Nafari, plaka më e vjetër e lagjes së vjetër, po luante me lojrat e dritës që rrezet e diellit bënin me perdet. Ishte përqëndruar plotësisht për të gjetur forma të njohura, që aty dukeshin e aty zhdukeshin. Bile më shumë se njëherë iu duk se pa në perde fytyrën e burrit të saj të tretë. Ai po i ngërdheshej që aty, e po që aty, po e pyeste se ç’bënte ende në tokë, mes njerëzve, kur ajo, as që ishte më njeri?Pse nuk e lironte vendin dhe kështu do të shuheshin edhe zënkat mes bijave të saj? E për çfarë? Ja për atë shtëpi të vogël me kopësht përpara që dikur e kishte rregulluar Shmueli, burri i saj i dytë. Atij i zinte dora për çdo gjë dhe kopshtet e bukura të mbushura plot lule e pemë i kishte merak. Nuk kursehej, dhe kur ai ishte gjallë dhe kur ajo ishte ende një zonjë e re, e mbajtur plot kërkesa për vete, për të bijat,dhe për burrin që kishte në krah, ndërmori rregullimin e asaj cope toke dhe e ktheu me të vërtetë në një kopësht –përrallë.Çdo gjë ishte në vendin e duhur dhe e vendosur me shije. Ngjyrat e luleve dhe figurat që formonin ato ishin me të vërtetë të jashtëzakonshme. Aty ishte akoma edhe muri i gjelbër e lakadredhas që formonte emrin e saj dhe një zemër, po të gjelbër,.
“-I shkreti Shmuel, edhe kur vdiq , vdiq i gjelbër”. Eh, ai u harrua!. Në fakt ia kishte kaluar mirë me të. Ai ishte i dashur, i butë, si një gjethe luleshtrydheje.Nuk bënte kurrë dashuri pa marrë në fillim leje, duke e kërkuar me njëmijë fjalë të ëmbla e të buta që asaj ia hanin kokën.Në fakt kur u martuan bashkë, të gjithë u habitën se ajo ishte krejt e kundërta e tij, ishte xanxare, e egër, e sertë, nuk dinte të sillej butë, nuk dinte të lutej. Ajo thjesht vendoste për diçka, e nëse nuk vendoste, urdhëronte. Ai i pari, dale prit, si e kishte emrin? …hë pa rëndësi, kur s’të kujtohet, nuk të kujtohet, ai kishte qenë çakmak.Ishte anëtar partie i flaktë dhe të gjitha ditët i kalonte në zyrat e partisë së tij duke bërë debate të kota me militantë të tjerë, debate që nuk të çonin gjëkundi dhe nuk thoshin asgjë.Një fjalë duhej dhe atë e kapte një dalldi politike që e çonte duke qeshur drejt kaosit.Një kaos që përfshinte si me magji edhe të tjerët që ishin të pranishëm
“-Unë jam produkt i përfundimit të konfliktit. Unë jam ai që duhet të jem. Unë jam paqja e vetvetes, por paqja nuk është me mua. Unë mendoj çfarë të dua. Pse e kam Zotin tim? Përse i lutem Atij? Kot? Jo, padyshim që jo!E kam një qëllim. Dua që Ai të më dëgjojë dhe të më dëgjojë mirë. Nuk dua më që në çastin që unë i drejtohem Atij në shtëpitë e tij, të ketë më gjakderdhje. E dua Zotin dhe dua që ai të më pranojë dhe të pranojë më të mirën prej meje. Nuk kam nevojë për ndërmjetës, ndërmjetës jam vetë. Jam një ndërmjetës i mrekullueshëm i vetvetes dhe i atyre që duan të më dëgjojnë e të më ndjekin.Unë do sjell paqen po, do e sjell sepse jam në paqe me veten.A s’kemi të gjithë një nënë?S’ka fatkeqësi më të madhe se të humbësh nënën! Dhe Paqja jonë e ka humbur. Gjithë ato zgjidhje nëpër tryeza kanë shkuar dëm se , kësaj çështjeje i ka humbur nëna. Do shihni ju, sa të gjehet ajo si do të ndryshojnë gjërat, se si do të zbuten njerëzit, se si do të bëhen të arsyeshëm, të ditur dhe të dashur. Do shihni se çfarë dashurie do të shpërthejë dhe atëhere do kemi Paqen e shumëpritur. A nuk ndodh kështu kur nëna vjen në shtëpi, çdo gjë shkëlqen , fëmijët urtohen, hanë me rregull, rrinë të pastër dhe presin me besim përkëdheljet e saj? Po burrin , burrin e keni parë kur gruaja vjen në shtëpi?A e keni parë si loz me fëmijët, si ndihmon rreth e rrotull, si e pret me devotshmëri filxhanin e çajit mbasdarke dhe se si krekoset të nesërmen kur vrapon për në punë ? A s’është kjo ajo që kërkojmë me të vërtetë? Gjithë të tjerat janë…vërtet çfarë janë gjithë të tjerat? Konflikte, luftra, histori, kufij, harta, mure, rregulla, programe, strategji, mbijetesë”.-murmuriste sa nëpër zyrat e partisë, sa në rrugën për në shtëpi, e sa në dhomën gjysëm të ndriçuar-“që të ndriçohen mendimet më mirë”-i thoshte asaj darkë për darkë kur bëhej gati për të fjetur.
