Zbardhen detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura në Këshillin Kombëtar të ish-kryeministrit Sali Berisha. Gazetari Osman Stafa ka siguruar për BalkanWeb diskutimet mes demokratëve, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha ka folur për riorganizim të partisë.
“Shpreh mbështetjen e plotë në evidentimin dhe denoncimin e parregullsive të zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Qeveria u sul me të gjitha mjetet e saj për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve. Kjo më ka krijuar bindjen se është një barrë mbi të, e cila po e tërheq çdo ditë dhe me shumë drejt humnerës politike. Personalisht, përtej ndjesive personale, gjykoj se është jetike për Partinë Demokratike të ketë ‘një fillim të ri’.
Ne kemi përgjegjësinë politike para shqiptarëve që të bashkojmë Grupin Parlamentar të PD dhe të hedhim pas krahëve konfliktin artificial, i cili ka qenë pengesë e madhe për kaq kohë. Propozoj një “indulgjencë politike” për secilin prej deputetëve, që nuk na janë bashkuar akoma, në mënyrë që në Shtator të kemi mundësinë e një lufte të gjithanëshme politike me qeverinë në ikje. Unë besoj se të gjithë deputetët e PD, pavarësisht qëndrimeve të tyre, e kanë një vend në fillimin e ri. Kjo duke përjashtuar Z. Basha, një grup të vogël njerëzish që kanë shitur veten e tyre te qeveria.
Së dyti, kam kritikuar keqpërdorimin e primareve, duke abuzuar me statusin e simpatizantit dhe duke sjellë përçarje në shumë rrethe. Unë jam propozues dhe mbështetës i primareve të hapura, ku simpatizant konsideroj çdo qytetar, i cili merr pjesë në pëlqimin e njërit prej kandidatëve në garë, duke rritur kështu mbështetjen dhe pranueshmërinë tonë në shoqëri. Primaret e mbyllura, ku simpatizantët nuk janë qytetar të rastësishëm, por janë të organizuar dhe të shoqëruar për regjistrim nga kandidati, apo zyrtar të tjerë të PD, nuk janë modeli i hapjes dhe i fitores së PD-së. Këtë gjë e kam kërkuar zyrtarisht në Tetorin e 2022 dhe vazhdoj të besoj se duhet ndryshuar i gjithë mekanizmi i realizimit të tyre. Së treti, kam kërkuar riorganizim të të gjithë strukturave të Partisë Demokratike.
Statuti parashikon votëbesimin e Kryetarit të PD, i cili me duket i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me votëbesimin e Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Degëve, etj. Pas rezultatit të 14 Majit ne nuk mund të fshehim karriget tona nën dosjen me 600 faqe të denoncimeve zgjedhore. Vota ka qenë kryefjala jonë që pas 9 Shtatorit të 2021 dhe vota duhet të jetë arma jonë më e fortë për të sjellë ndryshimin. Në bindjen time, Edi Rama është drejt fundit të tij politik dhe ne duhet të bëhemi gati për të qenë oferta e re politike. Hapja e PD nuk mund te ndodhë nëse mbetemi me barriera të pakapërcyeshme mbi kolltuqet tona. Hapja është e vetmja rrugë për të filluar një kapitull të ri me shqiptarët. Ky është thelbi i qëndrimit tim në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Kam besim se po shkojmë drejt një riformatimi, i cili do të jetë çelësi ynë për të hapur derën e rotacionit politik.”, tha Hoxha.
Ndërkohë, demokratja Ilirjana Kuçana tha se kjo situatë që po kalon PD, duhet të shërbejë si periudhë reflektimi dhe jo për të bërë ‘gjueti shtrigash’
“Kjo duhet të këtë shërbyer si periudhë reflektimi për të gjithë ne jo për të bërë gjuetinë e shtrigave, por për të shikuar problemet që kemi ne si parti. Ne duhet të hapemi dhe të jemi me të bashkuar. Partia duhet të jetë e hapur ndaj intelektualëve dhe njerëzve të lirë. Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë ngriti shpresë kudo në Shqipëri, por ai u sfumua për shkak të xhelozive të brendshme të partisë. Ne duhet te jemi me të hapur dhe më të bashkuar. Lufta jonë duhet jetë përballë Rames jo ndaj njeri-tjetrit.” -tha ajo.