Liz Truss ka fituar garën në Partinë Konservatore, duke siguruar postin e lideres së kësaj partie dhe të kryeministres së re të Britanisë së Madhe.
Ajo do të bëhet kryeministre të martën, më 6 shtator, pasi të vizitojë Mbretëreshën Elizabeth II, e cila zyrtarisht do t’i kërkojë Truss që të formojë Qeverinë e re britanike.
“Faleminderit që më besuat që të udhëheq dhe të shërbej për shtetin tonë. Do të ndërmarr veprime të guximshme që të gjithë ne të mund të tejkalojmë këto kohëra të vështira, të rrisim ekonominë dhe të tregojmë potencialin e Mbretërisë së Bashkuar”, shkroi Truss në Twitter pak pas njoftimit për zgjedhjen e saj.
Në garën partiake, Truss fitoi 57 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e brendshme ishte e lartë, përkatësisht 82.6 për qind e anëtarëve partiakë votuan për udhëheqësin e ri.
Zgjedhja e saj në krye të partisë udhëheqëse, Partisë Konservatore, erdhi pas dy muajsh pasigurie, periudhë që është përshkruar me rritje të çmimeve të energjisë dhe me greva të dhjetëra mijëra punëtorëve.
Në garë për kryeministrin e ri, përveç Truss, e cila ka shërbyer në postin e sekretares së Jashtme, ishte edhe ish-shefi i Thesarit, Rishi Sunak.
Ndërkaq, Sunak pas disfatës në garën partiake tha se Partia Konservatore është “një familje”.
“Tani duhet të bashkohemi prapa kryeministres së re, Liz Truss, teksa ajo drejton shtetin në këto kohëra të vështira”, shkroi ai në Twitter.
Truss do të udhëheqë Britaninë, pasi paraardhësi i saj, Boris Johnson dha dorëheqje në korrik për shkak të disa skandaleve.
Kryeministrja e re britanike trashëgon një ekonomi që potencialisht po shkon drejt një recesioni të gjatë dhe do të duhet që menjëherë të ndërmarrë masa për të zbutur krizën e kostos së jetesës që ka mbërthyer Mbretërinë e Bashkuar.
Për shkak të rritjes së çmimit global të gazit – që është shkaktuar pas pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës – faturat e energjisë për amvisëritë britanike u rritën në mbi 4 mijë dollarë në vit apo trefish më shumë sesa vitin e kaluar. Inflacioni ka arritur në mbi 10 për qind, për herë të parë që nga vitet ‘80. Qeveria britanike përballet me thirrjet që të ofrojë pako financiare për të ndihmuar miliona persona që të paguajnë faturat e tyre për ngrohje dhe rrymë, me qëllim që ta kalojnë dimrin.
Partia Laburiste në opozitë dhe kritikët e tjerë e kanë akuzuar Qeverinë se “nuk ka vepruar” gjatë verës teksa pakënaqësitë sociale kanë shtyrë dhjetëra mijëra punëtorë të kompanive të trenave, porteve, postës, avokatëve dhe të tjerë që të hyjnë në grevë për të kërkuar paga më të mira pas rritjes së kostos së jetesës.
Truss gjatë garës partike kishte prezantuar politika që shteti të ndërhyjë dhe të shkurtojë taksat. Ajo ka premtuar se do të veprojë “menjëherë” për të luftuar rritjen e çmimeve të energjisë, por nuk ka dhënë detaje sesi do ta bëjë këtë.
Sunak, i cili e ka portretizuar veten si një ekonomist më realist, kishte thënë se ai do të ndërpriste përkohësisht Tatimin mbi Vlerën e Shtuar mbi faturat e energjisë. Ai ka insistuar se nuk do të zhyste shtetin në borxhe dhe se shkurtimet e tjera tatimore do të duhej të bëheshin pasi inflacioni të vihej nën kontroll.
Që të dy kanë shprehur admirimin e tyre për Margaret Thacher, e cila ka qenë kryeministre e Britanisë në periudhën 1979-1990.
Përderisa ekonomia do të jetë çështja kryesore në muajt e parë të mandatit të kryeministrit të ri, pasardhësi i Johnsonit, Truss do të duhet të merret edhe me pozitën e Mbretërisë së Bashkuar në skenën ndërkombëtare, në dritë të pushtimit rus të Ukrainës, rritjes së prezencës së Kinës dhe tensioneve që po vazhdojnë me Bashkimin Evropian lidhur me periudhën post-Brexit.
Boris Johnson dha dorëheqje më 7 korrik, pasi Qeveria e tij u përball me skandale etike. Si Truss ashtu edhe Sunak kanë qenë lojtarë kyçë të kabinetit të Johnsonit, edhe pse Sunak kishte dhënë dorëheqje në shenjë proteste pas skandaleve.
Johnson ka shërbyer si kryeministër në detyrë, por ai është kritikuar gjerësisht për dështimin që t’i përgjigjet krizës së energjisë.
Johnson dhe Truss do të udhëtojnë për në Skoci për t’u takuar të martën me Mbretëreshën Elizabeth II, ku Johnson zyrtarisht do të dorëzojë dorëheqjen dhe Truss do të ftohet që të formojë Qeverinë.
Takimet e Mbretëreshës me kryeministrat tradicionalisht mbahen në Pallatin Bakingam në Londër. Por, monarkistja 96-vjeçare së fundmi është përballur me probleme shëndetësore dhe do të zhvillojë këtë takim në Skoci, ku zakonisht kalon pushimet e verës.
Komentet