Gjon Tisia, tekniku i lëkurëve në qytetin me kështjellë mbi pllajën mes dy lumenjve, kishte tri pasione të tij në kohën e lirë. Librat, mandolinën dhe gjuetinë në male. I kish mësuar në habitatin njerëzor të rinisë së dikurshme kur, pasi kish lënë pas fshatin malor të origjinës, në kohë të monarkisë, pat punuar me një grusht moshatarësh në një kompani italiane të shfrytëzimit të naftës. Të tre pasionet i ruante si relike dhe si një lloj antidoti ndaj rutinës në jetën e vakët të qytetit të vogël.
Rinia i pati kaluar në një lloj migrimi prej zonës së origjinës, në ultësirat naftëbajtëse diku, përreth Kuçovës. Fshatin e pati lënë dikur si një aventurë për të mos u kthyer më atje, veçse pas Luftës së Dytë. Dhe vetëm si vizitor.
Nga librat që blinte dikur, në shqip dhe në italisht, i kishin mbetur vetëm dy thasë zhake nga ata të transportit të kafesë të cilat, derisa ngriti shtëpinë e re për çerdhen familjare, në këtë qytet, i mbante gjithmonë aty kur lëvizte për banim sa andej-këtej.
Tani në qytetin e vogël, rrethi i shokëve të tij, më të shpeshtë, përfshinte një llogaritar me emrin Mojsi, një ish klerik me emrin Babasheh qe pat jetuar ca vite në Francë, Dilon, një bashkëpatriot i tij, ikur edhe ky, s’dihet qëkur në ’diasporën’ e afërt nga ku ishte kthyer i martuar më një grua të huaj, dhe, një burrë të gjatë me emrin Nasyhi me sjellje aristokrati që banonte në shtëpitë brenda kalasë së lashtë.
Rrethi I tij miqësor përfshinte edhe disa evgjitë me zanate dhe peshakatarë si ata, në lumenjtë që rrethonin qytetit, me pezevolët që i thurnin vetë me pe e najlon.
Kur ndodhte të shkonte rrallë për gjah , kishte të tjerë shokë, më të cilët i bashkonte i njejti hob.
***
Në qytetin e vogël, të njohur ndrysheedhe si qyteti i erërave për shkak të luginave dhe baseneve të lumenjve, gjuetia e së dielës në Golik. i erdhi papritur si kërkesë nga miqtë e gjahut. Por as ai vet, nuk e mendonte se ajo, pikërisht ajo e diel, do të ishte edhe dalja e fundit në mal për gjah.
Vlashi Kuruni, që punonte në bankën e qytetit, Milo Sajmoli, një inxhinier i kërkimit të fosforiteve dhe Pallavraq Zhulla. një ish avokat që punonte tani si llogaritar në një ndërmarrje të qytetit, përbënin si të thuash edhe grupin e shoqërisë së tyre të gjahut. Por ndonëse sporti I gjahut ishte ajo çka I kishte bërë bashkë, takimet e kafes dhe ndonjë gotë uzo në baret e qytetit, ishin si të thuash prelude ose epilogu i daljave në mal për gjah.
Zagarët e grupit ishin Zebi dhe Lupi, të cilët Gjoni i mbante në një kalibe dërrasë në kopshtin e banesë së vet në lagjen me emrin pak të habitshëm, Hajbik, dhe dhe ndanë një muri të vjetër që ndante kpshtin e madh të Gjonit nga një kompeks kulti me varre gjigande antike në trajta tetëkëndore më gurë gëlqeror të gdhendur.
Në krye të këtij habitati bukolik ndodhej teqeja e me emrin e veçantë, Teqeja e Demirhanit. Pikërisht në këtë vend, të rrethuar më murre të vjetër, varre antikë misteriozë datuar nga mesjeta e hërshme, me gurë të gdhendur si të sharruar në një fabrikë; kishte bërë fole një qetësi mistike që kulmonte tek Teqeja me një varrosh po kaq misterioz brenda saj, mbuluar me një kadife të jeshiltë që të kujtonte ngjyrën e bektashinjve tok me tri selvi që çanin qiellin lart si totema në një lutje të përjetshme për jetën .Këtu, një ndjesi hipnotike pushtonte gjithkënd që mund të shkelte përrqark.
