Po, “ lojë” në kuptimin e një ushtrimi të madh diplomatik mund të konsiderohet dokumenti më i fundit diplomatik kinez lidhur me mundësinë e dhënies fund të luftimeve dhe vendosjen e paqes në Ukrainë. Ndonëse nuk është nismë apo plan paqeje por, siç pohojnë dhe vetë zyrtarët e lartë kinezë thjesht një Pozicion politik dhe diplomatik.
Gjithsesi, le ta shohim nga këndvështrimi i Realpolitikës se çfarë përfaqëson ky pozicionim i ri politiko-diplomatik i një fuqie të madhe botërore si Kina, lidhjen me interesat e saj strategjike, rrjedhojat dhe pasojat e gjithanshme gjeopolitike.
Dokumenti ka 12 pika, në parim, pa ndonjë përpunim dhe elementë konkretë. Ai përmbledh masat dhe elementët përkatës në të gjitha rastet kur kërkohet pushim zjarri, ndërprerje luftimesh ose armëpushim midis dy vendeve/ fuqive ndërluftuese. Aty kërkohet tërheqja e Rusisë dhe Ukrainës nga luftimet, respektimi i pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial, ulja në tryezën e bisedimeve, respektimi i Kartës së OKB-së dhe tërheqja nga antarësimi në blloqe të ndryshme ushtarake; vend të veçantë ze çelja dhe funksionimi i kanaleve dhe korridoreve të nevojshme për livrimin e ndihmave humanitare dhe eksportin e drithit. Aty përmendet mospërdorimi dhe reduktimi i armëve dhe sulmeve bërthamore dhe kritikohen sanksionet ekonomike. Dokumenti kërkon dialog dhe diplomaci, si të vetmet alternativa për paqe, kundër mentalitetit të Luftës së Ftohtë.
Në pamje të parë duket dokument korrekt dhe tërheqës “në frymë dhe në gërma”. Mirëpo, zhgënjimi, pikpyetjet dhe dyshimet lindin sapo sheh se aty mungojnë komponenët jetikë dhe vendimtarë që e bëjnë të besueshëm, ca më tepër të realizueshëm një pozicionim të tillë politik si ky i tanishmi.
E keqja më madhe është se pozicioni kinez e anashkalon dhe kjo jo rastësisht përmendjen e agresionit rus të 24 Shkurtit, shkeljen prej Moskës të parimeve të lartpërmendura të OKB-së, dëmet dhe pasojat që ka shkaktuar ky agresion i pajustifikuar dhe i paprovokuar; ca më keq akoma, 12 pikat kineze vejnë shenjën e barazimit midis Rusisë agresore dhe Ukrainës viktimë. Më tej, duke fajësuar Perëndimin për qëndrimet e tij provokuese, sipas Pekinit lidhur me zgjerimin e NATO-s dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë. Pastaj, këtej flet për sovranitet e mosndërhyrje në punët e brendshme, pa specifikuar se kush i ka shkelur ato dhe nga ana tjetër nuk lejon një vend sovran si Ukraina të vendosë vet për antarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, kjo nuk ka ku të shkojë!
Ashtu si shprehet një ndër ekspertët më të mirë ndërkombëtarë të marrëdhënievee ruso-kineze, Alexander Gabujew, ndonëse hiqet si asnjanjëse, dhe në këtë dokument Kina pozicionohet shumë më pranë Rusisë, madje aty e ka merakun më të madh. Kjo nuk të çudit aspak. Kina mbetet aleate strategjike e Rusisë; me “demokracinë e tyre të menaxhuar dhe konsultative dhe qeverisjen alternative” të dyja i kundërvihen “ herë me pambuk e herë me hekur” Perëndimit dhe parimeve të tij të shtetit të së drejtës. Ato bëhen përherë bashkë OKB dhe në Këshillin e Sigurimit; duke penguar shumë procese dhe nisma, deri te mosnjohja e Kosovës dhe tani, 15 vjet pas pavarësimit dhe 13 vjet pas Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila shpalli pajtueshmërinë e saj me të drejtën ndërkombëtare. Ndaj, Kinës nuk i është dëgjuar fare zëri anti-rus as gjatë këtij viti të parë agresionit. Bashkë me Brazilin, Indinë dhe Afrikën e Jugut, që me Rusinë përbëjnë grupimin e madh ekonomiko/politik “BRICS” ajo bllokoi daljen me një deklaratë përfundimtare të Ministrave të Jashtëm të G – 20 më 2 Mars në Nju Delhi, që të dënonte agresionin rus.
