Në një shkrim të botuar në Panorama dhe në media të tjera të Tiranës analisti Fatos Lubonja tregon pse ai Reformën në Drejtësi për të cilën flitet kryesisht nga ambasadorët e SHBA dhe BE-së në Tiranë, nuk është reformë dhe pse ajo nuk duhet miratuar:
Përpara zgjedhjeve të vitit 2013 kam shprehur mendimin se është më mirë të fitojë Edi Rama sesa të qëndrojë Sali Berisha ende në pushtet. Argumenti nuk mbështetej, siç më kanë akuzuar mjaft PDistë, në idenë se Edi Ramën e konsideroja e keqja më e vogël, pasi ka kohë që jam shprehur kundër teorisë së të keqes më të vogël, që bëhet më e madhja kur vjen në pushtet.
Argumenti ka qenë i thjeshtë fare: nëse do të fitonte përsëri Sali Berisha, do të rrinim edhe katër vjet duke pritur Edi Ramën me shokë, si shpresë për shpëtim, ndërkohë që, duke fituar Rama, do të kursenim katër vjet ndërgjegjësim për atë se shqiptarët duhet të lëvizin për të krijuar diçka të re, kundër sistemit oligarkik, klientelist dhe të korruptuar që kanë ndërtuar partitë e vjetra me në krye Ramën, Berishën, Metën me shokë.
Tani po bëj edhe një herë Kasandrën dhe po them se edhe reforma në drejtësi duhet miratuar, sa më parë, për të njëjtën arsye. Pra, jo se ka shpresë se pas asaj reforme ne do të kemi më shumë drejtësi, apo se do të shpëtojmë nga skota e hajdutëve, mashtruesve dhe arrogantëve që kanë ndërtuar republikën e të padrejtëve të Shqipërisë.
Jo, thjesht për të fituar kohë. Reforma në drejtësi, pra, duhet aprovuar sa më parë, në mënyrë që, me padrejtësitë edhe më të mëdha që do të sjellë, të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi më shpejt se nuk mund të kërkosh drejtësi nga kjo skotë që pushtetin e ka ngritur pikërisht mbi themelet e padrejtësisë.
Problemi është se kundër këtij ndërgjegjësimi punojnë përditë detashmentet e partive, gazetarët në shërbim të tyre, simpatizantë miopë, duke kërkuar të na mbushin mendjen se të tyret e duan reformën në drejtësi kështu apo ashtu, por janë të tjerët që nuk e duan kështu apo ashtu. Këta, ca me vetëdije dhe ca pa vetëdije, synojnë të na bindin që shpresën tonë për shpëtim, domethënë, edhe për drejtësi apo shtet të së drejtës, ta mbajmë brenda qerthullit të
këtyre partive.
Në fakt, po t’u ndjekësh retorikën, do të vësh re se ajo që duan apo nuk duan nuk është drejtësia, por togfjalëshi “reforma në drejtësi”, të cilin e kanë mistifikuar aq sa po na e shesin si baras me drejtësinë apo shtetin e së drejtës, domethënë, baras me shpëtimin tonë. E ndërkohë, shqiptarët, të ngërthyer në këtë debat shterp, humbasim kohë me shpresa të rreme.
Më e keqja është se, për këtë debat shterp, bjerrakohës, po punojnë përditë edhe të huajt që i kemi aq qejf, ambasadori amerikan apo ambasadorja e BE, për shembull. Edhe këta i dëgjojmë të flasin përditë për reformën në drejtësi, thua se kanë gjetur fillin e Arianës që do të na nxjerrë nga labirinti.
Por ajo që bën përshtypje është se si e shkëpusin atë nga i gjithë konteksti shqiptar; se si, për shembull, nuk i dëgjojmë të flasin për drejtësinë apo padrejtësinë duke iu referuar skandaleve të përditshme të qeveritarëve tanë.
A i keni parë të thonë një fjalë për padrejtësinë e madhe (në fakt krimin) që shtetarët tanë më të lartë kanë bërë duke bashkëpunuar me trafikantët e drogës e vrasësit duke i futur deri në Parlament? Unë jo. A i keni parë të thonë një fjalë se si policia përdoret për të rrahur protestuesit edhe pse këta janë në rregull me ligjin, kurse pushtetarët janë kundra ligjit? Unë jo.
A i keni parë të thonë një fjalë se si në Shqipëri Ministria e Brendshme sjell aparate përgjimi duke i kaluar ato pa doganë dhe pa marrë lejen e Prokurorisë? Unë jo. I dëgjojmë të flasin vetëm për gjyqtarë të korruptuar dhe për ndoca kriminelë ordinerë, por jo për bashkëpunëtorët e tyre në pushtet (të djeshëm dhe të sotëm).
Aq sa s’merret vesh nëse nuk e kuptojnë apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë se në fakt po punojnë për t’i varur mëlçitë e drejtësisë pushtetit të më të fortëve në qafë. Megjithatë, unë mendoj se reforma duhet të ndodhë. Duhet t’i shohim mëlçitë tona në qafa pushtetarësh arrogantë dhe brutalë, edhe më të çapëluara se ç’i kemi parë deri më sot, që të mësojmë të mos ua varim ato ujqve në qafë.
Dikush e quan këtë një rrezik të madh që duhet evituar. Unë dita-ditës bindem se e meritojmë një mësim të tillë. Vetëm nga ky mësim ndoshta mund të lindë vetëdija për rëndësinë që ka të kemi një drejtësi të pavarur nga pushtete të tjera, qofshin këto kombëtare apo ndërkombëtare.
Vetëm pas këtij mësimi, ndoshta, do të lindë ndërgjegjësimi ndër shqiptarët se drejtësia nuk është diçka që falet në një ditë të bukur nga gangsterët, të shtrënguar nga miqtë e tyre të huaj, por, ashtu sikurse liria, diçka që fitohet ose humbet përditë në luftë me ta.
Dhe vetëm pas kësaj vetëdijeje ka shpresa se do të dalë më në fund një klasë drejtuese e vendit që do ta ndërtojë autoritetin nëpërmjet bërjes drejt e me ndershmëri të shërbimeve ndaj shqiptarëve dhe jo nëpërmjet imponimit të tij me dhunë, hile e padrejtësi apo nëpërmjet shërbimeve e mashtrimeve ndaj të huajve – siç ka ndodhur e po ndodh deri më sot në shtetin tonë.
Marre nga Panorama
Komentet