-Po si e kishte emrin? Dreq! Kam bërë dhe fëmijë me të, po emrin si e kishte?Ja që Nafarit nuk po i kujtohej emri i burrit të parë, por ama i kujtoheshin benevrekët e tij me lule të vogla ngjyrë rozë që ai nuk i hiqte asnjëherë, as edhe kur jashtë bënte më shumë se 50 gradë në hije. Po, ato i kujtoheshin mirë se për të ishte një mundim i madh për t’ia hequr, kur i tekej ta ngërthente nën vete. Se të ishte për të, ai as që kujtohej kurrë për të.Në fakt nuk e kishte menduar ndonjëherë më parë, kur kishte ndodhur, thjesht e kishte fshirë nga kujtesa dhe nuk ishte marrë më me të sikur ai të mos kishte ekzistuar kurrë.Por sot kur hijet e diellit ia sollën si padashur përpara, vendosi të pyesë veten, tashmë e kishte luksin të ishte e sinqertë me veten, pra të pyeste veten përse ishte martuar me të?I kujtohej fare mirë budallallëku i tij proverbial.Edhe kur ndonjëherë ajo i tërhiqte vëmendjen ai gjithnjë i thoshte:
-Unë nuk njoh dhe nuk di të ndjek ndonjë rrugë tjetër.Aq shumë e kishte tepruar me debatet e tij të kota në zyrat e partisë, sa drejtuesit e saj të bezdisur deri në fund i patën ardhur edhe në shtëpi, po,po, kjo i kujtohej mirë, ja, ai burri i gjatë dhe i zeshkët, ai kishte folur, ai që u bë më pas zëvendës kryeministër,dhe i kishin kërkuar asaj me shumë maturi e delikatesë që të përpiqej ta mbante burrin e saj edhe brenda mureve të asaj shtëpie. Shkurt ata i lanë të kuptonte se duhej të tregohej më e ngrohtë me të dhe ti përdorte më shumë hiret e saj femërore. E nëse nuk e bënte për atë, Shulamitin, ah po, më në fund , emri i tij kishte qenë Shulamit, ta bënte për çështjen, për të ardhmen e kombit. Dhe ajo e kishte plotësuar kërkesën e partisë, i kishte rënë shkurt, e kishte divorcuar. Me të vetën më kollaj i jepte duart atij, Shulamitit hajvan, se sa t’i lëpihej e t’i bënte lajka.Ia kishte mbledhur rrobat në një bohçe, ia kishte lënë tek shkallët e jashtme të shtëpisë dhe nuk i kishte lëvizur nga vendi as kur shirat kishin filluar punën e tyre.Shulamiti nuk ishte dukur kurrë për t’i marrë. As nuk e kërkoi më, as atë , as të bijën.Nganjëherë Nafari edhe kishte dyshuar në e dinte ai, Shulamiti hajvan, që kishte një vajzë. Kaq indiferent ishte!Nuk ishte penduar. Thjesht mbylli një kapitull, idiot të jetës. Shyqyr që vajza, Naomi, nuk i kishte ngjarë atij.Nuk ishte ndonjë gjë kushedi se çfarë, nuk ishte as shumë e bukur, as shumë e zgjuar, por ishte praktike. Nuk kishte ambicje të mëdha.Thjesht ishte si gota e ujit që nganjëherë e vë në tryezë gjatë të ngrënit, e nganjëherë harron. Gjë që zgjidhet kollaj, çohesh e merr kur të duhet dhe e lë prapë në vend.Dielli kishte ndërruar pozicion. Edhe koka e Nafarit që e ndiqte me fanatizëm deri në fund. Të tjera figura ishin shfaqur dhe Nafari nuk kishte punë tjetër.Kohën e kishte me shumicë. Nuk kishte pse të ngrihej që me natë dhe të fillonte pastrimin me rrënjë e me degë.Çdo mëngjes , pa gdhirë shtëpia lëvizte e gjitha për të pastruar atë që vetëm dje ishte pastruar.Kur dielli kishte filluar të dukej paksa, Nafari i kishte mbaruar pjesën dërrmuese të punëve. Ushqente të bijat, i pastronte ato, i vishte dhe i niste për në shkollë duke u siguruar që çdo gjë e tyrja të shkëlqente, që nga flokët e bukur të kapur gërsheta me fjongo, e madhja blu, e dyta, të kuqe, dhe e treta të gjelbër, ngjyra që ajo nuk i lejonte t’i përzienin.Këto ngjyra ishin si shenja dalluese edhe për të gjitha gjërat e tjera të tyre, duke filluar nga të brendshmet, e deri tek lugët, picetat, këpucët, çadrat, fletoret, perdet, mbulesat, lapsat, deri edhe sapunët, pa folur për furçat e dhëmbëve.As një ngjyrë tjetër nuk lejohej. Ajo vetë mbante lejla .Kurse sa për burrat edhe ata i kishte ndarë, të parit i kishte pëlqyer t’ia merrte rrobat kafe, të dytit të gjelbërta dhe të tretit, Shabatait të bardha. Nuk po i kujtohej kush kishte vdekur prej tyre, i pari, i dyti, apo i treti? Apo kishin vdekur që të tre? Apo mos kishte vdekur edhe ajo? Po atëhere pse e shihte diellin dhe pse arrinte të mendonte?Apo edhe të vdekurit mendojnë?E kush e diti? Në fakt një funeral e mbante mend mirë po se i kujt kishte qenë, këtë jo. E mbante mend mirë sepse atë ditë dielli kishte djegur e përvëluar më shumë se në shkretëtirë dhe ishin gati të shkriheshin edhe të gjallët që po kryenin ritin e kadishit bashkë me të vdekurin. Dielli