Prej vitesh e prisnim një libër poezie nga Lluka i cili çmohet nga një rreth i madh shokësh e miqsh si një personalitet unik, qoftë për vlerat po edhe për mënjanimin e tij në vazhdimësi. Fizikant astronom autor esesh, ai vjen nga një familje e vjetër beratase-vlonjate, me kontribute në çështjen kombëtare. Gjyshi bankier, i ati gjeolog, gjyshi tjetër pronar i madh , por të përndjekur rëndshëm të tre siç u takonte familjeve të shquara që me praninë e tyre çvlerësonin regjimet e cilsuara si antipopullore por edhe ata që u vetshpallën ‘popullor’ njeri, dhe ‘demokratik e pluralist’ tjetri pas tij… I edukuar me frymë fetare nga nëna zotëruese e një kulture evropiane siç mund të merrej në një kolegj murgeshash franceze diku në Evropë, ai shkëlqeu që në fëmini si enfant precoce, gjë që tërheq prapësi e bullizma jo vetëm nga moshatarë po edhe nga të rriturit, ai nuk u zbraps nga ‘e tija’ as në momentin kur liria u lejua por fshehtazi kanosej, pikërisht në kushtet e pluralizmit të posa nisur, kur pësoi madje keqpërdorimin kulmor, atë fizik, sidhe pushimin nga postet që kish nën diktaturën e mirëfilltë, normalisht jo aq e çmendur sa të hiqte një kuadër që i bënte punën, siç do ta bënte vazhduesja e saj ‘demokrate’ që të mbaronte punët e saj në demokraci…
Mund të pritej që poezia e tij të sillte jehona nga këto momente të hidhura e veçanërisht absurde, ndaj dhe me vlerë për polemikë, por nuk ndodh kështu në libër. E shohim autorin në të tjera vise, me tjetër disponim. Indinjata tek njerëz si ai nuk vjen si shpagim qoftë me finecë i padrejtësive të pësuara. Kur themi i mënjanuar, e kuptojmë në sensin filosofik dhe jo ndaj një shoqërie me të cilën je në të drejtën të mbash mëri. Kjo ndihet që në faqet e para, madje që në vargjet e para të librit Prizëm, ku ndarja me botën kuptohet si e ndodhur prej kohësh:
Tek rri më kot ngjajnë shumë gjëma Anembanë kësaj bote vlerëçpuar
Komponentët “rri më kot”, “ngjajnë shumë gjëma” tregojnë boshllëk dhe kaos që ua gjejmë shkakun tek togfjalsi “.. kësaj bote vlerëçpuar”
Të kërkosh ligjërim sentimental o idealist në poezinë e Llukës je tërësisht out. I dhënë si më lart humori i autorit, mes kotësisë dhe gjëmave shpjegon sëpari mënjanimin e tij si qëndrim të papajtuari me atë që hiqet në treg, por bota vlerëshpuar e kthen atë mospajtim në filozofik, dhe pa afat. Të presësh prej tij angazhim se si do shkojë aksh projekt reformues, s’ke kuptuar portatën e preokupimeve të tij, të ç’natyre janë. Indinjata nuk i mungon, dhe shpërthen shpesh edhe për motive të njejta me tonat, madje me ashpërsi të habitshme, që i shoqëron ato me indinjatën e kokave të mëdha të kohërave. Sepse i adresohen, posi e atyre, shkakut të thellë, fillestar të mbrapështis së botës. Inatin pra e ka jo aq emocional sa qënësor, të atij që e njohu dikur Botën në bukurinë e saj të pacikur, dhe ajo i çfaqet tani e tjetërsuar, plot shëmti, për faj të një pabesie o shkelje të fjalës. Ta kesh këtë dramë mendore ose ide fikse me të cilën merresh në vazhdimësi, mund ta përfytyrojmë si vetmi që njëherazi vlen si një favor i hidhur që u jepet gjenive. Kjo vetmi theksohet dhe më në kohët e sotme kur roli i inteligjencës bie thekshëm për shkak të automatizmit dhe të zbavisë invadente.
Kështu që në vazhdim të komentit e poezisë kyç ‘Vërejtje’, merr rëndësi të kuptohet ç’ lidh strofën e parë të saj, kaq goditëse, me Hyrjen në faqen e parë të librit, ku lexuesit i është njoftuar në prozë të matur nga autori, se poezitë që vijojnë në libër bëjnë fjalë për persona, akte, kategori mendore të një sfere tjetër, të dëgjuar dikur, të panjohur për të tjerë: E shenjta, jeta si dhuratë, Ai që na e dhuroi, etika, pëllumbi përfaqësues i dlirësis sublime, jepen në atë Hyrje si brendi e përftuar përmes tejpashmëris që përlind botën reale. Fjalë të forta por që të thëna nga një vetmitar meritojnë të analizohen në tri instanca 1. Si pjesë e një tradite të njerzimit dhe tonës 2: për bukurinë e tyre të paperëndueshme tek arti i shekujve 3. Për faktin që thuhen nga dikush që u ka përkushtuar jetën. Mund të mos kuptohen menjëher pa u kushtuar vëmendje këtyre mundësive për meditim , madje gjasa është që kjo të mos ndodhë, me përjashtime të pakta.
