Lorka si model
Një poet modern evropian nga Reka e Epërme, një Federiko Garsia Lorkë ballkanas!
Ky është Mateja Matevski, i cili, në një gjuhë lokale, krijoi poezi universale, duke bërë sintezën e traditës dhe avangardës.
“Kuajt e lodhur të hapësirës po arrijnë si shushurimë e largët/ trokllojnë para dritareve të mbyllura/ me thundrën e topitur pa patkonj…”.
Nuk ka si të jetë ndryshe atmosfera lorkiane: me kuaj, patkonj, trokëllima nate e dritare të mbyllura: një botë e vagëllt e misterioze.
I vagëllt është edhe jetëshkrimi i autorit të këtyre vargjeve, të përkthyera në shqip nga poeti Adem Gajtani (një dishepull tjetër i Lorkës). Në shënimet biografike që shoqërojnë librat e Matevskit ka jo pak hallka të munguara, aq sa mund të thuhet se disa faza të jetës së tij anashkalohen krejtësisht.
Thuhet se ka lindur në Stamboll, vend mërgimi i banorëve të Rekës, por nuk tregohet se kur u kthye familja e tij në vendlindje. Thuhet se fëmijërinë e kaloi në Gostivar, por nuk përmendet viti i vendosjes së familjes së poetit në këtë qytet. Në ç’gjuhë e kreu shkollën fillore? Asnjë fjalë. Sipas të gjitha gjasave në serbisht (ka mundësi edhe në shqip, pjesërisht), por jo në maqedonisht. Kur mori fund Lufta e Dytë Botërore, Mateja ishte 15 vjeç. Shpejt dhe pështjellueshëm flitet edhe për shkollimin e tij të mesëm, kurse për studimet thuhet qartë se i ka kryer në Shkup, në Fakultetin Filozofik, por edhe se ka ndjekur kurse gazetarie në Beograd.
Ishte me origjinë nga fshati Beliçicë i Rekës së Epërme, katund i banuar me popullsi ortodokse shqiptare, sikurse Nistrova e Josif Bagerit dhe dhjetëra fshatra të tjera të kësaj treve.[1] Babai i tij ishte nga Beliçica, kurse nëna nga fshati Va (Brodec), katunde që kishin dhënë e marrë mes tyre.
E kam njohur Mateja Matevskin dhe kam bashkëpunuar me të, sado shkurt. Kam folur shqip me të në zyrën e tij në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë. Dhe jo vetëm aty. Kemi biseduar për tema të ndryshme, por kryesisht për poezinë. (Duke mos dashur ta vë në siklet, nuk kam dashur ta prek çështjen e origjinës së tij).
Ishte fillimi i viteve 2000. Unë isha anëtar i Këshillit Drejtues të Mbrëmjeve Strugane të Poezisë dhe në këtë cilësi e pata propozuar për botim në bibliotekën “Plejada”, ku për çdo vit botoheshin gjashtë-shtatë poetë nga Ballkani e bota, Dritëro Agollin. Në vitin 2003, në këtë Bibliotekë, që rëndom shërbente si trampolinë për “Kurorën e artë”, qe përfshirë edhe poeti i shquar shqiptar Agolli.[2]
Propozimi u pranua dhe u vendos që, pasi të shkonim në Tiranë për t’ia marrë pëlqimin autorit, të fillonte puna për përgatitjen e librit. Ashtu edhe ndodhi. Unë dhe kryetari i “bordit”, Ançevski, u pritëm në sallonin e Dritëroit në Tiranë, me bujari, bisedë e raki të mirë si gjithmonë dhe ia morëm pëlqimin me shkrim, kurse për përkthimin e poezisë u pajtuam që atë ta bënte poeti i shquar dhe përkthyesi i rryer, Mateja Matevski, i cili e pranoi me kënaqësi propozimin tonë.
