Analisti Fatos Lubonja shikon një rrezik të madh manipulimi të rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme, nëpërmjet blerjes së votës.
Manipulimi i zgjedhjeve në Shqipëri është padyshim një rrezik, jo në kuptimin e një ndërhyrje policore në zgjedhje apo vjedhje, por manipulim në kuptimin e blerjes së votës, fuqisë financiare që është e zhvendosur në krahun e mazhorancës. Rama harxhoi 80 mijë dollarë për një foto me Obamën, dhe kjo ishte pjesë e manipulimi për zgjedhjet. Imagjinoni tani që ka të gjithë paratë se ç’mund të bëjë”.
Në një intervistë për televizionin Ora News, Lubonja thekson se qeverisja e Ramës ka të gjithë mjetet financiare, në sajë të marrëdhënies së ngushtë me oligarkë që deri dje ishin të lidhur me Partinë Demokratike. Është pikërisht ky problem që frenon edhe opozitën në disa prej reagimeve të saj.
Opozita ka një problem përballë gjithë problemeve të mëdha që ka krijuar kjo qeverisje kryesisht me vështirësitë ekonomike, varfërinë. Sepse në krye është Rama por jo vetëm, janë dhe oligarkë që deri dje kanë bashkëvepruar me opozitën, dhe tani janë sërisht përfituesit e kësaj qeverisje korruptive. Ky problem, që ka të bëjë me sistemin, nuk preket nga opozita. Nuk preket ai që e quajta kati i parë i pushtetit, se opozita ka qenë vetë e lidhur me ta, prandaj nuk i jep kredibilitet”.
Lubonja thotë se qeveria ka degraduar dhe në të shumtën e rasteve ka bërë krejtësisht të kundërtën e asaj që kishte premtuar në zgjedhjet e tre viteve më parë.
Kjo qeveri ka bërë pothuajse në 90% të rasteve të kundërtën e premtimeve që ka bërë. Mjafton kaq për ta gjykuar. Kujtoni premtime për rritje të punësimit, për ulje të çmimeve, etj. Por e dimë që Shqipëria është e dyta në listë pas Sirisë për njerëzit që kërkonin azil. Premtimet për 0 ndërtime dhe pastaj projekte për kulla, lufta ndaj Lazaratit, dhe mbjellja e drogës në të gjitha anët. Pastaj gjuha konfliktuale, mungesat e lirive, mediat në gjendje të rëndë. Kjo ka ardhur pjesërisht si degradim i sistemi dhe pjesërisht nga mungesa e aftësisë për të qeverisur me largpamësi, mençuri e një figure që kërkon të mbizotërojë dhe jo të bashkëqeverisë, siç është Edi Rama”.
Pikërisht te tentativa e Ramës për të kontrolluar gjithë pushtetin ai shikon edhe thelbin e përplasjes së tij me aleatin Ilir Meta, për të cilin ka edhe një kritikë.
Ka një kontradiktë, nga një anë kundërshtoi arrogancën e Ramës lidhur me reformën nga ana tjetër pranon vendime arrogante edhe të njëanshme të Ramës… Në thelb është ndeshje në katin e 3 të godinës së pushtetit, ku unë kam vendosur politikën, ndërsa në katin e dytë mediat që mbështesin këto, por kati i parë nuk lëviz. Ai ku janë bizneset, oligarkët që kanë ndarë interesat me të gjitha palët. Ata nuk lëvizin bashkëpunojnë me të gjitha palët, dhe ky është thelbi i gjithë politikës shqiptare.
Lubonja vlerëson edhe konsensusin e arritur për reformën në Drejtësi.
Kjo është më mirë se sa kapja e pushtetit të drejtësisë nga Rama”. / HashtagAL
Komentet