të shponte si me gjilpëra dhe asaj i ishte dukur sikur ai po hapte një gropë m’u tek këmbët e saj dhe se ajo do të përfundonte drejt e brenda bashkë me të vdekurin që nuk ankohej më. “-Ah!, -paska qenë ai, Shabatai, ankuesi i pandreqshëm. Paska vdekur i shkreti, s’u kënaq kurrë! Gjithnjë do gjente ndonjë kleçkë, për çdo gjë. Kur gatuante të ziera ankohej se përse nuk i kishte bërë të skuqura. Kur i bënte ditën tjetër të skuqura, ankohej se përse nuk i kishte bërë të ziera dhe se ajo deshte që ta vdiste atë, Shabatai Shlishiun, se ai ishte nga Tel Avivi, tamam nga qoshka e Har Zionit afër Stacionit Qendror të Autobusëve! Po ajo kush ishte? Kurrkush! Thjesht një e mbijetuar e Kristallnacht-it! Pra një me dërrasa mangut. Po kjo ishte e përditshme. Përditë do të ankohej, ankohej se dielli digjte kur ai ishte në punë të vet, dhe po kështu ankohej kur dielli mbulohej nga retë e dimrit. Sido që të vinte Dielli ishte gjithnjë fajtor, si të ishte, si të mos ishte. Po kështu sillej ai me të gjithë dhe me gjithçka. Kur ajo i afrohej e ndezur nga dëshira atij i dukej e tepërt, kur ajo bëhej indiferente dhe nuk e përfillte fare, ai përsëri do të ankohej për këtë gjë.Kulmin e mbërriti një shabat kur ajo i kishte afruar ushqimin dhe ai i ishte ankuar Rabi Josefit se ajo asnjëherë nuk i gatuante kosher. E para që e braktisi ishte e bija, Sara. Kaq u desh që edhe dy bijat e tjera, ajo Shmuelit dhe ajo më e urta, Naomi e Shulamitit, ndoqën gjysëm – motrën e tyre. Pas tyre kishte shkuar edhe ajo.Kështu që kur i kishte ardhur për të vdekur, Shabatai kishte vdekur vetëm. E mbanin në shtëpi për sytë e botës por nuk i ofronin pothuaj asgjë. Ai nga ana e tij bërtiste e ulërinte për këtë braktisje. Betohej se nuk do të ankohej më. Se kishte bërë gabime të mëdha. Se e kishte patur ai fajin që e kishin pushuar nga puna, se kishte qene vetëm ai që ishte ankuar në takimin me bosin, dhe prej tij ishin marrë në qafë shumë njerëz, dhe se shumë gra e fëmijë kishin mbetur pa para për të ngrënë, po nuk do ankohej më, se ato që të katërta ishin të mrekullueshme, gratë më të bukura dhe më të dashura e më të përkushtuara, më të shtrenjtat për të. Nuk pushonte as kur dhimbjet e palosnin si një shami hundësh nën krevat duke u lutur. Po e kishte patur kot. Askush nuk e dëgjonte. Deri atë ditë kur me sy të shuar i ishte lutur asaj ta shpëtonte.
-Shpëtomë që të shpëtosh edhe veten – i kishte thënë,- se edhe ti, kështu do vdesësh, vetëm dhe vetëm atëherë do më kujtosh. Por ty nuk do të të vrasin dot. Sidoqë të jenë, ato mbeten bijat e tua.- kishte shtuar ai.
Dhe ajo nuk ishte menduar dy herë. Disa sekonda dhe jeta kishte shkuar duke marrë me vete shpirtin dhe trupin e tij.Po i kujtohej se si kishte mbetur në këmbë me sy të ngulur në trupin e akullt, e zbrazët si krikëll birre. Kishte ndenjur për gjithë natën ashtu, pa arritur të mendonte për atë që kishte bërë. Vetëm në mëngjes e kishte mbledhur kallaballëkun e mendjes dhe kishte vrapuar ta varroste.E pra, s’kishte patur fat me burrat. Shulamiti kishte qenë thjesht një hajvan që u zhduk pa lënë gjurmë asgjëkundi, as edhe në kujtesën e saj.Shmueli kishte qenë aq i butë, sa sikur kishte nxituar vetë drejt vdekjes por asaj i dukej gjithnjë sikur ishte një gjethe diku, a një fije bari në kopësht. Për të i kishte ardhur me të vërtetë keq. Kurse , sa për Shabatain, ai kishte bërë mirë që kishte shkuar.Kurse sot që të tre fshiheshin tek njëri-tjetri në hijet e rrezeve në perdet e dhomës ku ajo kishte kohë që lëngonte.Të bijat kishin shkuar në punë të tyre, ishin martuar që të treja, pa zgjedhur shumë. Sara ishte larguar me të shoqin , një predikues i suksesshëm, për në Australi. Naomi kishte mbetur në Tel Aviv po e zënë me punë dhe me fëmijë nuk vinte pothuaj fare, shiheshin a nuk shiheshin një herë në vit.Kurse Ariel ishte aq shumë e zënë me veten, sa harronte kë kish afër.Ishte gjithnjë në luftë me të dashurit e saj që ajo pa dashje i ngatërronte dhe atyre s’u mbetej vetëm të mblidheshin në të njëjtën dhomë të rrëmujshme, plot sende të hedhura sa andej – këndej , dhe të prisnin që ajo të zgjidhte dhe të caktonte ditët dhe oraret, e që përsëri e përsëri ajo prapë pa dashje i ngatërronte.Nafari i kishte gjetur punë vetes në një shoqatë bamirësie, ku ajo thurrte me grep e shtiza , si edhe ndihmonte në pastrimin dhe mirëmbajtjen