Paraliza e plotë e kufijve midis Kroacisë dhe Serbisë në 24 shtator shënoi kulmin e një përplasje midis dy shteteve, e cila në pikënisjen e saj kishte çështjen e refugjatëve, që po vijnë në Europë nga Lindja e Mesme. Në pamjen e parë u duk dhe u komentua nga disa qarqe diplomatike dhe mediatike si luftë tregtare, meqë Serbia mbylli kufijtë për kamionët kroatë, kurse Kroacia i mbylli për gjithë mjetet e transportit serb. Por si mbyllja e kufijve, ashtu dhe embargo reciproke e transportit, nuk kishin lidhje me tregtinë. Madje në thelb nuk kishin lidhje as me refugjatët e Lindjes së Mesme. Më saktë, kishin lidhje me daljen në skenë të instrumentalizimit të refugjatëve nga ana e Serbisë për qëllime gjeopolitike në marrëdhëniet dypalëshe.
Sa kohë që ritmi i hyrjes së refugjatëve të Lindjes së Mesme në Kroaci nga territori i Serbisë ishte në parametrat normale të lëvizjeve të tyre drejt vendeve të tjera të Bashkimit Europian, Zagrebi nuk paraqiti asnjë kundërshtim apo protestë. Por kur Kroacia konstatoi fenomenin anormal që brenda një jave në territorin saj vërshuan nga Serbia mbi 50 mijë refugjatë dhe se ky vërshim ishte i organizuar, atëherë autoritetet kroate dhanë alarmin kombëtar dhe mbyllën shtatë nga tetë pikat kufitare të hyrjes. Alarmi kroat u dha, sepse u konstatua se qeveria e Serbisë në mënyrë të qëllimshme po kanalizonte të gjithë valën e refugjatëve drejt territorit të Kroacisë. Ajo madje kishte mbledhur edhe refugjatët, që ishin në kufirin me Hungarinë, (ku synojnë shumica e refugjatëve, sepse është rruga për në Austri e Gjermani), dhe ua kishte kthyer drejtimin për në Kroaci. Qeveria e Serbisë madje kishte organizuar udhëtimin e drejtpërdrejtë të refugjatëve të Lindjes së Mesme nga kufiri serbo-maqedonas për në kufirin kroat. Kryeministri i Serbisë kishte refuzuar ofertën e kryeministrit kroat që Kroacia të dërgonte një flotë autobusësh për të ndihmuar Serbinë dhe të merrnin refugjatët në kufirin me Maqedoninë dhe t’i shpërndanin drejt kufijve të Hungarisë, Rumanisë dhe Kroacisë. Refuzimi i qeverisë serbe ndaj ofertës humanitare kroate lidhet me qëllimin për t’i dërguar të gjithë refugjatët drejt territorit kroat.
Në një situatë të tillë, ku çështja e refugjatëve nuk ishte më çështje humanitare, por strategjike dhe po përdorej nga Serbia si instrument gjeopolitik kundër Kroacisë, autoritetet kroate shpejtuan ta vendosin nën kontroll fluksin e pakontrolluar të refugjatëve, të lëshuar nga Serbia, dhe të reagojnë duke mbyllur pikat kufitare me Serbinë. Kryeministri kroat, Zoran Milanoviç, deklaroi se “Unë nuk mund të lejoj që Serbia të transferojë aq shumë refugjatë në Kroaci. Serbia i organizon ata dhe i kanalizon drejt nesh”. Çështja e vërshimit të qëllimshëm të të gjithë refugjatëve të Lindjes së Mesme drejt Kroacisë, e shndërruar në një plan strategjik antikroat të Beogradit, krijoi shqetësim për sigurinë kombëtare të Kroacisë, dhe siç deklaroi kryeministri kroat në 25 shtator, “Sigurimi kombëtar ka prioritet mbi gjithë përfitimet e tjera”.
