TIRANE – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, e cilëson Reformën në Drejtësi një sfidë që duhet fituar, dhe jo si një betejë e personalizuar e një pale ndaj një pale tjetër. Ai vlerëson rolin e ambasadorëve Lu dhe Vlahutin në këtë reformë, ndërsa u kërkon palëve politike të mos ecin kundër interesit të qytetarëve.
Duke folur për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, Rama kërkon përgjegjësi morale dhe politike edhe për ata që i kanë emëruar zyrtarët e inkriminuar në poste publike.
Reforma në Drejtësi vazhdon të jetë çështja më e debatuar, por ende e pazgjidhur, edhe pse qoftë maxhoranca e qoftë opozita janë shprehur pro saj, me sa kuptohet më shumë prej presionit të partnerëve ndërkombëtarë…
Nuk vjen e keqja prej faktit që Reforma në Drejtësi është çështja më e debatuar. Përkundrazi, mendoj se të qenit e këtillë, pra e debatuar prej kaq kohësh, na ka sjellë në një projekt më racional e më koherent, mbi të cilin më në fund po punohet. Po, për ta trajtuar më tej idenë që parashtron pyetja juaj, me lejoni të “përsëris” edhe për lexuesit tuaj atë që thashë në takimin që grupi kuvendor i LSI-së zhvilloi disa ditë më parë me ambasadorët Vlahutin dhe Lu: “Reforma në Drejtësi është një sfidë që duhet fituar”. Me këtë dua të nënvizoj faktin se përballë kësaj sfide, pra përballë domosdoshmërisë së kryerjes së Reformës në Drejtësi, që për hir të së vërtetës nuk është një ndërmarrje e lehtë për vetë kompleksitetin që mbart, maxhoranca dhe opozita nuk duhet të jenë palë, sepse në këtë rast as ndajmë dhe as mbrojmë interesa të kundërta. Mirëpo, paradoksalisht deri tani jemi shfaqur si palë duke dëshmuar edhe në këtë rast se, edhe pas 25 vitesh demokraci e pluralizëm, nuk kemi kuptuar thelbin e ndryshimit të madh që ka realizuar shoqëria shqiptare, e cila nuk e meriton këtë sjellje e papërgjegjshmëri të klasës politike.
Askush nuk e konteston, madje të gjithë faktorët politikë në vend e pranojnë faktin se Reforma në Drejtësi është e domosdoshme, është jetike, mirëpo ajo ende nuk po miratohet. Pse?
Reformat e mëdha e të rëndësishme, më lejoni të theksoj se edhe në vlerësimin tim Reforma në Drejtësi është e këtillë, kanë nevojë për kohë; kohë për t’u përgatitur, kohë për t’u njohur, kohë për t’u debatuar, shqyrtuar, përmirësuar e kështu me radhë. Tani jemi në fazën kur palët kanë gjetur dakordësinë për çështjet themelore e për shumicën e projektit, ndaj le të shpresojmë që të mbërrijmë në përmbushjen me sukses të këtij misioni. Natyrisht që jemi të vonuar. LSI-ja e ka bërë të qartë qëndrimin e vet parimor pro Reformës në Drejtësi, e madje, po të ishte për vullnetin e LSI-së reforma do të ishte miratuar me kohë. Mirëpo, për fat të keq, në këtë rast roli i LSI-së nuk mund të jetë përcaktues, ndryshe nuk do të ishim në këtë situatë! Prej të tjerëve Reforma në Drejtësi është konceptuar e artikuluar herë-herë si sfidë personale, apo sfidë e njërës palë kundër palës tjetër, e jo si sfidë e përbashkët e klasës politike, sfidë që duhet fituar bashkërisht për t’iu shërbyer interesave europiane të vendit. Është për të ardhur keq, por është e vërtetë që përfaqësues a drejtues politikë shpeshherë janë shprehur në Kuvend apo përmes qëndrimeve në rrjetet sociale, sa herë që në krye të rendit është vendosur tema e Reformës në Drejtësi se “më në fund erdhi koha të përgjigjeni, tani gjeni vend ku të futeni, Reforma në Drejtësi do t’ju tregojë vendin” e të tjera si këto, duke treguar me gisht tjetrin, a thua se reforma është një grackë për kundërshtarin dhe jo projekti i ringritjes së tërë sistemit të drejtësisë mbi standarde euroamerikane. Personalizimi në këtë mënyrë, protagonizmi i shtirur e hipokrizia e kanë dëmtuar dhe kompromentuar procesin. Pastaj le të mos harrojmë që vijmë nga një histori jombresëlënëse e ndryshimeve në Kushtetutë. Të gjitha këto dëshmojnë papjekuri e papërgjegjshmëri! Kushtetuta jonë nuk ka bërë ende 20 vjet që prej miratimit të saj në Kuvend e më pas me referendum popullor, ndërkohë që po bëhemi gati për ndërhyrjen e pestë për ndryshimin e saj, si në asnjë vend tjetër të paktën në Europë. E pra, kjo nuk është as shenjë serioziteti dhe as shenjë pjekurie e politike. Duke iu rikthyer edhe një herë rolit të ambasadorëve Vlahutin e Lu, më duhet të them se mjafton vetëm ky fakt që elita politike e vendit të kuptojë se çfarë përgjegjësish ka përballë qytetarëve, të cilët e kanë votuar, e kanë zgjedhur të udhëheqë dhe jo të udhëmbyllë! Jo vetëm perceptimi i qytetarëve, por edhe një “lexim” realist dhe i paanshëm i realitetit në sistemin e drejtësisë na jep të drejtën e bindjes se reforma duhet kryer. Pra, ajo nuk është një çështje vullnetesh individuale, është domosdoshmëri, është problem i shtruar për zgjidhje dhe do të kryhet. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka bërë të qartë qëndrimin e vet dhe ne do të jemi kontributorë serioze e të përkushtuar për realizimin e Reformës në Drejtësi, për të çelur e nisur në këtë mënyrë një epokë të re të raportit e marrëdhënies së qytetarit me shtetin e të drejtës. Reforma në Drejtësi nuk është qëllim në vetvete, por detyrim parësor për të bërë të mundur rritjen e standardeve dhe të cilësisë së sundimit të ligjit në vend, për të përmirësuar efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke pasur si bosht kryesor ruajtjen dhe konsolidimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe respektimin rigoroz të parimit demokratik “check and balance”.
