbështesë?! Ne duhet të jemi kritikë ndaj pamundësisë që ka treguar opozita për t’u kthyer në një qeverisje alternative”, vijon Baçi.
Ai vë theksin tek përfshirja e sa më shumë qytetarëve përballë kësaj situate dhe tek një analizë e fortë brenda opozitës.
“Populli duhet të kishte reaguar ndaj këtyre shkeljeve. Nuk mendoj dot se ka shpjegim tjetër se përse nuk ka dorëheqje, shkarkime dhe largime!”, tha ai.
Baçi nënvizon se në fund të fundit luftën me padrejtësinë dhe shkeljet po e bën Drejtësia, por nuk është ajo që votohet në fund, por partitë, të cilat nga ana e tyre nuk krijojnë frymëzimin e duhur në popull, ndoshta edhe për shkak të mungesës së një transparence me mbështetësit, sidomos pas 11 majit.
“Kjo duhet të ishte një protestë pa nxitjen e Berishës apo të Agron Shehajt e Lapajt, qytetarët duhet të ngrihen vetë. Protestat janë gjithmonë të rëndësishme. Pyetja është pse kjo mospjesëmarrje në protestat e PD-së. Besoj se kjo vjen nga mungesa e analiza e thellë brenda PD-së për zgjedhjet e 11 majit dhe mungesa e sinqeritetit me mbështetësit e saj. Këta presin se çfarë do bëjë SPAK, por SPAK nuk votohet, Dumani nuk votohet dhe as Braho. Ndryshe kjo situatë kthehet në normalitet. Qytetarët duhet të refuzojnë talljen që u bëhet”, tha ai.
Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për Neës24 detaje nga dosja hetimore ku janë regjistruar bisedat mes Ergys Agasit dhe Ermal Beqiraj dhe Mirlinda Karçanajn.
Regjistrimet janë bërë me kamera të vendosura në zyrë, e lidhur gjithashtu me telefonin.
Videot janë pamje filmike të ruajtura nga Agasi, megjithatë ka të dhëna për dhjetëra takime të tjera.
Pjesë nga bisedat:
Ermal Beqiri: Informacioni është një gjë shumë më e madhe se numrat
Ergys Agasi: Ueee
Beqiri: Ça me i bo atij…
Agasi: Nuk e diskuto fare mo burrë, tani jemi goxha shumë shumë lart
Agasi: E ke bërë gati kallëzimin penal për Nardin se ka nxjerrë sekret shtetëror Edhe filloi pastaj e pa situatën si shkoi, filloi prap jo Nardi kshu jo ashtu, filloi t’u shpjegu.
Karçanaj largohet.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka avancuar me hetimet në lidhje me veprimtarinë dhe përfitimet e kompanisë “Gogel” sh.p.k., e cila rezulton në emër të Arbër Veliajt, vëllait të Erion Veliajt. Në kuadër të këtyre hetimeve, SPAK ka ndërmarrë edhe disa veprime hetimore në disa kompani të tjera të lidhura ngushtë me shoqërinë “Gogel”.
Sipas burimeve, mësohet se SPAK ka zbuluar marrëdhënie financiare ndërmjet Bashkisë së Tiranës, shoqërisë “One Albania” sh.a. dhe shoqërisë “Gogel” sh.p.k. Në kuadër të këtyre hetimeve janë evidentuar disa lidhje tregtare dhe financiare me disa shoqëri që kanë pasur marrëveshje financiare gjatë viteve 2020–2024. Këto shoqëri kanë përfituar fonde për aktivitete të ndryshme që Bashkia e Tiranës ka organizuar.
Nga verifikimet e kryera rezulton se këto subjekte, përveç marrëdhënieve me institucionet publike, kanë pasur ndërveprime të vazhdueshme financiare edhe me shoqërinë “Gogel” sh.p.k., e cila zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, aktualisht i pandehur me 13 akuza.
Nga këqyrja që i është bërë disa dokumentacioneve të sekuestruara nga SPAK, rezulton se për katër vite Bashkia ka dhënë 2.4 milionë euro për aktivitete artistike dhe kulturore, si edhe për sponsorizime.
Nga analiza e të dhënave të deklaruara në Portalin Qendror të Kontrollit dhe Menaxhimit (Fiskalizimi), rezulton se shoqëria “Arts Lab” sh.p.k., me administrator Erald Simixhiu, i cili rezulton lidhje e afërt familjare e Ajola Xoxës, ka regjistruar një sërë faturash shitjeje gjatë vitit 2024, ndër të cilat përfshihet edhe ajo me një subjekt tregtar, me vlerë 698,285 lekë.
ARBËR VELIAJ NË AVION
Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar këto operacione hetimore, “Ora News” ka siguruar pamje të Arbër Veliajt në avionin, sipas burimeve, të linjës Tiranë–Vjenë, ku mendohet se ndodhen edhe zyrat e bizneseve të tij.