Krijimi i kërcënimeve nga Serbia për sigurinë kombëtare të shtetit fqinj dhe keqpërdorimi serb i çështjes së refugjatëve si një operacion gjeopolitik, përbën një zhvillim me interes për dinamikën e re të marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë. Ajo tregon sofistikimin e mjeteve dhe mënyrave të përplasjes së interesave dhe të luftës gjeopolitike në kohën e sotme. Vërshimi i një lumi të papërballueshëm të refugjatëve në Kroaci, në formë të menjëhershme dhe me përmasa aq të mëdha, krijon probleme të shumta dhe prish disa ekuilibra delikatë në funksionimin e shtetit kroat. Ai prish ekuilibrat ekonomikë, ekuilibrat demografikë, ekuilibrat socialë dhe ekuilibra të tjerë të lidhur me sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e vendit. Përmasat e vërshimit masiv dhe artificial të refugjatëve janë shumë më të mëdha se sa kapacitetet, që mund të mbajë një shtet i vogël dhe shoqëria kroate. Efektet gjeopolitike të këtij operacioni i kishte parasysh Beogradi, dhe kjo është arsyeja që autoritetet serbe i mblodhën të gjithë refugjatët, që drejtoheshin për në Hungari dhe në Rumani, dhe i kanalizuan drejt Kroacisë.
Që kanalizimi i qëllimshëm i lumit të refugjatëve drejt Kroacisë ishte një aksion i paramenduar gjeopolitik qeveritar, e provon edhe fakti i reagimit histerik të autoriteteve serbe ndaj vendimit sovran të qeverisë kroate për të mbyllur kufijtë ndaj këtij vërshimi masiv refugjatësh dhe për ta kontrolluar atë. Kryeministri serb Vuçiç shpalli ultimatumin mesjetar që Kroacia deri në mesnatën e datës 23 shtator të hapte kufijtë. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili është edhe kryetar i radhës i OSBE, bëri deklarata luftënxitëse, të papërshtatshme për një nëpunës të vogël e jo më për një shef diplomacie, duke deklaruar: “Serbia është sulmuar dhe shumë vende kanë hyrë në luftë në të kaluarën për këtë gjë. Nëse ata duan konflikt, për ne nuk ka problem”. Në këtë linjë luftënxitëse Ministria e Jashtme e Serbisë i dërgoi një notë proteste, në të cilën akuzohej Kroacia, një shtet anëtar i BE, se i ngjan shtetit të pavarur kroat të krijuar nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Ambasadori i Kroacisë në Beograd refuzoi që ta merrte në dorëzim këtë notë, duke u mësuar disa vendeve ballkanike se notat, që shajnë vendin tënd, nuk merren në dorëzim. Retorika luftarake, e ngritur nga autoritetet serbe, ishte e ngjashme me atë të kohërave radikale të dekadës së fundit të shekullit të kaluar në ish-Jugosllavi, dhe pikërisht për këtë kryeministri kroat deklaroi se ai “nuk do të reagojë ndaj manipulimeve dhe demagogjive të shkollës së Sheshelit dhe të Millosheviçit”, duke i bërë jehonë të vërtetës se të gjithë udhëheqësit e sotëm të Serbisë kanë qenë pjesëtarë të kabinetit të dy kriminelëve ndërkombëtarë të luftës në ish-Jugosllavi.
Instrumentalizimi i refugjatëve për qëllime gjeopolitike nuk është praktikë e re për Serbinë. Serbia nuk e ka për herë të parë që po përdor refugjatët si armë gjeopolitike. E ka bërë këtë edhe kundër Kosovës, kundër Shqipërisë dhe shteteve të tjera ballkanike në vitin 1999, kur qeveria e Millosheviçit, (ku bënin pjesë edhe presidenti aktual serb, edhe kryeministri aktual serb, edhe ministri i Jashtëm aktual serb, edhe kryetarja aktuale e Parlamentit serb), organizoi me planifikim qeveritar një ushtri masive refugjatësh shqiptarë, të cilët i dëboi nga Kosova dhe i kanalizoi menjëherë 500 mijë vetë në Shqipëri, 300 mijë në Maqedoni dhe nja 200 mijë në shtete të tjera europiane. Ishte një operacion gjeopolitik për të spastruar etnikisht Kosovën dhe për të destabilizuar Shqipërinë, Maqedoninë dhe shtete të tjera ballkanike.