e mjediseve. Aty kalonte pothuaj gjithë kohën. Herë pas here edhe i qëllonte të flinte aty. Shtëpia e hante. Asgjë nuk lëvizte më.Në betejën me pluhurin më në fund ajo ia kishte dorëzuar fitoren atij dhe tani i dukej një budallallëk me brirë lufta e përjetshme.Njeriu nuk duhej të jetonte sipas luftës, por sipas paqes dhe i duhej vetëm ta gjente atë, sepse ajo ishte gjithnjë aty, pranë tij, vetëm se njerëzit bëheshin me dashje të verbër. Kjo verbëri u merrte jetën. Kjo verbëri i linte pa jetuar, pa shijuar deri në fund lumturinë, pa iu gëzuar natyrës dhe vetvetes.Por tani nga shtrati i lëngimit ajo nuk ishte e sigurt më në ekzistonte lumturia. Ndoshta gëzimi dhe paqja po, por lumturia i dukej një nocion tepër i largët, i pakapshëm. Si një mantel që njeriu e vesh për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe shiu dhe që pastaj e heq dhe ai mbetet po ai, njeri, vetëm me lëkurën e vet, i hapur për të gjitha rreziqet e mendjes.Po atëhere përse njerëzit e përmendin aq shumë dhe i këndojnë po aq shumë, përse njerëzit e kërkojnë lumturinë?E dinë ata se ajo nuk ekziston? Apo janë të bindur për të kundërtën? Po edhe nëse po,çështja duhet të jetë shumë më e thjeshtë nga ç’ndërlikohet nga filozofët.Në fakt, njeriu nuk ka shumë kohë të merret me veten dhe e gjithë tendenca e tij është që t’u bjerë gjërave sa më shkurt, nuk ka kohë dhe as dëshitrë të shpërndahet nëpër teori të thella. Kjo rrugë e shkurtër e çon drejt përfundimit se është më mirë të jetojë me imazhin e lumturisë, dhe të kapet drejt saj , thjesht për të mbërritur atë që është me të vërtetë më e kapshme dhe praktike, që ka të bëjë me ushqimin e përditshëm, jetesën e përditshme, dashurinë dhe familjen. Dhe kur ai i arrin këto atëhere arrin të gëzohet, sepse mendon se të paktën diçka realizoi, dhe se tani e ka të hapur rrugën drejt lumturisë që shkëlqen atje tutje. Por ajo përditshmja është kaq shumë kapriçoze, kaq shumë dredharake, kaq shumë egoiste sa ia merr të ziut njeri të gjithë energjinë, kohën dhe dëshirën dhe si përfundim , ajo, lumturia, mbetet ajo drita që shkëlqen atje tutje, kushedi se ku.Ja ku ishte ajo vetë. Vetëm ideja se duhej të luftonte çdo ditë , ajo gjendje lufte e përhershme ditën dhe natën e kishte lodhur.Dielli ishte për të gjithë.Kurse kështu ajo jetonte përditë me atë gjendjen e luftës së pakuptimtë. Përgjysëm. Krejt përgjysëm. E ç’kishte dalë nga ky përgjysmim? Një gjysëm këndej, nga burrat dhe vajzat, një gjysëm andej nga lufta me pluhurin. Nuk u ishte dhënë plotësisht burrave të vet se kishte nxituar të kryente punën e përditshme. As vajzave nuk u ishte përkushtuar deri në fund, se gjithmonë kishte punë për të bërë, mjaftohej vetëm me pjesën e jashtme të tyre,flokët, fjongot, bluzat, por se kush ishin ato në të vërtetë nuk e mësoi kurrë. Si gjithmonë nuk kishte patur kohë. Ajo gjysëm që vinte vërdallë gjithë ditën nuk kishte kohë dhe kishte mbetur deri në fund një gjysëm. Po a shtyhej jeta kështu, mes gjysmash, që në vend që të ishin në aleancë me njëra-tjetrën, ishin në një luftë të përhershme? Ja ku ishte tani, vetëm, me burra të vdekur dhe me të bijat në punë të vet që as që kujtoheshin për të. E përse?Vetëm për shkak të asaj lufte.Pushtimi që pluhuri i bënte çdo ditë, çdo hapësire të mundshme që gjente, nuk ishte një gosti dhe aq. Një gosti ku në të njëjtën tryezë ishin të ulur pushtuesi dhe i pushtuari. E si mund të rrinin? Thjesht si miq?Thjesht si armiq? Si do t’i çiknin gotat dhe për çfarë mund ta uronin njëri-tjetrin, kur ndërkohë gjatë ditës kishin luftuar si të çmendur kundër njëri-tjetrit? Tani mund të mendonte gjërë e gjatë dhe nga gjithë rrotullimet që i bënte mendimeve të saj, përfundimi ishte vetëm një – humbje. Tek e fundit ishte e humbur. Një e mbijetuar , por e humbur. Nuk kishte fitore.As kishte luftuar me aq përkushtim, çdo ditë? Ajo bënte sikur e largonte dhe ai ishte po aty, vetëm sa tërhiqej pak , sa për t’ia kënaqur sedrën e saj, aq as për ta shtyrë që ajo të mundohej e stërmundohej çdo ditë. Dhe kishte shpresuar aq shumë të fitonte. Po çfarë?Ajo ishte aty, dhe ai ishte aty, të përzier aq shumë me njëri tjetrin sa ishin bërë një, vetëm dukja ishte e tillë, sikur ata ishin armiq. Po armiq të kujt? Vetëm në qoftëse të ishin të vetvetes. Po a ishte e mundur që njeriu të ishte armik i vetvetes? Dhe nëse