Nga Uvil Zajmi
Të kishe ngjashmëri me një aktore, artiste, këngëtare, apo personazh të famshëm të botës së artit, kinematografisë e spektaklit, etj., në Shqipërinë e para viteve ’90-të, konsiderohej një “privilegj” i madh në njohje, miqësi, deri në histori dashurie, për vajzat apo brezin e viteve ’70-të. Të ishe “sozi” e Klaudia Kardinales, Sofia Loren, Brixhit Bardos apo, Rozana Podestas, t’i shtonte “pikët”, sidomos përpara adhuruesve të kulturës perëndimore. Dhe rastet nuk kanë qenë të pakta.
Por që të mbaje të njëjtin emër e mbiemër me një showgirl të televizionit italian, ishte dhe mbetet sigurisht diçka e veçantë, krejt e rrallë.
Cila ishte Loreta Goxhi, emri i së cilës do ta shoqëronte Lolën, vajzën simpatike të Rrugës së Durrësit, jo vetëm në adoleshencë, por edhe në jetën studentore, martesore, deri në udhëtimet e kontrollet e pasaportave në shtetet njohura të Europës…?!
Pse e mbante sekret emrin e vërtetë, tentativat për të komunikuar me aktoren italiane dhe refuzimi i saj?!
Por jo vetëm: Si u përhap lajmi se Raffaella Carra ishte shqiptare e pritej të vinte në Tiranë, për të takuar farefisin e saj? Cila është historia e burrave që u martuan apo patën lidhje me gra italiane dhe e kundërta? Lidhje që u mbajtën të fshehura për gjysmë shekulli? Anna Qazim Oxa, këngëtarja e famshme italiane, që pohonte botërisht se është një shqiptare nga Kruja, është njëra prej tyre.
“Lola”, kështu e kanë njohur
“Lola”, kështu e kanë njohur, thirrur, madje edhe sot, shkurt “Lola”, por emri i saj i vërtetë është Loreta, Loreta Goxhi. Në të gjitha dokumentet, kështu figuron: Loreta Goxhi, lindur në Tiranë, më 27 dhjetor 1954, motra e dy vëllezërve, Astrit dhe Arben Goxhi, prej shumë vitesh banuese në “Rrugën e Durrësit”.
“Emrin e vërtetë, Loreta, e kam mbajtur ‘sekret’, pasi druhesha, kisha frikë, se një emër i huaj, ose të qenët fëmijë e një familjeje të huaj, kishte një ndikim jo shumë pozitiv në ato vite, kur ‘lufta e klasave’, ishte e ashpër. Kisha ndrojtje, madje nuk i tregoja askujt se kisha të njëjtin emër me atë të këngëtares italiane, Loreta Goxhi”, e fillon rrëfimin e saj, Lola.
Loreta Goxhi… tërhiqte vëmendje emri juaj?
Në adoleshencë, pak e lidhnin emrin tim me atë të këngëtares italiane. I pari që mbaj mend, ishte Gavrosh Lëvonja, mësuesi i Matematikës në Shkollën e Mesme Ekonomike. Që në çastin e parë, teksa bënte apelin, sapo ndeshi me emrin tim, u ndal, ngriti kokën, hodhi sytë nga klasa e tha: Loreta Goxhi të ngrihet në këmbë.
U ngrita dhe ai vazhdoi: “Cila je, e di që ke emrin e një artisteje të madhe, të televizionit Italian”? Po, iu përgjigja, e njoh, e kam parë në Canzonissima’. Gavroshi, ishte jo vetëm mësues i veçantë, por njeri me kulturë, sportist i njohur, fliste avash. Më ngrinte sistematikisht në mësim, vetëm nga dëshira për të shqiptuar emrin, Loreta Goxhi. Këtë më ka thënë vite më vonë. Më vlerësonte shumë mire, edhe në rastet kur nuk e meritoja.
“Për emrin e madh që ke, meriton notë të lartë”, shprehej ai para klasës. Kush e njeh Gavroshin, e di sa karizamtik dhe tip i veçantë ishte. Kam edhe një rast tjetër: Në përfundim të zborit ushtarak, po dorëzoja armën, punonjësi që i merrte në dorëzim, më pyeti si e kisha emrin. Loreta Goxhi, i tregova, çka u shoqërua me të qeshura nga nxënësit e tjerë. “Pse tallesh me mua”, më tha, e pasi mbylli magazinën, u ankua te drejtoresha. Ajo më thirri, e pasi verifikoi emrin, e mbylli çështjen.
Pse ky emër, ka qenë rastësi?
Them se po. Ma ka vënë babai, i cili u nda nga jeta shumë i ri, kur unë isha e vogël. Gjatë viteve ’70-të, kur ndiqnim televizionet italiane, të Rai-it, transmisionet muzikore të shtunave në mbrëmje apo, në radio ‘Hit-Parade’ të Lelio Lutazzi-t, një emision me këngë, çdo të hënë e të premte në drekë, shumë i ndjekur nga rinia e atyre viteve, emrin e Loreta Goxhit e diskutonim midis nesh, për nga ngjashmëria e këtij mbiemri, me atë të familjes sonë.