Ky projekt, që do të realizohej me sukses të plotë, ishte shkas i kontakteve të mia me Matejën.
Në takimet që kam pasur me të, kryesisht në zyrën e tij (lokalet e drejtorisë së Festivalit dhe të AMSHA-së ishin në afërsi, kështu që unë si më i ri shkoja tek ai), kemi biseduar për tema të ndryshme, por bosht i bisedave tona ishte, sigurisht, poezia.
Ishte njeri i urtë e i kulturuar, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, por edhe me një lloj dhembjeje latente. Fliste prajshëm, me zë të ulët, jo nga frika se mos e dëgjojnë (së paku jo në kohën kur e njoha unë), por për shkak se ashtu e kishte zakon.
Komunikimi i urtë e përmbajtësor ishte veti e karakterit të tij, por edhe e horizontit të gjerë kulturor.
Prej tij kam dëgjuar për herë të parë për poetin portugez të shek. XVI Kamois (Luís de Camões), autorin e epit nacional të popullit iberik, Luziada (1572); në kohën për të cilën e kam fjalën (fillimi i viteve dy mijë) Mateja merrej me përkthimin e këtij poeti të famshëm të periudhës së barokut.
Sikurse Dritëroi, edhe Mateja, ishte poet dhe përkthyes i poezisë. Dritëroi kishte përkthyer poetët rusë të shekullit XX (Bllok, Pasternak, Ahmatova etj.), por edhe Bërnsin e Elyarin, kurse Mateja kishte përkthyer në maqedonisht Lorkën, një nga poetët e tij të preferuar, por edhe poetë të tjerë spanjollë e latinoamerikanë (Neruda etj.).
Në kohën kur filloi të shkruante Mateja Matevski (vjershat e para i botoi në vitin 1952, kurse librin e parë më 1956), në Jugosllavi, si rezultat i ndryshimeve politike, kishte kaluar “moda” e Majakovskit (deri diku edhe e Jeseninit) dhe kishte filluar “era” e Garsia Lorkës dhe poetëve modernë evropianë.
Lorkën poetët ballkanas e donin jo vetëm për shkak të poezisë së tij ezoterike, por edhe për shkak të jetës së tij tragjike (e vranë falangistët kur filloi lufta civile në Spanjë, në vitin 1936). Lorka ishte andaluzian, ndërsa Andaluzia, siç thotë studiuesi i poezisë moderne, anglezi Sesil Moris Baura, nga të gjitha krahinat spanjolle, ishte më së paku evropiane. Aty zotërojnë pasionet, kënga, dashuria e jo intelekti dhe arsyeja.
Mateja i ngjan Lorkës në planin e një moderniteti jo të sforcuar, gjuhësisht dhe emocionalisht të balancuar. Ky modernitet duhet kuptuar si heqje dorë nga dogmatizmi ideologjik e estetik, që nuk ishte mposhtur ende plotësisht, por edhe si një mundësi pë t’i ikur angazhimit të tipit socrealist.
Dritëroi dhe Mateja
Thënë figurativisht me Matejën na “lidhi” Dritëroi: libri i tij me poezi të zgjedhura.
Kush do ta përkthente Dritëro Agollin në maqedonisht?
Kush tjetër pos Mateja Matevskit.
E mirëpriti propozimin. Shihej qartë se donte të bënte diçka për kulturën shqiptare; diçka që do t’i falte kënaqësi dhe që do të mbetej si vlerë. Nuk e shprehte me fjalë këtë dëshirë, por i lexohej në fytyrë.
Pasi bëmë përzgjedhjen e poezive, fillimisht me poetin në Tiranë dhe pastaj edhe me përkthyesin në Shkup, unë u ktheva në Prishtinë, kurse Mateja filloi punën.
Mbi njëqind poezi të përkthyera nga shqipja në maqedonisht. Përkthim apo rikëndim? Mund të duket e tepruar, por përkthimi i poezisë së Agollit nga Matevski i konkurron origjinalit. Çdo gjë është në vendin e vet, duke nisur nga fryma e përgjithshme e poezisë e deri te ritmi, rima dhe melodia e vargut.
