Opozita po vijon mosbindjen civile, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit në Tiranë. Këtë herë, opozita po proteston duke bllokuar 6 akset kryesore rrugore që lidhin vendin. Protestuesit e opozitës kanë bllokuar mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit dhe Milotit. Afati i bllokimit do të jetë nga ora 17:00-20:00. Opozita proteston kundër arrestimit të liderëve të saj, Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe kërkon nga mazhoranca të pranojë kërkesën e saj për qeveri teknike.
Zhvillimet minutë pas minute nga mosbindja civile e opozitës
Ora 19.20 Hapet për qarkullimin e automjeteve rrethrrotullimi i Bradasheshit Opozita ka mbyllur protestën te rrethrrotullimi i Bradasheshit. Në këto momente ka rinisur qarkullimi i automjeteve i ndërprerë prej orës 17.00.
Ora 19.15 Përplasje mes protestuesve dhe policisë. Efektivët fitojnë terren te ish-sheshi “Shqiponja” Ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë te Sheshi Shqiponja në Tiranë. Gazetari Osman Stafa raportoi për News 24 se ka pasur përplasje dhe shtyrje mes të dyja palëve. Policia është vënë përballë protestuesve, që të pengojnë marshimin e tyre. Në protestë është Flamur Noka, Albana Vokshi, Tedi Blushi etj. Duke qenë se policia ka fituar terren ndaj protestuesve, këta të fundit kanë shtyrë efektivët. Raportohet se përplasje ka edhe në Brandashesh.
Ora 19.04 Asllan Dogjani-policëve: Në orën 20.00 do largohemi vetë, mos ndërhyni me forcë Deputeti i PD, Asllan Dogjani ka kërkuar nga forcat e rendit të mos ndërhyjnë për të liruar rrugën me forcë. Duke iu drejtuar policëve, Dogjani tha se protestuesit e opozitës do të largohen në orën 20.00 siç edhe kanë njoftuar.
Ora 19.00 Opozita dy orë mosbindje civile dhe bllokime rrugësh nga veriu në jug
Prej dy orësh vijojnë të jenë të bllokuara akset kryesore rrugore në vend. Opozita po zhvillon mosbindjen civile të paralajmëruar disa ditë më parë nga ora 17.00 deri në 20.00. Policia po kërkon në këto momente të lirohen rrugët në 6 kryeqëzimet ku po zhvillohet mosbindja civile.
Ora 18.51 Flamur Noka: Policia të mos ndërhyjë, ndryshe destinacioni ynë do të jetë Surreli
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka i ka kërkuar policisë të ish-sheshi Shqiponja që të mos ndërhyjë për të liruar rrugën. Opozita vijon prej 2 orësh mosbindjen civile duke bllokuar 6 akse kryesore rrugore nga veriu në jug. Noka tha se në rast ndërhyrje nga Policia, protestuesit do të shkojnë drejt Surrelit, fshati ku banon kryeministri Edi Rama.
Ora 18.40 Lisandër Hoxha nga ish-Sheshi Shqiponja: Siç bllokohen rrugët sot, do bllokohet qeveria nesër…
I deleguari i PD në Degën 4 në Tiranë, Lisandër Hoxha nga Sheshi Shqiponja në mosbindjen civile tha se siç bllokohen rrugët sot, do bllokohet qeveria nesër, nëse nuk ka qeveri teknike. Hoxha kishte edhe një thirrje për ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, duke thënë se ai nuk duhet të sillet si ministri i fundit i diktaturës. “Siç bllokohen rrugët sot, do bllokohet qeveria nesër nëse nuk plotësohet kërkesa për qeveri teknike. Kam një thirrje për ministrin e Brendshëm. Mos të sillet si ministri i fundit i diktaturës. Nuk kemi dalë të bllokojmë qytetarët, por të bllokojmë qeverinë”, tha Lisandër Hoxha.
Ora 18.30 Policia nis të lëvizë te Mbikalimi i Kamzës, kërkohet lirimi i autostradës Tiranë-Durrës Gazetari Osman Stafa raporton se FNSH është vënë në lëvizje pranë Mbikalimit të Kamzës. Mësohet se uniformat blu kërkojnë lirimin autostradës Tiranë-Durrës e cila vijon të jetë e paralizuar prej orës 17.00.