Më kujtohet, që flisnim me vajzat e xhaxhallarëve, në veçanti me Dianën e, Nora Goxhin, ish-basketbolliste, gruaja e Arben Mingës, ish-futbollistët të famshëm tashmë të ndierë. Sidoqoftë, nuk e fshihja dot, edhe në rini, shkollë, lagje, në “Rrugën e Durrësit”, njihesha si Lola, por komshinjtë, shokë, të afërm e dinin që e kisha Loreta Goxhi.
Në mjaft raste, si për të shitur mend, më prezantonin: “Kjo është Loreta Goxhi, ose jam vëllai, apo jemi vajzat e xhaxhait të Loreta Goxhit”, thoshin. Mbiemrin Goxhi, e kam mbajtur për shumë vite, në kujtim të babait, por e detyruar, e kam ndryshuar, pas viteve ’90-të, duke përdorur Bega, atë të bashkëshortit.
Pse e detyruar?
Kur shqiptarëve, i’u dha mundësia e lëvizjeve të lira jashtë shtetit, sapo shkelja në tokën italiane, në kontrollin rutinë të dokumenteve, në aeroporte, kudo, policët ndalonin për një çast më shikonin mua, pastaj pasaportën, duke menduar nëse isha këngëtarja e vërtetë, apo diçka tjetër. Nisur nga kurioziteti që përcillte emri dhe mbiemri, fillonin pyetjet pa fund; nga je, çfarë lidhje ke me Loreta Goxhin, etj.
Duke e parë si një pengesë sistematike, deri në bezdisje, jo vetëm në Itali, por edhe në Spanjë, Gjermani, Francë, kur shkoja bashkë me bashkëshortin, nga ndalesat, pyetjet e stërzgjatura, vonesat, filluan të më krijonin një shqetësim të vazhdueshëm, dhe u detyrova ta ndryshoj mbiemrin.
Po me bashkëshortin si jeni njohur?
Edhe ai më njihte e thërriste Lola. Ka qenë krejt rastësisht…! Teksa ishim ulur te kafe “Flora”, në një moment, papritmas doli në skenë emri i vërtetë. Një shoqe e imja, Mamica, duke e nisur me shaka, thotë: “Doktor, e di që je dashuruar me Loreta Goxhin”? Edhe bashkëshorti, si gjithë të tjerët, heshti, dhe i befasuar më pyeti: “Pse, ky është emri yt i vërtetë”? Pastaj, kur bëmë celebrimin, në lagje pati një moment kur para dëshmitarëve, që ishin miqtë tanë, nëpunësja lexoi: “Ju Loreta Goxhi, e pranoni si bashkëshort…”? duke krijuar një situatë të veçantë, nisur nga emri që tingëlloi ndryshe.
Kur bashkëshorti im, me profesion stomatolog, shoqëronte grupe turistësh italianë, sapo prezantohesha, befasoheshin, më shikonin me kureshtje, duke më pyetur: “Kemi edhe ne në Itali një këngëtare të njohur me këtë emër, e keni gjë atë”? Edhe në punë, ishte një shef finance nga Shkodra, shumë i kulturuar, që nuk më thërriste Lola, por Loreta. “Sa emër i bukur”, thoshte me kujdes, për të mos treguar në publik se e kishte fjalën për Loreta Goxhin. Loreta Goggi (italiane)
E keni menduar vërtet se keni pasur lidhje me Goggi-n e Italisë?
Gjithçka u provokua pas kthimit të xhaxhait Petrit nga Stambolli në vitin 1995, kur shkoi atje për të takuar të afërm, që i kishin mbetur pas emigrimeve të largëta në vite e breza. Kur erdhi, na tregoi se një degë e mbiemrit tone, ishte transferuar prej kohësh në Itali, dhe një ndër ta që e trashëgonte, kishte të bënte me familjen e një artisteje italiane me famë, duke cituar emrin e Loreta Goxhit.
Ishte një informacion i rrëfyer brez pas brezi, pa mundur që askush ta verifikonte këtë degë të krijuar nga njëri prej stërgjyshërve, rreth viteve ’20-të, kur ai jetonte atje. Për ne ishte surprizë, nisur edhe nga fantazia në vite, lidhur me ngjashmërinë e mbiemrit me artisten italiane. E vetmja alternativë për një verifikim konkret, mbetej Loreta Goxhi.
Keni kërkuar ta takoni?
Po, aq më shumë, pas kthimit të xhaxhait dhe rrëfimit të tij, që në njëfarë mënyre na dërgonin te dega italiane e mbiemrit Goxhi. Nëse ekziston vërtet një lidhje e tillë, kjo vjen nga gjyshi i saj, që mund të jetë djalë shqiptari, nga lidhjet e shumë viteve më parë, siç e tregova më sipër. Në italisht, mbiemri shkruhet me dy “G”, por lexohet si në shqip, “Goxhi”.
Ne tentuam dhe kërkuam ta takojmë atë, por pati një mos dëshirë nga ana e familjarëve dhe të afërmve të saj, ndonëse pak më ndryshe ishte qëndrimi i motrës, Daniela. Në vitet që vijuan, nuk bëmë asnjë tentativë tjetër e, gjithçka u mbyll këtu, duke ndërprerë e shuar çdo iluzion.
