Përpjekja e fundit për sqarim, të paktën për miqtë e mi, meqenëse sot po “shitet” sërish historia e lopës zvicerane.
Historia nis aty nga fundi i viteve 80, me një udhëtim disaditor në Zvicër. Profesorit, me origjinë myzeqare, i kishte bërë përshtypje të madhe pejzazhi zviceran, ku ujërat e pastra, gjelbërimi i pafund, dhe lopët e shëndetshme mes lëndinave të mahnisnin me bukurinë e tyre. Kur u kthye, dikujt që e pyeti si iu duk Zvicra i tha se ” atje kishe dëshirë të ishe lopë “. Tjetri qeshi por e kuptoi nëntekstin.
Disa vjet më pas, në një artikull që pati jehonë të madhe në shtypin e kohës, të botuar në numrin e tretë të gazetës së parë opozitare në Shqipëri ( RD, 30 janar 1991 ), profesori ishte ndër pedagogët e parë të Universitetit që u pozicionuan hapur kundër regjimit totalitar dhe Diktatorit.
Në këtë shkrim me titull ” Urrejtjet e mia ” zbrazej dufi i grumbulluar në vite ndaj një sistemi që e kishte tjetërsuar njeriun shqiptar dhe, nëpërmjet një grafitie pariziane kundër Stalinit ( ” Ka të vdekur që duhen vrarë ” ), vihej në shënjestër figura ende e kudopranishme e Udheheqësit paranojak. Shkrimi mbyllej me historinë e lopës zvicerane.
Reagimi zyrtar komunist qe i menjëhershëm. Një gazetar kokëtrashë i ZP-së, pasi e trajtonte profesorin si mosmirnjohës ndaj nënës Parti, që e kishte dërguar për studime në Francë, pa bërë kurrëfarë polemike me idetë e artikullit, e ” dërrmonte ” profesorin me përfundimin që nxirrte nga mendja e vet se këtij trushkuluri i pëlqente më shumë të ishte lopë në Zvicër se sa njeri në Shqipëri.
Kaq u desh që historia të ” merrte dhenë “. Asokohe ZP-ja të mbyste me tirazhin e madh dhe shpërndarjen e organizuar, kurse RD-ja, edhe pse mezi pritej të dilte, ishte në fillimet e saj. Ndaj pjesa më madhe e opinionit u ndikua nga tellalli i porositur i ZP-së dhe profesorit i mbeti, si të thuash, jo qumështi por “bajga” e lopës në derë. Pa përmendur këtu kërcënimet dhe shantazhin që zgjatën për një kohë të gjatë.
Kolegët e profesorit, thuajse të gjithë, dinin vetëm të heshtnin e të shihnin qetë – qetë punën e tyre, duke pritur drejtimin e erës. Thuajse askush nuk pati kurajon t’i thoshte, të paktën, se e kishte lexuar shkrimin dhe ka të ngjarë të kishin lexuar ose dëgjuar vetëm për kundërvenien e ZP-së. Bënin sikur s’dinin asgjë dhe kujdeseshin pêr të ” rrotulluar kolltukun nê drejtim tê Historisë “, siç shprehet Kamyja për këtë kategori ” intelektualësh “. Shumë më vonë, kur nuk rrezikonin më asgjë, disa syresh u bënë ” antikomunistë të papërmbajtur “, por kjo është një tjetër histori.
Qysh atëherë një komshi i profesorit, që dikur mund të përfaqësonte ” kllasën “, sa herë e ndeshte në rrugë e pyeste me zë të lartë : ” Pash Zotin, ku është më mirë, lopë në Zvicër apo njeri në Shqipëri ?” Këtë pyetje ai vazhdon t’ia bëjë dhe sot e kësaj dite, megjithë përpjekjet e profesorit për ta sqaruar dhe faktin e pamohueshëm se profesori nuk shkoi të bëhej lopë as në Zvicër as gjetiu, por vazhdoi të jetojë e të punojë në vendin e tij. Si dhe të shkruaj me dhjetra artikuj të tjerë në organet e ndryshme të shtypit shqiptar. Mund i kotë dhe e pamundur t’u mbushje mendjen njërëzve të manipuluar ose dritëshkurtër se nuk kishte thënë se donte të bëhej lopë dhe se shkrimi në tërësi dhe shprehja e përdorur kishin domethënie krejt të kundërt.
