VOAL po e sjell këtë shkrim për lexuesin, paçka se është botuar në mars, por nuk e ka humbur aktualitetin, sepse tregon një histori të vërtetë pa fanfarë dhe trillim. Nuk është një histori e lehtë, prandaj është e bukur. Shiheni dhe vetë dhe do të na jepni të drejtë:
Një nga gazetat më të njohur në SHBA, “Los Angeles Times”, i ka kushtuar një shkrim të gjatë Ergin Kukes, djalit të Pali dhe Zerina Kukes që me forcat e talentin e vet ka krijuar emrin e tij në një mision gati të pamundur, siç është Planeti Hollywood. Natyrisht adn luan rolin e vet.
Aktualisht Kuke është drejtor kreativ dhe supervizor i efekteve speciale në studion “Mind Over Eye” në qytetin El Segundo, Kaliforni.
Gazeta shkruan se ai ka qenë pjesë e një ekipi të nominuar vitin e shkuar për një çmim Emmy për dokumentarin “Cosmos: A Spacetime Odyssey”.
Ai ka punuar për filma me buxhet të madh si “Ekspresi polar” dhe “Rikthimi i Supermenit”, ka bërë spote publicitare për kompani si Jaguar dhe Chrysler dhe video muzikore për Britney Spears dhe Beyonce.
“Aktorët dhe këngëtarët mund të bëhen marka botërore, por shumica e punonjësve, si Kuke, e bëjnë emrin e tyre në botë më të vogla, më të specializuara. Ata janë forca që nuk shihet pas gjithë këtij spektakli,” shkruan gazeta.
Por jeta e Ergin Kukes ka qenë e mbushur me vështirësitë e saj.
Ai mbërriti në SHBA 14 vjet më parë, me mikun e tij, Dorian Ahmeti, një poet dhe student filmi, me premtimin për të marrë një kartë jeshile.
“Shqipëria është një vend klanesh dhe mitesh malore. Kuke u rrit në kryeqytetin Tiranë, një qytet pak i zymtë dhe me një arkitekturë fashiste, që tërhiqte komunistë, gangsterë dhe provincialë me ambicie të jashtëzakonshme”.
Sipas gazetës, pas rënies së regjimit komunist, Pali pranoi një kredi nga një baron fisnor, për të blerë pajisje për studion, të importuara nga Gjermania.
Ergini thotë se u deshën pesë vjet që të shlyhej huaja.
Ai fitoi një bursë për Universitetin Amerikan në Bullgari.
“Jeta jonë ishte ankth. Një gjeneratë X. Pa para. Dhoma ime ishte e mbushur me libra të vjedhur. Dilnim jashtë çdo natë. Nisa të përdor heroinën dhe në vitin e tretë të kolegjit nuk kaloja në katër nga pesë lëndë. Humba bursën dhe u ktheva në Tiranë”, rrëfen Ergini.
Aty nisi të punonte për babanë, duke u marrë me grafikë dhe dizajn kompjuterik.
“Kuke e njihte filmin e televizionin që kur ishte fëmijë,” shkruan gazeta.
Ishte 24 vjeç kur edhe shpërtheu lufta në Kosovë. Gazetarët e huaj vërshuan në Tiranë duke kërkuar furnizim dhe përkthyes, përpara se të niseshin në male. Ishte mundësi e mirë për të bërë para, sidomos për ata multilinguistë si Kuke, shkruan gazeta.
Me dy gazetarë amerikanë, ai u nis drejt luftës. Pamjet e saj do mbeten të pashlyera në kujtesën e tij.
“Është si një film në kujtesë,” thotë Kuke.
Pasi u kthye nga Kosova, ai punoi shumë në studio. Pavarësisht se nuk ishte trajnuar në anatomi dhe teorinë e ngjyrave, ai u pranua si student part- time në shkollën e njohur të efekteve vizuale në Kaliforni, Gnomon.
Ai e mori vizën më 10 shtator të vitit 2001.
“Të nesërmen babai më zgjoi nga gjumi. Më tha ‘nuk do e besosh çfarë ka ndodhur”.
Pas dy javësh, ai u nis drejt Los Angeles.
Pas diplomimit në Gnomon, ai punoi për kompaninë Sony për dy vite. Më të shumtën e kohës e kaloi me ekipin që bëri filmin e njohur “Ekspresi polar”.
Por viza e mbante të burgosur.
Ai kishte ndalur së marri heroinë që në Shqipëri, si një premtim për babanë. Por droga mbeti pjesë e jetës së tij.
“I vetmi opsion për një kartë jeshile ishte një martesë false. Kisha takuar një vajzë online. Kishim dy muaj që dilnim. Ajo pranoi të martohej me mua që të merrja kartën jeshile. U martuam në një qendër. Kishim lule të rreme dhe unaza lëpirësesh. Ajo ishte fotografe dhe ish- shitëse droge. Ishte një shpirt i torturuar. Përfundova me të në polici dhe klinika rehabilitimi. Nuk duroja më. U divorcuam”.
Kuke humbi po ashtu edhe shokun e tij më të mirë, Ahmetin.
“Ai nuk ia doli në LA dhe u kthye në errësirën dhe vuajtjen e Shqipërisë. U kthye në rrugët e këqija. U bë vetëshkatërrues dhe vdiq. Ishte një poet i çmendur. Diçka brenda tij u dorëzua”.
Por Kuke nuk u dorëzua.
Në vitin 2006 ai hapi një kompani efektesh vizuale.
Puna e tyre e madhe ishte me McDonald’s. Më pas pasuan video muzikore.
Ai ra në dashuri me Allie Nelson. Një ditë të bukur hipën në një motoçikletë dhe udhëtuan 16 mijë milje, në katër cepat e SHBA.
Tani janë martuar dhe jetojnë në Miracle Mile.
Kanë një vajzë dhe presin një tjetër fëmijë. (Bebja ka lindur ndërkohë, është një baby-boy – shënim i Voal)
Me raste, ai mendon që të rikthehet në Europë.
“Por nuk ka asnjë nxitim,” thotë Kuke.
Komentet