Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të riverifikojë sot formularët e vetëdeklarimit për 21 zyrtarë të lartë, nga të cilët 13 deputetë dhe 8 kryetarë bashkish.
Por përfshirja e emrit të ish-kryeministrit Sali Berisha në listën e deputetëve që preken nga ligji i dekriminalizimit, ka ngjallur disa pikëpyetje, raporton “Panorama”.
Sali Berisha do të rikontrollohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi ai në formularin e parë që ka depozituar në Kuvend, nuk ka deklaruar ndërrimin e datëlindjes dhe të emrit.
Sipas të dhënave të Gjendjes Civile që janë dorëzuar në KQZ, rezulton se ish-kryeministri Berisha në regjistrat zyrtarë figuron me emrin Salih, po ashtu me datëlindjen 01.07.1944. Ndërsa rezulton se në vitin 2009, Berisha ka kërkuar të korrigjohet datëlindja, duke deklaruar atë si i lindur më 15.10.1944.

Sipas KQZ, Berisha nuk e ka deklaruar këtë fakt kur ka dorëzuar formularin herën e parë, por ka kërkuar që këto të dhëna të korrigjohen jashtë afatit ligjor. Një tjetër deputet që do të rivlerësohet nga KQZ është Spartak Braho. Ky i fundit, përveçse nuk ka deklaruar një dënim të vitit 1995 për shpifje, nuk ka deklaruar gjithashtu dhe ndryshimin e emrit. Sipas të dhënave të Gjendjes Civile, ai ka ndërruar emrin nga Zylyftar në Spartak.
“Në aktin e lindjes nr.258, datë 15.09.1951, emri rezulton ‘Zylyftar’. Me procesverbal nr.936, datë 21.12.1970, ndryshon emrin nga ‘Zylyftar’ në ‘Spartak’”, thuhet në raportin e Gjendjes Civile. Edhe deputeti tjetër i LSI-së, Ylli Shehu, rezulton të mos ketë deklaruar ndërrimin e gjeneraliteteve, po ashtu dhe një dënim për kontrabandë.
Sipas Gjendjes Civile, deputeti i LSI-së ka pasur emrin Ylli Lala, por ka ndryshuar mbiemër më vonë në Shehu. Në listën për riverifikim të formularit është dhe emri i Vangjel Dules. Ky i fundit rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit ndryshimin e gjeneraliteteve të prindërve. Sipas Gjendjes Civile, deputeti i PBDNJ-së nuk ka deklaruar ndërrimin e emrave të prindërve.
“Në aktin e lindjes, të dhënat e emrave të prindërve janë hedhur gabim. Emri i babait ‘Jorgo’ dhe emri i nënës ‘Garufo’. Me vendim gjykate nr.363, datë 04.12.1970, janë korrigjuar emrat në ‘Jorgji’ dhe ‘Jorgjia’”, thuhet në raportin e Gjendjes Civile të dorëzuar në KQZ. Edhe deputeti i PD-së, Gjovalin Bzhetaj, do të riverifikohet nga KQZ. Edhe ky i fundit nuk ka deklaruar ndërrimin e emrit nga Gjon në Gjovalin.
Në materialin që Gjendja Civile i ka dorëzuar KQZ-së, figuron emri i deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi. “Në aktin e lindjes nr.146, datë 16.04.1964, rezulton me emrin ‘Haqif’”, thuhet në materialin e dorëzuar në KQZ.
FATION BINJAKU/PANORAMA
Komentet