Kriza diplomatike midis Serbisë dhe Shkupit mbaroi ashtu si nisi, artificiale dhe bizantine. E nisi Serbia në 20 gusht me vendimin e padëgjuar ndonjëherë në analet diplomatike “për të thirrur në atdhe për konsultime” gjithë stafin e ambasadës serbe në Shkup. Historia e diplomacisë deri tani njeh që thirret ambasadori për konsultime në shenjë proteste, por që të thirret edhe sekretari i tretë edhe kafazi për konsultime, kjo është një shpikje serbe. Nuk shpjegoi as presidenti serb dhe as ministri i jashtëm serb pse u ndërmor ky hap i pazakontë, që zakonisht merret kur ndërpriten marrëdhëniet diplomatike, kur shteti pritës është në prag të luftës, ose kur kërcënimi terrorist kundër ambasadës është konfirmuar. Beogradi tha vetëm në mënyrë të vagulluar se Maqedonia po kryente veprimtari ofensive kundër institucioneve të Serbisë, duke i lënë fushë të lirë të gjitha fantazive dhe fakenews-eve serbe, maqedonase dhe ruse për Kosovën, për UNESCO-n, për CIA-n, etj.
Që kriza diplomatike e re ishte edhe artificiale, edhe bizantine, e tregoi shfryrja e shpejtë e saj brenda tre ditësh, kur të mërkurën folën në telefon presidenti i Serbisë me kryeministrin e Maqedonisë dhe nga telefoni doli dhe një komunikatë e përbashkët optimiste. Po atë ditë folën në telefon ministri i Jashtëm i Serbisë me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë. Të enjten Presidenti i Serbisë priti ambasadoren e Maqedonisë në Beograd dhe po atë ditë stafi diplomatik i ambasadës serbe në Shkup u rikthye në ambasadë, nga iku para katër ditësh. Ambasadorja serbe do të kthehet në 31 gusht dhe do të pritet të nesërmen nga kryeministri maqedonas. Në 25 gusht në Nish u zhvillua takimi i posaçëm midis ministrit të Jashtëm serb dhe ministrit të Jashtëm maqedonas dhe iu vu kapaku asaj që ministri i Jashtëm maqedonas, në konferencën e përbashkët të shtypit me homologun serb, e përkufizoi si “pak ditë relative turbulente në marrëdhëniet dypalëshe”. Divorci i bujshëm diplomatik serbo-maqedonas zgjati sa një shi vere, çka tregon sa artificial ishte. Po kaq absurd ishte dhe motivi i shkrirjes diplomatike, kur Daçiç deklaroi në 25 gusht se informacionet e zbulimit, që ka marrë Serbia, nuk lidhen me qeverinë e Maqedonisë, por me sektorin e sigurimit me ndërhyrjen e faktorit të huaj. Po kaq absurd ishte dhe justifikimi i shkrirjes së shpejtë diplomatike nga ministri i Jashtëm maqedonas, i cili përsëriti argumentin serb se informacionet nuk implikojnë qeverinë e Maqedonisë.
Përtej stuhisë diplomatike të gotës së ujit apo lojës infantile diplomatike serbo-maqedonase të tipit “ngriva-shkriva”, ngjarja duhet parë më thellë për synimet e vërteta dhe për sponsorizimet gjeopolitike ballkanike brenda saj.
Burime diplomatike të mirë informuara bëjnë të ditur se Maqedonia kishte grumbulluar informacione të bollshme për implikimin e shërbimit sekret serb, bashkë me atë rus, në përpjekjet për të mbajtur me çdo kusht në fuqi regjimin e kryeministrit filoserb dhe filorus, Nikolla Gruevski dhe për të sabotuar legalizimin e qeverisë së shumicës parlamentare. Ndërhyrja e shërbimit sekret serb ishte kaq flagrante saqë shefi i rezidenturës serbe në ambasadën serbe në Shkup hyri bashkë me grupet e zjarrit të partisë së Gruevskit, që sulmuan parlamentin maqedonas në 27 prill në një përpjekje për grusht shteti dhe dhunuan e tentuan të vrasin deputetë, duke plagosur kryeministrin legal Zaev dhe kryetarin e një partie shqiptare Ziadin Sela. Shefi i spiunazhit serb në Shkup drejtonte brenda në parlament rrjetin e tij dhe autoritetet maqedonase regjistruan dhe publikuan stenogramet e komunikimeve të tij me vartësit në parlament. Dosja e implikimit të shërbimit sekret serb dhe atij rus në krizën e stërzgjatur politike në Maqedoni dhe në krijimin e trazirave dhe të destabilitetit në Maqedoni ishte aq e mbushur me fakte, sa që pritej nga momenti në moment që autoritetet maqedonase të publikonin dosjen e ndërhyrjes serbe në punët e brendshme të Maqedonisë.