Koha e gjatë ka bërë të sajën, dhe qëndrimin e tyre, nuk dua ta paragjykoj. Ndoshta një ditë edhe mundet, por brezat që vijnë, pak janë të interesuar për trungun familjar, kjo edhe për faktin, se një pjesë e mirë kanë vite që janë larguar nga Shqipëria, familjet janë ndarë, duke humbur kështu ndjesinë e trashëgimisë e prejardhjes.
Ju pëlqen Loretta Goggi?
Po, shumë. E shtyrë nga kurioziteti, kam lexuar për jetën e saj. Një grua me personalitet, artiste shumëdimensionale, inteligjente, me një karrierë të ngritur falë aftësive. I dëgjoj edhe sot këngët dhe repertorin e saj. Bashkë, kemi një diferencë të vogël moshe. Sa herë që e shoh, kam një ndjesi ndryshe.
Repertorin e këngëve të saj, e dëgjoj shpesh në makinë, shtëpi, sikur më lidh e më rikthen në adoleshencën time, madje më shoqëron, kur jam e angazhuar me punë intensive. Në veçanti, kënga “Maledetta Primavera”. Zëri saj i bukur, më krijon një emocion të veçantë, tejet nostalgjik. Jam shumë kurioze nëse do ta takoja një ditë si do të reagonte!
Znj. Laureta, ju falënderoj për gatishmërinë dhe gjithçka sollët para lexuesve tanë, me këtë intervistë.
Ju falenderoj edhe unë ju.
Anna Oxa, një shqiptare e vërtetë
Ajo që është shqiptare, madje duke e deklaruar pa asnjë hezitim, është Anna Oxa (Hoxha), lindur në Bari më 28 prill 1961, me prindër, babai shqiptar me emrin Qazim nga Kruja dhe nëna italiane. E diplomuar në Liceun Artistik “Giuseppe de Nittis”, në Bari, ku edhe ka kaluar fëmijërinë e adoleshencën. Karrierën si këngëtare e ka nisur shumë e vogël, në disa piano-bare të qytetit, ndërkohë që në moshën 15 vjeçare, regjistron këngën e parë, “Fiorellin del prato”.
Në vitin 1978, debuton me albumin “Oxana”, ku veçohen “Un’emozione da poco”, “Tutto un’attimo”, “Donna con te”, etj. Ajo ka fituar dy herë Festivalin e Sanremos, në vitit 1989, në duet me Fausto Lealin, me “Ti lacshiero” dhe më 1999, me “Senza pieta”. Ana Oxa ka ardhur disa herë në Shqipëri, duke marrë pjesë në spektakle dhe evenimente të ndryshme.
A është Raffaella Carra, tiranase?!
Raffaella Carra, një emër arti ky, pasi emri i saj i vërtetë është: Raffaella Maria Roberta Pelloini, ka lindur në Bolonjë më 18 qershor, të vitit 1943. Përveç si artiste, showgirl, protagoniste absolute e spektakleve televizive italiane, fama e saj, erdhi krejt papritur në Shqipërinë e viteve ’80-të. Duke qenë se në Tiranë ishin disa familje me mbiemrin Karaj, e provokuar nga një informacion nën zë, u përhap gjerësisht në kryeqytet se familja Karaj, ka lidhje të afërt me Raffaella Karra dhe se ajo është me origjinë shqiptare.
U krijua një situatë e bujshme për kryeqytetasit dhe ky lajm ishte në qendër të bisedave të mbrëmjeve, jo vetëm familjare, por kudo, në grupe miqësie, në xhiro, pasi një fakt i tillë ishte interesant për shqiptarët që kishin simpati për të. Kaluan muaj dhe, kur pritej (sipas bisedave) që Raffaella Carra të ulej në Rinas, midis fantazisë e të vërtetës, lajmi filloi të shumohej, e në pak kohë, gjithçka ra në heshtje dhe për vite nuk u fol më për këtë fakt.
Cila është Loretta Goggi?
Loretta Goggi, ka lindur në Romë, më 29 shtator 1950. Ajo është e dyta e tri vajzave të familjes me origjinë nga Circelo (Benevento), aktore, këngëtare, moderatore, showgirl, balerinë, imitatore, etj. Edhe motra më e vogël, Daniela, ndoqi rrugën e saj, por pa mundur të ketë famën e motrës. Që në moshë të vogël, Loreta, ka studiuar për muzikë, e shtyrë nga pasioni që i kishte transmetuar i ati.
E zbuluar nga Korrado në fund të viteve ’50-të, kur ishte vetëm dhjetë vjeçe, ajo fiton konkursin radiofonik “Disco magico” dhe në fillim të viteve ’60-të, regjistron këngën e parë, që është njëkohësisht muzika sonore e filmit francez “Sangue alla testa”. Si aktore debuton në vitin 1959, në RAI në programin televiziv “Sotto processo”. Një ndër këngët e famshme të saj është “Maledetta primavera”./memorie.al/