E ndërsa politika e partnerët tanë ndërkombëtarë janë fokusuar të gjithë te Reforma në Drejtësi, deri tani ligji për dekriminalizimin, edhe pse ka hyrë në fuqi, ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat?
Në vlerësimin tim, ligji për dekriminalizimin është një ligj antikushtetues, ç’ka konfirmohet edhe prej paktit të palëve politike për të mos e ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, sepse ata që e kanë bërë ligjin e dinë shumë mirë se do të rrëzohej në Gjykatën Kushtetuese. Edhe ky është një tjetër paradoks shqiptar, po përderisa jemi para faktit të kryer dhe ligji është ligj, edhe ligji për dekriminalizimin duhet zbatuar me seriozitet dhe germë për germë. Aktualisht, ka nisur zbatimi i tij dhe unë jam i bindur që shumë shpejt do të japë efekte. Madje, disa raste janë evidentuar e të presim efektet e ligjit. Ligji për dekriminalizimin është në fakt një ligj korrigjues, më shumë se parandalues, që do të korrigjojë kriminalizimin, për të cilin, në fakt, duhet të përgjigjen edhe ata që e kanë legalizuar këtë fenomen. Sepse askush prej tyre nuk u bë deputet, ministër, drejtor a ku di unë se çfarë tjetër vetë. Nuk po flas për përgjegjësi ligjore, por përgjegjësi morale dhe politike duhet të mbajnë.
Grupi Parlamentar i PD-së, në kuadër të ligjit për dekriminalizimin, ka paraqitur së fundmi edhe një amendament për të përfshirë në kufizimet që parashikon ky ligj, edhe ata të cilët penalizohen nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Cili është qëndrimi i LSI-së për këtë nismë?
Nuk ka ende një qëndrim të LSI-së për këtë rast, sepse ende nisma e PD-së nuk është bërë pjesë e procedurave të shqyrtimit në Kuvend. Pasi të njihemi konkretisht me amendamentin, pra me propozimin për ndryshim, natyrisht që do të kemi edhe në qëndrimin tonë. Ndërkaq, në vlerësimin tim dekriminalizimi duhet të penalizojë cilindo që një vendim gjykate e ka shpallur fajtor, apo shkelës të ligjit dhe të Kushtetutës.
Prej ditësh është bërë i njohur fakti se në mjediset e Policisë së Shtetit gjendet një pajisje e sofistikuar përgjimesh, por e paregjistruar sipas ligjit dhe jashtë kontrollit të Prokurorit të Përgjithshëm. Cili është mendimi juaj si anëtar i Komisionit të Sigurisë?
Edhe unë nuk kam më shumë informacion nga sa cituat ju dhe jam i prirur të pres se çfarë do të rezultojë nga hetimet që po kryen Prokuroria. Personalisht, dua të besoj që të mos jetë e vërtetë, pasi Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese nuk kanë arsye të ndjekin apo zbatojnë praktika antiligjore. Ndërkaq, drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe ata të Policisë së Shtetit janë njerëz me integritet dhe të përgjegjshëm për përgjegjësitë që ushtrojnë e nuk do ta lejonin veten të futeshin në aventura të tilla të rrezikshme e me pasoja jo vetëm për ata vetë. Por nëse realisht gjendet një pajisje e tillë e instaluar dhe e paregjistruar, qoftë edhe vetëm për trajnim siç thuhet, jemi përpara një skandali të madh shtetëror. Prokurori i Përgjithshëm, por unë gjykoj që edhe instrumentet e kontrollit parlamentar duhet të investohen maksimalisht, për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore cilindo person përgjegjës. Për praktikat ligjore të përgjimit dhe pajisjet e përgjimit, ka akte e norma ligjore të përgatitura me shumë seriozitet dhe kujdes maksimal, ndaj çdo devijim prej rrugës ligjore duhet ndëshkuar. Nuk e di se sa i vërtetë është lajmi që pajisja nuk qenka e Policisë së Shtetit, por e Interforcës, misionit italian që asiston Policinë e Shtetit, por di që Interforca, e cila ka qenë prezente në Shqipëri edhe kur unë drejtoja Ministrinë e Brendshme, nuk vepron jashtë kuadrit ligjor të Republikës së Shqipërisë dhe jashtë marrëveshjes që normon bashkëpunimin mes saj dhe Policisë së Shtetit. Pastaj, ajo pajisje nuk është një telefon celular apo një çakmak që dikush e ka fshehur në xhep dhe e paska futur pa dijeni në mjediset e Policisë! Për çdo pajisje që vjen dhe hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë ka norma ligjore të përcaktuara; ku është marrë apo ku është blerë, kush e ka sjellë në Shqipëri, në cilën pikë doganore është futur, në emër të kujt është futur, kush e ka bërë praktikën në doganë e një mori e tërë pyetjesh, të cilat me siguri duhet t’i zgjidhë Prokuroria.(Panorama)
Komentet