Kaluan vite dhe përsëri, jo rrallë, emri i tij lidhej ende me historinë e lopës zvicerane. Jo pak vetë që ktheheshin nga një udhëtim në Zvicër i thoshin se ” i kishte rënë pikës me atë punën e lopës “. Dikush i tha një herë se shprehja e bujshme ishte bërë ose përdorej si pengesë për ndonjë emërim më të lakmuar, si p.sh. në fushën e diplomacisë. Një ditë madje dëgjoi kalimthi dy xhambazë tregtie tek i thonin njëri-tjetrit :” Pse kot e tha ai profesori, më mirë lopë në Zvicër se njeri në Shqipëri “. Deshi të ndalej dhe t’u thoshte se profesori për të cilin po flisnin ishte ai vetë dhe se nuk kishte thënë asnjëherë diçka të tillë, por mendoi se nuk ia vlente dhe nuk e bëri. Sa herë ia kishte shpjeguar komshiut dhe ai vazhdonte t’i bënte të njëjtën pyetje ” ekzistenciale”…
Pastaj ndodhi diçka që e revoltoi së tepërmi. Një studiues dhe publicist që e mban veten për serioz, në qershor të vitit 1999 i vërsulet dhe e denigron në mënyrë të ulët dhe të padrejtë në një numër të revistës SPEKTER, duke mos cituar shkrimin, por duke bërë sajime dhe komente mjerane. Sipas këtij atdhetari të flakët (po më shumë të thekur, se patriotizmin e përdor si mall tregu) , “ky profesor e ka humbur rrezikshmërinë e të ndikuarit në opinion qëkurse botoi, disa vjet më parë, artikullin e njohur ” Më mirë lopë në Zvicër se njeri në Tiranë “. Se ku e gjente të drejtën autori në fjalë të fantazonte e të formulonte verdikte e di ai dhe ndërgjegja e tij profesionale dhe njerëzore, duke mos respektuar jo vetëm përmbajtjen dhe frymën e përgjithshme të shkrimit, por as dhe vetë titullin e tij. Siç u pëmend, titulli i artikullit ishte ” Urrejtjet e mia ” dhe hapej me fjalinë e nënvizuar ” Jam njeri dhe askush nuk mund të më mohojë të drejtën time për të gjykuar ata që më gjykojnë, të drejtën time të urrej apo të dua, të përbuz apo të simpatizoj sipas bindjeve dhe ndjenjave të mia njerëzore “. Historia e lopës përmendej në fund dhe kishte, doemos, kuptim metaforik.
Sigurisht, që profesori u përpoq të vinte në vend dinjitetin e tij dhe të kërkonte të drejtën e replikës për shpifje dhe denigrim të personit pranë redaksisë se revistës, se cilës i vuri në dispozicion dhe fotokopjen e artikullit ” te inkriminuar “. Madje u ra dakord të botohej dhe pjesa e fundit e shkrimit. Pastaj, botimi i replikës u shty nga java në javë, deri sa u ndërrua kryeredaktori dhe zëvendësuesi i tij nuk e mori më përsipër. Sidoqoftë, rastësisht apo për pasojë, shkrimet e pafund të patriotit vigjilent u rralluan dukshëm. Ndërsa për të kërkuar, të paktën, ndjesë, qoftë dhe privatisht, nuk ishte më në etikën dhe moralin e ish studentit dhe ish kolegut të profesorit.