po, për sa kohë do të zgjaste kjo?Nuk ishte mundur përjetësisht se njeri prej tyre ishte e pashmangshme të dorëzohej – do vdiste, dhe tjetri do ngërdheshej po aty duke mbushur menjëherë vendin e zbrazët nga trupi i pafat. A s’ishte kështu? Një luftë idiote që kushtonte jo vetëm durimin, shpresën, mundin, por edhe një armatë të madhe epokash që ndërroheshin si në një lojë fëmijësh, pa kurrfarë fitoreje. Vetëm naivët mund të mendonin se kishin fituar. A s’kishte qenë edhe ajo një prej tyre? Dhe kjo kishte vazhduar deri kur ajo kuptoi se kishte mbetur vetëm, se burrat kishin vdekur dhe të bijat e urrenin. Ndërkohë që mund të kishte mirë e bukur një kompromis dhe të mos kishte harxhuar aq shumë para dhe mund, dhe sidomos të harxhonte kohën e saj që nuk e kishte ditur në atë kohë që e kishte patur me aq kët.Dielli kishte kaluar në anën tjetër të perdes dhe kishte formuar të tjera figura. Nafari lëvizte kokën për të gjetur këndin më të mirë dhe për të parë atë që ajo donte të shihte, fytyrat e burrave të saj.Eh, ja ku ishin, që të tre, njëri më i ngërdheshur se tjetri me një shikim të largët kodoshi që asaj i dukej se ia hidhnin njeri-tjetrit duke bërë me sy drejt saj. Njësoj si sarhoshët e lagjes së vjetër në birrarinë e Maksit, atje larg në Poloninë e fëminisë së saj.Edhe Shulamiti kishte qenë nga Polonia. Shmueli kishte ardhur nga Hollanda kurse Shabatain e kishte gjetur në Tel Aviv. Po ç’ngjyrë i kishin patur sytë? Pa prit…Shmueli i kishte patur të gjelbër, rrethuar me qerpikë të gjatë, bardhosh, kishte qenë vërtet një bukurosh me kaçurrela të verdha që të gjitha gratë e gllabëronin me sy.Kurse ajo e kishte krejt për vete. Apo s’ishte i butë! Më duket se e paskam dashur, vetëm atë po kujtoj. Sytë e dy të tjerëve sadoqë u përpoq nuk i kujtoheshin. Oh, në djall vafshin! E po, ata janë në djall- qeshi me vete. Prej nga perdja ata nuk e bezdisnin më, as Shulamiti me teoritë e tij politike, as Shabatai me ankesat e tij, Shmueli…ai jo. Ai nuk e bezdiste, bile në fakt në këtë çast do të donte me të vërtetë ta kishte pranë. Nuk ia kishte pohuar vetes kurrë që e kishte dashur. Martesat për të kishin qenë sa të rastësishme, aq edhe thjesht se duhej të ishte e martuar. A nuk kishte vajza për të rritur? Shulamiti shumë vonë që nga divorci, kishte trashëguar një pasuri jo të vogël nga një dajo i mamasë së tij që nuk kishte patur trashëgimtarë. E meqë ai ishte zhdukur pa lënë gjurmë dhe pas gati 20 vjetësh ishte deklaruar i vdekur, e meqë u vërtetua se ky dajo i mamasë së tij nuk kishte të afërm të tjerë, e gjithë pasuria i kaloi asaj, Nafarit, nënës së fëmijës së Shulamitit.Por ajo nuk e kishte përdorur kurrë. Shmueli përveç butësisë dhe syve të bukur, vajzës dhe punës si kopshtar nuk i kishte lënë gjë. Në Izrael kishte ardhur me duar në xhepa. Nuk fliste kurrë për shtëpinë e tij. Ajo edhe pasi ai vdiq nuk dinte asgjë rreth tij. Dinte vetëm atë që ai i kishte thënë ditën e parë kur u panë në sinagogë, se ishte nga Hollanda.Pastaj ata kishin pirë një çaj bashkë dhe në darkë ajo e kishte ftuar në shtëpi. Ai kishte ardhur pa ngurruar. Kishin bërë dashuri dhe asaj i kishte pëlqyer. Të nesërmen ishin martuar. Pas 9 muajsh kishte lindur vajza, Arieli.Kurse Shabatai i kishte afruar shtëpinë, ku ajo jetonte edhe sot.I kishte lënë edhe ca të holla vajzës.Njëherë të vetme që ajo u ankua, dëgjuesi kishte qëlluar Shabatai. Dhe kjo kishte ndodhur, pikërisht në Stacionin Qëndror të Autobusëve, ku ajo po priste të shkonte në varrimin e një kushërire që tani jetonte në Jerusalem. Por atë ditë kush e di për çfarë shkaku autobusët po vonoheshin. Dhe ajo u ankua. I dha të drejtë Shabatai, që edhe ai po udhëtonte për në Jerusalem për çështje pune. Asaj iu duk shumë i mençur,le të ishte kockanik. Edhe sytë i kishte pasur si kocka. Kur më në fund autobusët kishin ardhur ata të dy ishin ulur pranë e pranë. I buti Shmuel kishte nja gjashtë muaj që ishte zbutur krejt.Ajo ishte përsëri e lirë, dhe nuk rrinte dot vetëm. Natën që nga Kristallnachti i tmerrshëm, asaj i dukej gjithnjë se do e vrisnin.Prania e një mashkulli sikur i jepte njëfarë sigurie dhe e qetësonte.Ai i ishte ankuar rrugës për gruan që nuk ia bënte gjërat në kohën e duhur dhe siç duhej, pastaj i kishte thënë se ajo i dukej pikërisht gruaja e përshtatshme për të. Se ai e kishte vërejtur kur ajo ishte