Deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, të enjten, me 13 tetor, pritet ta dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e legjislativit. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe dhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e këtij subjekti parlamentar.
“Të enjten do ta dorëzojmë në Gjykatë Kushtetuese kërkesën tonë për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën”, ka thënë Simiq.
Ai ka shtuar se deputetët e Listës Serbe janë duke e përgatitur edhe kërkesën tjetër për ta dërguar për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, lidhur me ligjshmërinë e miratimit të Ligjit për investimet strategjike, i cili po ashtu është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Deputetët tanë janë duke e përgatitur edhe kërkesën tjetër për Ligjin për investime strategjike dhe ajo do të jetë gati të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, javën tjetër”, ka thënë Simiq.
Komentet