Momenti erdhi, Shqipëria do të njohë sot tre kundërshtarët dhe grupin ku do të bëjë pjesë në fazën finale të Kampionatit Europian 2016. Pjesëmarrja historike e kuqezinjve në Europianin e Francës bën që shorti i sotëm në Pallatin e Kongreseve të Parisit të pritet me shumë emocion dhe ankth.
ORA 18:00
Ka nisur shorti i Euro 2016, ku merr pjesë edhe Shqipëria. Tashmë është duke u zhvilluar ceremonia e hapjes. Shqipëria do të mësojë sot kundërshtarët e saj në Kampionatin Europian.
JA SI BLIHET BILETA
Dy ditë pas hedhjes së shortit (14 dhjetor) dhe konfirmimit të kalendarit të Europianit, do të nisë shitja online e biletave të të gjitha ndeshjeve. UEFA konfirmon se në dispozicion do të jenë 1 milion bileta. “Ka pasur plot 11 milionë e 264.142 kërkesa për bileta. Ato kanë ardhur nga 209 shtete të ndryshme, por 41% kanë qenë nga vendi organizator, Franca”, thuhet në komunikatën e UEFAs. Secili ekip pjesëmarrës do të ketë një përqindje të caktuar në stadium për tifozët.
Burime zyrtare në FSHF konfirmuan se përqindja për tifozët kuqezi nuk është caktuar ende nga UEFA. Ndarja e biletave nuk do të jetë vetëm në një zonë të stadiumit, ku do të pozicionohen tifozët e zjarrtë, por do të ketë mundësi edhe për sektorët e tjerë. UEFA ka nxjerrë në uebsajtin e saj zyrtar mundësinë për të aplikuar për biletë.
Në këtë rast, FSHF do ketë një rol asistues, për të ndihmuar në mirorganizimin e tifozëve. Në linkun që ka ofruar uebsajti zyrtar i UEFA-s kushtuar Shqipërisë, secili tifoz mund të shkruajë gjeneralitetet dhe të bëjë prenotim nëpërmjet kartës së kreditit. Çdo biletë do të jetë e personalizuar me emër e mbiemër dhe maksimumi që mund të marrë një individ janë 4 bileta për 4 ndeshje të ndryshme të kompeticionit.
Në këtë procedurë ka kushtëzime, teksa mund të penalizohen tifozët shqiptarë jashtë kufijve, të cilët nuk janë nënshtetas të Shqipërisë. UEFA kërkon që çdo tifoz të ketë pasaportën e vendit të kombëtares që do të shikojë në Francë. Nevojitet që tifozët shqiptarë të kenë pasaportë shqiptare ose të jenë rezidentë në vendin tonë.
Aplikimet hapen të hënën dhe zgjasin deri në janar 2016. Sipas njoftimit të UEFA-s, tifozët shqiptarë do të njoftohen me “e-mail” në shkurt të vitit 2016 nëse u është pranuar aplikimi apo jo.
SHORTI PËR “EURO 2016”
Vazo 1
Franca
Spanja
Gjermania
Anglia
Portugalia
Belgjika
Vazo 2
Italia
Rusia
Zvicra
Austria
Kroacia
Ukraina
Vazo 3
Çekia
Suedia
Polonia
Rumania
Sllovakia
Hungaria
Vazo 4
Turqia
Republika e
Irlandës
Islanda
Uellsi
Shqipëria
Irlanda e Veriut
Komentet