kujdesur për pastërtinë e sediljeve të karrikeve të autobusit. Se një grua kaq e kujdesshme për një gjë krejt pa rëndësi duhej të ishte me të vërtetë tejet e kujdeshsme me gjërat e rëndësishme, siç është edhe menaxhimi i një shtëpie e një familjeje. Pastaj ai e kishte pyetur në ishte e martuar. Dhe në përfundim të udhëtimit ai i kishte thënë, dhe këtë e mbante mend mirë, tek shkallët e autobusit pa u bërë merak se kishte penguar të tjerët të dalin, se kur të kthehej në Tel Aviv do të ndahej nga ajo, akuariumi- gruaja, po kështu e kishte quajtur – akuarium! dhe do të vinte të martohej me të. Ajo nuk i ishte përgjigjur, por nuk e kishte mbajtur një nënqeshje tek cepi i buzës së saj epshndjellëse, dhe kishte nxituar të kapte ceremoninë e varrimit të kushërirës së saj. Nuk e kishte menduar më atë. Në fakt e kishte mbledhur se kishte patur një udhëtar të bezdisshëm dhe pak llafazan.Kështuqë ishte habitur kur ai menjëherë jo më vonë se nja dy javë u duk te dera e shtëpisë. Kishte sjellë lodra për të bijat dhe një veshje ngjyrë vishnje për të. Kishin ndenjur pak. Pastaj ajo i kishte çuar të bijat tek një fqinjë dhe ata kishin dalë rrugëve të Tel Avivit. Kishte qene një natë e ngrohtë, e qetë. Ata ishin endur pa drejtim rrugicave prej nga vinte aromë jete, dhe pikërisht në një nga këto rrugica të gurta që shkëlqenin nën dritën e hënës ai e kishte mbështetur pas një muri të lartë, ia kishte kaluar duart nën fustan dhe me gishtat që i dridheshin kishte filluar ta përkëdhelte. Ajo kishte kundërshtuar duke pëshpëritur se ishte shumë shpejt, se nuk ishin të rinj, se ishin në rrugë, se hëna ndriçonte e bla-bla-bla…- që kishin përfunduar në gjuhën e tij. Ai i kishte thënë se vetëm macet mjaullinin dhe hëna ishte memece dhe e kishte shtrënguar me krahët e tij të thatë, por të fortë. Ajo kurrë nuk e kishte kuptuar nga e kishte atë forcë, aq i thatë sa ishte ai.Vetëm fillimi kishte qenë aty se pastaj të dy të përndezur mezi kishin vajtur deri në shtëpinë e tij që nuk kishte qenë shumë larg dhe ishin rrotulluar për gjithë natën në një shtrat tepër të gjërë.Në mëngjes herët kur ajo duhej të ikte të merrte të bijat tek fqinjët ngeli pa fjalë kur kishte parë ulur në kolltuk atë- akuariumin, gruan e tij.Nuk kishte parë nga kishte ikur. Ai kishte ardhur po atë mbrëmje. Ajo nuk ia kishte hapur derën. Ai kishte ngulmuar aq shumë sa ajo për sy e vesh të fqinjëve më në fund ia kishte hapur dhe e kishte lejuar të hynte brenda.Ai kishte filluar të shpjegohej se në fakt ai ishte ndarë dhe ajo ishte thjesht një ish- grua, por kishte ndenjur edhe ca ditë sa të vinin ta merrnin të vetët. Nesër ikte dhe ajo le të merrtëe të bijat dhe të vinte të banonte me të. Do të martoheshin sipas fjalës, bile ai kishte folur edhe me Rabinin për këtë gjë, kështuqë puna ishte e zgjidhur. Ajo nuk kishte pranuar. Ai i përndezur edhe nga kundërshtimi, por edhe nga kujtimi i atij seksi të çmendur të një nate më parë, ia kishte mbushur mendjen vetes se përveç asaj nuk donte njeri tjetër dhe se ajo mund të kërkonte prej tij çdo gjë. Dhe ajo nuk e kishte zgjatur, si atë ditë kur ai iu lut që ta çonte në botën tjetër, po aq gjakftohtë , i kishte kërkuar shtëpinë ta kishte ajo në emër të saj.Ai kishte pranuar. Në fund të javës kishin kryer ceremoninë tek Rabini dhe ajo kishte filluar të jetonte në atë shtëpi që i kishte pëlqyer aq shumë, tamam si një zonjë e vërtetë. Vazhdonte të ishte e bukur, epshndjellëse, sikur një magnet ndaj burrave dhe në shtrat siç kishte vërejtur Shabatai, e mrekullueshme. E vetmja gjë që hodhi nga sendet e asaj shtëpie ishte shtrati me gjithë kolltukun ku ajo kishte gjetur të ulur atë, akuriumin, ish-gruan e burrit të saj.Pas dy vjetësh ngeli shtatzënë. Shabatai në atë kohë kishte filluar ankimet që shtoheshin përditë e më shumë, kështuqë kjo shtatzani për të ishte e tepërt. Boll i kishte ajo dy bijat e saj. Por ajo as që e çonte nëpër mend ta hiqte fëmijën. Ai i kishte gjetur edhe një mjek në një qytet tjetër po ajo nuk kishte pranuar.Ndërsa barku rritej përditë , përditë shtoheshin edhe ankimet e Shabatait. Gati në fund e kishte mbledhur veten dhe kishte filluar ta pranonte faktin që do bëhej me fëmijë. Kur kishte lindur, ai nuk i erdhi ta shihte dhe as e mori ndonjëherë në krahë vogëlushen që ishte shumë e bukur, një zeshkane me syçkat si thëngjij.