Fotot janë të ditëve të fundit, por ajo që mbetet e paqartë nga të njëjtat burime është nëse bileta e prerë nga Arbër Veliaj është vetëm me “vajtje”, apo me “vajtje–ardhje”./Boldnews.al
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bën thirrje për pjesëmarrje masive sot më 22 dhjetor, duke theksuar se beteja për ndryshimin e realitetit politik nuk i përket vetëm partive opozitare, por çdo qytetari që kundërshton krimin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
Postimi i plotë në FB:
“Protesta e Opozitës në 22 Dhjetor
Në mbledhjen e kryesisë, Kryetari i Partisë Republikane theksoi se është koha që jo vetëm Partia Demokratike, Partia Republikane, por gjithë opozita pa dallim, çdo qytetar, të jetë prezent dhe të luftojë për të ndryshuar realitetin e dominuar nga krimi, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria.
Raporti i OSBE/ODHIR denoncoi se zgjedhjet ishin një farsë, ku shteti dhe Partia Socialiste u bënë një, duke vjedhur paratë e taksapaguesve për të blerë vota, faljen e gjobave dhe bonusin për pensionistët në shkëmbim të votës. ODHIR deklaroi se krimi i organizuar, i lidhur me pushtetin, bleu vota, intimidoi votuesit dhe vendosi në parlament përfaqësuesit e tij. Po ashtu, deklaroi qartë se liderët e opozitës u proceduan dhe arrestuan përpara zgjedhjeve politikisht, në shërbim të pushtetit.
IDU (Unioni Ndërkombëtar për Demokraci), ku bën pjesë Partia Republikane Amerikane e Presidentit Trump, Partitë Popullore Europiane theksuan se zgjedhjet në
Shqipëri u manipuluan nga Partia Socialiste, e lidhur me korrupsionin dhe krimin, dhe Shqipëria duhet të gjejë mekanizmat për një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kongresi Amerikan, në seancën e Komisionit për Europën, deklaroi se në Shqipëri po shkatërrohet pluralizmi dhe zgjedhjet e lira; krimi dhe korrupsioni janë një kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e më gjerë. Ata kërkuan një drejtësi që i shërben qytetarëve dhe nuk përdoret si armë politike e pushtetit.
Të gjitha këto kanë vlerë kur opozita dhe shqiptarët të bashkohen në një lëvizje të fuqishme masive kundër qeverisë së Edi Ramës, e cila po zbraz Shqipërinë dhe po shkatërron të ardhmen e Shqipërisë dhe Kombit, duke e kthyer atë në momentet më të errëta të historisë shqiptare.”
Prisni se ngatërrova regjistër. E nisim sërish, da capo:
— Grua, doli dielli edhe për ne! Je abdejtuar me të fundit? Qeveria rriti rrogat e klasës punëtore dhe shtresave në nevojë, që ia marrsha të keqen!
Por, siç ndodh rëndom në familjet tona, entuziazmi i burrit që lexon titujt e lajmeve u përplas me muret e ftohta të realitetit që mban në dorë gruaja – ekonomistja e vërtetë e familjeve tona me buxhet të kufizuar. Ajo tundi kokën, pa asnjë shenjë gëzimi, dhe aty buzëqeshja më ngriu në fytyrë.
— Më pëlqen ky entuziazmi yt. Po kur ta mbash ti llogarinë e shtëpisë, do ta shohësh rritjen e vërtetë, — më tha me një zë që parashikonte stuhinë.
E ekzagjerove, – iu kundërvura unë. – Tani jemi në kohën kur mund të heqim dhe ndonjë lek mënjanë.
Pas kësaj ndërhyrjeje, me sa duket krejtësisht të pamotivuar, fytyra e gruas u nxi edhe më shumë.
— Sa kafe në ditë pi zotrote? — më pyeti ajo. Kështu nisi “seanca” e llogaritjes; jo me makroekonominë e ministrisë, por me mikroekonominë e bidonit të ujit.
— Dy, – iu përgjigja unë i habitur nga kthesa e gruas. – Të tretën ma ka ndaluar doktori se më ngrihet tensioni.
— Dhe sigurisht i shoqëron me nga një bidon ujë, apo jo?
Nënqesha hidhur. Hajde grua, hajde.
— Po ke parë të pihet kafja pa ujë? Dhe duhet nga ai i paketuari, se po pive nga ai i çezmës, të zë purtha e përfundon tek Infektivi.
Për çudinë time gruaja filloi të avanconte duke u thelluar:
— Po sa ujë paguajmë në muaj si faturë bashkie, e di? Eja të bëjmë një llogari bashkë.
Unë, i gatshëm në punët e shtëpisë, hapa kalkulatorin. Dava uji! Sa rëndoka në buxhetin e familjes?
— Sa ishte fatura e ujit këtë muaj?
— 22 mijë lekë.
Birinxhi. Çfarë janë 22 mijë lekë në fund të fundit? Hiçgjë
— Sa ujë me bidonë konsumojmë në muaj?