Gjithsesi, viti 1999, veç shijes së keqe që i la ” polemika ” e pandershme, i solli profesorit një ngushëllim jo të vogël. Kërkesa e tij për titullin e lartë ” Profesor ” u aprovua në muajin dhjetor. Por nuk ishte e thënë që historia e lopës t’i ndahej. Disa kolegë zviceranë, që kishin ardhur ato ditë në Departamentin e tij në kuadrin e bashkëpunimit mes universiteteve, i thanë se, gjatë një dreke me Ministrin e Arsimit dhe të Shkencës, ishte ” servirur ” dhe historia e lopës zvicerane. Pak a shumë si një lloj çoroditje a qorrsokaku të intelektualëve shqiptarë dhe se njërit prej tyre, atij që paskësh shprehur dëshirën e lajthitur, Ministri sapo i kishte firmosur dëshminë për titullin ” Profesor “.
Po kësaj finaleje si t’ia vësh emrin? Detajet e kësaj ” shakaje ” profesori nuk i mësoi dot, as në ishte thjesht për t’i hedhur ” pak kripë e piper ” një bisede, çka nuk do të kishte asgjë të keqe. Por nëse Ministri beson ende variantin e ZP-së së dikurshme dhe të studiuesit të pandershëm dhe, para se të firmoste dëshminë, nuk e ka parë nga afër dosjen përkatëse të veprimtarisë pedagogjike dhe kërkimore shkencore të profesorit, kjo do të ishte për të ardhur keq. Pastaj Ministri e kishte mundësinë për verifikimin e këtij ” rasti ” disi të veçantë, kur, çuditërisht, ” dëshira për t’u bërë lopë kthehet në dëshirë për t’u bërë profesor “, sepse në dosjen vetjake të profesorit figuronte dhe fotokopja e artikullit përkatës. Gjithsesi është një komision i tërë që ka vendosur me votim të fshehtë, pas shqyrtimit të dokumentacionit, ndërsa Ministri ka vetëm një votë dhe të drejtën ose më saktë detyrimin e firmosjes se dëshmisë.
Mbase e vetmja mënyrë per t’i vënë një lloj kapaku kësaj historie është botimi i krejt artikullit në një përmbledhje me shkrime të tjerë. Por deri atëherë, ndofta gazeta e mirënjohur dhe shumë e lexuar ” Shekulli ” do t’i bënte një shërbim të vyer profesorit, duke pranuar botimin e këtij shkrimi dhe fundin e artikullit në fjalë ( ku flitet për historinë e lopës )*, duke çliruar kësisoj dhe simotrën e tij SPEKTRIN nga e drejta e mohuar e replikës. Profesori do t’i ishte shumë mirënjohës dhe do të shtonte respektin për këtë gazetë.
“Meqë fola për bar, m’u kujtua një udhëtim tre-katër ditor në Zvicër para disa vitesh. Kisha parë dhe më parë botë me sy, si i thonë, por Zvicra, ishte e bukur si një ëndërr. Të mahniste bukuria, gjelbërimi, ujërat e pastra. Kur u ktheva e më pyetën si ishte, u thashë disave që u shastisën se kujtuan mos flisja përçart: “Atje kishe dëshirë të ishe lopë”, kaq i fortë ishte tundimi të rrije e të rrokulliseshe atyre lëndinave e livadheve mahnitëse si në përrallat e qëmotit. A do të vijë dita dhe për Shqipërinë tonë, që mezi siguron barin për kafshët dhe bukën për njerëzit, të pëlcasë nga shëndeti e t’i skuqen faqet anemike? Zaret dhe fara e re u hodhën… Secili të bëhet lojtar luajal dhe kopshtar i mirë.”) (Fundi i shkrimit të sipërpërmendur dhe i shpërfytyruar shpesh me keqdashje)
– Hej, prit pak, më tha.
– Po ç’ke me mua, ia ktheva.
– Kam që ç’ke me të. Më ke sharë para njëzet vjetësh.
– Po ti s’kishe lindur akoma!
– S’prish punë, ke sharë gjyshen time.
– E ke gabim, unë thashë vetëm “Atje, d.m.th. në Zvicër, kishe dëshirë të ishe lopë”. Aq mirë i trajtonin. Shumë më mirë se njerëzit në Shqipëri. Dhe, siç më sheh, nuk kisha dhe as kam ndërmend të bëhem lopë.
– Bëre mirë që më the, se do kishe ngrënë ndonjë bri kotnasikoti.
Dhe u ndamë si miq…
Komentet