Lorik Cana do të jetë i grumbulluar me skuadrën kombëtare në ndeshjen e tetorit në “Elbasan Arena” ndaj Serbisë. Pavarësisht se nuk ka informacion të mjaftueshëm për gjendjen e tij, si pasojë e dëmtimit mbrëmjen e dy ditëve më parë në ndeshjen Lilë-Nantes, mbrojtësi dhe njëherësh kapiteni i skuadrës tonë kombëtare, do të jetë nën urdhrat e De Biazit që në fillim të javës së ardhshme. Madje Nantes, klubi i tij në Ligue 1 franceze, ka deklaruar se nuk do ta aktivizojë në ndeshjen e fundjavës që të mos e dëmtojë më tej atë, por Cana, pavarësisht gjendjes së momentit dhe shkallës së dëmtimit, do të jetë me skuadrën përfaqësuese, madje mund të kontribuojë në fushë. Por kjo mbetet të qartësohet në ditët në vijim. Edhe pse ende klubi i Nantës dhe vetë kapiteni Cana nuk janë deklaruar zyrtarisht për të qetësuar tifozët kuqezinj, mësohet se ekzaminimet mjekësore kanë konstatuar, se mbrojtësi ka një lëndim në tendinën e Akilit të këmbës së majtë dhe ka nisur me nxitim terapinë intensive. Lajmet janë kontradiktore, kjo është e qartë, por deri më tani nuk ka ndonjë sinjal as nga klubi i Nantes dhe as nga mediat franceze se Lorik Cana ka dëmtim të rëndë dhe do të mungojë.
Përkundrazi, nga informacionet e pakta që kanë ardhur në rrugë zyrtare, bëhet fjalë për një dëmtim të lehtë që mund të kalojë brenda pak ditëve dhe me siguri që Cana do të angazhohet në radhët e kuqezinjve. Dëmtimi i tij ka alarmuar, në fakt, stafin teknik të ekipit kombëtar, pasi kosovari shihet si shtyllë e mbrojtjes së Kombëtares tonë kuqezi. Trajneri De Biazi nuk flet për raste specifike, por ai e ka ndjekur këtë dëmtim me vëmendje, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me lojtarin dhe pjesëtarët e tjerë të stafit. Lorik Cana është futbollisti që ka më shumë ndeshje të luajtura me fanellën kuqezi, 86 ndeshje në total, duke qenë prej dy vitesh edhe kapiten i skuadrës përfaqësuese. 32-vjeçari Cana është padyshim lideri i kësaj skuadre dhe shtylla e ekipit në mbrojtje. Së bashku me Mërgim Mavrajn kanë një peshë të rëndësishme në sukseset e skuadrës përfaqësuese në këto eliminatore, duke i dhënë një garanci të madhe mbrojtjes dhe skuadrës në tërësi. Rikuperimi i tij i shpejtë për sfidën e 8 tetorit ndaj serbëve është plotësisht i mundshëm, por duhet pranuar nga ana tjetër se asgjë nuk është e sigurt dhe nuk përjashtohet edhe mundësia e mosaktivizimit nëse kosovari ka ende probleme në këmbën e majtë. Adriatik BALLA
Komentet