Nisa të mendohem.
-Besoj nja 13–15 nga ai 10-litërshi që, me 1200 lekë bidoni, na rezulton nja 20 mijë lekë të tjera.
Kishin ikur më shumë se 40 mijë lekë nga kuleta dhe nuk kisha kuptuar gjë.
— Po katër të rritur në shtëpinë tonë, sa ujë konsumojmë rrugëve, kafeneve apo në zyrë?
Shfryva. Se me këtë punën e matematikës nuk është se i kam pasur punët mirë.
— Po e lëmë me tre bidonë mesatarisht në ditë, nga ata që kushtojnë 700 deri në 900 lekë… — zëri filloi të më dridhej, llogaria po më shtrëngonte fytin.
Fluturuan dhe nja 80 mijë lekë. Bo, bo… u katandis kokoshi një thelë.
— E sheh? — ndërhyri ajo. — Të paktën 120 mijë lekë vetëm ujë! Pra, rreth 22 për qind e 500 mijë lekëshit shkon vetëm për të shuar etjen e për të larë surratin.
Kulmi! Ishim në mesin e dimrit, por gryka m’u tha. Vajta të rrëmbeja një bidon, por kur mendova koston, bërtita:
— Sikter me gjithë ujë! Edhe qumësht dhie të pinim, do na dilte më lirë!
Por nuk mbaroi me kaq. U hap thesi… dhe lista bashkë me të.
— Vazhdojmë me artikujt higjienikë, — vijoi bashkëshortja me tonin standard të ministres së Financave. Më kishte ardhur në majë të hundës dhe vendi s’po më nxinte.
— Po pse, moj grua, u sosën gazetat kështu?
Le që ne në gazeta punojmë, e kemi lëndën e parë falas.
— Eh, po kanë plumb! Mjekët thonë se plumbi është i keq për organizmin. Pastaj shtëpia ka nevojë për letër higjienike, peceta higjienike, solucione higjienike… ka lloj-lloj asortimentesh higjienike sot.
—Po te pjata e gjellës kur do shkojmë?
—Do vemë dhe aty, po prit se ka radhë puna.
— Lëre me kaq! — i thashë duke ngritur duart përpjetë, si i dorëzuar para fatit. —
Se e shoh që, kur të vijë puna te buka, do përfundojmë te misri foragjere, nga ai që përdoret si silazh për lopët e mushkat. Se për brekë, kanotiere e ndonjë bluzë për ndërresë, e kemi gjetur zgjidhjen te “Gabi”.
— Jo po doje edhe pushime në Jug ti…, — shtrembëroi fytyrën ajo, si për ta mbyllur përfundimisht bisedën dhe për ta zbehur deri në fund entuziazmin tim.
— Kështu siç përfunduam, do t’i marr çelësat e tarracës Bajramit. Blejmë dy karrige portative dhe një çadër dhe ja ku e bëmë plazhin, — propozova unë.
Gruaja buzëqeshi dhe aprovoi me një “OK”-ej të plotë.
—E sheh? Filluan të të vijnë mend.
Dhe unë për kompensim i dhashë një tjetër “OK”, sigurisht po aq të plotë.
Qeveria mund të shtojë zero në rrogat tona, por për sa kohë kostoja e jetesës galopon më shpejt se vendimet e Këshillit të Ministrave, ne do ta kapërcejmë gjithnjë me borxhe pragun e shtëpisë. Në fund të ditës, suksesi i një rritjeje rroge nuk matet me duartrokitjet në parlament, por me faktin nëse gruaja do ta tundë kokën për miratim apo si dëshpërim kur të shohë listën e pazarit.
Për momentin, dielli që “doli” mbi strehën e shtëpisë sonë u mbulua sërish nga retë e zeza të bidonëve me ujë, dhe… letrave higjienike.
Qeveria ruse po shtyn qytetarët që të përdorin Max, aplikacionin e ri të krijuar dhe të kontrolluar nga shteti.
North.Realities
Një grua në Shën Petersburg e la punën në një agjenci komunale vetëm që të shmangte instalimin e një aplikacioni. Studentëve të një universiteti në Siberi u është thënë se nuk mund të hyjnë në provime, madje janë kërcënuar me përjashtim, nëse nuk fillojnë që ta përdorin atë. Një burrë gënjeu shefin e tij për këtë gjë dhe tha se mund të detyrohej të blinte një pajisje të dytë – një telefon të thjesht, ku nuk mund të përdoret interneti.
Para gjashtë muajsh, mes një buje të madhe, autoritetet ruse nisën zbatimin e një projekti që shpresonin se do të transformonte jetën digjitale të qytetarëve: një aplikacion kombëtar komunikimi, i mbështetur nga shteti, që do t’u mundësonte njerëzve të bënin gjithçka, duke nisur nga ankesat për mbledhjen e mbeturinave, te regjistrimi për lëndë shkollore dhe caktimi i terminëve te dentisti.