-Kjo ka për t’u bërë shumë e bukur, i ngjet hallës time, e bukur po budallaqe – kaq ishte e gjitha çfarë tha ai për atë ferishte.Nafari ishte prekur dhe për herë të parë kishte menduar se si kishte mundësi që të kishte njerëz si burri i saj që të mos arrinin të gëzoheshin as për një ngjarje të tillë hyjnore. Q ë nga ajo ditë ajo nuk i dëgjonte më ankimet e tij, të cilat sa vinin e shtoheshin. Ai fliste për vete, vetë fliste vetë dëgjonte. Ajo sigurisht që ishte aty, por nuk e dëgjonte më. Arriti ta edukonte veten dhe e dëgjonte zërin e tij si një sfond , që thjesht e di që është aty, nuk të duhet, por as e hedh tutje.Pikërisht në këtë kohë filloi të mos u jepej më dëshirave të tij seksuale që vitet nuk ia kishin zbehur aspak. Gjithnjë do ishte e lodhur nga punët e përditshme, nga lufta e përjetshme me pluhurin, nga dhimbjet e mesit, nga dhimbjet e kokës, nga dhimbjet e kyçeve. Nga çdo gjë e mundshme e trupit që mund të dhimbte. Asnjëherë nuk ishte gati. Edhe kur ngulmimi i tij i kalonte kufijtë e përnatshëm, ajo gjithnjë o kujtohej të rregullonte diçka në kopësht, diçka që e kishte harruar që nga mëngjesi.Ose nganjëherë bënte tjetrën, thjesht e lejonte atë pa marrë pjesë fare vetë.Ankimet gjithësesi ishin njëlloj. Në fakt nganjëherë i ndizej dëshira, një dëshirë gati e çmendur, por inati dhe mëria ishin më të forta dhe ajo e ndrydhte thellë brenda vetes bashkë me fyerjen që i kishte hyrë thellë në damarë.Dielli kishte rrëshqitur në fund të perdes dhe që aty vazhdonte të krijonte fytyrat e tre burrave të saj që vazhdonin me po atë ngërdheshje enigmatike.Nafari lëshoi kokën gati nën jastëk për të vazhduar edhe pak bisedën me ta. Pastaj Dielli ikte, perdja mbetej thjesht një perde pa figura hijesh dhe ajo nuk kishte me kë të bisedonte. –Sa mirë të bisedosh me të tre njëherësh.! E po ju hahet muhabeti,ë? Po çfarë po thoni, në mos po më shani mua?E për çfarë mund të më shajnë?Shabatai dihet, për çdo gjë.Shmueli, e, ai nuk mund të më shajë, besoj. Shulamitit zor se i kujtohem e jo më të gjejë të metat e mia! A s’po e shihni që kam mbetur këtu e mbërthyer. E pra, kur desha të ngrihem në mëngjes nuk lëvizja dot këmbët, pastaj nuk lëvizja dot as duart. As tek telefoni nuk shkova dot, fqinjët nuk dëgjojnë. Nuk bëj dot asnjë lëvizje. S’e ndjeni erën, i kam kryer këtu të gjitha.Po ku ndjeni ju? Po rri më në fund si një princeshë, pa luftuar më me pushtuesin tim, pluhurin, pa u preoukopuar për drekën tuaj, për kostumet, këmishat tuaja , për Yom Kippurin e për Rosh Hashanah.Tani jam me të vërtetë si një princeshë edhe juve ju kam dhe mund të flas deri kur të ikë dielli.Dhe mos më thoni që jam për t’u qarë halli se qenkam e shtrirë mbi jashtqitjet e mia dhe se shtëpia kutërbon. Për mua nuk ka rëndësi, unë ndjehem si një princeshë e vërtetë dhe mund të flas me ju si të më dojë qejfi.Paçka se vajzat nuk janë këtu dhe as që duan të më shohin me sy që kur morën vesh se Shulamiti kishte lënë gjithë atë pasuri dhe që unë nuk e kisha përdorur dhe as që kisha ndërmend ta ndaja. Boll u përpoqën që të tria të ma prishnin mendjen, por unë nuk u dorëzova.Akoma pasuria është e pacënuar dhe akoma nuk kam vendosur ç’ta bëj. Atyre nuk ua jap. A s’u bënë si hijenat në shkretëtirë me njëra – tjetrën. Po mua që më shanë e më ofenduan aq shumë duke harruar që janë motra dhe që unë jam nëna e tyre. Ajo që dua të më thoni është përse gjithë kjo urrejtje mes njëra – tjetrës ?Ju e dini që i kemi rritur me dashuri, apo jo Shmuel ? Sa për ty Shulamit, ti as e ke ditur kurrë që ke patur një vajzë, megjithëse në darkë haje në të njëjtën tryezë me të.Kurse ti Shabatai nuk i ke dashur ato, dhe ato e kanë ndjerë këtë, së pari jot bijë që të braktisi e para.Siç më braktisi edhe mua. Po përse? Hë… , si thoni?Mos për shkak të luftës?Po, me siguri për shkak të saj. Unë isha gjithnjë në atë luftën idiote, gjithnjë e zënë për të dëgjuar ato, vetëm sa i detyroja me forcë të vishnin ato rrobat njërës blu, tjetrës të kuqe