Kur Zoti te Njeriu krijoi sytë, nga sytë e Zotit pikoi loti
Dhe Zotit një mendim në çast i shndrit: të thërrmohej nëpër pika loti.
Pastaj mendoi: lotët e gëzimit t’i bënte rozë apo të kaltër
Dhe lotët e trishtimit të hirtë apo të zinj
Po mundet, tha Zoti, gëzimi dhe trishtimi të rrinë bashkë
Si mund të gatuaj lot të rinj…
Njëherë mendoi: lotët Dashurisë t’ia bënte të ngrohtë
Dhe të ftohtë – lotët e Urrejtjes
Po ngaqë këto gjendje shpesh ngatërrohen
u tërhoq shpikësi Zot…
(Thjesht çështje teknike me kondicionerët e gjendrave…!)
Gjykoi: ca lotë të ishin të mëdhenj
të buronin nga njerëz të mëdhenj
dhe me këto lot të merrej Historia
po prapë u zmbraps nga frika se mbretërit
do burgosnin lotmëdhenjtë
me mbiemrin LIRIA.
Vendosi: lotët do t’i bëjë të barabartë
Transparente si vesa, të avullueshëm si shirat
Kur të rrjedhin faqeve të krijojnë harta:
Të mos humbasin shpirtrat…
2.Duke parë një hekur të vjetër për hekurosje në pazarin e Krujës
Antikuari e ktheu në anije…
Nëna: fokiste me një mashë
mbush anijen e vockël me prush
dy lugë të argjendta kafeje i bëri flugerë
nga dera e kuzhinës fryu Trëndafili i Erërave
u gufuan velat: shamitë e nënave të emigrantëve
me lotët ngrirë në formë stërkalash.
Anija-antikuar kalon mes ishujve: filxhanë kafeje me harta llumi
plakat rrijnë rrotull: presin kthimin e djemve të vdekur
hekurosin për të njëmijtën herë bluzet e pantallonat e tyre
e nuk shohin si u shtohen rrudhat e fytyrave.
Një e qarë bëhet sirenë, brigjet dridhen
– Kujdes, moj korbë,
në astaret e xhepave
paska mbetur një monedhë…
- Mëngjesi…
Brenda natës gjeta mëngjesin e hutuar duke qarë
I vura dorën mbi sup për ta qetësuar: nga prekja çelën lastarë.
Një mëngjes i tronditur mund të zbardhet në gjunjët e natës
Ndodh që brenda pak orësh të thinjen flokët e zinj
Mëngjesi të dalë prej natës si nga këllëfi argjendi i shpatës
Kur klith në ajër: Liri…
- ***
Nga kuletë e syrit ç’ monedha floriri muzikojnë te gjiri!
hop, thithka ndizet: gjarpër fakiri.
Lakuriq si loti në sheshin e syrit
pasqyrat e djemve me argjende shpirti.
Lakuriq si loti rrotullohesh, digjesh
rrëzëllin e tëra: diamant pa brigje.
- Kali i egër
Më vini frerët të mos quhem anarkist
Dy kanata më vini te sytë: djathtas dhe majtas s’më duhen dritaret
Dhe në fund: te këmbët më vini patkojtë në formën e prangave.
Në kovaçanën e vogël mi ngulën gozhdët: o zot ç’hingëllima trishtimi
Dukesha i kryqëzuar në Golgotë mbuluar me pluhur nënshtrimi.
M’i vunë dhe frerët, yzengjitë prej floriri
Thonë dukem i bukur: racë gjenerali
Po ku ti gjejë thesaret e një pylli ndezur nën krifën e një kali…
Pyjet i kisha dashuri të përjetshme: i ktheva në ëndrra
Pyjet i prenë, kufomat e drurëve shpesh unë i kam mbajtur
Lotët e kuajve gjigande i kanë gjendrrat
Liria qenka thjesht një ëndërr mëzash
Liria: lojë me të pafajshëm.
Eci rrugëve qyteteve dhe fshatrave
mbi katër patkoj në formën e prangave…
Komentet