I quajtur Messenger Max, ai është boshti kryesor i një përpjekjeje më të gjerë për të ndërtuar një “super-aplikacion”, i instaluar në çdo telefon mobil, që në fund do t’u lejojë rusëve të kryejnë një sërë veprimesh nën mbikëqyrjen e rreptë të rregullatorëve shtetërorë dhe Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB).
Reklamat për aplikacionin Max janë kudo në Rusi: në bilborde, në internet, në televizione dhe ai po promovohet edhe nga zyrtarët qeveritarë. Rregullatorët kanë ngadalësuar aplikacionet më të përdorura që nuk janë nën kontrollin e shtetit, si WhatsApp dhe Telegram, për t’i frustruar përdoruesit dhe për t’i shtyrë ata të kalojnë tek aplikacioni Max.
Por, a po funksionon kjo? A po kalojnë rusët tek aplikacioni i ri?
Në shumë raste, po. Por, shumë njerëz po ankohen dhe disa po rezistojnë.
“Max ishte pika e fundit”, tha Oksana Petrova, një grua që la punën e saj në Shën Petersburg pasi iu urdhërua të shkarkonte Max-in.
Kur pyeti pse duhej ta bënte dhe shprehu dyshime mbi sigurinë e tij, asaj iu mbajt një leksion se si “të gjitha rrjetet sociale janë nën mbikëqyrje”, u shpreh Petrova.
Amerikanët monitorojnë WhatsApp-in, francezët monitorojnë Telegram-in, “por, vetëm FSB-ja monitoron Max-in”, tha shefi i saj. Nëse nuk e instalonte, i tha shefi, FSB-ja do ta vëzhgonte.
Petrova, si dhe të tjerët me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë për këtë artikull, kërkuan të përdornin pseudonim për të shmangur arrestimin ose ndjekjen ligjore.
Një grua e quajtur Anastasia u ankua se djali i saj së fundi u ndalua nga mësuesi i tij që të marrë pjesë në një ekskursion shkollor për të parë një film, sepse Anastasia nuk konfirmoi lejen e tij, duke përdorur Max-in. Djali u kthye në shtëpi duke qarë.
Mësuesi “tha ‘nëse nuk të pëlqen, transferohu në një shkollë tjetër. Unë nuk përdor mesengjerë të tjerë për të komunikuar me prindërit, ky është urdhër i shkollës’”, shkroi Anastasia në një koment në aplikacionin e rrjeteve sociale Threads, një platformë e kompanisë Meta, që ka edhe WhatsApp-in dhe Instagram-in.
Shtytja për super-aplikacionin
Për vite të tëra, autoritetet kanë hasur në vështirësi në gjetjen e mënyrave për të kontrolluar apo monitoruar WhatsApp-in dhe Telegramin, i cili u krijua nga rusi Pavel Durov.
Këto përpjekje janë pjesë e fushatave më të gjera – që datojnë prej dekadash – për të kontrolluar mënyrën se si rusët e përdorin internetin.
Përveç që kanë shënjestruar gjigantët perëndimorë të internetit si Facebook, Google, Apple dhe Amazon, autoritetet kanë zhvilluar alternativa vendase si Yandex, VK dhe Mail.ru dhe kanë ndërmarrë hapa për t’i kontrolluar plotësisht këto platforma.
Vitin e kaluar, VK, kompania ku shefi ekzekutiv i saj është djali i këshilltarit të Kremlinit, Sergei Kiriyenko, u shfaq si një lider në zhvillimin jo vetëm të Messenger Max, por edhe si një alternativ për YouTube, platformën e videove që është në pronësi të Google, që po ashtu është mjaft i popullarizuar në mesin e rusëve.
Më shumë se 15 vjet më parë, Ministria e Zhvillimit Digjital lansoi një portal të shërbimeve elektronike qeveritare të quajtur Gosuslugi. Ai ka thjeshtuar jetën e miliona rusëve, duke lehtësuar shumë punë të përditshme që burokracia ruse shpesh i bënte të padurueshme.
Që nga viti 2022, Gosuslugi ka filluar të integrojë më shumë nga shërbimet e saj në VK. Rregullatori kombëtar i teknologjisë dhe mediave, Roskomnadzor, përdori Gosuslugi për të paralajmëruar rusët rreth bllokimit të platformave si Instagram-i dhe për t’i nxitur rusët që të kalojnë te VK.
Në qershor, Duma shtetërore ruse miratoi legjislacionin që autorizonte krijimin e Max-it. Po atë muaj, presidenti rus, Vladimir Putin, e mbështeti publikisht aplikacionin, duke njoftuar se të gjitha shërbimet qeveritare duhet të transferoheshin tek ai.
Që atëherë, ka pasur një fushatë të madhe marketingu për të bindur rusët të kalojnë te ky aplikacion, përmes kërcënimesh dhe detyrimit.
