Marie Poradeci rrëfen si u shit e ble kjo shtëpi ndërsa zbulohet një VKM nr. 350, datë 13.5.1996, sipas të cilit kjo shtëpi duhej të shtetëzohej për përdorim publik dhe për këtë ngarkohej Ministria e Kulturës. Ndonëse kanë kaluar 20 vite që nga ajo kohë ky vendim nuk është zbatuar ende.
RRËFIMI
“Shtëpinë e Pogradecit im atë e trashëgoi nga i ati. Ajo ishte një shtëpi shumë e vjetër dhe çdo njeri që e shikonte çuditej si qëndronte në këmbë dhe ajo ishte gati e pabanueshme. Po ja, im atë shkonte atje për të kaluar muajt e verës shumë të nxehtë të Tiranës dhe jetonim ashtu në kushte jashtëzakonisht të këqija. Por nuk ja prishnim qefin, sepse ai e adhuronte Pogradecin. Mbas iscemisë cerebrale që pësoi im atë në verën e vitit 1982 dhe mbas vdekjes së mamasë time në verën e vitit 1983, shëndeti i tij filloi të dobësohej shumë. Mjekët na këshilluan se, tani në muajt e verës, ai nuk mund të shkonte më në Pogradec, sepse rruga ishte e gjatë dhe nuk mund ta përballonte. Kështu në verën e vitit 1986, 1987, ne nuk e çuam në Pogradec. Ndërkohë njerëz të ndryshëm na thonin që shteti do t’ja marrë shtëpinë Lasgushit dhe aty do të ndërtojnë një pallat shumë katësh. Sipas kushtetutës të vitit 1974, pronat private, që ishin të rrënuara dhe të pabanuara, shtetëzoheshin. Spiunët e partisë që “ruanin” natë e ditë shtëpinë tonë e dinin këtë gjë. Dhe ata kur largoheshim ne, nga Pogradeci për në Tiranë, filluan ta shkatërronin shtëpinë. I hiqnin gurët, prishnin muret, futeshin brenda dhe vodhën edhe ato pak sende që ishin aty. Në këto kushte biseduam me babain dhe vendosëm që, të paktën duke e shitur, mund të merrnim pak lek, për t’i shërbyer halleve të shumta që na i krijonte edhe gjendja shëndetsore e babait. Vendosëm të tre, Babai, Kostandina (motra) dhe unë. Meqenëse shtëpia ishte në emër të babait, por ai nuk shkonte dot nëpër zyra dhe të merrej me dokumentat e shitjes, vendosëm që të bënim një akt dhurimi. Pra babai dhe unë, ja dhuruam pjesën tonë Kostandinës që ajo të shkonte nëpër zyra, të bënte shitjen. Akti i dhurimit ka datën: Pogradec, datë 3.8.1985. Ndërkohe shkaterrimtaret, zemërzinjtë, spiunët, filluan kulisat duke na larguar të gjithë blerësit, duke i trembur, për t’i ulur çmimin. Dhe këtë e bënte me qëllim, siç e morëm vesh shumë vonë, pikërisht ky person, që e bleu këtë shtëpi. Shitja e shtëpisë është bërë në Zyrën e Ndihmes Juridike Pogradec, nga motra ime, Kostandina, në datën 13 dhjetor 1986 (për këtë kemi kontratën e shitjes). Im atë ka vdekur më 12 nëntor 1987.
Por atëhere ky person ka blerë vetëm shtëpinë, sepse toka rreth saj ishte pronë shtetërore, nuk shitej dhe nuk blihej. Megjithatë ky person ngjitur me shtëpinë tonë, ndërtoi edhe një shtëpi të veten. Një herë kur e kam takuar më ka thënë: do ta bëj muze privat për Lasgushin, këtë shtëpi”. Injorant ai dhe injorantë dhe të ndyrë ata që e frynin atë. Mbas viteve 1990, kur doli ligji mbi “Kthimin dhe kompesimin e pronave”, toka rreth e përqark shtëpisë duheshe të na kthehej ne dhe shtepia që ndërtoi ky person është një ndërtim pa leje. Po ne nuk u morëm me këtë punë, sepse ne e kuptonim që nuk çanim dot në Pogradec. Pasi të gjithë këta palaço ishin bërë gardh. Këta psikovampirë na sorollatnin dyerve të zyrave dhe gjyqeve për një copë tokë buze liqenit, pronë e babait tonë. Këta vampire e shisnin dhe e blinim sipas dëshirës së tyre pa përfillur fare dokumentat tona të vitit 1935. Akoma sot na sorollasin megjithse problemi është i qartë. Rrugeçët e zyrave me ligesinë e tyre na përzunë nga qyteti. Ne, vajzat e Lasgushit. Turpi më i madh.
Para disa javësh kam zbuluar që ka një VKM nr. 350, datë 13.5.1996, kjo shtëpi duhej të shtetëzohej për përdorim publik dhe për këtë ngarkohej Ministria e Kulturës. Por kanë kaluar 20 dhe akoma nuk është zbatuar ky vendim. Ata palo zyrtare, në atë qytet e më gjerë, heshtin. E mbanin të fshehur këtë vendim dhe kur interesoheshin njerëz të ndryshëm na ngarkonin me faj mua dhe motrën. Pyes vetem: përse kjo ligësi kaq e madhe? Përse? Me nje poet që i fali ç’gjë më të bukur pati atij qyteti. Kush i orkestron këta mjeranë? Sipas një bisede që kam bërë para disa vjetësh me ish kryetarin e bashkisë ai me ka thënë që: “Ne po përpiqemi me bleresin për një marrëveshje dhe në këmbim t’i japim nja 3 apartamente në Tiranë, por ai nuk pranon”. Nga kontakti që kam pasur para disa ditësh, me ish Kryetarin e Bashkisë Artan Shkëmbi, ai nuk pranon se ka patur dijeni për këtë VKM. Kurse Budion Xhelo në një shkrim të para ca ditëve thotë që e kam vënë në dijeni ish kryetarin. Kujt t’i besoj?!
Janë njerëz të ulët dhe përvec pazareve nuk dinë asgjë tjeter. Janë cinikë dhe njohin vetëm çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje”, përfundon rrëfimin e saj me nota revolte vajza e Lasgush Poradecit.
Z. Marie…nuk e shikon se c’behet?! Babain tend qe nuk u perkul kurre dhe qe s’harxhoi nje varg per diktaturen dhe Enverin nuk e morem vesht kur dhe si vdiq. Poetit te madh qe mund te krahasohej vetem me Migjenin dhe shkroi vargje te lira per atdheun, lirine dhe dashurine, kryetari i lidhjes se shkrimtareve i asaj kohe, dmth Driteroi, nuk lejoi t’i behej nje ceremoni e thjeshte aty, ne shtepine e shkrimtareve. Dje, sot e gjithe diten, Driteroit po i behen nderimet, si te ishte Jezusi….Vete kryeministri jone, do kryesoje ceremonine e varrimit qe do nise nga pallati i kongreseve!!
Prandaj te ndodh ajo qe te ndodh…Keta respektojne vetem ata qe kane punuar per komunizmin, te tjeret i shkelin me kembe! Kjo ndodh me vendin tone, qe eshte akoma nen thundrren e komunisteve dhe pjellave te tyre! Perlat e Lazgushit nuk harrohen, por kendohen, ndersa Driteroi shume shpejt do harrohet…
Uroj qe ti zgjidhesh problemet, megjithese duket e veshtire!