Në situatën para një demaskimi ndërkombëtar të ndërhyrjes në një shtet fqinj, Serbia nxitoi dhe krijoi artificialisht krizën diplomatike të zhurmshme me tërheqjen e gjithë personelit të ambasadës së saj në Shkup. Jo rastësisht bashkë me personelin ajo transportoi me urgjencë të gjithë dokumentacionin e ambasadës, e trembur se mos rridhnin materiale komprometuese. Që kjo përbënte motivin dhe thelbin e provokimit të krizës artificiale diplomatike, u pohua nga vetë udhëheqësit serbë. Presidenti i Serbisë, Vuçiç, deklaroi se tërhoqi stafin e ambasadës, sepse Serbia mori të dhëna për veprimtari ofensive zbulimi të Maqedonisë kundër institucioneve të Serbisë. Ministri i Jashtëm serb, Daçiç e tha edhe më qartë në 22 gusht se “qëllimi i aktiviteteve të tilla zbuluese të Maqedonisë është që të goditet me të gjitha llojet e akuzave false ndaj Serbisë, sikur përfaqëson rrezik dhe dëshiron të organizojë një lloj konflikti në Maqedoni”. Si presidenti, ashtu dhe ministri i Jashtëm, akuzuan shtetet perëndimore se qëndrojnë prapa komplotit të Maqedonisë kundër Serbisë. Ministri i Jashtëm serb bëri edhe një autogol, kur me mburravecërinë tipike ballkanike u mburr me veprimtarinë e agjenturës serbe në Maqedoni, duke deklaruar publikisht se mesazhi ynë drejtuar Shkupit është se ne i dimë të gjitha çfarë bëni dhe mendoni në Shkup.
Siç shihet, kriza artificiale diplomatike u provokua nga Serbia për të mbuluar ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Maqedonisë dhe veprimtarinë destabilizuese të shërbimit sekret serb në atë vend, në bashkëpunim me shërbimet ruse. Së bashku me Rusinë, Serbia mbështeti fort ish-kryeministrin Gruevski, përfaqësuesi kryesor i lobit serb në Shkup, i cili para se të futej në politikë në Shkup ka punuar si këshilltar i qeverisë serbe në Beograd. Ndryshimi i rrëgjimit në Shkup e bëri tepër të pakënaqur Beogradin, të cilit iu kufizuan hapësirat e ndikimit. Serbia pësoi një humbje gjeopolitike, sepse:1-u largua nga pushteti kryeministri filoserb Gruevski, 2- kryeministri i ri nënshkroi Traktatin dypalësh me Bullgarinë, që e kishte bllokuar prej vitesh Gruevski 3- kryeministri i ri premtoi një profil të ri të marrëdhënieve me popullin shqiptar në Maqedoni në drejtim të realizimit të disa kërkesave themelore dhe në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve me Shqipërinë. 4-Maqedonia u shkëput nga skenari serbo-rus i ndikimit gjeopolitik dhe po përpiqet të riorientohet në shpejtimin e anëtarësimit euroatlantik.
Interesi gjeopolitik i Serbisë është që në Shkup të jetë një qeveri satelite e Beogradit dhe që Maqedonia të mos ketë marrëdhënie miqësore as me Shqipërinë dhe as me Bullgarinë dhe të acarojë marrëdhëniet me Kosovën. Serbia synon ta shtrëngojë orientimin e politikës së jashtme të Maqedonisë vetëm në aksin vertikal Serbi-Greqi. Jo rastësisht pas ardhjes së Zaevit në pushtet Beogradi ka ashpërsuar presionet dhe deklaratat zyrtare kundër Shkupit, duke kërcënuar se do të rishikojë qëndrimin serb për njohjen e Maqedonisë me emrin kushtetues. Histeria zyrtare serbe nga ndryshimi i regjimit në Shkup nisi menjëherë sapo Zaev u konfirmua kryeministër, dhe ajo ishte aq e ashpër, sa që kryeministri i ri i Shkupit u detyrua në 17 maj të akuzonte publikisht kryeministrin e Serbisë Vuçiç se po bën një fushatë armiqësore ndaj Maqedonisë.