Titullin e librit e zgjodhi vetë (sipas njërës nga poezitë): Mundja e Lekë Dukagjinit. Është fjala për poezinë që flet për ndikimin e Kanunit në jetën e shqiptarëve dhe për luftën që u desh të bëhej për ta “mundur” atë. Një përkthyes tjetër, jo vetëm që do t’i kishte vënë titull tjetër librit, por ndoshta nuk do ta merrte në konsiderim fare vjershën në fjalë, që fillon me vargun: “Grua, për ty u zura me Lekë Dukagjinin”. Rekasi i lindur në Stamboll nga prindër shqiptarë, nuk mund të mos e ndiente atë motiv.[3]
Mateja nuk do të kënaqet vetëm me përkthimin. Ai do ta shoqërojë librin edhe me një studim, me shënime për autorin dhe sqarime për vjersha e vargje të veçanta. Në tekstin e tij me titull Ndjeshmëri moderne në veshje klasike janë hetuar drejt dhe shpjeguar qartë karakteristikat qenësore të poezisë së poetit të shquar bashkëkohor shqiptar.
Do të duhej lexuar në tërësi pasthënien e Matevskit për të parë ndjeshmërinë me të cilën ai i qaset poezisë së Agollit, por, për të mos u zgjatur, po mjaftohemi me dy paragrafë.
“Etja për jetën në plotëninë, përhershmërinë dhe përditshmërinë e saj trajtohet gjerësisht në vargjet e tij (të Agollit). Edhe kur gëzohet dhe magjepset, edhe kur zhgënjehet prej saj, edhe kur e shpotit, e urren ose e shan, edhe kur i nxituar e i dalldisur sillet në të, duke e shuar etjen e vet, edhe kur është i vetmuar e i braktisur, në vetminë dhe nostalgjinë e vrerosur, gota e jetës së Dritëro Agollit është gjithmonë e mbushur plot, shkumbëzon e derdhet nga temperamenti i tij i pafrenueshëm dhe ai atë e pi gjithnjë me fund”.
“Dritëro Agolli kurrë nuk ndalet te një sensacion, përjetim, motiv, ide. Ai nuk mbyllet në to, natyra e tij njerëzore dhe kërshëria e tij prej poeti gjithmonë është e hapur në hapësirën e botës së tij për botëra të reja të ndjeshmërisë dhe mendimit. Thuajse asnjë motiv poetik nuk mbetet i vetëm, i zbuluar, i kumtuar dhe i kryer, secili ka më shumë fytyra, përjetime, variacione, sikur poeti të dojë t’i ndiejë e t’i këndojë të gjitha dukuritë e jetës dhe të botës, asnjëherë i kënaqur vetëm me të dukshmen, të përhershmen. I tillë është raporti i tij me vjershën, me të folurit poetik, me gjuhën”.
Kur më ra në dorë libri i Dritëroit përjetova një befasi të këndshme, që nuk e prisja.
Në fund të librit, përgatitësi kishte vënë një shënim, në të cilin thuhej: “Falënderimi im i shkon të nderuarit profesor dr. Agim Vinca, i cili pati mirësinë të m’i vinte në dispozicion librat me poezi të Dritëro Agollit, mbi bazën e të cilëve është bërë kjo përzgjedhje. Përveç kësaj, për mua qenë me rëndësi të madhe bisedat me këtë njohës të veprës së Agollit”.
Them “nuk e prisja”, sepse kam bërë për të tjerë shumë më shumë, pakrahasueshëm më shumë, por nuk e kanë parë të udhës të më falënderojnë as me gojë se jo më me shkrim.
Ndjenjën e mirënjohjes e njohin vetëm njerëzit e qytetëruar e fisnikë. I tillë ishte Mateja Matevski. Të tillë e njoha unë.
