Voal – Ishte vajza e një oficeri të lartë të Sigurimit. Fati i bashkoi në një klasë e diktatura i ndau mizorisht. Historia e dhimbshme e poetit “që ngjante si i huaj e i sjellë përdhunshëm në këtë botë të panjohur ku i duhej të mbijetonte me çdo kusht”.

Nji burrë shtatimët dhe i veshur me të zeza shfaqet e zhduket hapësirave gri të kryeqytetit, ku dhimbshëm pulson ritmi fatkeq i botës sonë shqiptare. Një burrë i mplakur, ndonëse nuk është më shumë se gjashtëdhjetë e tre vjeç. Me një çantë të zezë e të vjetër hedhur në supin e djathtë, me një kapele republika vendosur pa kujdes në krye. I shpërqendruar, i pa vënë re prej njerëzish që enden përreth tij. I huaj. Ngjan vërtet si i huaj apo si i sjellë përdhunshëm, pa lejen e tij e krejt papritmas, në një botë të panjohur, ku i duhet të mbijetojë me çdo kusht. Jeton në zgrip të vemendjes së njerëzve të zakonshëm, por edhe përskaj atyre të rëndësishëm që herë mbas here mendojnë se përbëjnë ndërgjegjen e së sotmes sonë”, shkruante poeti Shpëtim Kelmendi për Frederik Rreshpen, në vitin 2004. Rreshpja ishte njëri prej poetëve lirikë shqiptarë më të vlerësuar, të shekullit të shkuar. Frederik Rreshpja u dënua ashpër nga sistemi komunist. Kaloi 17 vite të rinisë së tij në burgjet komuniste, kur humbi edhe dashuritë e jetës së tij.

FrederikRreshpjaVOALI“Lora, loti i poezisë time”, është titulli i poezisë për dashurinë e tij të pamundur. Në vitin 2004, atëherë kur Rreshpja ishte në gjendje të ligështuar shëndetësore, dha një ndër intervistat më interesante për jetën e tij si shkrimtar i si njeriu që humbi dashurinë e jetës e rininë, në burgjet e diktaturës. Gazetarja Admirina Peçi, e ka pyetur në atë kohë kur sapo kishte botuar librin,  “Në vetmi” dhe ja si e përshkruan atë dhe përgjigjen e tij rreth kësaj historie gati misterioze të poetit “të huaj” Frederik Rreshpja.

Kur flet për të, vetëm qan. Thotë se është dashuria e madhe e jetës së tij, dashuri që i ka dhembur deri në palcë. “E kam dashur, se më deshi shumë. Pas nënës ajo më ka dashur më shumë në këtë botë. E quanin Lora”. Vetëm për të dhe për nënën qan e dridhet pafund sa herë flet. Por në historinë e asaj gruaje fijet ngatërrohen shumë herë. Me të pati një djalë që sot nuk e di ku është. Ai, në fakt, vetë ka shumë zona të errëta në kujtimet e tij për këtë histori. Por vlen ta dëgjosh, sidomos ta dëgjosh e të prekësh emocionet e pafund që e kaplojnë kur flet për të. “Ajo ka qenë vajza e një oficeri të lartë të Sigurimit. Fati na solli në një klasë. Unë kam qenë gjithmonë i pari i shkollës. Ajo më deshi mua”… (Ndalon. Zëri i dridhet sërish e përlotet).

frederik-reshpja“Ma sollën një ditë në bankën time. I thashë: “Si erdhe këtu?”. Dhe më foli me një zë çapkëneje: “Mësuesja më tha, ai është ma i urti i të gjithëve…”. “Ku e ke shtëpinë”, më pyeti. Dhe ia tregova. “Po aty rri unë”, më tha. “Po ti rri në shtëpitë e mia me qira”, i thashë, “e kanë sjellë babanë tënd me dhunë aty. Ai s’e paguan as qiranë…”. Kështu nis t’i rrëfejë dialogjet e para me këtë vajzë që erdhi në jetën e tij krejt rastësisht. “Kjo ka ngjarë në klasë të shtatë. Duke shkuar rrugës ajo më ngacmonte, bënte lojëra… “Të vij sonte tek ti?”, më tha. “Ç’do të bësh ti tek unë… mos o Zot… na vret babai”, i thashë. “Po unë të dua”, më tha. “Ç’janë këto fjalë”, ia ktheva. “Nuk duhet të flasësh kështu, ti je vajzë, e i bie të bëhesh rrugaçe kështu… Pastaj, unë jam njeri shumë i ndershëm, këtë edukatë kam, jam katolik…”. Po nuk më shqitej ajo. Kurrë.. Arriti të më vinte në shtëpi, derisa një ditë e kuptoi i ati dhe dha porosi që ta vrisnin, mjekët…

“Nuk më duhet ajo vajzë, që lidhet me një armik…”. Na ndanë, megjithëse unë s’kisha bërë asgjë, nuk isha armik… asgjë nuk kisha bërë. Pastaj më vonë, nëna ime duke vdekur më tha diçka. Nuk di sa duhej ta besoja. Ajo kishte kaluar dy hemorragji celebrale në tru. Por më tha: “Djali të lindi. E quajta me emrin tënd, Frederik”. Djali u rrit u bë burrë. E çuan në shkollë për oficer sigurimi. Një ditë erdh’ e më tha: “A ka një Frederik tjetër?”. “Po”, i thashë. “Është Frederik Rreshpja, babai yt”. “Po ku është ai”, i kishte thënë time zonje… “Është në Burrel, në burg…”. “Po unë i kam thyer këmbën atij, e kam rrahur… Po qe kështu, atëherë unë do të vras veten…”. Kështu ma tha ime zonjë, po nuk di sa duhet ta besoj. Tani pyes të tjerët. Më thonë shumë gjëra për atë fëmijë…që e kanë rritur derisa është bërë 7-8 vjeç, por ka ikur…më kanë thënë se ka ikur në Kinë… nuk e di… Por Lorën e kam dashur, sepse më donte shumë, më donte mbi çdo njeri…”. Admirina Peçi, Gazeta Shqiptare, Prill 2004

vjersha per loren

vjersha