Ka bërë lajm dekreti i Presidentit të Republikës Bujar Nishani, për lirimin nga detyra të Besiana Kadaresë, Ambasadores të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).
Në dekret thuhet se këtë veprim Presidenti i Republikës e ka ndërmarrë me propozim të Kryeministrit të Shqipërisë z.Edi Rama.
Besiana Kadare, e bija e shkrimtarit Ismail Kadare dukej sikur ishte personi i duhur në vendin e duhur, sepse përveç formimit të saj, nuk ka si të mos luajë rol fakti se ajo është e bija e shkrimtarit me famë botërore, kandidat për Nobel, i njohur në të gjithë botën dhe metropolet diplomatike, sidomos në Francë e Paris.
Gjatë kohës kur u aplikua për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Besiana Kadare ka qenë shumë aktive. Prezenca dhe emri i saj kishte ndikim, ishte përfaqësues dhe fitoi simpatinë e opinionit publik për angazhimin e saj.
Kur Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s, vendosi t’i rekomandojë Konferencës së Përgjithshme kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në vijim të nismës së propozuar nga Shqipëria, ky ishte një sukses i diplomacisë shqiptare, sepse po të dëgjoje mediat dhe politikanët serbë dukej një mision i pamundur.
Kosovën e ndante vetëm një hap nga të qenit anëtare me të drejta të plota në UNESCO, dhe këtë shans e humbi po për faj të diplomacisë shqiptare, por natyrisht jo të Besiana Kadaresë.
Pa marrë parasysh se Serbia ka lobuar shumë fort së bashku me Rusinë, çka e vuri në dukje edhe presidenti i Serbisë Nikoliç gjatë vizitës së tij në Moskë, duke i shprehur mirënjohjen Putinit.
Pa marrë parasysh se kjo është një dobësi edhe e BE, e cila udhëheq dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa Beogradi krenohet me arritjet e tij në dëm të interesave të shtetit të Kosovës.
Nga ana e saj diplomacia shqiptare është tërësisht e bunkerizuar, jo vetëm prej politizimit të skajshëm, që është dramatik por edhe prej buxhetit të varfër.
Dhe nëse Kosova humbi për tre vota, këtu natyrisht ka ndikuar edhe niveli i ulët i diplomacisë shqiptare si në Shqipërinë Londineze ashtu edhe në Kosovë, që le shumë për të dëshiruar, pasi emërimet nëpër Ambasada në përgjithësi janë ose politike, ose nepotike apo klienteliste. Sepse lobimi nuk bëhej vetëm në Paris, por duhej një mobilizim i përgjithshëm! Sikur thoshte Richard Holbrooke se “Diplomacia është si muzika xhaz: me vibrime të pafundshme mbi të njëjtën temë”.
Në këtë aspekt, emri i Besiana Kadaresë dilte jashtë klishesë të njohur të diplomacisë shqiptare, dhe i plotësonte kriteret për të përfaqësuar Shqipërinë në UNESCO.
Duke u nisur nga raportet që Edi Rama ka me Kadarenë, nuk mendohet që lirimi i Besiana Kadare të jetë në kuadrin e njohur të shkarkimeve të diplomatëve shqiptarë sa herë ka zgjedhje të reja, nisur edhe nga fakti se mandati i Ramës është në përfundim.
Mund të presupozohet, se ky lirim mund të jetë kërkuar vetë nga Besiana Kadare, e cila duhet të aspirojë për karierë në diplomaci edhe jashtë kufijve të vendit që përfaqëson. Ajo ka një CV të shkëlqyer dhe natyrisht që luan rol, dhe nuk ka se si të mos luajë, që është e bija e Ismail Kadaresë.
Kjo është normale, sepse shtetin, politikën dhe diplomacinë e bëjnë elitat, ku edhe trashëgimia është faktor shumë i rëndësishëm.
Komentet