Ky mjedis, besohej se u kishte dhuruar, qetësinë dhe një lloj maturie njerëzve të pjesës më urbane të qytetit të lashtë ,përfshirë edhe banorqt e lagjes Kala, brenda mureve të kështjellës mbi lumë dhe përtej portave me harqëe të gdhendura si ylbere mahnitëse nga duart e mjeshtrave gurëgdhenës të dikurshëm dhe veçanërisht burravë të përkorë të cilët mund t’i hasje aso kohen në shëtitjet tradicionale në bulevardin e qytetit në mbrëmje pas pune, ndën hijen e kalasë së lashtë dhe në ditët me eërë, që këtu ishin me shumicë, i shihje në ato pak klube në zonën e Pazarit apo pranë godinave të adminstratës publike të kohës.
Në mjedisin e kopshtit të madh të Teqesë së Demirhanit. mund të hasje shpesh edhe Zebin dhe Lupin e Gjonit, të stërvitur për dhelpra e thëllëza po jo për derr e sorkadhe.
***
Atë janar, kishte pallkosur një borë e madhe githandej. E fundit, kishte rënë butë-butë me flokë të mëdhenj dhe e kishte shtruar gjithandej me mbretërinë e saj të bardhë. Pemët kërcisnin në boriga nga pesha e saj ndërsa kur shkelje në të, zhurma e butë të krijonte ndjesionë sikur ecje si në ëndërr dimri apo në masive niseshteje.
Aty-këtu, era e lehtë ose dalja e beftë e një shpendi nga obrellat gjigade të dëborës nëpër pemë, bënte që të tundeshin si me dorë njeriu, degët e ngarkuara plot dhe të rrëzohej si e shtyrë nga një dorë e padukshme pak borë nga pejzazhi i paqtë dhe i pafund. Rrugët e makinave pothuaj nuk punonin në akset kryesore .
Të katër gjahtarët e kishin nisur rrugën ndaj të gdhirë, nëpër luginën e lumit më të madh për të arritur në vendin e zgjedhur më parë prej tyre që ishte edhe prehëri i malit të Golikut. Një korie me toponim Fusha e Kumbullave ku besonin shumë se së paku, poshtë pyllit të dendur, thëllëzat kishin zbritur në zebele pranë zonës së banuar për të gjetur ushqim dhe pak ngrohtësi nga ditët e acarta.
Deri në mesditë, e gjithë skuadra kishte vetëm dy ‘trofe’, një lepur dhe një thëllëzë. Pas drekimit kolektiv me ushqimin nëpër çantat e secilit, shoqëruara si ngaherë me dy faqore të vogla me raki Përmeti, Gjoni si më I madhi prej tyre në moshë u tha të ktheheshin për në qytet.
-Kaq ishte risku jonë për sot.-tha ai.- Nuk bën të na zërë nata këtej. Tani, erret shpejt. Mos harroni edhe rrugën.e kthimin dhe shenjat janë se bora mund t’ia nisë përsëri…nga gjëmimet e mbytyra dhe të largëta që dëgjihen…
Vlashi, një dropullit i urtë që kishte shumë vite në bankën e qytetit, nuk dallohej për shpirtin e kundërshtimit, ishte i njëmendtë me Gjonin:
-Si të doni ju të të tre. Unë nuk ua prish.
Por Milo Sajmoli, ishte kundër. “Nuk kthehen burrat në qytet me një lepur!.Ne jemi edhe anëtarë të hershëm të Shoqatës së Gjahtarëve…”
Pallavraq Zhulla,-u hodh si në një seancë gjyqi:
-Atë them edhe unë! Të vazhdojmë. Hunda më thotë që do biem në derr…Edhe kjo,- tregoi me gishtine dorës së djathtë hundën,-nuk më gënjen kurrë.!
Të tre shikuan nga Gjoni, i cili kishte humbur më ‘vota’.
Befas qentë nisën të lehnin me të madhe duke u hedhur sa majtas-djathtaz pa pushim.
-Derr!-tha Zhulla,- duke u ngërdheshur i lumtur dhe duke hopur gojën e madhe me dhëmbët gjithashtu të mëdhenj, gjysma e të cilëve ishin veshur me flori.
-Ju thashë të qëndrojmë dhe ja, fati ynë!-dhe bëri gati ciften….
-Hapuni! Me kujdes -tha Gjoni që ishte edhe si punë përgjegjës i grupit jo më tepër nga që ishte i zoti I zagarëve të gjahut sesa për moshën
-Ti Pavllo qëndro në pusi atje, tek lisi i madh.-dhe bëri me dorë nga drejtimi.