Një ndër ato pak elementë pozitivë në këtë dokument kinez është kundërshtimi kinez ndaj kërcënimeve lidhur me përdorimin e armëve bërthamore të konfirmuara në takimet e Presidentit kinez Xi Jinping me Presidentin Biden dhe Macron, Kancelarin Scholz dhe liderët e BE-së.
Qëndrimi i njëanshëm kinez duket dhe në faktin se Presidenti Xi Jinping nuk e ka takuar, përshëndetur e nuk ka dhënë shenja se do ta bëjë këtë në të ardhmen me Presidentin Zelenski; ama nuk ka hezituar të takohet me Putinin dhe Llukashenkon të cilin e priti më 1 Mars me pompë dhe bujë ceremoniale në Pekin.
Që këto gjetje dhe pohime janë të vërteta, këtë e tregon dhe fakti që Putini e mirëpriti këtë dokument të cilin ai tha se po studiojnë me kujdes. Vetëkuptohet, se pothuajse gjithë “stofi me 12 pikat është prerë që t’i rrijë sa më mirë kostumit të Putinit”. Sa për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial, ato nuk përbëjnë shumë problem për Rusinë, sepse sipas saj varet si e kupton, e deri ku shtrihet sovraniteti i Ukrainës. Të gjithë elementët e tjerë, sidomos kundërshtimi ndaj sanksioneve dhe anëtarësimi në blloqe ndërkombëtare tingëllojnë “muzikë e bukur në veshët” e agresorit rus. Ndaj, me të drejtë Presidenti Biden bëri pyetjen retorike se si mund të jetë i mirë ky dokument për ne kur ai i pëlqen Putinit?
Ato çka u përmendën më lart bëhen dhe më bindëse kur shihen interesat reale kineze në mbështetjen ndaj Rusisë. Lind pyetja: a është vërtet e interesuar Kina për një armëpushim apo dhe paqe të shpejtë midis Rusisë dhe Ukrainës? Le ta themi qysh në fillim se ajo çka nuk i intereson fare Kinës është disfata e Putinit e ca më keq akoma zëvendësimi i tij me një qeveri demokratike Perëndimore. Ky do të ishte zunam i vërtetë politik, ekonomik, diplomatik dhe ushtarak për objektivin gjeostrategjik kinezo-rus për shkatërrimin e Aleancës Perendimore; gjithashtu nisur nga marrëdhëniet e privilegjuara dhe përfitimet e saj gjigandeske në të gjitha fushat e sidomos në ekonomi dhe tregti me Rusinë.
Por dhe një fitore e shpejtë ruse nuk do t’i interesonte aq shumë Kinës, mbasi epërsia e saj gjeopolitike do të kalonte në anën e Rusisë. Kësisoj, versioni më ideal për Kinën nuk është armëpushimi dhe paqja, por shtyrja sa më e e madhe e mundshme e luftës në Ukrainë. Kështu, Kina do të ishte në gjendje shumë më të favorshme të shfrytëzonte lidhjet gjeostrategjike me Rusinë, tregtinë e jashtme, furnizimin me dronë, armë dhe municione, etj.
Se sa jetike janë Rusia dhe Kina për njera tjetrën, mjafton të përmendim vetëm disa shifra sintetike ekonomike për vitin 2022; vëllimi tregtar midis tyre u rrit me 30 për qind, blerja e naftës ruse nga Kina 45 për qind, e qymyrit 54 për qind, ndërsa blerjet e gazit natyror “fluturuan” 155 për qind. Nga ana tjetër, nëpërmjet Kinës Rusia zëvendëson shumë produkte jetike perendimore. Kështu, importi i veturave nga Kina është rritur 45 për qind, importi i pajisjeve elektronike kineze nga 40 tani ze 95 për qind të tregut rus, etj.
Ndërkohë, si pasojë e bllokimit të pranisë së saj në systemin e pagesave ndërkombëtare “SWIFT”, Rusia ka punuar për zhdollarizimin e tregtisë së saj të jashtme, duke zgjeruar ndjeshëm përdorimin e Jenit kinez, si një ndër 5 monedhat kryesore të shkëmbimeve të saj tregtare. Kështu, nga 1% në Janar, në Nëntor 2022 Jeni kinez zinte 48% të tregut rus.
Për rrjedhojë, zgjatja e luftimeve është padyshim në interes të Kinës, mbasi ajo do të shkaktonte dobësimin e Rusisë. Kësisoj, Kina do të ruante lidershipin me një rol shumë më të madh gjeostrategjik në botë se Rusia. Përfitimi tjetër i madh për Kinën në këtë rast është se do ta mbante SHBA-të dhe BE-në të mbërthyer në atë konflikt, duke i lënë asaj fushë të lirë veprimi, sidomos në Zonën jetike të Pacifikut.