dhe të gjelbër të fundit. Po kjo nuk është gjë, thjesht ka ndihmuar në rritjen e urrejtjes. E nga ta dija unë atëherë që urrejtja mblidhet e maicet si qelbi në një plagë të fshehur, për vite e vite me rradhë. Janë njëmijë gjëra të vogla, të përditshme që e rrisin këtë urrejtje dhe e shndërrojnë në një dallgë të madhe që kur vjen që nga thellësia rrëmbën e shkatërron gjithçka, nganjëherë edhe veten.Prandaj them tani që lufta është shkatërrim, se nëse atë kohë që e shkoja duke bërë atë luftë të përditshme, ta kaloja thjesht duke luajtur me to, duke shëtitur me to, duke i ndihmuar për detyrat e tyre, thjesht duke dëgjuar llomotitijet e tyre, duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve që mund të kishin bërë, duke i përkëdhelur, pra të isha thjëesht në paqe me veten, ndoshta edhe ato, bijat e mia dhe tuajat, nuk do kishin urrejtje e cmirë në zemër.Ja ku jam tani e shtrirë për t’u bashkuar me ju mbi m… tim, në këtë shtëpi që shkëlqente si farfuri dhe që tani e gjitha kundërmon era m…t! Muret bien erë, dyshemeja bie erë, dollapët, shandanët , pjatat, kornizat, deri edhe kopshti yt Shmuel bie era m…t! Unë e gjitha bie erë, deri edhe ajo qimja e nishanit në qafë, edhe ajo bie erë m…t! Ironi e fatit! Ja fitorja e luftës time për një pastërti perfekte, lufta me pushtuesin e pamëshirshëm, pluhurin.Jo, jo, që nga sot nuk do ta quaj më pluhurin pushtues të pamëshirshëm, sepse tani e kam kuptuar se ai përkundër paska qenë shumë i mëshirshëm dhe thjesht ka kërkuar me këmbëngulje një bashkëpunim e kompromios, thjesht për të mirën time që unë të mos e kisha shkuar të gjithë kohën sikur e shkova. Pushtuesi i vërtetë, atij të cilit nuk ke asnjë mënyrë për t’i shpëtuar qënka ky, m…t-i im. Ky po që pushtoi gjithçka, më pushtoi mua që nuk më pushtuat dot juve, bile as pluhuri nuk arriti deri në fund të më mposhtte.Dielli shkoi dhe hijet në perde u shuan bashkë me fytyrat e tre burrave.Nafari i mbajti sytë të ngulur aty ku pak më parë asaj i dukej se shihte tre burrat e saj.
-Le të bëhet ç’të bëhet! Ato bijat e mia.. nuk e di, ato…- Sytë i ngrinë me imazhin e fjongove blu, të kuqe e të gjelbër në flokët që shkëlqenin nën rrezet e diellit të mëngjesit.
Vetëm kur e gjithë shtëpia filloi të kutërbonte si një kanalizim ujrash të zeza që çahet papritur nga rrebeshet e forta të verës u kuptua se ç’kishte ndodhur. Kur të bijat që u lajmëruan nga fqinjët më në fund erdhën nuk pranuan të futen në shtëpi dhe nuk pranuan ta lajnë atë çka kishte mbetur nga trupi i nënës së tyre. Thjesht paguan një punëtor i cili stisi një arkë dërrase të mbërthyer keq me gozhdë të trasha dhe e porositën ta çonte në varrezat. Ndërkohë kishin marrë edhe një punëtore që të pastronte shtëpinë, duke e porositur që asgjë të mos luante nga vendi, thjesht të pastrohej. Kur më në fund shtëpia u pastrua era nuk iu largua. I kishin përdorur të gjithë aromatizuesit që ishin në treg, por era dhe ndjesia e një fytyre që ngërdheshej mureve e shkallëve, madje edhe në kopësht i ndiqte nga pas. Po ato nuk pyetën shumë. Kur mbetën vetëm pasi e kishin përzënë punëtoren, ia filluan gërmimit për të gjetur një testament a një dokument që do t’i bënte të pasura. Po veç ca fotografive të vjetra dhe një kutie druri me ca gdhendje në një gjuhë të çuditshme për to, brenda së cilës ato gjetën tre unaza martese, një monedhë të hekurt mbi të cilën lexohej fjala zlloti, një foto të nënës së tyre kur kishte qenë e vogël dhe tre fjongo, një blu, një të kuqe,e një të gjelbër, fjongove të gërshetave të tyre kur ishin ende të vogla dhe nëna i niste me aq përkushtim në shkollë, nuk gjetën gjë.U shamatuan e çorrën zërin për pjesën e shtëpisë, por pastaj i dhanë karar që t’ia linin gjyqit ta zgjidhte këtë çështje. Për nënën e tyre u kujtuan vetëm në fund kur të treja si të urdhëruara thanë me një gojë:
– Shtriga idiote mirë iu bë, m…t ishte në m…t ngordhi! Pasi u bindën që aty nuk do gjenin gjë u larguan për të mos u takuar më kurrë …
Komentet