– Vlash, mbaje Zebin pas vetes! Lere të lehë…..Ndërsa ti Milo, qëndro në krahuan tim të djathtë me shenjë atë dëllinjën me kaçube…
Qentë po tërboheshin fare. Pas Zebit , Lupi nuk mbahej më në vend. Kërcyen të dy drejt kories përballë nën lisat plot borë .. Pastaj, të dy morën pas njeri-tjetrin duke shtuar të lehurat drejt bredhave përballë që dukej sikur i kishin mbjellë me dorë, me të njëjtën distancë nga njeri-tjetri.
Shtegu pranë bredhave ishte zënë plotësisht si pusi e vertetë për çdo derr që mund të dilte. Ishte i vetmi shteg i mundshëm. Të lehurat e qenve u zbehën disi pasi duket se kishin ndjerë erën e gjahut që po ndiqnin dhe pas një kohe të shkurtër, ia behën ty pranë me të lehura të forta e të shpeshta.
Të katërt në pusi dhe qëndronin me gishtin në kembëz të armëve të gjahut.
“Ç’pamje idilike me bardhësi bore dhe rrëzëllim dielli në pasdite!”, mendoi Gjon Tisia. Si në përrallë dimri apo filma,- dhe e shtriu çiften mbi një degëz dëllinje me borë.
Por për habinë e të katërtve, ndërsa prisnin të dilte një ose disa derra, në pusinë e proskës nën dëllinjat e dendura si kërpudha gjigande, befas, u shfaq një sorkadhe dhe dy-tri metra lërg, i vogli I saj si një ëngjëll u bukur dalë prej përralle. Dukej qartë se I vogli i asaj mezi ecte dhe herë pas here pengohej në shkurretat e mbuluar nga ploja e bardhë e borës.
-Bjeri Gjon!-briti Pallavraqi që shkurt i thërrsnin Pavllo.
-Mooos!-tha Gjoni.dhe ngriti dorëne djathtë me pëllëmbën e hapur në ajër-Mooos, se është sorkadhe dhe është me të voglin e saj..!
Për zotin, mosni! Ulini armët!
-Ca më mirë!-ia priti Pllavraqi dhe u mat të shtjerë në shenjë.
-Mos more njeri,!Mos! Të kam rixha! Mos ! Se nuk të flas me gojë!….
Sorkadhja e murme dhe me shtat të lartë bëri t’i vidhej kurthit të gjahtarëve, por befas u dëgjua një krismë cifteje dhe një britmë…
-Hahaaa!
Pallavraqi kishte qëlluar. Me plumbin e dytë goditi edhe të voglin e saj i cili siç ishte i plagosur e futi edhe më shumë kokën te barku i së ëmës si për të pirë.
-Ahahaaa!-thirri sërish Pallavraqi, duke shprehur kënaqësinë e qitjes në shenjë.
Sorkadhja ktheu kokën nga agresori, ra në gjunjë e plagosur në brinjë dhe papritur nga sytë e kristaltë nisën të rridhnin si kokrra diamanti disa lotë kokërrmëdhenj si prej fytyrës së një ëngjëlli ose një fëmije të padjallëzuar.
I vogli i saj ngeci I hutuar dhe u afrua të ëmës sikur të kërkonte të pinte qumësht me kokën që ngjiti tek barku i saj aty ku e murrmja e trupit të saj lar-lara kish nisur të skuqej nga rrjedha tragjike e gjakut të plagës.Dukej një trëndafil tragjik.
-Mooos more! ,Çfar bëre kështu!. Njeri apo derr,je ti?! Çfar je ti-I bërtiti Gjoni kolegut gjahtar që sapo kishte kryer qitjen fatale dhe po ngërdheshej krenar.
-Mooos!…-thirri atë ças edhe Vlashi.
-Gjunah nga zoti-tha Milo që ish afruar tani pranë të tjerëve.
-Moooos,-bërtitit edhe sërish Gjoni dhe zëri i tij së bashku me një krismë të dytë u përhap në kupë të qiellit duke jehuar deri tej në lugjet pranë.
-Moooos të thash! Se nuk të flas më gojë sa të jem gjallë! Je njeri apo bishë, ti!?.Moooos,! Me çkam më të shtrenjtë, mos e godit përsëri!Boooll!.
Por rituali barbar vijoi me një plumb të tretë mbi trupin e brishtë të sokradhes e cila ishte shtrirë tani mbi borën e bardhë. E kuqja e gjakut të valë rridhte nga plagët e përhapej tani mbi dëborë.
-Palo njeri.! -Biishë!-iu drejtua Gjoni kolegut i cili ndjehej triumfues me gjahun e sorkadhes.