Ora 18.20 Policia kërkon lirimin e rrugës te rrethrrotullimi i Bradasheshit Rrethrrotullimi i Shkozetit është bllokuar nga protestuesit e opozitës prej orës 17.00. Teksa ka kaluar mbi 1 orë nga bllokimi i rrugës, policia ka kërkuar nga organizatorët e protestës të lirojnë rrugën. Protesutesit kanë refuzuar thirrjet e policisë dhe vijojë të mbajnë të bllokuar autostradën në drejtim të Tiranës por edhe Durrësit, Kavajës e Rrogozhinës.
Ora 18.10 Policia në Shkozet thirrje protestuesve: Lironi rrugën Policia e Durrësit ka bërë thirrje për lirimin e autostradës në drejtim të Tiranës. Protestuesit kanë injoruar thirrjet e uniformave blu.
Ora 18.03Ivi Kaso: Edhe Rama bllokon rrugët për çdo aheng të tij Drejtuesi politik i PD për qarkun e Korçës në zgjedhjet e ardhshme, Ivi Kaso, në mosbindjen civile të Partisë Demokratike, iu përgjigj gazetarëve në lidhje me faktin që bllokimi i rrugëve është vepër penale. Kaso tha se policia duhet t’i kujtojë këtë gjë kryeministrit, që bllokon rrugët për çdo lloj ahengu që zhvillohet në vend.
Ora 17.50 Luçiano Boçi: Në vijim do ndërmerren akte që do të zgjasin me ditë…
Protesta e sotme do të zgjasë 3 orë, por nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili ndodhet në Milot, një nga pikat ku po protestohet, tha se do të ketë akte të tjera në ditët në vijim, që mund të zgjasin edhe me ditë të tëra. “Kjo është mosbindje civile, e cila ka aktet e veta. Është një akt proteste në kuadër të mosbindjes civile. Kërkojmë qeveri teknike, për ti dhënë fund inkuizicionit politik të opozitës, për ti dhënë liri liderit të opozitës, për të sigururuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Do të ketë akte të tjera në vazhdimësi, që mund të jenë më të gjata se 3 orë, mund të jenë me ditë të tëra, për ti dhënë këtij vendi, shqiptarëve, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Policia të zbatojë Kushtetutën, direktivat që vijnë nga Parlamenti Europian, dhe protesta e qytetarëve mund të bëhet në formën që ata zgjedhin. Ne kemi zbatuar ligjin duke njoftuar Policinë e Shtetit, e cila në anën tjetër duhet të respektojë ligjin”, tha Boçi.
Ora 17.40 Mosbindja civile, Paloka: Bllokimi i rrugëve, ky ishte qëllimi sot…
Deputeti demokrat, Edi Paloka, i cili ndodhet në rrethrrotullimin e Shkozetit, një nga 6 pikat ku po protestohet, tha për News24 se protesta do të vijojë ashtu sikundër është njoftuar. Ai tha se qëllimi i protestës së sotme është bllokimi i akseve rrugore dhe nuk do të ketë veprime të tjera.
Ora 17.35Pamjet në këto momente te Mbikalimi i Kamzës dhe ish-Sheshi Shqiponja
Ora 17.30 Paralizohet qarkullimi te rrethrrotullimi i Levanit
Mosbindja civile e opozitës në Levan vijon pa incidente, prej orës 17.00 kur u bllokua qarkullimi i automjeteve. Gazetari Enrik Mehmeti raportoi për News24 se rruga që të çon në drejtim të Fierit dhe Tepelenës, Beratit e Gjirokastrës është e bllokuar. Aksi është bllokuar në të dyja anët.
Ora 17.29 Rrethrrotullimi i Shkozetit, protestuesit i vënë flakën gomave Në rrethrrotullimin e Shkozetit, një nga 6 pikat ku po protestohet, mbështetës të opozitës, i kanë vënë zjarrin disa gomave. Gazetarja e News24, Klodjana Haxhiaj raportoi se një grup protestuesish kanë vendosur gomat në asfalt dhe për pasojë u kanë vënë flakën.
Mbështetës të opozitës kanë bllokuar akset rrugore në 6 pika nevralgjike nga Miloti në Levan. Protesta ka nisur rreth orës 17:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 20:00, sipas njoftimeve zyrtare. Ndërkohë që deri më tani nuk janë shënuar incidente apo përplasje, një qytetar në Milot ka zgjedhur të protestojë hipur një kalë. Video e mëposhtme e siguruar nga gazetari i News24 Renaldo Salianji tregon momentet kur ky qytetar, i veshur me kostum popullor dhe hipur mbi kalë i është bashkuar protestës në Milot.