Miti i përkatësisë
Nuk dimë të jetë deklaruar ndonjëherë për përkatësinë e tij shqiptare, edhe pse ishte shqiptar me origjinë: pjesë e komunitetit ortodoks shqiptar në Maqedoni. Lajmit se e bëri këtë në një takim në Strugë, në gusht të vitit 2012, i vjen era spekulim. Është e vërtetë se Mateja mori pjesë në takimin kushtuar Ali Podrimjes me rastin e vdekjes së tij dhe me atë rast mbajti një fjalë, maqedonisht e jo shqip, duke thënë: ”unë di të flas shqip, por jo për poezinë”. Kaq. Pjesa tjetër, ajo mbi “deklarimin” famoz, është “vepër” e patriotëve lokalë dhe e turmës së etur për sensacione. Shkurt, një truk! Sikur ky takim të ishte organizuar enkas për këtë qëllim!
Shtrohet pyetja: përse Mateja Matevski, i cili, sipas bashkëvendësit të tij Branko Manojlloski, deri në moshën 14 vjeçare nuk dinte maqedonisht, nuk e bëri këtë hap? Nëse jo më parë së paku në vitet e fundit të jetës kur rrethanat në Maqedoni, pak a shumë, ndryshuan, kurse shqiptarët u faktorizuan? Përgjigjja është e thjeshtë: jo pse nuk ka dashur a nuk është kujtuar, por pse ishte i vetëdijshëm për pasojat.
Qarqet fanatike maqedonase, me ndikim në skenën politike dhe në komunitetin artistik, nuk do t’ia falnin këtë “herezi”. Ani atij, që kishte pasur aq shumë poste e privilegje dhe ishte nderuar me aq shumë çmime: drejtues institucionesh të rëndësishme; anëtar e kryetar Akademie; laureat i “Kurorës së Artë” (një lloj Nobeli lokal ballkanik); krijues me njohje ndërkombëtare dhe “reprezent i poezisë maqedonase në botë”, si e quan kritika letrare. (Vllada Urosheviq, “Në mbrojtje të natyrshmërisë”, parathënie e librit me poezi të zgjedhura, shqip-anglisht, MPS 2012).
Racional në jetë dhe në krijimtari, Mateja nuk ishte i gatshëm t’i hynte kësaj “aventure”, aq më shumë që Lorka i dikurshëm tashmë ishte në moshën e Unamunos.
Duke i pasur parasysh këto rrethana deklarimi eksplicit nga ana e tij, do të kishte pasoja të paparashikueshme. E vlente vallë të rrezikohej një karrierë e krijuar me aq mund për një gjest simbolik?
Branko Manojlloski flet për kërcënimet që i janë bërë atij pas deklarimit shqiptar. Branisllav Sinadinoski, historian dhe ish-diplomat, u sulmua fizikisht para banesës së tij në Shkup, po për këtë shkak. Sinadinoski nuk rron më (rrahja ndoshta ia shpejtoi vdekjen), kurse “xha Brankoja”, bir i një familjeje tradicionale shqiptare, ku shqipja ishte gjuhë e vetme dhe dasmat bëheshin me flamur, nga viti 1969 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shtetësi amerikane, nuk varet materialisht nga shteti maqedon, kurse pas pensionimit, e ndan kohën midis Çikagos dhe vendlindjes (gjatë dimrit qëndron në Amerikë, kurse muajt e verës i kalon në kullën e të parëve të tij në fshatin Kiçinicë).
Pas ”teatrit” të Strugës, kufjala “shkrimtar” u zëvendësua me fjalën “shqiptar” (“unë jam shkrimtar e detyra e shkrimtarëve është ta dinë mirë gjuhën, prandaj kërkoj të më falni që do t’ju drejtohem në gjuhën maqedonase”), nisën spekulimet edhe rreth krijimtarisë së poetit. U tha se Mateja paskësh filluar të shkruante shqip dhe, madje, edhe të botonte në gjuhën shqipe, gjë që, fatkeqësisht, nuk është e vërtetë.