“Duhet të pranohet se sa shumë burime po përdoren për ta shtyrë këtë gjë të quajtur Max, me çdo mjet, përfshirë edhe vetë Putinin. Pra, Putini personalisht nuk ka promovuar kurrë asnjë organizatë tjetër komerciale, përveç Max-it”, tha për Current Time, Mikhail Klimarev, aktivist dhe drejtor i Shoqatës për Mbrojtjen e Internetit.
“Mendoj se kjo është arsye e mjaftueshme për të qëndruar larg, për të qëndruar larg gjithçkaje”.
Në një sondazh të zhvilluar muajin e kaluar nga grupi hulumtues Russian Field, 68 për qind e rusëve thanë se nuk e përdorin fare Max-in, ndërsa edhe 1 për qind tjetër deklaruan se e kishin shkarkuar aplikacionin, por nuk e përdornin. Ata që e përdorin thanë se e shfrytëzojnë kryesisht për biseda dhe mesazhe me miq e familjarë, e më pas për komunikime zyrtare, përfshirë edhe ato që lidhen me shkollat.
Situata në shkolla
Muajin e kaluar, Ministria e Shkencës dhe Arsimit të Lartë e Rusisë u dërgoi një letër të gjitha institucioneve të arsimit pasuniversitar, duke përcaktuar një sërë afatesh që shkollat të regjistronin Max-in për komunikim zyrtar dhe të raportonin se si po përdorej aplikacioni.
Në Universitetin Shtetëror të Kubanit, studentët publikuan online fotografi të një urdhri të dekanit që i detyronte studentët të shkarkonin Max-in, si dhe kërkesën që të shkruanin një “deklaratë shpjeguese” nëse refuzonin.
Urdhra të ngjashëm u raportuan edhe në universitete të tjera. Në Voronezh, studentëve iu kërkua të instalonin aplikacionin, në të kundërtën nuk do të lejohej të hynin në provimet përfundimtare. Në Jekaterinburg, studentët u kërcënuan me përjashtim nga universiteti.
Në Universitetin Shtetëror të Kazanit, departamenti i kimisë u ka thënë studentëve se do të pengoheshin fizikisht që të hynin në fakultet, nëse nuk siguronin një leje elektronike të hyrjes përmes aplikacionit Max.
OVD-Info, një organizatë monitoruese e pavarur që dokumenton represionin policor, tha se deri në fund të nëntorit kishte pranuar dhjetëra ankesa nga studentët dhe mësimdhënësit, të cilët janë ankuar se po detyrohen ta përdorin këtë aplikacion.
Disa studentë thanë se ishin indiferentë.
“Nuk kam mendim të fortë për këtë. E kam instaluar. Kam regjistruar llogarinë, por nuk e përdor”, tha Aleksei, student në Universitetin Shtetëror të Pskovit. “Edhe njerëzit e tjerë thonë njësoj”.
Ai shtoi se Max-i është më i besueshëm krahasuar me aplikacionet e tjera të mesazheve.
Viktoria Romanova, aktiviste nga OVD-Info, tha se administratorët e universiteteve kanë shmangur ligjet ekzistuese duke përdorur gjuhë të paqartë për të detyruar studentët të përdorin aplikacionin Max.
“Kërcënimet e drejtpërdrejta dhe të hapura, si përjashtimi nga shkolla ose pushimi nga puna, ose moslejimi i studentëve të hyjnë në provime, janë më pak të zakonshme”, i tha ajo REL-it.
“Zakonisht përdorin formulime të paqarta për probleme të mundshme, kërcënime për masa disiplinore dhe krijimin e situatave ku thjesht bëhet e pamundur të mos instalohet Max-i”.
Këtë javë, rregullatorët propozuan idenë që bankat të detyrojnë klientët e tyre që të përdorin vetëm Max-in për procedurat e tyre bankare.
Po ashtu gjatë kësaj jave, disa rusë janë ankuar se kanë probleme me Gosuslugi, portalin qeveritar. Portali i lajmeve Vyorstka raportoi se një nënshkrim elektronik, i njohur si GosKlyuch, i cili përdoret për të nënshkruar dhe shkëmbyer dokumente ligjore brenda Gosuslugit, tani do të kërkojë përdorimin e aplikacionit Max.
Aleksei, që punon në ndërmarrjen e ngrohjes komunale në Shën Petersburg, tha se e kishte gënjyer shefin e tij se e kishte shkarkuar aplikacionin. Sipas tij, shumica e kolegëve të tij kanë vepruar po njësoj.
“Një pjesë e njerëzve që kanë frikë se të dhënat e tyre personale mund të zbulohen, mendoj se do të blejnë pajisje dhe do t’i përdorin për të hyrë në WhatsApp, për të krijuar llogari të reja të postës elektronike, në mënyrë që të mos detyrohen ta përdorin Gosuslugi, Sberbank, ose ndonjë gjë tjetër”, tha ai. “Kështu është puna. Është e neveritshme”.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – tani në detyrë – në Prishtinë. Mars, 2025.
Valona Tela
Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën – është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.
NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?
Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.
Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.
“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.
Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.
Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.
Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.
“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.
“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.
Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.
Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.
Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.
Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë – anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën – ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.
“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor – Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës – për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.
Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.
“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.
Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë – ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.
Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.
Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.
“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.
Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.
Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.
“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.
Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.
Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.
Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.
Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.
“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO – proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.
Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.
E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike.
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton, ka drejtuar akuza ndaj Shtëpisë së Bardhë përmes përfaqësuesit të tij, pas deklasifikimit dhe publikimit të fotografive ku ai shfaqet në kuadër të hetimit për skandalin Epstein, duke theksuar se “po përpiqen ta përdorin si kokë turku”.
“Shtëpia e Bardhë nuk i mbajti këto dosje të fshehura për muaj të tërë për t’i publikuar vonë një të premte me qëllim mbrojtjen e Bill Clinton,” deklaroi përfaqësuesi i tij në një postim në X.
Ai i atribuon këtë veprim Shtëpisë së Bardhë si një përpjekje “për t’u mbrojtur nga ajo që do të pasojë ose nga ajo që do të përpiqen të fshehin”.
Foto të Clinton nga dosja Epstein
“Mund të publikojnë sa fotografi të duan – mbi 20 vjeçare – por kjo nuk ka të bëjë me Bill Clinton. Nuk ka pasur kurrë dhe nuk do të ketë lidhje me të,” theksoi ai në deklaratë.
“Madje edhe Susie Wiles ka thënë se Donald Trump e ka gabim për Bill Clinton,” shtoi ai, duke iu referuar komenteve të shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë për revistën Vanity Fair, ku ajo pranoi se Clinton nuk kishte qenë kurrë në ishullin e Epstein në Karaibe.
Clinton prej kohësh ka pohuar se i kishte ndërprerë lidhjet me Epstein rreth vitit 2005, përpara se ky i fundit, i dënuar për abuzim seksual dhe shfrytëzim të të miturve, të deklarohej fajtor.
Foto të Clinton nga dosja Epstein
Në deklaratën e tij, zëdhënësi i Clinton, Angel Ureña, u shpreh: “Ka dy lloje njerëzish. Kategoria e parë nuk dinte asgjë dhe i ndërpreu marrëdhëniet me Epstein përpara se krimet e tij të dilnin në dritë. Kategoria e dytë vazhdoi lidhjet me të edhe më pas. Ne jemi pjesë e kategorisë së parë. Sado që kategoria e dytë të përpiqet të zvarrisë situatën, kjo nuk do të ndryshojë. Të gjithë, veçanërisht MAGA, presin përgjigje, jo koka turku,” raportoi gazeta The Guardian. Panorama
—- E gjithë kjo na tregon se sa e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti i pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.Ata që ecin më shpejt ishte dashur të vijnë në pushtet.Ata duhet të përcaktojnë ritmin dhe të jenë frymëzim për të gjithë neve , pas një regresi të gjatë politik, nga strukturat e burokratizuara dhe të korruptuara politike…
Rebelimi i pothuaj të shumicës të kësaj klasës politike , ishin ngjarjet të vitit 2025. Është shkruar dhe folur mjaftueshëm. Bilanci i këtyre kthesave politike ishte katastrofike, me pasoja që do të lënë gjurmë për krizat e prodhuara.Preferencat që dolën nga shkrimet nuk iu interesuan kuvendarëve rebel që ti marrin parasysh. Me rebelim u tregu pafuqia për të ndërtuar institucionet e reja të shtetit. Çdo gjë që u bë ngjau apo u shndërrua në tradhti. Ishte një goditje që luhati serioziosht demokracinë dhe themelet e shtetit .Kjo është karriera e turpshme politike të atyre kuvendarëve të pa moral politik dhe institucional.Të shpresojmë së zgjedhjet e 28 dhjetorit për shumë kënd aty të shënojë fundin e karrierës së tyre të ndytë politike .Nje garniturë e madhe e politikanve nuk janë të zotet të bien dakord se bota është në procesin e ndryshimeve të mëdha gjeostrategjike .Po krojohet një rend i ri botëror.Te shohim së sa prijesit