Strofa e cituar më lart, e para, plotëson tek dy strofat e tjera momentin që vlera e heshtur na dëften se ku gjenden shtigjet e shpëtimit:
Zemra rreh drejt heshtjes dhe humbjes
Shpirti dhemb, varrohet dhe harrohet
Por një shenjë e pagjurmë
Më kujtohet edhe në gjumë
Një shpresë e një rruge të çuditshme
Një shpresë që mërgon çdo luhatje
Drejt amanetit t’pathënë
Drejt një fjale dikur dhënë
Kthesa e pritur po afron , por kur del në rrugë, e njejta dritë e mugët si në strofën e parë ia mpi shpresat – i bëhet e pamendueshme të gjendet rruga e atij uniteti antik tek sheh turmat të mbetura në atë harresë kaq të rrënjosur, prandaj i emëron Vërejtje tri strofat që u drejton, varianti më miqësor për kritikën.
Zemra i rreh dhe shpirti i dhemb,
por prapë s’mund të heqë dorë si nga një send
që e kemi varrosur dhe harruar.
I ripropozon “fjalën e dhënë” dikur, që na mbante të bashkuar në atë rrugë të çuditshme. Është vërtet e çuditshme (po citoj Hyrjen:) ..dhurata sublime e jetës njerëzore , që Ai vetë na e dha me Shpirtin e Shenjtë që u simbolizua realisht dhe përmbajtësisht përfaqësues i pastërtisë sublime
Janë fjalë të fuqishme por që e ndalin në vend tek sheh një masë kaq të pavëmendshme për çka ai e mendonte si të maturuar për ta përqafuar. Vërtet kjo ndodh gjithmonë, por nuk mund të shtyhet pa afat zgjidhja… Veçansia madje e këtij botimi qëndron te kjo distancë që krijon vetmia. Ajo ësht e nevojshme e domosdoshme për të aftësuar një raport të ri aty ku është , por që s’mund të jetë veçse një fillim. Dhe fillimi është edhe ai i detyrueshëm. E rëndësishme bëhet ajo që autori thotë më pas në Hyrje
“Çdo përpjekje për sinqeritet që solli në jetë këto shkrime modeste është një teh i Prizmit të tejpashmërisë që përlind botën reale duke refraktuar ndriçimin e brëndshëm . Kështu pëllumbi etik transformohet në pallua poetik dhe bardhësia verbuese e borës etike në lulëzim laryshor të estetikës pjellore të realitetit : Jerina fishtjane dhe vula e Solomonit në pafundësinë e interpretimeve në realitetin njerëzor”.
Me këtë poetizim kaq të gjetur të asaj që ndodh në momentet e kthesave historike Lluka vihet në pozicionin ekstrem të vetmitarit, me rreth vrojtimi të plotë, që bashkë me realen e fshehur përfshin një pejsazh me gjithfarë mostrash nga e kaluara e plot nisma të çmendura për të ardhmen. Vetmi edhe më produktive tani si i rritur, se nuk do tu kushtojë kohë joshjeve të asnjë lloji, ashtu siç nuk do tu përgjigjet goditjeve të pësuara me hidhësirën e të zhgënjyerit ose me inatin e hakmarrësit, (pretekst i shkëlqyer ky për poezi sociale). Ashtu ai e ndien më thellë sfidën, ai ka lënë një karierë të sigurt si fizikant teorik , për të përqafuar atë që mund të cilsohet dorëheqje për hir të drejtësisë në pikën gjeografike të shkeljes së saj më skajore. Një tension tipikisht shqiptar që bëhet universal për të, sepse kjo çështje e ka preokupuar siç thamë filosofikisht. Dorëheqja kësisoj bëhet një realizim sui generis kur i privuar në maksimum nga mjetet, i ofrohet rasti për meditim e veprim intelektual, që në karrierën e ngjeshur në botë mund t’i mungonin. Dorëheqja për hir të një interesi mbipersonal është pjesë e kulturës botërore e jo vetëm e asaj kristiane. Qëndrimi në atdhe i këtij pinjolli të elitës më patriote merr për ne miqt dhe admiruesit e tij një kuptim simbolik, si një kthesë e fatit për Shqipërinë, nga viktimë dhe e braktisur që priste ndihme prej bijve të mërguar, në Shqipëri të mëkëmbur dhe të aftë për veprim të pavarur. Të vijn në mend edhe raste të tjera nga familja e Llukës, gjyshi i tij, faktor përparimi qytetar në Vlorë, i mbaruar në kampet naziste, vëllai i gjyshit tjetër – murg në Athos, për të mbajtur amanetin e dhënë për shërim. Vepra eseistike e Llukës, puna e tij shumvjeçare dhe organizata albshkenca e ideuar bashkë me vëllanë e tij Niko Qafoku, shkencëtar në rang federal i SHBA , me mijra antarë elitarë të afirmuar në botë pjesë të këtij zotimi familjar të hershëm për një proces gjallërues që funksionon pa bujë por me një të ardhme shpresojmë të sigurt. Edhe dalja në dritë e librit ‘Prizëm’ ngjan të përmbushë një etapë të këtij kalendari të menduar për ngjarjet që do vinin
.. e një etike, që manifestohet me pastërtinë e vetvetishme të përsosurisë së pastërtisë.