“Historiani” Jusuf Buxhovi në një emision televiziv në RTK (Voyage) dhe publicisti Bedri Islami në një artikull të gjatë të botuar në shtypin e Tiranës (në gazetën “Dita”), pohojnë se Mateja kishte filluar të shkruante shqip dhe se vjershat e para i kishte botuar në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë! I pari, Buxhovi, nuk citon askënd, kurse i dyti mbështetet në fjalët e bashkëbiseduesit të tij, Branko Manojlloski (Tanashi), i cili di shumë për Rekën dhe rekasit, por pak për poezinë dhe poetët. (Në Bibliografinë e “Jetës së re” të periudhës 1949-1974, të hartuar nga Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës, Prishtinë 1976, emri Mate nuk figuron askund, në asnjë trajtë).
Stambolli si topos
Rekasit, banorë të një krahine të varfër malore, kishin ndjekur ngaherë rrugët e kurbetit. “Kta shkojn në Stamboll/ E në Bullgari.-/ Disa n’Anadoll/ Dhe në Rumani…”, shkruante Bageri në kohën e tij.Edhe Mateja, siç do të shohim më poshtë, përmend si vende kurbeti e mërgimi, natyrisht me një gjuhë tjetër, Stambollin, Vllahinë e Odesën, por edhe Besarabinë, Aleksandrinë dhe Amerikën.
Rekasit flitnin shqip në shtëpi (familje), por jashtë përdornin gjuhën serbe dhe bullgare (para Luftës së Dytë Botërore), kurse maqedonase më pas. Bageri në kohën e tij, të Perandorisë Osmane, shkruante shqip, Mateja, pas Luftës së Dytë Botërore, në një shtet që e quante veten republikë/ “socialist”, do të detyrohet të shkruajë maqedonisht, edhe pse shqipen e kishte gjuhë amtare.
Periudha pas ’45-s ishte e vështirë. As ajo ndërmjet dy luftërave nuk ishte e lehtë. Por atëherë maqedonasit dhe shqiptarët e ndanin pak a shumë të njëjtin fat. Asnjërës palë nuk i njihej e drejta e gjuhës dhe e identitetit. Nuk kishin shkolla në gjuhën amtare. Në kishë luteshin serbisht. Atë që serbët ua bënin maqedonasve para Luftës së Dytë Botërore, këta të fundit do t’ua bëjnë shqiptarëve pas saj: presion politik e ekonomik, në njërën anë dhe asimilim kulturor e fetar, në anën tjetër.
Asimilimi nuk ndodhi për një ditë: ai ishte proces. Njeriu që guxoi ta thoshte hapur të vërtetën për veten dhe të tjerët, qoftë edhe me vonesë, Branko Manojlloski, në një intervistë dhënë shtypit të Prishtinës, thotë: “Pse (rekasit) nuk e dinin se ishin shqiptarë? E dinin ata, ma rehat ju vinte t’jen maqedon. Ma rehat rronjin aty ndërmjet ata ihsan. Asimilimi (…) osht fuqi e madhe dhe nuk ka zemër asimilimi… Nuk ka, si thuhet ‘oseqaj’ – nuk ka ndjenjë. Shkon, t’mer ndërkom edhe t’mbytën”.
Dëshmi tronditëse e fatit të një komuniteti, i cili, si pasojë e politikës asimiluese të programuar nga pushteti “popullor”, pothuajse u zhduk nga faqja e dheut!