botëror janë në gjendje të përcaktojnë politikat stretegjike të tyre .Se a do të ndalën luftërat apo do të kemi përspektiva të errëta edhe në vitin 2026 pritet të shohim në zhvillimet që do të vojnë .Politika në Kosovë dihet së si është , konfliktueze dhe e drejtuar për pushtet, e pak për shtet.Po ndëgjojmë premtime megallomane të pa realizuaeshme edhe gjatë kësaj fushate elektorale , fjalime të liderve partiak shumë pak të besueshme , më shumë të karakterit propagandistik.Gjendja politike nuk është e mirë dhe nuk ka ketu qka fshihet më.E gjithë kjo tregon se sa e e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti i Republikës së Kosovës edhe në planin ndërkombëtar.Pa politikanë dhe pa politika vizionare nuk arrihen objektivat e të ndërtuarit shtet dhe mirëqenje të duhur.Madje, ekzistojnë tendencat të disa për të kthyer gjendjen e viteve të 90-ta ,të shekullit të kaluar!Këto janë skandale të rënda politike që nuk guxojnë të na ndodhin në këtë fillim shekulli.Duhet të sanohen dhe lokalizohen më saktësi pasojat e krizës politike dhe institucionale pas zgjedhjeve të dhejtorit.Përndryshe nga ka marr djalli.Duhet të kemi kujdes nga Serbia edhe në vitin vijues kur po shtohet presioni ndërkombëtar për të arritur një marrveshje paqeje të dala nga bisedimet e ndërsjella.Barrë e rëndë për Serbinë e Vuqiqit është bërë pavarësia e Kosovës, të cilën po tenton më qdo kusht ta zhbën me kërcnime për luftë, dhe më realizimin e Asociacionin famoz.Nuk kan pushuar apetetit serbomëdha për dalje në det të Serbisë, për të realizuar ëndrrën e kufirit Viroviticë –Karlovac-Karlobag.Qëllimi i agresionit të Serbësisë së Madhe është të dalin ne detin e Kroacisë,Malit të Zi dhe në anën tjetër për të krijuar dalje në portin e Durrësit ,si burime të fuqishme gjeostrategjike ekonomike dhe financiare.Mbrojtësit e ish republikave dhe Kosova , nuk e lejuan Millosheviqin të realizon projektin fashist për Serbi të Madhe ne shekullin e kaluar.Por, nese janë përulur në bisht në shekullin e kaluar, duhet përulur edhe tash, duke i kthyer tokat e grabitura, dhe Serbisë realishtë ti mbetet Pashallëku i Beogradit, që në fakt do të ishte epilogu i të gjitha disfatave historike serbe.Ne natyrishtë se nuk urojmë luftë në këto ndrrim motive , por urojmë vetëm paqe dhe të gjithë të mirat.E gjithë kjo na tregon se sa e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti i pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.Ata që ecin më shpejt ishte dashur të vijnë në pushtet.Ata duhet të përcaktojnë ritmin dhe të jenë frymëzim për të gjithë neve , pas një regresi të gjatë politik, nga strukturat e burokratizuara dhe të korruptuara politike.Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “për herë të parë në më shumë se 10 vjet, zgjerimi është bërë një mundësi reale”. Ajo vlerësoi “progresin mbresëlënës” të Malit të Zi dhe Shqipërisë, të cilat janë bërë një burim frymëzimi për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.Në këtë mes duhet ta këtë vendin edhe Kosova, vendi më propërendimor në Evropë.Në deklaratën e tij, Presidenti i Këshillit Evropian përmendi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, presidenti i së cilës, Aleksandar Vuçiç, refuzoi të vinte në samit. Costa përshëndeti hapat që Kosova ka ndërmarrë për të ndërtuar besimin midis komuniteteve, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë një moment kyç për konsolidimin e reformave dhe angazhimin konstruktiv në integrimin evropiaan.Fundvit i mbarë ishte njohja e Kosovës, nga dy shtete, dhe fillimi i heqjës të masve ekonomike të vura padrejtësisht karshi Kosovës.
Kastriot Çako, ish-oficer i lartë i Policisë së Shtetit, ka dalë me zë dhe fizgurë për të bërë një denoncim të fortë për një ngjarje që i ka ndodhur rreth 10 ditë më parë, në ambientet e Komisariatit Nr.2 në Tiranë.
Sipas rrëfimit të tij përballë gazetarit Igli Çelmeta, më datë 10 Dhjetor, rreth orës 10:33, Çako ka marrë një telefonatë nga policia, ku i është kërkuar të paraqitej për një “sqarim” lidhur me një çështje pronësie.
Duke qenë se komisariati ndodhej pranë vendit ku po punonte, ai është paraqitur menjëherë, pa kundërshtim. Por ajo që duhej të ishte një procedurë rutinë, sipas tij, u shndërrua në një ndalim të pajustifikuar.
Pas një kontrolli personal dhe sekuestrimit të telefonit, Çako u fut në një dhomë izolimi, e mbyllur me shul dhe dryn.
“Në momentin që po plotësohesh blloku në shkallët e komisariatit numër dy nga kati i dytë zbret një civil dhe i thotë punonjësit të policisë pse e mban atje fute në dhomat e shoqërimit. Mbasi plotësoi dhe më bëri kontrollin personal duke më hequr celularin, më kontrolloi për cigare, për çakmak, për të gjithë gjërat e tjera, për rrip, më futi në dhomën e izolimit. Jam futur në dhomën e izolimit pa bërë asnjë lloj kundërshtie, asnjë gjë dhe kam ndenjur rreth 10-15 minuta. Më pas ka ardhur personi i cili më futi në dhomën e shoqërimit bashkë me SPZ-në e zonës që më mbulon mua. Unë e njoh thjesht si figurë, por nuk ia dija emrin. Kanë hapur derën e cila ishte mbyllur me shul dhe me dry”, ka rrëfyer ai.