Ora 17.20 Noka nga Sheshi Shqiponja: Jemi në mosbindje civile, vijojmë me akte të tjera Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka folur nga ish-sheshi Shqiponja për mosbindjen civile që po zhvillon opozita. Noka tha se Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj. Sipas Nokës, PD është në mosbindje civile, duke shtuar se do të vazhdohet me akte të tjera.
Ora 17.18 Bllokohet lëvizja e automjeteve te rrethrrotullimi i Rrogozhinës
Në këtë aks rrugor bëhet lëvizja e automjeteve në drejtim të jugut, Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit. Prej orës 17.00 protestuesit e opozitës kanë bllokuar rrugën duke paralizuar qarkullimin. Gazetari Igli Çelmeta tha se deri në këto momente nuk janë shënuar incidente.
Ora 17.16 Flamur Noka “parkon” automjetin në mes të rrugës Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka mbërriti te ish-sheshi Shqiponja, aty ku protestuesit e opozitës bllokuan rrugën. Noka fiku automjetin e tij në mes të rrugës duke iu bashkuar mosbindjes civile.
Ora 17.15Paralizohet qarkullimi te rrethrrotullimi i Bradasheshit Rrethrrotullimi i Bradasheshit është bllokuar nga protestuesit e opozitës. Në këtë momente, raporton gazetari i News24, Fatmir Popja nuk lejohet qarkullimi i asnjë automjeti në drejtim Tiranës apo dhe Elbasanit. Sikurse nuk ka lëvizje as në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës apo Belshit.
Ora 17.12 Protestuesit ulen këmbëkryq në rrugë, bllokohet aksi Thumanë-Milot Është bllokuar edhe rrethrrotullimi i Milotit në të dy korsitë e rrugës. Disa qytetarë janë ulur këmbëkryq në asfalt duke bllokuar aksin. Gazetari Renaldo Salianji raportoi se në këtë rrethrrotullim janë caktuar deputetët; Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti dhe Kastriot Piroli.
Ora 17.10 Protestuesit i hapin rrugën 2 autoambulancave te Mbikalimi i Kamzës Edhe pse rruga ishte bllokuar, protestuesit e opozitës kanë lejuar qarkullimin e dy autoambulancave te Mbikalimi i Kamzës.
Ora 17.05 Policia devijon trafikun te Mbikalimi i Kamzës
Pas bllokimit të aksit kryesor Tiranë-Durrës nga protestuesit e opozitës, policia ka devijuar qarkullimin e makinave. Gazetari Osman Stafa raportoi se drejtuesve të automjeteve iu është kërkuar nga policia të ndjekin itinerarin Tiranë-Kashar nga rruga e vjetër, paralelisht me autostradën Tiranë-Durrës, për të shmangur protestuesit dhe bllokimin aty për tre orë me radhë.
Ora 17.00Nis mosbindja civile,rrugët që u bllokuan
Mbikalimi i Kamzës
Rrethrrotullimi Shkozet
Rrethrrotullimi Bradashesh
Rrethrrotullimi Rrogozhinë
Rrethrrotullimi Levan
Rrethrrotullimi Milot
Ora 16.40Ndarja e deputetëve te rrugët që do bllokohen Te Sheshi Shqiponja, do të jenë të pranishme degët e Tiranës dhe qarkut Dibër që do të bllokojnë hyrje-daljet në këtë rrugë dhe lëvizjen e automjeteve. Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.
Pika e dytë do të jetë rrethrrotullimi Milot, ku do të vendosen deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.
Tek rrethrrotullimi Shkozet, do të jenë degët e qarkut Durrës, Fushë-Kruja, Kruja, Shijaku.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të jenë degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti.
Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, degët Kavajë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Divjakë me Ilda Dhori, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati;
Në rrethrrotullimin Levan, degët e Fierit, Gjirokastrës, Vlorë, Berat, Luan Baçi, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Bujar Leskaj.
Deputetët e tjerë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Zheni Gjergji dhe Saimir Korreshi do t’i bashkohen tubimit te ish-sheshi “Shqiponja” në orën 18:00, pas përfundimit të takimit të MSA-së në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.