E “vetvetishme” besoj do të thotë ajo aftësi që të jepet një herë e mirë, dhe autori e spjegon me impenjimin e patundur në zotim e që gjen hirin për të vazhduar
Një shpresë që mërgon çdo luhatje
Duhet të ketë qënë një zotim i kësaj natyre që fizikanti me të dhëna maksimale mërgoi idenë e largimit. Ai hoqi dorë nga një karierë shumë premtuese si zotërues edhe i një kulture eprore nga çdo aspirant tip , dhe e bëri atë të merrej me ç’i sillte dita, një zgjedhje për tu falënderuar nga ne miqt e tij atëhere dhe sot. U vendosën kontakte shumëplanëshe, me shkëmbim mendimesh që na hapnin vizionin edhe për punët tona. Për vet Llukën kariera në fizikën teorike u zëvendësua me punëra domethënëse si bashkëpunimi me Petro Zhejin për Gjuhën Shqipe, një përpjekje e bazuar në shkencën evropiane të kohës (që e gjenin në libra të ndaluar asokohe) por as e pranuar as e diskutuar nga Akademia sot e kësaj dite; një sërë esesh në Anglisht, ndër to “Zoti i Shqiptarëve”, e rëndësishme për të interpretuar edhe historinë tonë, por pa mundësi debati në kushtet tona, për mungesë vullneti po edhe kompetence siç e dëshmon vetmia tjetër e tij në mes dhe të miqësorëve e jo vetëm të dijes zyrtare. Mjafton një shikim tek një ese tjetër e tij në anglisht “Ese mbi një ese” ose “POETI I RËNDIMIT ose POETI I PAZOT [në të dy kuptimet]=I PAPERËNDI HEROI I MENDIMT po dhe[HEROI IMAGJINAR “, dhe referencat që bëhen në futnotat, për ta kuptuar këtë vetmi të padëshiruar të tij dhe ngushtimin e habitshëm që vuan dija në vendin tonë aq sa të krijojnë një tematikë më vete të bazuar mbi rastin e Llukës dhe të të ngjashmëve të tij: refuzimi i një shoqërie të qasë dijen e plotë përderisa refuzon një pjesë të saj, ergo vullnet për ta patur të gjymtuar..; eseja tjetër prej 23 faqesh në anglisht “Some associations and reflections, sparks of thought on Animal Man, other animals and their environnment (Umwelt) I call Time=lifespan(inklings to insights) (Ana-logical b-ridges)me një shikim të pasur të shumanshëm në ç’ është shkruar mbi këto tema që tërheqin kureshtjen e tij kudo ku mund të gjenden zbërthime të problemeve thelbësore të njeriut; përkthimet mjeshtërore nga Bibla, “Ekleziasti”, “Zbulesa”, pastaj “Kështu foli Zarathustra”, një ese e tij për ketë vepër, veprën e filozofit francez E.Levinas, dhe kontributi i tij në një sesion ndërkombëtar mbi këtë autor që trajton ngjashmëritë o analogjitë e fateve të Shqiptarëve me Hebrenjt , dhe në mbyllje por jo shteruese proza e gjatë ”Spitali” , e botuar dhe e kaluar në heshtje. Bien në sy te kjo vepër prej 30 fq një pasuri mjetesh letrare që të impresionon për menyrën rrënjësisht origjinale (të guximshme) që trajton realen dhe të imagjinuarën, fantazinë për të sjellë të ardhmen tonë të rënë pre e lirisë së shqyer por dhe nën dritën e fuqishme të drejtësis hyjnore, gjëra që e rreshtojnë ndër autorët më të avancuar sipas meje, dhe për impenjimin kostant prej kërkuesi për të intuuar ç’ mund të ngjajë në botë me start nga sot dhe me implikime që ravizohen qysh sot, natyrisht si mund ta shohë një artist që vë në punë hiperbolën, (por a nuk do të quheshin tepërime, realitetet shekullit të kaluar kur i parathoshte një artist? Shembull Orwell) Problemi që rri përposht ngjarjeve të një harku kohor sot, me mundësi të provuara tragjike qëndron te indiferenca dhe papjekuria e botës së pasur . Në fakt është raporti i dobët preokupim/ problemim që tregon bota nominalisht e krishterë në sjelljen e saj ajo që përbën shqetsimin e tij. Dhe përqëndrohet sigurisht ai tek ndajfolja nominalisht .