Mateja si poet, për shkak të orientimit estetik, por edhe të oportunitetit politik, i rri larg kësaj teme; nuk e trajton pothuajse fare, përpos, ndoshta, me aluzione të largëta e fluide. Përjashtim bën vjersha Kur shkonim në Stamboll, e cila me një thjeshtësi e konkretësi mahnitëse flet për shpërnguljen e rekasve në botë. “Kjo është e vetmja poezi imja konkrete”, më pati thënë në një rast, në bisedë e sipër, kur unë ia pata përmendur këtë poezi, duke i thënë se e pëlqeja shumë dhe se kisha bërë një përkthim të saj.
Kjo poezi ka disa përkthime në gjuhën shqipe. Përkthimi im ka një “risi” në raport me të tjerët: pasthirrmën “oí” të këngëve polifonike labe, e cila m’u duk e përshtatshme për të evokuar ndjenjën e mallit për vendin e lindjes dhe të dhimbjes për braktisjen e tij. Lorka shfaqet edhe këtu, në paratekst, me dy vargje të vëna si moto, reminishencë e tragjizmit dhe vajit.
Mateja Matevski
KUR SHKONIM NË STAMBOLL
“Do të shkoj në Santiago.
Deti i mbytur fluturon mbi rërë”.
F. G. Lorka
Kur shkonim në Stamboll
e Reka mbetej pas
belicas ribnicas nistrovas
e Reka mbetej pas
Kur shkonim në Stamboll
druvarë barinj lavërtarë
oh në Stamboll kur shkonim
në Odesë e në Vllahi
e Reka mbetej pas oi
Kur shkonim në Stamboll
e Reka mbetej pas
mavrovas vollkovas niçpuras
e Reka mbetej pas
Kur shkonim në Stamboll
kosëtarë ushtarë shkollarë
oh në Stamboll kur shkonim
dhe në të largtën Besarabi
e Reka mbetej pas oi
Kur shkonim në Stamboll
e Reka mbetej pas
beqarë dhëndurë vejanë
e Reka mbetej pas
me vaje gjëmë e namë
e Reka mbetej pas
oh në Stamboll kur shkonim
dhe në të largtën Aleksandri
e Reka mbetej pas oi
Kur shkonim në Stamboll
e Reka mbetej pas
tej Vardarit Danubit Jugës
e Reka mbetej pas
Kur shkonim në Stamboll
mespërmes fushës detit vrerit
e Reka mbetej pas
oh në Stamboll kur shkonim
dhe në Amerikën e largët hej
edhe Reka shkulej me ne
Kur shkonim në Stamboll oh
dhe mbeteshim përgjithmonë atje
(Nga libri “Ese & Eulogji”, që pritet të dalë së shpejti në botim të shtëpisë botuese “Olymp” në Prishtinë)
[1] Sipas statistikës së vitit 1900, në këtë fshat kishte 450 banorë shqiptarë, të cilët në shtëpi flisnin shqip, kurse jashtë bullgarisht, ndërsa në regjistrimin e vitit 2002 vetëm 4 (katër) banorë janë deklaruar shqiptarë, kurse të tjerët maqedonas. (Cituar sipas Zejna Halimit, Trashëgimia etnokulturore e Rekës së Epërme, Syth, Tetovë 2022, f. 35).
[2] Dritëroi ishte njëri nga tre poetët shqiptarë që unë, po në cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues të MPS-së, i pata propozuar për Çmimin “Kurora e artë” (dy të tjerët ishin Fatos Arapi dhe Xhevahir Spahiu). Do t’i jepet Fatos Arapit në vitin 2008, kur, falë rastësisë, pjesa dërrmuese e anëtarëve të “bordit” ishin shqiptarë. Nuk e di pse (ndoshta për shkak të përkatësisë fetare), por Fatosi ishte më i pranueshëm se Dritëroi për maqedonasit.
[3] Është interesant të theksohet fakti se edhe Esad Mekuli e kishte përkthyer në gjuhën serbokroate këtë poezi të Dritëroit dhe e kishte botuar në gazetën letrare serbe “Književne novine” në vitet ’70.
(Marrë nga ExLibris)