Konflikti i ri midis Kroacisë dhe Serbisë u klasifikua si përplasja më e madhe midis dy shteteve, që nga mbarimi i luftës midis tyre në vitin 1995, luftë që e nisi Serbia kundër pavarësisë së Kroacisë në vitin 1991. Por ky sherr midis dy shteteve ballkanike në këto përmasa dhe me këtë përmbajtje gjeopolitike, evidenton disa elemente, që duhet të mbahen parasysh nga shtetet e tjera ballkanike.
Së pari, që Serbia, megjithëse ka statusin e shtetit kandidat të BE dhe po kërkon hapjen e bisedimeve për kapitujt e traktatit të pranimit në BE, ka mbetur një shtet, që qeveriset nga mentalitetet e së kaluarës. Është vërtet e pakuptueshme se si një shtet i tillë, që kryeministri i Kroacisë e quajti “shtet aksidental, shtet i çorganizuar, që do të hyjë në BE”, vazhdon të ketë një sjellje rajonale kaq agresive. Mendimi im është se në këtë sjellje ka pasur ndikimin e vet toleranca dhe indulgjenca, që BE ka demonstruar në mënyrë preferenciale ndaj Serbisë vazhdimisht. Për fat të keq, kjo u përsërit edhe këto ditë me butësinë e disa burokratëve të lartë të Brukselit ndaj Serbisë. Kjo shtron problemin kyç, që e kemi ngritur shpesh herë në faqet e kësaj rubrike, nëse BE ka standarde të ndryshme vlerësimi për Serbinë dhe të tjera për shtetet e tjera të Ballkanit. Sepse toleranca specifike e Brukselit ndaj Serbisë dhe nxitimi i disa qarqeve diplomatike në BE për të mbyllur sytë ndaj genit nacionalist dhe radikal të udhëheqjes së sotme serbe, nuk ndihmon as integrimin real europian të Serbisë dhe as paqtimin real të marrëdhënieve të saj me fqinjët. Një shtet, i cili nuk njeh një shtet fqinj sovran si Kosova, që e njohin 110 shtete të botës, një shtet që herë pas herë acaron qëllimisht marrëdhëniet dhe u bie tambureve të luftës me Kroacinë, provon se mentaliteti i udhëheqësve ka mbetur ai i kohës dhe i klimës së kabinetit qeveritar të së kaluarës tragjike, nga e cila kanë dalë.
Së dyti, konflikti i ri midis Kroacisë dhe Serbisë dhe operacioni gjeopolitik i Serbisë kundër Kroacisë nxjerr në dritë konsekuencën e strategjisë ballkanike të Beogradit për të përdorur kërcënimin e forcës dhe presionin e forcës mbi shtetet e tjera të rajonit dhe për të imponuar lidershipin serb në Ballkan. Serbia e guxon këtë ndaj një shteti, që është anëtar i NATO-s dhe i BE, gjë që nuk mund të mos shtrojë pyetjen nëse qëndrojnë forca jashtëballkanike prapa strategjisë gjeopolitike të Serbisë në Ballkan.
Së treti, konflikti i ri midis Kroacisë dhe Serbisë këshillon për një vetëpërmbajtje dhe për një realizëm në marrëdhëniet e shteteve të tjera ballkanike me Serbinë. Do shumë kohë, për të mos thënë shekuj, që të mbijë idealizmi demokratik në elitën politike serbe. Dhe idealizmi nuk vjen duke i bërë fresk prej rajaji Serbisë deri në pikën e mjerë, që edhe periudha e pushtimit serb të Shqipërisë në luftën e parë ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore, t’i serviret publikut si periudhë vuajtjesh e pushtuesve serbë në tokat shqiptare, sepse qenkan sulmuar nga “qarqet ekstremiste shqiptare”.(!) Fali Zot, megjithëse e dinë çfarë bëjnë.
Loja gjeopolitike e Serbisë me refugjatët sjell një parametër të ri, i cili duhet të reflektohet në doktrinat e sigurisë dhe të mbrojtjes të secilit vend ballkanik në veçanti, dhe të NATO-s si aleancë në përgjithësi.
Komentet