Kurse poezia e Llukës, e pashkëputur nga dialogu me veten, vepron në momente të zgjedhura por thuajse pa pushim , me një gjuhë esenciale falë rigorozitetit të tij në shije dhe kulturës së gjerë,.. Në vazhdim të volumit ‘Spektër’ lexuesi do të vërë re këtë depërtim në thelbin e gjërave, kur gjen të tjera pretekste me fokusime të papritura , që i evidentojnë origjinalitetin. Që këtej vjen dhe e ohuranj ‘ ngushtësi’ e poezis në pak shijues. Kjo dhunti intuitive e çon autorin, mbasi ka numuruar edhe çfaqjet më të hidhura të jetës me pak rreshta, tek një vis i largët prej të cilit vargu merr si një dritë ku ndihet nostalgjia e përjetimeve në moshën e harmonisë me Botën, adolescenca e parë, dhe që i ka lënë në shpirt jo dëshirën o pezmin për të ndryshuar dishka, ai është i sigurt që ndyshimi ndodh objektivisht, por një dëshirë për plotësi që do të thotë përsëri vetmi ngaqë çdo individ ka linjën e tij të pareduktueshme. Ajo përshkon si prizmë tërë librin, që na jep çastet kur meditacioni i tij kërkon plotësinë pikë arritjeje,dhe provat që bën në sferën e të dukshmes të lidhur me të padukshmen kaq gjat të ‘banuar’ prej tij në vetminë e tij . Ndërkohë ‘spektri’ i tij ka edhe të tjera shikime realitetit të dukshëm, prej modernisti befas, për ta intriguar lexuesin, psh e para në rend mbas ‘Vërejtje’ me titull “Përshkrim i një momenti”,në të cilën ekzistenca e përjetuar fizikisht rrudhet në një moment të shkurtër tek vetëm suksesioni i ndijimeve pa asgjë tjetër, një vartësi e pacak dhe e pa kuptim. Poezia që pason (“Një portret”) më e gjata dhe më e bukura e përmbledhjes jep të kundërtën, shpërthimin e fizikes që mbush një vajzë të re me energji orgjiake,( term i tij) që për instinkt provon të gjitha mundësitë e trurit e të reflektimit, pra pasuri fiziko-psihike me kapacitetin të zgjedhë, pra edhe lirinë – shkurt njerzorja në potencialitetin maksimal të saj.
Poezis së devocionit të shpërfillur deri dje, dhe tani duke rimarrë veten, po i shtohet tek libri një fill bashkëkohor.kur ia merr popullit besimtar qendisjet delikate në nderim të ikonës së Virgjireshës Mari dhe u shton një flok dëbore ! Kjo grimë e ardhur nga qielli me ngadalësi dhe në heshtje ka këtë modernitet nga shkenca që e ka studiuar duke na e ofron ashtu siç është, një brilant, kur e sheh në mikroskop. Nëse ato përdorin objekte tipike secila të epokës së vet, e vjetra arazzot dhe qëndisjet që i japin luks ikonës së Virgjireshës, e sotmja lulet e fushës o të serrave në ngutjen e saj, spektri që kemi në dorë gjen në ravgimet e tij një flok dëbore send që natyra na i ofronte përherë,por që me sa di nuk i ësht ofruar Hyjlindëses deri dje ndonjëherë ,dhe natyrisht as me atë intencion si ky që formulohet në këtë poezi të Llukës,përmbyllëse e librit :
I përshtatet kësaj dite
dërgimi i një dhurate
i një dhurate të pafajshme fëminore
i një floku dëbore
që është i butë,
i heshtur,sublim dhe i panjollë
dhe vezullon
si çdo brilant
me kristalet e tij fisnike, të përkryera
megjithse të përkohshme dhe të thinjura;
por aq të brishta dhe delikate sa nuk durojnë
as më të voglën prekje të frymës apo gishtit
Të lashtët katragjyshë
të lulëzimit pranveror
po aq të përkohshëm
sa çdo lumturi në këtë botën tonë të mjerë
====