Këto fakte dhe të dhëna të bindin se është naivitet politik të besosh se Kina ka interes për paqe apo armëpushim, ca më pak të shpejtë midis Rusisë dhe Ukrainës.
Po atëhere, çfarë interesi ka Kina që del me një pozicion të tillë politik? Sepse ky i shërben interesave të saj gjeopolitike vis à vis Rusisë, SHBA-ve, Europës dhe imazhit në botë. Kështu, Kina “me një gur vret jo dy, por më shumë zogj” duke filluar nga imazhi i saj në botë. Ajo sikur u thotë vendeve të tjera në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine “ ne e bëmë tonën, por ata nuk na dëgjuan; në qafë paçin vehten”!
Gjithashtu, Kina me këto 12 pika tregon se po bën demarshe të shumta politike dhe diplomatike, duke arritur të “fusë në lojë” dhe Rusinë; mirëpo sipas saj, ç‘ti bësh SHBA-ve dhe BE-së, të cilat nuk e pranuan pozicionin kinez! Kështu, Kina “del e larë” nga kjo mesele e ngatërruar gjeopolitike.
Veç kësaj, ajo mund të fajësojë SHBA-të, sepse sipas saj, janë ato që nuk e lejojnë BE-në të veprojë me mendjen e vet, duke i “shkelur kështu njerin sy” vendeve antare dhe vetë BE-së. Kur në fakt e vërteta nuk është fare kështu. Dihet se BE dhe vendet e saj të mëdha, kur e sjell rasti “ nuk ia ka përtuar” as SHBA-ve; gjithsesi Aleanca e mban të paprekur kohezionin e saj politik, ushtarak dhe diplomatik, siç e ka shfaqur aq bindshëm dhe gjatë vitit të parë të agresionit rus.
Ja pra pse ky pozicion politik kinez i ngjan një loje të madhe diplomatike, me plot “lëvizje boshe, me dhe pa top”. Të tilla dokumenta ajo ka paraqitur dhe më parë si për paqe në Lindjen e Mesme, etj, por për të njëjtat arsye që përmendëm sa “për të hedhur lumin” dhe pa asnjë rezultat. Sepse këto qëndrime të njëanshme, megjithë diplomacinë e saj efektive, e kompromentojnë besueshmërinë politike dhe diplomatike të Kinës, si ndërmjetësues i paanshëm që pretendon të jetë.
Natyrisht që në kuadrin diplomatik, vende të veçanta europiane e të mëdha, për arsye gjeopolitike nuk ia thonë “copë në sy”, por e mbajnë me të mira, me pozitivitet, duke u kapur qoftë dhe pas ndonjë elementi premtues në këto 12 pika; me synimin që Kina të paktën të mos përshkallëzojë mbështetjen e saj ndaj Rusisë nëpërmjet dërgimit të armëve dhe municioneve vdekjeprurëse, një opsion tejet i diskutueshëm por që gjithsesi nuk përjashtohet. Kjo është diplomacia, ndodh që në disa raste dhe për elementë të veçantë ndonjëherë “ derrit duhet t’i thuash dajë”
Së fundi, e vetmja zgjidhje e vërtetë për paqe të qëndrueshme mbetet tërheqja e Putinit, ngarkimi i tij me të gjitha përgjegjësitë politike dhe ligjore ndërkombëtare deri në ngritjen e akuzave ndaj tij për krime lufte dhe kundër njerëzimit për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar Ukrainës dhe bashkësisë ndërkombëtare; të shoqëruara me garancitë përkatëse të gjithanshme për mospërsëritjen e tyre, deri në “deputinizimin” e Rusisë dhe futjen saj në brazdat e vërteta demokratike. Kësisoj do të zgjidhej dhe “puna e pambaruar” me Rusinë e viteve 90, siç e thotë dhe politologu i mirënjohur francez Jacques Rupnik.
Gjithçka tjetër, përfshirë Pozicionin kinez me 12 Pika, vetëm se do “t‘i jepte oksigjen dhe gajret” regjimit në Moskë, do të shtynte dhe vononte arritjen e paqes, do të shtonte humbjet njerëzore, materiale dhe financiare.
Mbi të gjitha, siç u theksua dhe në Takimin Biden – Scholz më 3 Mars në Shtëpinë e Bardhë, për këtë do pyetur dhe do të vendosë populli ukrainas dhe Presidenti Zelenski. Sondazhi me i fundi serioz tregon se 95 për qind e ukrainasve mbështesin luftën deri në fitoren përfundimtare. Sepse, siç e thotë dhe nobelistja ukrainase Olexandra Matwijschuk “paqja nuk vjen aq thjeshtë kur një vend nuk lufton më; madje, kjo nuk quhet më paqe, por pushtim”