Kriza artificiale diplomatike, që Serbia provokoi në marrëdhëniet me Maqedoninë, duhet të ndezë llambat e alarmit në kryeqytetet e rajonit dhe sidomos në Bruksel lidhur me rolin destabilizues, që Serbia po luan në rajon. Ka një kurbë të lexueshme të veprimtarisë së Serbisë në Ballkan për të rritur tensionet dhe për të krijuar trazira, sidomos në tre vitet e fundit pas krizës ukrainase. Serbia e Vuçiçit e nisi me nxitjen e tensioneve dhe krijimin e krizave me Kroacinë, kur provokoi duke organizuar lumin e refugjatëve sirianë drejt në kufijtë kroatë për ta destabilizuar atë vend, vazhdoi me organizimin e manovrave ushtarake serbo-ruse pranë kufijve kroatë dhe me armatosjen me armë të sofistikuara ruse, duke kërcënuar Kroacinë. Serbia vazhdoi me nxitjen e separatizmit të “serpska republikës” në Bosnjë, duke përkrahur zyrtarisht celebrimet e 9 janarit të ditës së separatizmit serb. Pastaj veprimtaria ndërhyrëse serbe kulmoi me pjesëmarrjen e shërbimit sekret serb bashkë me shërbimin sekret rus në organizimin e grushtit të dështuar të shtetit në Mal të Zi në zgjedhjet e tetorit 2016. Pastaj kemi pjesëmarrjen serbe në përpjekjet antikushtetuese për të sabotuar kalimin e pushtetit në Maqedoni te shumica parlamentare dhe pjesëmarrjen flagrante të shërbimit sekret serb në sulmin kundër parlamentit të Maqedonisë.
Në gjithë këtë veprimtari subversive rajonale Serbia ka nxitjen dhe sponsorizimin e Rusisë, e cila në përplasjet e saj gjeopolitike me Perëndimin në Europë synon të krijojë vatra destabilizimi në hallkën më të dobët të kontinentit, që është Ballkani. Intrigat diplomatike serbe janë taktika të Rusisë për ruajtjen e influencës së saj në rajon. Ndaj Moska e përkrahu menjëherë Serbinë edhe në rastin e provokimit diplomatik me Maqedoninë. Gazeta ruse “Pravda” shkruante në 23 gusht se “Serbia është e vetmja republikë e ish-Jugosllavisë që nuk do të hyjë në NATO dhe Serbia është i vetmi bastion në territorin e ish-Jugosllavisë që kundërshton zgjerimin e NATO-s në rajon”. Është një pohim interesant dhe i qartë se Serbia është bërë instrument i strategjisë ruse për të bllokuar në rajon integrimin euro-atlantik. Jo rastësisht provokoi marrëdhëniet me Maqedoninë, sepse Maqedonia është tani shteti i parë në rajon, që pritet të avancojë në anëtarësimin në NATO.
Serbia është brenda rolit të saj destabilizues në krijimin e krizës artificiale diplomatike me Maqedoninë. Ndaj duhet parë përtej retorikës dhe dashurisë rajonale të Serbisë. E kam thënë qindra herë dhe e përsëris që Serbia kërkon rol dominues dhe hegjemon në rajon dhe këtë po përpiqet ta realizojë duke e trembur Bashkimin Europian me kartën e destruktivitetit rajonal dhe me kapacitetet e saj për të krijuar trazira dhe tensione me të gjithë shtetet e rajonit. Do të ishte fatkeqësi dhe humbje gjeopolitike për Perëndimin, nëse BE do të përpiqet ta marrë me të mirë Serbinë duke i hapur dritën jeshile ambicieve rajonale serbe, me gjithë emrat e rij rajonalë të projekteve pan jugosllave. Nëse dikujt nuk i mbushet mendja akoma, le të lexojë deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Daçiç, në 22 gusht, ku thotë se “Ne e kemi në mendje se Maqedonia është një republikë e ish-Jugosllavisë, kontinuitetin e së cilës Serbia e shtrin në Maqedoni dhe në vende të tjera”. Udhëheqjes së sotme serbe i ka mbetur ora te kontinuiteti i ish-Jugosllavisë. Çështja është që ballkaniko-perëndimorët e tjerë të kullohen që nuk kanë pse i kurdisin orët e interesit kombëtar njësoj me Serbinë.
Komentet