– Njeriu, po shtiu edhe mbi një sorkadhe që qan me lotë nga dhimbja, njëlloj sikur shtie mbi një njeri!….
Pallavraqi heshti. Pastaj tha
-E di..!E ndalon edhe ligja, Po unë kot nuk jam i ligjeve, Gjon?
-Je një palo njeri!Ja ç’je,ti Je një m*t i ligjeve me këtë që bëre!Ja, cfarë je ti !…
Vlashi nuk nxori asnjë fjalë. Në fund të fundit , dëmi u bë, mendosi ai. |Asgjë nuk korrigjohet dot tani, mendoi i ligështuar ai. Milo vazhdonte të përsëriste:
-Gjynah nga Zoti!…
Pasoi një grimë kohe e tensionuar. Qentë hidheshin përreth gjahut ndërsa Gjoni u thirri të mos lëviznin dhe të uleshin në gjunjë. Ata sikur ta kishin kuptuar gjuhën dhe tensioin e të zot, u ulën në gjunjë me kokën para.
Gjoni u afrua te sorkadhja e përkëdheli në qafë me dorën që i dridhej. Përkëdheli pastaj trupin e ngrohtë të të voglit, tani pa shpirt dhe iu mbushën sytë nga një perde loti.
Asush nuk fliste më. Heshtja e rëndë vijoi me peshën e një kubeje të plumbtë.
***
-Zebi! Eja këtu! Suss! Lupi, këtu! Shpejt! Eja të ikim në shtëpi…!
Zebi, qeni I zi iu afrua Gjonit te këmbët dhe uli kokën para të zotit i bindur. Lupi, qeni tjetër, një racë italiane, iu fërkua te kërcinjtë e kallçinave të meshinta që kish veshur Gjoni dhe te çizmet prej gome çeke.
Pa thënë asnjë fjalë, ai u ktheu krahët të tre shokëve të gjahut dhe u nis drejt qytetit I vetëm, i ndjekur nga Zebi dhe Lupi që i dilnin herë para e hera në rrugëtimin e kthimit për qytet.
Po afrohej buzëmbrëmja. Përtej në luginë ndanë Vjosës, ishin ndezur dritat e para publike të qytetit. Bëri një copë rrugë të gjatë pa folur.
Pastaj nisi të fliste me zë me qentë e tij si një nevojë shpirtërore. Fliste edhe me vete. Me zë. Si të fliste me me një shok të vjetër që gjithë këto këto kohë, i pati munguar:
-Eja Zebi, kjo ishte dita e fundit në gjah, or mik im. Ne jemi më egërsira se bishat e malit, Zebushi im. Jemi pa zemër, Zebushi im..Këta jemi ne…!
Ecte duke pirë cigare si kurrë më parë. Cigare nga paketa “Diamant” që e mbante gjithmonë në pelerinë prej lëkure meshini ngjyrë kafe.
***
Të nesërmen në mbrëmje Vlashi e kërkoi për kafen e zakonshme të klubi i Series në zemër të qytetit, atje ku ndalonin autobuzat e linjës së kryeqytetit për krejt jugun .
-T’i dërgojmë një haber edhe Pavllos,-I tha Vlashi që ishte dhjetë vite më i vogël nga Gjoni por që kishte gjithmonë një kënaqësi të kalonte disa çaste me këtë njeri të gjezdisur siç i thoshte ai.
-Në asnjë mënyrë jo!-ia ktheu Gjoni kategorik.
-Që nga dje në mal, me atë që ndodhi me sorkadhen dhe të voglin e saj të gjorë, me atë njeri, unë nuk do të flas më në këtë jetë! Sa të jem gjallë, jo! E luta si Krishtin dhe nuk më dëgjoi po veproi si një barbar. U betova për fëmijëtë dhe çkam më të shtrenjtë në këtë botë…
Pushoi një grimë. Vlashi miratoi mendushëm me kokë.
-Akoma i kam këtu në sy edhe këtu,- vuri dorën tek zemra,- lotët e sorkadhes,- dhe çoi dorën në kombin e grykës.
-Vlash, miku im i vjetër, dje, ai vrau një njeri jo një sorkadhe që derdhte lot..Një njeri! Më beso!…
Tjetri heshti në karrigen e barit ku ishte ulur dhe trishtimi iu vizatua në krejt fytyrën .
-Ti mik, merr c’të duash! Unë do marr një kafe shqeto…. dhe një uzo .
Dhe aty për aty, duke i bërë shenjë Series, kamarieres së vjetër të shërbimit shtoi:
-Serie, të lutem, porositë meri këtu, nga unë !
Komentet