Ai tregon se pasi u mbyll në dhomën e izolimit, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm. Pas disa minutash, ai humbi ndjenjat, duke mos kujtuar më çfarë ndodhi deri sa u përmend fillimisht në dhomën e ndalimit dhe më pas në urgjencën e Spitalit “Nënë Tereza”.
“Në momentin që këta kanë ikur unë nuk e ndjeja veten mirë po më merreshin mend dhe në një moment të caktuar bërtas ndihmë i kërkoi policisë kam rënë pa ndjenja dhe unë nuk mbaj mend gjë se çfarë ka ndodhur me mua por dua të theksoj se para se të futem në dhoma të izolimit i kam kërkuar punonjësit të policisë a mundet të njoftoj familjen më ka dhënë telefoni dhe kam marrë bashkëshorten”, vijon rrëfimin Çako.
“Në komunikimin që kam bërë me bashkëshorten, mësova që bashkëshortja kishte ardhur se dëgjoja që i thoshte punonjësve të policisë, kujdes se burri është i sëmurë dhe i kam thënë bashkëshortes që të lajmëroj avokatin civil dhe penal pasi mua po më ndalojnë. Më është marrë telefoni dhe unë kur kam rënë pa ndjenja, nuk kam kuptuar se çka ndodhur me mua. Vetëm mbaj mend që jam përmendur plotësisht në urgjencën e spitalit nën Tereza. Dua të theksoj sepse nuk mund të flas se çfarë ka ndodhur me mua gjatë kohës që nuk kam qenë koshient dhe di që gruaja është futur me dhunë kur ka ardhur urgjenca, që më ka dhënë ndihmën e shpejtë”.
Kastriot Çako, ish-oficer i lartë i Policisë së Shtetit
Rezarta Çako, bashkëshortja e Kastriotit, me profesion mjeke, dëshmoi në emision se kishte paralajmëruar policinë për problemet serioze shëndetësore të Çakos, përfshirë hipertensionin e rëndë dhe takikardinë, por kishte hasur në indiferencë totale. Vetëm kur gjendja u bë kritike, u njoftua urgjenca, tregon ajo.
“Kjo që na ka ndodhur neve, na ka tronditur thellësisht nga ana psikologjike, nga ana mjekësore dhe vërtetë kështu do të ndjehej çdo qytetar, çdo taksapagues i rregullt i këtij vendi që përdhoset, depersonalizohet dhe dhunohet nga policia e shtetit që duhet të jetë në mbrojtje të qytetarit të rregullt edhe të çdo qytetari, jo të jetë të kthehet dhunuese”, tregon ajo.
Kastriot dhe Rezarta Çako
“Dua të flas vërtetë në tagrin e mjekes, sepse ashtu u paraqita në fakt, në komisariatin e policisë numër dy. Fill mbas bashkëshortit unë shkova. I pyeta përse është ndaluar bashkëshorti im. I vura në dijeni ngase vuan bashkëshorti im, i cili vuan nga një tension stresant, nga hipertensioni stresant, i shkon deri në 20 për shkak të një kalvari të gjatë të proceseve gjyqësore që kemi pasur me firmën e ndërtimit. Është një njeri që është marrë me sport, i shëndetshëm, por vetëm nga stresi i këtyre problemeve ka hipertension edhe një takikardi që i shkon rrahjet e zemrës deri në 160 në minutë. Pra një gjendje që shumë alarmante dhe këtë unë menjëherë i thashë vij në tagrin e mjekes, jo të bashkëshortes në këtë rast, po ju paralajmëroj që gjendja e bashkëshortit tim është vërtetë për t’u vlerësuar. Prandaj mos bëni asnjë lloj kontakti sepse për çdo problem që mund të ketë ndodhur që ne s’jemi në dijeni dua të di motivacionin që të lajmëroj avokatët tanë, avokatin e çështjet civile dhe avokatin ë për çështjen penale”.
Sipas saj, reagimi i policisë ishte një indiferencë totale. “Në radhë të parë, përveç se të jesh punonjës i këtij shteti, duhet të jesh njeri human. Të dëgjosh se jo të gjithë gënjejnë dhe jo të gjithë simulojnë. Pra, duhet të ishte marrë parasysh ankesa ime në lidhje me problemin e shëndetit. Dhe unë nuk ja vura në dukje një herë, por ja vura dy tre herë këtë problem, sepse po e shikoja që sidomos mbas telefonatës së bashkëshortit tim që më tha po futem në dhomën e shoqërimit, një qytetar që s’ka shkelur kurrë ligjin, një oficer policie karriere, i cili është një njohës i shkëlqyer i ligjit dhe të futet në dhomë shoqërimi. Kjo është një ngjarje e paprecedent, një tronditje e madhe psikologjike me një dëm në shëndet”, thotë ajo. /A2 CNN
Komentet